Absurdi, shteti “vjedh” siguracionet e mësuesve, iu rrezikon pensionin

0 View

Qindra arsimtarëve në qytetin e Durrësit shteti iu ka “vjedhur” rreth dy vite sigurime shoqërore. Intervista dhe dëshmi të grumbulluara tregojnë se çdo muaj iu janë mbajtur nga paga 15.000-22.000 lekë për siguracionet, por këto pará kanë “avulluar”. Ato nuk figurojnë të jenë derdhur në skemën e kontributeve shoqërore. Një raport i KLSh-së zbulon se rreth 103 mijë subjekte, mes të cilave një duzinë institucionesh buxhetore, as në vitin 2021 nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore të punonjësve.

Autor: Mark Brunga

Namik Zhuleku ka të shënuar në librezën e punës 32 vite punë si mësues në zona të ndryshme të Durrësit, por në sistem i figurojnë vetëm 30 vite. E kuptoi se 2 vite pune i ishin zhdukur nga skema e sigurimeve shoqërore, ndërsa përgatiste dokumentacionin për të dalë në pension. Si pasojë, pagesa e pleqërisë i është llogaritur mbi 30 vite pune, pavarësisht se ai ka derdhur kontributet pranë skemës së sigurimeve shoqërore për 32 vite pune.

“Pensionin nuk e marr të plotë, sipas viteve që kam punuar në arsim, – tregon për Investigative Network Albania-n mësuesi në pension, Namik Zhuleku. – Më kanë thënë që të dhënat janë hedhur në një formë të padeshifrueshme për vetë sistemin”, – shprehet i zhgënjyer Zhuleku, i cili e përfiton pagesën e pleqërisë që prej 2.5 vitesh.

Pensioni i pleqërisë Zhulekut i ka dalë 21.700 lekë. Me shtesat e bëra në rritjet e kësaj periudhe ai merr 23.500 lekë në muaj si pension pleqërie. Nëse do t’i llogariteshin edhe vitet që i mungojnë, ai do të kishte çdo muaj rreth 2.000 lekë të reja më shumë. Pra, do të merrte rreth 25.500 lekë të reja në muaj.

Sapo ka konstatuar pasaktësinë, ish-mësuesi iu është drejtuar disa institucioneve, duke filluar nga Drejtoria e Tatimeve. Ky institucion ia ka faturuar gabimin Drejtorisë Arsimore të Durrësit.

“Unë kam punuar dhe jam paguar nga kjo Drejtori Arsimore, madje i kam të dokumentuara borderotë, por çuditërisht siguracionet nuk figurojnë të derdhura në sistem”, – thotë Zhuleku, ende i paqartë se çfarë ka ndodhur me paratë që atij i janë mbajtur nga paga çdo muaj.

Ish-mësuesi nuk është i vetmi, të cilit i janë “zhdukur” siguracionet. Edhe dhjetëra mësues të tjerë ankohen se, pas verifikimeve, iu mungojnë nga disa muaj deri në disa vite sigurimet shoqërore.

Zhuleku deklaron se shteti i “ka futur duart” edhe te siguracionet e kolegëve të tij.

“Në brezin që po vjen mbrapa, janë me qindra mësues, që nuk i kanë të gjitha vitet e siguruara nga shteti. Lekët janë mbajtur me bordero, por nuk njihen për vite pune”, – sqaron Zhuleku.

Vitet që mungojnë, përkojnë me kohën që ai ka punuar si mësues në Sukth. Mësuesit pensionist i rezultojnë siguracionet e vitit 1977; të viteve ’90, kur ka punuar në Ishëm, ndërsa ato të viteve 2000 kanë probleme.

 

Shteti punon në të zezë

Vitin 2015 socialistët e quajtën vitin kundër informalitetit, pasi në vitin 2014 ndërmorën një reformë të thellë në skemën e pensioneve. Sipas tyre, gjatë 8 viteve të qeverisjes së demokratëve “është bërë një rrumpallë, me një faturë financiare prej 109,5 milionë dollarësh”, që iu referohen sigurimeve të papaguara shoqërore dhe shëndetësore.

Ish-ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, deklaroi asokohe se 1600 institucione kanë punuar në të zezë dhe 250 mijë shqiptarë, mjekë, mësues, ushtarakë etj., që kanë punuar në shtet dhe në privat, rrezikonin të mbeteshin pa pensione. Asokohe u deklarua se për buxhetorët nisi të shlyhej një pjesë e këtyre kontributeve.

“Disa boshllëqe janë ndoshta vetëm me një muaj, një muaj vonesë pagese. Disa boshllëqe janë disa muaj, disa boshllëqe janë disa vite, ndërsa disa institucione spektakolare nuk i kanë paguar për 8 vjet, gjatë qeverisë së kaluar”, – deklaroi asokohe Veliaj, i cili shpjegoi se po bëheshin gati dosjet për në prokurori dhe ata që kanë përgjegjësi për këtë krim ekonomik, do të dalin përpara ligjit.

Në një pwrgjigje me shkrim për INA MEDIA, Prokuroria e Tiranës deklaron se ky denoncim nuk ka mbërritur kurrë në organin e akuzës.

“Nga verifikimi i kryer në indekset e kallëzimeve për periudhën 2015-2016, nuk rezulton të jetë regjistruar kallëzim penal për sa ju kërkoni”, – sqaron Prokuroria e Tiranës, e cila kërkon që ti vihen në dispozicion emrat konkretë se cilët mund të jenë kallëzuar.

“Duke qenë se në kërkesën tuaj, përmendet që kallëzimi është bërë ndaj abuzimeve me skemën e sigurimeve shooqërore, ju lutem të na vendosni në dispozicion emrat e personave të kallëzuar në mënyrë që të kryhet verifikimi”, – thotë prokuroria e Tiranës, duke kërkuar kështu nga media emrat që në fakt zyrtarët e lartë kanë deklaruar publikisht se kanë fakte dhe do ti kallëzojnë penalisht.

Por, provat e siguruara nga Investigative Network Albania tregojnë se gropa e mos-pagesës së sigurimeve shoqërore ka ndodhur, si nga të djathtët, ashtu edhe nga të majtët, që i hapën “luftë” këtij fenomeni.

Më konkretisht, Namik Zhulekut i është specifikuar me mungesë kontributesh: periudha nga janari 2002 deri në shtator 2002; 9 prill 2013 deri më 30 qershor 2013; 25 shtator 2013 deri më 25 nëntor 2013; si dhe 9 janar 2014 deri më 30 nëntor 2014.

Në qershor të vitit 2013 në pushtet erdhën socialistët, që do të thotë se mungesat e kontributeve shoqërore për ish-mësuesin, që datojnë nga shtatori 2013 e deri në nëntor 2014, pra për më shumë se një vit, kanë ndodhur pikërisht në kohën kur socialistët ndërmorën reformën e pensioneve. Këto data janë të specifikuara në përgjigjen që i ka dërguar Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të Durrësit nëpërmjet një shkresë zyrtare.

“I bëjmë me dije ankuesit, se për vitin 2013 deri në nëntor të vitit 2014 nuk rezultojnë të jenë derdhur kontribute mujore në emrin e tij”, – thuhet në këtë shkresë të firmosur nga drejtuesja e institucionit, Miranda Koka.

Përgjigjja e Sigurimeve Shoqërore, Durrës, për vitet e periudhës së papaguar të sigurimeve

Por, dokumentet e shkollës, ku ka punuar, vërtetojnë se lekët i janë mbajtur çdo muaj nga paga. Në shkresën me numër protokolli 485, të datës 07.02.2020, që mban firmën e Luan Vorës, drejtorit të shkollës 9-vjeçare “Njazi Mastori”, janë të pasqyruara një pjesë e pagave bruto nga marsi 2014 deri në mars 2015, bashkëshoqëruar nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Këto pagesa të shënuara në bordero nuk rezultojnë në derdhjet që duhej të ishin bërë në llogarinë e sigurimeve shoqërore.

Mbajtja e pagesës së Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore bëhet me listë-pagesat mujore të mësuesve nga sektori i financave të Drejtorisë Arsimore të qarkut. Këto lekë më pas depozitohen për llogari të subjektit në degën e Thesarit te Tatim -Taksat.

Edhe drejtori i shkollës së Sukthit, Luan Vora, ka mangësi 2 vite në derdhjen e siguracioneve. Ai ka konstatuar të njëjtin problem, kur kolegu Zhuleku i ka kërkuar një vërtetim zyrtar për ndalesat e siguracioneve për periudhën që punonte si mësues me kontratë në këtë institucion arsimor.

Vërtetimi i lëshuar nga shkolla, ku janë të shënuara shumat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të paguara çdo muaj

Problemet me skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore i pranon edhe ish-juristja e DAR, Durrës, Elida Pecnikaj, e cila e ka mbajtur këtë pozicion nga viti 2007 deri në vitin 2019. Sipas saj, duke filluar nga viti 2012 dhe gjatë vitit 2013 shteti ka punuar në të zezë dhe një pjesë e siguracioneve të mësuesve në Durrës nuk janë paguar, madje edhe vetë juristja Pecnikaj, së cilës po ashtu i mungojnë 2 vite pune, ishte “viktimë” e këtyre mos-pagesave.

“Sigurisht që mësuesit nuk e dinin këtë problem, sepse nuk kanë hamendësuar, që shteti nuk do t’i paguante. Problematika u mor vesh, kur mësuesit filluan të dilnin në pension dhe ballafaqimi i viteve me siguracionet e paderdhura krijonte këtë “hon” në vjetërsinë e tyre në punë. Disa tani po i drejtohen gjykatave”, – shpjegon ish-juristja e DAR, Durrës, Elida Pecnikaj.

“Fillimisht janë lëvruar pjesë-pjesë siguracionet vetëm për disa muaj të viteve 2012-2013 dhe më pas, nga 6-mujori i dytë, nuk janë paguar. Në vitin 2014 rezulton pothuaj i gjithë viti i papaguar”, – shpjegon më tej Pecnikaj.

Sipas saj, në Durrës janë rreth 1800 arsimtarë, të cilëve shteti iu ka vjedhur siguracionet.

Ata filluan ta kuptojnë këtë mangësi në derdhjet e siguracioneve, vetëm kur u aplikua në e-Albania, ku pasqyroheshin këta zëra.

Drejtuesja e Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, Durrës (DRT), Albana Dizdari, thotë se përgjegjësinë për këtë situatë e ka DAR, pasi varet se si i kanë hedhur në sistem këto vlera.

“Ka pasur disa raste, – tha Dizdari, – që personave të caktuar iu janë bërë derdhje tani vonë për efekt pensioni, kur ata e kanë kuptuar dhe kanë ndërhyrë”, – saktëson Dizdari.

INA MEDIA mëson se Amarilda Thërmia, drejtoreshë e Zyrës Vendore Arsimore, ka marrë zyrtarisht një përgjigje nga Tatim-Taksat, që më datën 15.08.2022, ku njoftohet se: “duke qenë se nga ana jonë është ndërhyrë disa herë në listë-pagesa sipas kërkesave tuaja për punonjës të veçantë, jeni të lutur të na dorëzoni listë-pagesat përfundimtare të periudhave janar 2012-nëntor 2014. Ju informojmë se pas dorëzimit të këtyre listë-pagesave nuk do të merret në shqyrtim asnjë kërkesë e juaja për sistemim të këtyre periudhave”.

Por, lista e kërkuar nuk ka shkuar deri më tani në këtë destinacion, duke e lënë çështjen e pensioneve të mësuesve durrsakë në një udhëkryq.

Kërkesës së Investigative Network Albania-s në lidhje me këtë problematikë, drejtoresha e zyrës Vendore Arsimore në Durrës, Amarilda Thërmia, iu përgjigj se në këtë periudhë kishte shumë ngarkesë dhe se do të krijonte mundësi për takim në një moment tjetër.

Inspektorati Shtetëror i Punës thotë se kjo është një çështje shumë e vjetër për ta, ndaj duhet t`i drejtohen gjykatës.

“Kjo ankesë nuk mund të trajtohet nga ana jonë, pasi pretendimet e ngritura kanë kaluar mbi 3 vjet dhe është gjykata ajo, e cila e vërteton apo jo këtë fakt”, – është kjo përgjigjja që i është kthyer njërit prej ankuesve nga Ardit Shabanaj, kryeinspektor pranë Drejtorisë së Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH), Tiranë.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës, para digjitalizimit listat dërgoheshin në degën e Tatimeve. Problemet e mos-derdhjes së siguracioneve, sipas kryeinspektorit, Bledar Voka, ky Inspektorat i ndjek vetëm pas ankesave që bëhen për këto probleme nga persona të ndryshëm. Deri në dhjetorin e kaluar në të gjithë qarkun ka pasur rreth 72 ankesa ndaj subjekteve të ndryshme, ndërsa për Durrësin kanë qenë 55 ankesa. Për kontributet e munguara të siguracioneve nuk ka pasur asnjë ankesë.

 

Pensionet, “flluska” që rrezikon buxhetin

Në qytetin e Durrësit bëhet fjalë për rreth 1800 mësues që kanë afërsisht boshllëqe 2-vjetore në pagesat e siguracioneve, siguracione që sipas tyre variojnë nga 15.000 deri në 22.000 lekë në një muaj. Vetë Ministria e Arsimit deklaron se ata i kanë lëvruar fondet.

Në përgjigjen e datës 7 prill 2022, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit dhe Arsimit, Alqi Kushi, sqaron: “…çdo vit është bërë shpërndarja e fondeve buxhetore, në nivel artikulli 600-601, sipas programeve buxhetore për të gjitha njësitë publike shpenzuese në vartësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin”.

Pas këtyre shumave, që sekretari i ministres Kushi thotë se janë lëvruar, është e paqartë se ku kanë përfunduar, pasi mesatarisht janë rreth 200 mijë lekë të paguara për çdo person në vit, që do të thotë se në arkën e Sigurimeve Shoqërore nuk janë derdhur rreth 720 milionë lekë, që iu janë mbajtur 1800 mësuesve të Durrësit.

Ligji për Sigurimet Shoqërore, bazuar mbi tue cilin mbahen paratë për skemën e pensioneve, ka ndryshuar 22 herë, por shteti dhe privatët vazhdojnë e punojnë në të zezë.

Një auditim i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore ka dalë në përfundimin se reforma e pensioneve, e ndërmarrë nga qeveria në vitin 2014, jo vetëm që nuk i dha zgjidhje problematikave të skemës së sigurimeve shoqërore në vend, por mijëra subjekte vazhdojnë të mos i paguajnë sigurimet shoqërore.

KLSH jep alarmin se janë mbi 103 mijë subjekte, kryesisht private, që nuk i paguajnë siguracionet, por akoma më shqetësuese është se mes këtyre institucioneve, që nuk i paguajnë siguracionet, janë edhe 384 subjekte buxhetore, që rrezikojnë të lënë pa pension punonjësit e tyre. Vlera e detyrimeve të prapambetura llogaritet të jetë 15.8 miliardë lekë, ndërsa numri i subjekteve debitore është rritur me rreth 6 mijë në vitin 2021.

“Deri më datën 31.12.2021 për detyrimet në kontributet e sigurimeve shoqërore të papaguara në afat për subjektet buxhetore, jo-buxhetore, subjekte juridike – biznes i vogël, konstatohet se: një numër shumë i madh prej 103,628 subjektesh janë debitore, numër i cili ka ardhur nga viti në vit në rritje. Vlen të theksohet se janë edhe shumë subjekte buxhetore e jo-buxhetore, të cilat financohen nga buxheti i shtetit për pagën dhe pagesat e sigurimeve shoqërore, që vijojnë të jenë debitore”, – thuhet në raportin e KLSH.

Duke iu referuar subjekteve private, KLSH sugjeron se mund “të jenë rreth 77,891, por edhe më shumë persona, të cilët kanë probleme me kontributet në sigurimet shoqërore, por edhe nuk mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore”.

Numri i institucioneve që nuk kanë paguar në afat kontributet për Sigurimet Shoqërore

Në të njëjtën situatë aspak të këndshme ndodhen edhe 8 mësues të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, të cilët kanë mangësi në pagesat e kontributeve për periudhën janar 2008-dhjetor 2014. Drejtuesi i këtij institucioni, Avni Çuni, që prej vitit 2021 ka nisur një korrespondencë të gjatë me institucionet, duke vënë disa herë në dijeni Zyrën Vendore Arsimore dhe Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar se QKF-së i rezultojnë mangësi në derdhjen e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e DAR, Durrës për vitet 2010-2014.

Pas heshtjes së këtyre institucioneve, Qendra Kombëtare e Fëmijëve, Durrës ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit.

“Kërkojmë ndërhyrjen tuaj me autoritetin që ju jep ligji për zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi, për shkak se disa punonjës, ose kanë dalë në pension, ose janë në prag të daljes në pension dhe e kanë marrë atë të pjesshëm dhe për këtë fakt janë të detyruar të kërkojnë në gjykatë plotësimin e viteve të punës. Kjo është e papranueshme dhe antiligjore”, – thuhet ndër të tjera në shkresën që kjo qendër i ka dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Arsimit Parauniversitar, Selman Hodo, si dhe numrit një të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.

Këtij shqetësimi ministria i ka kthyer një përgjigje të thatë, por pa ofruar zgjidhje. Ndërsa shpjegon se ajo lëvron çdo vit buxhetin e pagave, sqaron se iu ka kërkuar llogari institucioneve për situatën e krijuar.

“Jemi në pritje të informimit mbi masat e marra për zgjidhjen e situatës së krijuar për të mos lejuar në vazhdimësi krijimin e detyrimeve të prapambetura, të cilat rëndojnë drejtpërdrejt mbi personelin mësimor dhe buxhetin e shtetit, dhe nxjerrjen e përgjegjësve/përgjegjësive konkrete për situatën e krijuar deri në këtë moment”, – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

“Por, QKF-së ende s’i ka dhënë përgjigje njeri!”, – thotë i zhgënjyer drejtori, Avni Çuni.

Pavarësisht “kërcënimit” të ministres Kushi për nxjerrjen e përgjegjësve, situata nuk ka ndryshuar, me përjashtim të ndonjë arnimi klientelist që bëhet nga DAR, për të plotësuar ndonjë person që iu shkakton kokëçarje.

 

Hekurudhat, pa pension

Në muajin prill të vitit të kaluar probleme me siguracionet ka pasur edhe Ndërmarrja e Hekurudhave Shqiptare. Në atë periudhë punonjësit protestuan, pasi kishin 8 muaj që nuk iu ishin paguar siguracionet. Sindikata deklaroi se rreth 1100 punonjës janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa paralajmëroi protesta, nëse situata nuk do të merrte zgjidhje.

Krye-sindikalisti i Hekurudhave Shqiptare, Osman Meta, deklaroi para pak ditësh se problemi arriti të zgjidhej me organizimin e ri në këtë sektor dhe shkurtimet që bëri administratori i ri që erdhi. U shkurtuan rreth 300 forca të tepërta pune, si dhe një pjesë, që ishte në prag pensioni, doli në asistencë. Me këto kursime në fondin e pagave u arrit që të mbulohen siguracionet e munguara.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.