Emër i ri, halle të vjetra, si guroret po vazhdojnë të shkatërrojnë mjedisin në Dimal

 

 

Autor: Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë

Kompanitë e shfrytëzimit të burimeve natyrore në Shqipëri ia dalin që të mos marrin asnjë përgjegjësi për ndotjen apo shkatërrimin mjedisor në zonat ku ato operojnë megjithëse dëmi është i madh dhe shpesh i parikuperueshëm. I tillë është rasti i zonës së Urës Vajgurore.

Kompanitë nuk rikuperojnë mjedisin pasi shpenzimet për rikuperim janë shpesh shumë më të larta se sa tarifa që ata kanë lënë si garanci në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Numri i gjobave nga autoritetet mjedisore është shumë i vogël duke krijuar kështu një zinxhir që favorizon kompanitë në raport me ndikimin e madh në mjedis.

Ura Vajgurore kufizohet me bashkitë Lushnjë, Kuçovë, Berat dhe Roskovec. Sipas Censusit të vitit 2011, kjo bashki numëron 27,295 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil ajo numëron një popullsi prej 39,551 banorë. Me një sipërfaqe prej 156.56 km2, ajo ka densitet prej 174 banorë/km2.

Bashkia e re, tashmë së fundmi edhe e pagëzuar me emrin Dimal shtrihet në një zonë të pasur me toka bujqësore shumë pjellore si dhe me burime të rëndësishme guri. Burimet kryesore të të ardhurave për banorët e kësaj zone bazohen te shfrytëzimi i resurseve natyrore, sidomos atyre të përpunimit të inerteve të gurit dhe të lumenjve, i fermave private, përpunimit agro-industrial, plantacioneve me ullinj, dru frutorë dhe vreshta, perimeve, blegtorisë, si dhe përpunimit të produkteve të qumështit dhe mishit.

Kjo zonë është e njohur herët për minierat sipërfaqësore të gurit, ndërsa kohët e fundit edhe për përpunimin e gurit në granil dhe gëlqere, duke u njohur edhe si “gurorja” e Shqipërisë për shkak të numrit të madh të shoqërive private që kryejnë aktivitet në këtë fushë.

 

Mungesa e rikuperimit të mjedisit

Në Bashkinë Dimal, Qarku Berat sipas rregjistrit minerar rezultojnë 23 leje minerare shfrytëzimi që zotërohen nga 17 subjekte të cilat zhvillojnë aktivitet minerar për shfrytëzimin e gurit gëlqeror për prodhimin e materialeve të ndërtimit si rërë, granil, çakëll etj.

Aktiviteti minerar në këtë Bashki ka filluar para viteve ‘90 dhe me miratimin e ligjit 7796 datë 17.02.1994 disa subjekte janë paisur me leje minerare shfrytëzimi të cilat vazhdojnë edhe sot.

Rasti i guroreve në zonën e Urës Vajgurore tregon më së miri mungesën e rikuperimit të mjedisit nga kompanitë e shfrytëzimit.

Nëse bëjmë një krahasim me Google Earth të hapësirës së shfrytëzimit nga lart, do të vihet re se sipërfaqja e gërmuar është rritur ndjeshëm.

Krahasimin e kemi bërë me vitin 2003, ose 17 vjet më parë. Pas kaq vitesh shfrytëzimi ka vazhduar duke iu afruar më shumë edhe zonës së banuar të Urës Vajgurore.

Viti 2003

Viti 2020

Harta e shfrytëzimit të guroreve NË Urën Vajgurore, AKBN

Në mes të 2020, IKMT ka ushtruar kontroll në guroret në zonën e Beratit dhe në Urën Vajgurore. Gjatë këtij kontrolli u konstatua mungesë dokumentacioni gjatë ushtrimit të veprimtarisë së prodhimit dhe përpunimit të gurit, në 5 subjekte. Ndaj këtyre subjekteve IKMT mori masë administrative me gjobë 1 milion lekë secili, për shkeljet e kryera.

Kryeministri Rama ka folur disa herë për guroret. Ndër të tjera, për guroret e Urës vajgurore në vitin 2018 tha:

“Le të hyjmë te guroret, së pari këta që janë tallur me ligjin dhe kanë bërë këtë dëm të madh këta njëherë nuk do punojnë më këtu. Këta do përgjigjen përpara ligjit. Nëse duan të punojnë përsëri në radhë të parë duhet të riparojnë të gjitha dëmet. E dyta në gurore do punojnë vetëm kompanitë që i kanë standardet e infrastrukturës së tyre, që nga makineritë deri të financat. Ky parim do të vendoset dhe policia e shtetit do të jetë pjesë e gjithë këtij procesi. Ashtu sikundër ju keni shkruar dhe jeni drejtuar tek ne ashtu edhe unë bashkë me ju do nëshkruaj kallëzimin penal dhe bashkë me ju do shkoj në Prokurori dhe Gjykatë që këta të shkojnë në burg. Kjo është pak, por e sigurtë. Kjo është për ardhur keq. E imagjinoni ju ça ndodh që vendimi i qeverisë e thotë qartë ‘guroret nuk duhen të jenë pranë rrugëve kryesore, në zonën perëndomore’, ndërsa vetëm në Krujë deputetët e ish-kryeminsitrit kanë bërë namin. Ne jemi vendosur ti japim fund kësaj burokracie.”

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë e pyeti zyrtarisht Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për inspektimet ndaj operatorëve në Dimal dhe përgjigja ishte se Bashkia Dimal, Qarku Berat është mbikqyrur në terren nga data 25-27.01.2021 dhe ka rezultuar që subjektet ushtrojnë aktivitet minerare brenda siperfaqes së liçencuar dhe kanë paguar garancitë e rehabilitimit.

Pjesë nga përgjigja e AKBN:

Në kërkesën tuaj në lidhje me dëmet në mjedis detyrimet për rikuperimin e mjedisit ju sqarojmë si më poshtë:

Subjektet që janë paisur me leje minerare me ligjin 7796 datë 17.02.1994 deri në vitin 2010 kur është miratuar Ligji 10304, datë 15.07.2010 i amenduar,është aplikuar taksa e sipërfaqes ku për 1km2 subjekti i licencuar paguante 1500 franga Zvicerane, kurse mbas miratimit të ligjit Ligjit 10304, datë 15.07.2010 u fut koncept i ri mbi garancinë e rehabilitimit, u bë vlerësimi i ri i vlerës për një hektar sipas llojeve të mineraleve metalorë dhe jo metalor i miratuar nga (ish METE) sot MIE. Garancitë e Rehabilitimit që paguhen për çdo vit, kalojnë në thesarin e shtetit të cilat zhbllokohen në fund të jetës së karrierës, mbasi mbaron rehabilitimi dhe çertifikohet korrektësia e realizimit të tij. Për subjektet minerare që operojnë në Bashkinë Dimal, Qarku Berat aplikohet vlera 322,750 lekë për një hektarë plus vendoset edhe taksa prej 240 365 lekë për impjantet e përpunimit që mbas mbarimit të aktivitetit të rehabilitojë sipërfaqen e prekur nga ky impiant.

Sipas AKBN, në Bashkinë Dimal subjektet kanë paguar Garancitë e Rehabilitimit në zbatim të vlerave të përcaktuar në formatin e lejes minerare të lëshuar nga Ministri dhe sipërfaqes së matur në terren nga specialistët në momentin e kontrollit, pra sipërfaqja e prekur përputhet me garancitë e paguara nga subjektet.

Për sa i përket rehabilitimit të sipërfaqes së prekur, garancitë e investimit për mjedisin që grumbullohen, vihen në dispozicion për rehabilitimin e mjedisit dhe për këtë bëhet një raport përfundimtar i mbylljes dhe rehabilitimi i sipërfaqes nga subjekti i cili monitorohet dy vite rresht nga struktura përgjegjëse e AKBN-së.

Operatorët e guroreve në Urën Vajgurore dhe garancitë e rehabilitimit:

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë pyeti zyrtarisht edhe Bashkinë Dimal në lidhje me guroret dhe veprimtarinë e tyre por mori një përgjigje evazive, pa të dhëna në lidhje me inspektimet konkrete:

Bashkia Dimal ushtron kontroll në  këto subjekte ( gurit gëlqeror,furra gëlqere) dhe  në rastet  kur konstatohen shkelje (ndotje) merren masa administrative sipas VKB nr.63,datë 03.08.2016 “Për shkeljet që përbëjnë kundravajtje administrative dhe sanksionet përkatëse. Theksojmë që çdo subjekt kryen vetmonitorimin nga studio të liçensuara dhe raportin me vlerat e matura e dorëzojnë në Agjensinë Kombëtare të Mjedisit”.

Zydi Teqja, pedagog i Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor i tha Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë se rikuperimi është një process me rëndësi të vecantë.

Rikuperimi i mjedisit pas shfrytëzimit të burimeve natyrore është shumë i rëndësishëm. Për rastin e gëlqeres kjo lidhet si me gërmimet e materialeve gëlqerore ashtu edhe me djegjen e tyre”, tha Teqja.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pezulloi pak kohë më parë lejet mjedisore të nëntë guroreve në Malin e Tomorrit. Dy shkeljet më të rënda të konstatura ishin: ndryshimi i koordinatave të gërmimit nga leja në terren dhe e dyta: mungesa e zbatimit të detyrimit ligjor për rehabilimin e zonës së gërmuar

Duke filluar nga viti 2015-2019 në total janë evidentuar nga Agjencia Rajonale a Zonave të Mbrojtura Berat 26 raste të guroreve me shkelje në veprimtarinë e tyre bazuar në lejen mjedisore.

Nga ana tjetër kompanitë e guroreve duhet të bëjnë një rehabilitim të veprimtarisë së tyre. Me sy të lire kjo vihet re që rehabilitimi jo vetëm që nuk ka ndodhur në zonë, por gjendja e Malit të Tomorrit në këtë moment është në një pikë të pakthyeshme dhe zona nuk mund të kthehet në gjendjen e mëparshme. Guroret që veprojnë jo vetëm në malin e Tomorrit në zonën e mbrojtur, shfrytëzojnë terrenin dhe nuk ka asnjë zbatim ligjor për rehabilitimin e zonës edhe pse është detyrim për secilën kompani.

Garancia e sigurimit që paguhet nga kompanitë, të Agjencia Kombëtare të Burimeve Natyrore, nuk e ngarkon këtë agjenci me detyrimin e rehabilitimin, pasi aktori kryesor që zhvillon rehabilitimin mbetet vetë kompania.

Ndotja e ajrit

Ndotja e ajrit është një problem disa vjecar tashmë në ish-bashkinë e Urës Vajgurore. Ndotja duket qartë që pa iu afruar mirë qytetit teksa një hije e bardhë e mbulon cdo ditë. Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë bëri një vëzhgim në guroret aktive të zonës së Urës Vajgurore dhe pa se puna vazhdonte me ritme normale.

Përgjatë vëzhgimit në terren për disa orë në qytezën e Urës Vajgurore, Qendra pa disa kamionë të ngarkuar me materiale guri që hynin e dilinin nga guroret e zonës.

Banorët e zonës kanë protestuar disa herë për ndotjen e ajrit nga guroret por duket se ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

 

Sytë nga turizmi?

Pas pagëzimit të ish-bashkisë Ura Vajgurore me emrin e lashtë Dimal, bashkia synon që ti japë një rëndësi të vecantë turizmit. Zona e pasur dhe me potencial të lartë për turizëm historik dhe agroturizëm pretendon që të tërheqë turistë nga e gjithë bota megjithë problemet jo të vogla që ka me mjedisin.

Dimali ka qenë një nga qytetet më të fortifikuara të Ilirisë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftërat iliro-romake. Siti arkeologjik i Dimalit, shtrihet nën kodrinat në kufi me fshatrat Bistrovicë dhe Krotinë, në Bashkinë e Urës Vajgurore. Autorët Polibi dhe Livi, gjatë luftërave iliro romake dhe romako-maqedonase përmendin Dimalin, si një qytet me pozicion startegjik dhe të vështirë për ta nënshtruar. Gjatë gërmimeve të viteve 1964 – 1978 dhe 2013 – 2014, janë gjetur artifakte të ndryshme që flasin për madhështinë e dikurshme të këtij qyteti antik ilir.

Pyetjes së Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë se sa problematike është pjesa e mungesës së rikuperimit të mjedisit ku operojnë këto kompani duke marrë parasysh se Bashkia Dimal tashme e ka prioritet zhvillimin e turizmit, Bashkia e Dimalit nuk i dha përgjigje.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *