Largimet nga puna, gjykatat “ndëshkojnë” bashkitë me miliona lekë për dëmshpërblime

Autorë: Dritan Kurti, Aleks Kalemasi dhe Endri Arizi

Tre bashki, ajo e Kamzës, Kavajës dhe Klosit nisën një fushatë shkarkimesh nga puna përgjatë vitit 2019-2020, që korrespondon me zgjedhjet lokale. Thuajse 90% e këtyre largimeve janë gjetur të padrejta nga gjykatat, duke i detyruar bashkitë që të dëmshpërblejnë me miliona lekë ish punonjësit. Kjo faturë e kripur finaciare

rrezikon të fusë në kolaps financat e bashkive, që kanë probleme me mbledhjen e të ardhurave për të kryer edhe funksionet më jetike.

Bashkia e Kamzës do të dëmshpërblejë me një rekord prej 26.5 pagash ish-punonjësin e saj, Artan Dervishi.

Edhe pse gëzonte Statusin e Nëpunësit Civil, ai u largua nga detyra në nëntor të vitit 2019, kur në krye të kësaj bashkie sapo kishte ardhur Rakip Suli. Dervishi e ankimoi vendimin në Gjykatën Administrative, e cila e klasifikoi çështjen si “largim i padrejtë nga puna”.

Artan Dervishi, i cili ka punuar në bashkinë Kamëz prej dy dekadash, mendon se arsyeja e largimit të tij nga puna është e pamotivuar.

Artan Dervishi, i larguar nga puna nga bashkia Kamëz, pavarësisht se mbante statusin e nëpunësit civil

“Në 20 vite në Bashkinë e Kamzës kam ndërruar gati 26 pozicione pune. Fillimisht më kaluan në pozicionin e një punonjësi të thjeshtë, edhe pse kam Statusin e Nëpunësit Civil që nga viti 2006. Arsyeja e largimit nga detyra për mua ka qenë e pamotivuar”, – shprehet ai për Investigative Network Albania

 

Largimet nga puna nuk janë një fenomen as i ri, e as i panjohur në vendin tonë. Aktualisht përllogaritet që largimet e padrejta nga puna, në administratën vendore e atë qëndrore, kanë një faturë që shkon mbi 30 milionë dollarë vetëm sa i përket pagesa të bëra gjatë 2020-ës. Kjo shifër është raportuar pak javë më parë në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, ndërkohë që kostoja totale nga 2013 përllogaritet të jetë mbi 108 mln dollarë.  

Të dhënat e siguruara nga “Investigative Network Albania” tregojnë për një numër të lartë punonjësish që kanë humbur vendin e punës në bashkitë Klos, Kavajë dhe Kamëz gjatë periudhës gusht 2019 – dhjetor 2020.

Kjo periudhë përkon me një administratë të re, që doli nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Të tria këto bashki, deri asokohe të djathta, u fituan nga socialistët.

Nga hulumtimi i “Investigative Network Albania”, pjesa dërrmuese e të larguarve nga puna i janë drejtuar gjykatës, e cila ka gjetur shkelje në procedura nga ana e bashkive. Si pasojë, ato janë “dënuar” t’iu paguajnë dëmshpërblime të majme punonjësve.

Bashkia Kavajë, 50 milionë lekë për pushime të padrejta nga puna

 

Fatura e lartë, financiare që Bashkia e Kavajës duhet t`iu paguajë të larguarve pa të drejtë nga puna, rrezikon të fusë në kolaps financat e saj. E drejtuar aktualisht nga Redian Krali, kjo bashki iu detyrohet të larguarve nga puna rreth 50 milionë lekë të reja. Paradoksalisht, Bashkia e Kavajës aktualisht duhet të paguajë tri paga për të njëjtin vend pune, pasi duhet të dëmshpërblejë edhe ata që janë shkarkuar nga paraardhësit, Elvis Roshi dhe Isa Sakja.

Me një strukturë prej 628 punonjësish, përgjatë periudhës gusht 2019-dhjetor 2020 kjo bashki firmosi 126 “Urdhra për lirim nga detyra”. Në përgjigjen e saj zyrtare Bashkia e Kavajës deklaron se për të njëjtën periudhë ka pasur edhe 36 dorëheqje.

“Fatura financiare për dëmshpërblimin e punonjësve, që kanë fituar gjyqin në shkallën e parë, shkon në 1.712.000 lekë”, – shprehet Bashkia e Kavajës në përgjigje të një shkrese zyrtare, dërguar nga INA, duke ju referuar vendimeve që kanë marrë formën e prerë.

Por, nga të dhënat e vëna në dispozicion nga Gjykata e rrethit Kavajë, fatura financiare është dukshëm më e lartë.

Nga 132 persona që i janë drejtuar gjykatës për “Kundërshtim i urdhrit për lirimin nga detyra” nga Bashkia Kavajë, për 98 prej tyre është marrë vendim dhe 34 janë ende në gjykim.

Për vetëm 98 vendimet e zbardhura bashkia detyrohet të paguajë në total 48.192.218 lekë për pushim të padrejtë nga puna.

Këtë diferencë të madhe në shifra Bashkia e Kavajë e justifikon me faktin se “vlera që ata duhet të paguajnë u referehen vetëm çështjeve që tashmë kanë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit”, pasi pjesa tjetër është apeluar nga Bashkia Kavajë.

Kësaj fature financiare i shtohen edhe shpenzimet gjyqësore, të cilat i lihen në ngarkim palës humbëse, në këtë rast Bashkisë së Kavajës. Për 98 vendimet e siguruara nga Gjykata e Kavajës vlera e shpenzimeve gjyqësore shkon 779.280 lekë. Në 15 vendime të dhëna nga kjo gjykatë janë përfshirë madje edhe shpenzime që personat e pushuar nga puna kanë paguar për avokatin, që variojnë nga 43.000-48.000 lekë; duke i shtuar kësaj shume edhe shpenzimet gjyqësore, fatura arrin në rreth 50 milionë lekë. Kjo shifër përbën 6.2% të buxhetit total të kësaj bashkie, që është 801.780.000 lekë.

Kësaj fature financiare i shtohen edhe shpenzimet gjyqësore, të cilat i lihen ngarkim palës humbëse, në këtë rast Bashkisë Kavajë. Për 98 vendimet e siguruara nga gjykata e Kavajës, vlera e shpenzimeve gjyqsore shkon 779.280 lekë. Në 15 vendime të dhëna nga kjo gjykatë janë përfshirë madje edhe shpenzime që personat e pushuar nga puna kanë paguar për avokatin, që variojnë nga 43.000 lekë – 48.000 lekë. Duke i shtuar kësaj shume edhe shpenzimet gjyqësore, fatura arrin në rreth 50 milionë. Kjo shifër përbën 6.2% të buxhetit total të kësaj Bashkie që është 801.780.000 lekë.

Fisnik Krasniqi ka qenë drejtues i Shtëpisë së të moshuarve në vitet 2017-2019. Me shkresën nr. 169, datë 26.09.2019, ai njoftohet nga Bashkia Kavajë se lirohet nga detyra. Motivacioni ishte “Mosgjetje në vendin e punës”.

“Në shkresë thuhet se kam munguar për 3 ditë, gjë që nuk ka ndodhur absolutisht. Institucioni ka kamera sigurie dhe mund të verifikohet lehtësisht. Gjykata më dha të drejtë dhe tani bashkia është e detyruar të më paguajë 12 paga”, – na rrëfen Krasniqi, i cili pohon se, më shumë se për paratë, ky vendim e bëri të ndihej mirë moralisht.

“Më shumë se për paratë, ky vendim më bëri të ndihej mirë moralisht. Dhe kjo ëhstë shumë e rëndësishme për mua”, – na thotë ai.

Për shkak të pushimit arbitrar nga puna bashkia duhet ta dëmshpërblejë tashmë Fisnik Krasniqin me 913. 440 lekë, që është paga e një viti pune.

Por, pavarësisht vendimit të gjykatës, Fisniku nuk ka mundur ende të marrë asnjë lek.

Fisnik Krasniqi, ish drejtor i shtëpisë së moshuarve Kavajë

Aktualisht, Bashkia e Kavajës gjendet në vështirësi serioze për të siguruar të ardhura për të dëmshpërblyer ish-punonjësit që kanë fituar gjyqin. Si pasojë, pjesa dërrmuese e të larguarve nga puna, megjithëse kanë fituar gjyqin, nuk kanë mundur të marrin ende paratë.

Atlije Xuna ka punuar si arkëtare në Njësinë Administrative Synej, pjesë e Bashkisë Kavajë, nga shtatori i vitit 2017 deri më 24 dhjetor 2019. Ajo është larguar nga puna me shkresën nr. 466, datë 24.12.2019, me motivacionin: “Mosparaqitje në punë dhe moskryerje e detyrës funksionale në pozicionin e punës”.

“Gjykata ka vendosur të më japë 11 paga shpërblim, por nuk kam marrë asnjë pagë”, – shprehet ajo, duke shtuar se e ka emergjente t`i marrë paratë, pasi është kryefamiljare dhe jeton e vetme.

Daut Elmazi ka punuar për të njëjtën periudhë në Bashkinë e Kavajës si roje në Pallatin e Kulturës. Ai është liruar nga detyra me shkresën nr. 167, datë 26.09.2019, me motivacionin: “Mosparaqitje në punë dhe moskryerje e detyrës funksionale në pozicionin e punës”.

Bashkia duhet të më paguajë 12 paga mujore dhe ky ka qenë një vendim i formës së prerë. Ka kaluar një vit, por bashkia më ka dhënë vetëm 3 paga x 26.000 lekë/muaj, nga 520 000 lekë që duhet të marr në total”, – sqaron ai.

Shpëtim Kaloshi është një tjetër punonjës i larguar nga detyra me shkresën nr. 315, datë 29.10.2019, me motivacionin: “Mosparaqitje në punë dhe moskryerje e detyrës funksionale në pozicionin e punës”.

Në vitet 2017-2019 ai ishte i punësuar si punëtor mirëmbajtjeje pranë ndërmarrjes së shërbimit në njësinë administrative Synej, por, sipas tij, arsyeja e vërtetë janë bindjet e tij politike.

“Ato letra që sollën nga bashkia, ishin kot, asgjë nuk është e vërtetë. Arsyeja e vërtetë e largimit është se unë jam aktivist i Partisë Demokratike, por kjo nuk ka lidhje me punën. Unë punën time e kam kryer në rregull”.

Shpëtimi bëri padi në gjykatë dhe kjo e fundit vendosi që bashkia duhet ta paguajë për largim të padrejtë nga puna me 9 paga mujore. Në total ai duhet të përfitojë 315 684 lekë.

Bashkia e Kavajës i ka apeluar të gjitha vendimet, por ende nuk ka fituar asnjërin prej tyre.

Bashkia Klos, u larguan nga detyra 37 % e stafit

Dashamir Shinjatari, me profesion ekskavatorist, është njëri prej të larguarve nga puna në periudhën shtator 2019 -dhjetor 2020. Ai rrëfen se këtë punë ka bërë gjithë jetën dhe ishte ndër personat e paktë që i përmbushte të gjitha kriteret. Largimin e tij ai e lidh me preferencën politike.

“Motivacioni ishte “Shkurtim i vendit të punës”! Realisht nuk u shkurtua ai vend, pasi mjeti që unë përdorja, nuk u la pa punë. Kontrata e punës duhej edhe gjashtë muaj që të përfundonte. Isha i kualifikuar me patenta, dëshmi manovratori dhe mekanik me kategori të shtatë. Këtë punë kam bërë gjithë jetën. Jam i bindur se, motivacioni i vërtetë i largimit tim nga detyra ka qenë politik, pasi unë njihesha si i djathtë.”, – thotë Shinjatari.

Ai e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Matit dhe ka fituar dëmshpërblim në 14 paga.

“Por nuk jam i kënaqur dhe kam apeluar, pasi kam vjetërsi pune dhe kërkoj të paktën 20 paga”, – rrëfen ai.

Edhe Bashkia e vogël e Klosit është prekur nga “pushimet e padrejta nga puna”. Me një organikë prej 228 punonjësish, në periudhën shtator 2019-dhjetor 2020, kryebashkiaku i ri, Ilmi Hoxha, firmosi 81 largime nga puna. 36 prej tyre iu drejtuan gjykatës.

Nga 29 kërkesëpadi që i janë drejtuar Gjykatës së Matit, 20 prej tyre kanë vendim. 7 kërkesëpadi janë depozituar pranë Gjykatës Administrative në Tiranë. Ndryshe nga Bashkia e Kavajës, Bashkia e Klosit i thotë INA-s se ka fituar në shkallën e parë 8 prej këtyre padive.

Nga ana tjetër, 13 ish-punonjës e kanë fituar gjyqin ndaj Bashkisë Klos, duke fituar të drejtën për t`u dëmshpërblyer me nga 7 deri në 20 paga.

Fatura paraprake e Bashkisë Klos për largimet e padrejta nga puna shkon në 9.085.200 lekë.

Në përgjigjen zyrtare dërguar Investigative Network Albania, Bashkia e Klosit sqaron se ka edhe një faturë të prapambetur për dëmshpërblim page në vlerën e 582 848 lekëve, të mbartur nga ish-kryebashkiaku, Basir Çupa.

Mustafa Hajdini ka qenë inspektor i Ndihmës Ekonomike në Njësinë Administrative Gurrë. Ai shprehet se, përgjatë 19 viteve punë në administratën lokale nuk ka marrë kurrë asnjë vërejtje apo paralajmërim.

“Më larguan nga puna më 25 prill të vitit 2020. Nuk kam patur asnjë vërejtje paraprake, vetëm më kanë dërguar lajmërimin e parë dhe pas shtatë ditësh urdhrin për largim nga puna, duke më caktuar datën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Këtë e bënë nga muaji shkurt, ndërsa unë isha i detyruar të shkoja në punë, edhe pse ishte pandemi. Banorët duhej të aplikonin për të përfituar ndihmën ekonomike”, – thotë ai.

Gjykata e Matit e ka konsideruar largim të padrejtë nga puna, ndaj bashkia duhet ta dëmshpërblejë me 15 paga, por Hajdini nuk ka mbetur i kënaqur nga ky vendim, ndaj e ka apeluar dhe kërkon më shumë paga dëmshpërblim.

“Për mua arsyeja është politike, pasi unë isha kryetar i grup-seksionit të PD, Gurrë”, – përfundon ai, duke i dhënë ngjyra politike largimit të tij nga puna.

Mustafa Hajdini, ish inspektor i ndihmës ekonomike, bashkia Klos

Bashkia Kamëz, deri në 27 paga dëmshpërblim

 

“Iu drejtova menjëherë institucionit të drejtësisë, që është Gjykata e Shkallës së Parë e rrethit gjyqësor Tiranë dhe e fitova gjyqin. Sipas një vlerësimi nga ana e gjykatës, ajo më dëmshpërbleu me 26.5 paga të detyrueshme nga institucioni i Bashkisë Kamëz”, – tregon Artan Dervishi, i cili për më shumë se dy vite do të vazhdojë të marrë 56.000 lekë në muaj.

Sipas tij, “Arsyeja ka qenë politike dhe e pamotivuar”.

 

Bashkia e Kamzës nuk preferon të japë një përgjigje të qartë për numrin e të larguarve nga puna për periudhën shtator 2019-dhjetor 2020.

Në kërkesën e parë për informacion bashkia refuzoi të jepte një përgjigje konkrete, ndërsa në të dytën ia la barrën vetë punonjësve, pasi “kanë paraqitur aktin e dorëheqjes”. Vetë bashkia thotë se vetëm një numër i vogël punonjësish “janë larguar për shkak të moskorrektësisë në punë ose masave disiplinore”, duke mos dhënë një shifër konkrete mbi numrin e punonjësve të larguar gjatë kësaj periudhe.

Por, referuar të dhënave të organeve të drejtësisë rezulton se në Gjykatat e Shkallës së Parë janë depozituar 23 kërkesëpadi ndaj Bashkisë Kamëz për largime të padrejta nga puna. Mes tyre edhe punonjës që mbroheshin me Statusin e Nëpunësit Civil.

Nga 7 çështje të shqyrtuara deri më tani Bashkia Kamëz ka fituar vetëm një. Vonesat në shqyrtimin e kërkesëpadive kanë ardhur kryesisht për shkak të procesit të vetting-ut në sistemin gjyqësor dhe situatës së pandemisë.

Vetëm nga 6 çështjet e shqyrtuara nga gjykata, vendimet e “padrejta” të kryebashkiakut Suli për largimet nga puna i kanë shkaktuar financave të kësaj bashkie një dëm ekonomik prej 4.106.600 lekësh, por kjo kosto duket se nuk është problem për Bashkinë Kamëz, e cila deklaron se është e aftë ta përballojë.

Gjergj Paluca, i cili ka mbajtur detyrën e kryetarit të Degës Teknike të Kanalizimeve në këtë bashki, i konsideron të padrejta arsyet e largimit të tij nga puna. Gjykata e konsideroi të padrejtë largimin e tij nga puna dhe ai ka fituar të drejtën e 16 pagave mujore dëmshpërblim, me vlerë 65.700 lekë në muaj.

“Një ditë të bukur në mëngjes, kur shkova në zyrë, më dhanë edhe një urdhër (shkresë), – rrëfen Paluca. – Pas disa ditësh u penduan që e dhanë urdhrin dhe kërkuan që të rikthehesha në punë, në mënyrë që të ma jepnin të motivuar ose të arsyeshëm largimin, por këtë gjë nuk e pranova dhe i padita në gjykatë”.

Duke qenë se largimi i tij ka ndodhur pak kohë pas ardhjes në krye të Bashkisë së Kamzës të Rakip Sulit, ai e motivon me angazhimin e tij politik largimin nga detyra.

“Arsyeja e largimit për mua padyshim që ishte politike. Unë isha aktivist i rëndësishëm i Partisë Demokratike, por për kohën që ndenja në atë pozicion, punova jashtëzakonisht shumë. Madje morëm dhe lëvdata nga bashkia dhe kryetari Rakip Suli. Punuam dhe jashtë orarit me grupet e punës. Nuk kam marrë asnjë lloj këshille të vetme, as edhe një vërejtje për punën që bëja, ndaj mendoj se largimi im ishte i motivuar vetëm politikisht”, – përfundon Paluca.

Por, ndërsa bashkia i është drejtuar Apelit lidhur me këto çështje, në proces gjyqësor vazhdojnë të jenë dhe shumë ish-punonjës të tjerë.

Kostot e largimeve nga puna rrezikojnë financat e bashkive

Faturat e kripura të largimeve nga puna rrezikojnë t`i çojnë në kolaps ekonomik bashkitë, sidomos ato që janë të vogla.

“Shumë bashki, në dijeninë time, sot madje mund të konsiderohen edhe të falimentuara, sepse të ardhurat që ato grumbullojnë, nuk përballojnë as shpenzimet e tyre administrative.”, – thotë eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Ai e argumenton këtë me faktin se, buxheti i bashkive të vogla është ende i varur nga transferta e pakushtëzuar dhe nga ajo e kushtëzuar nga pushteti qendror.

“Çka do të thotë që, nëse këto bashki nuk e marrin transfertën nga pushteti qendror, e kanë të pamundur të kryejnë veprimtarinë, le të themi, edhe të ekzistencës së tyre”, – sqaron ai, duke saktësuar se transfertat e pakushtëzuara janë kryesisht për paga e pensione dhe nuk marrin parasysh këto kosto shtesë.

Sipas Xhepës, është absurde që çdo vit janë miliona lekë që shkojnë për të paguar dy administrata, por për të dëmi më i madh është pamundësia për të patur një administratë eficiente dhe profesionale në pushtetin lokal.

Sipas tij, do të ishte më e përshtatshme që krerët e rinj të bashkive të mos e shihnin detyrën e tyre me militantizëm, pasi përfitimi do të ishte më afatshkurtër se sa nëse do të bënin të kundërtën.

Selami xhepa, ekspert ekonomie

“Sot, de facto në Shqipëri, në nivel qendror dhe lokal fatkeqësisht pothuajse paguhen dy administrata.

Nëse mbledhim largimet e dëmshpërblimet që marrin apo rikthimin më pas në punë, na del që Shqipëria në pamje të parë duket me një administratë të vogël, por në bordero figuron me një barrë mjaft të madhe për financat publike. Problemi bëhet më serioz për pushtetin vendor, sepse burimet financiare janë shumë më të kufizuara.

Dëmi është i shumëfishtë, jo thjesht, se po paguajmë një rrogë më shumë, sepse në njëfarë kuptimi mund ta quajmë edhe një zbutje papunësie, por humbja është akoma më e madhe, pasi pushtetet vendore e kanë gjithmonë të pamundur të ndërtojnë administrata profesionale e eficiente dhe kjo është sëmundja më serioze”, – sqaron Xhepa.

Për ekspertin Xhepa këto para mund të përdoreshin fare mirë për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Sidomos kur flasim për bashkitë e vogla, kostoja e këtyre veprimeve mendoj që është realisht penalizuese.

Në këto komunitete të vogla me pak shpenzime mund të bësh përmirësimin e cilësisë së jetesës, le të themi, në fshatra, në lagje brenda qytetit apo grupe të caktuara shoqërore. Me pak shpenzime mund të bëhet një ujësjellës, kanalet vaditëse, rikonstruksioni i një godine arsimore etj.”, – shton ai.

Eksperti ligjor, Jordan Daci, sugjeron ndërhyrje në Kodin e Punës, por jo në atë Penal.

Sipas tij, në këto raste nuk mund të ketë gjithmonë përgjegjësi penale dhe, nëse ashpërsohen masat në Kodin Penal apo shtohet një nen, mund të ketë efekt më negativ. Ndërhyrja, sipas tij, mund të fokusohet mbi aspektin procedural dhe kushteve për largim nga puna.

Jordan Daci, jurist

“Duke qenë se abuzimi me këtë çështje shkon nga kryeministri deri tek ai më e ulëti, bën që të gjithë t’i largojnë e asnjë të mos mbajë përgjegjësi dhe shteti të paguajë katër-pesë veta për të njëjtin vend pune”, – thotë Daci.

“Nuk mendoj se duhet të shkojmë drejt ndryshimit të Kodit Penal. Ka mundësi dhe nevojë për një ndërhyrje në Kodin e Punës, por fare të lehtë, sepse mbrojtja që garantohet për punëmarrësit, është shumë e fortë për mendimin tim. Ka nevojë për një ndërhyrje, e cila të synojë pikërisht këtë: të mbrojë punëmarrësin nga largimet abuzive që bëhen nga punëdhënësit, qoftë në aspektin procedural, qoftë dhe në aspektin e kushteve për largim”, – përfundoi Daci.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *