Pavarësisht shqetësimeve në rritje nga ndërkombëtarët se qindra call center-a në Shqipëri mashtrojnë qytetarët e BE-së nëpërmjet investimeve të rreme, shteti shqiptar shfaqet i pafuqishëm përballë tyre. Aksionet e bujshme kanë përfunduar vetëm me sekuestrimin e disa blloqeve, por nuk ka asnjë gjurmë të miliona eurove të zhvatura, që dyshohet se janë zhdukur në parajsa fiskale.
Autor: Elvis Myrta
“Në mars të vitit 2021 shtetasja Alma Sokoli më telefonoi për një takim. Gjatë takimit më kërkoi që ta ndihmoja që të hapte një biznes. Biznesi do të regjistrohej në emrin tim, por do të ishte i bashkëshortit të saj, një shtetas polak”, – tregon për hetuesit në Shkodër Nikolin Toma, i cili rezultoi të ishte administratori i “Ekstra Marketing 2021”, një call center që ushtronte aktivitet mashtrues ndaj shtetasve gjermanë e spanjollë.
“… pas 2-3 ditësh Alma më telefonoi sërish dhe më tha se ata nuk donin ta kryenin më atë aktivitet, por do ta bënte një shok i burrit të saj dhe më pyeti, nëse unë vazhdoja të isha dakord”, – vijon rrëfimin për hetuesit Nikolin Toma. Në dosjen që INA MEDIA disponon të plotë, rezulton se Nikolin Toma ka pranuar që ta hapë biznesin, i cili ka vijuar punën në dy adresa të ndryshme në Shkodër.
Dëshmia e punonjësve të tjerë gjithashtu i konfirmoi Policisë dhe Prokurorisë së Shkodrës se polaku Pawel Wziontek dhe një tjetër shtetas ende i paidentifikuar ishin personat që qëndronin pas aktivitetit mashtrues.
“Deklarueset kanë pohuar dhe faktin se nga data 05 tetor të 2021, në ambientet e punës së tyre kishte shkuar edhe një shtetas tjetër, të cilit Ysniela i drejtohej me “shefi”. Ai iu ishte dukur nga jugu i Shqipërisë dhe e kishin dëgjuar të thirrej me emrin “Daniel”, po ashtu edhe me emrin “Alban”, por emrin e tij të vërtetë nuk e dinin. Sipas tyre ai jetonte në Greqi dhe i këshillonte për t’i përmirësuar telefonatat dhe bisedat me klientët. Ky person iu kishte shpjeguar edhe fushën e kriptomonedhave, fusha ku investohej më së shumti dhe kërkohej të investohej prej tyre. Të pyetura nëse e njihnin shtetasin polak, Pawel Wziontek, disa prej tyre e pranojnë ta kenë njohur si pronarin e parë, ortak me shtetasin e prezantuar si Daniel apo Alban, duke pohuar se e dinin se ky shtetas ishte i fejuar me një vajzë nga Shkodra”, – shkruhet në dosjen hetimore.
Në përfundim, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vuri në masë sigurimi vetëm 9 punonjëse dhe shpalli në kërkim shtetasin polak dhe Alma Sokolin, ndërsa ende nuk ka bërë të mundur identifikimin e “Danielit” ose “Albanit” nga jugu i Shqipërisë, që, siç duket, ishte dhe personi kryesor në këtë aktivitet.
E njëjta skemë me administratorë fiktivë u konstatua nga hetuesit edhe në një tjetër dosje që INA MEDIA disponon. Gjithçka u zbardh, sipas Prokurorisë së Posaçme, SPAK, nga dëshmia e dy prej të hetuarve, Xhulian Xhafës dhe Suada Tilës, bashkëjetues.
“Disa muaj pasi unë fillova punë si IT në kompaninë Blue energy call, Erjon Kasmi më kërkoi t`i gjeja dikë që ta punësonte si administrator. Nga nevoja për pará dhe në një kohë që bashkëjetuesja ime, Suada Tila, ishte e papunë, ramë dakord që të bëhej ajo dhe do të merrte një pagesë mujore prej 600-650 eurosh”, – sqaroi për SPAK-un Xhulian Xhafa. Dëshmia e tij gjithashtu u mbështet nga të dhënat që tregoi për hetuesit edhe bashkëjetuesja e tij.Të gjitha dokumentet, librezat e punës dhe çdo veprim ligjor kryhej dhe firmosej nga administratori, edhe pse Erjon Kasmi nga Kruja ishte i pranishëm dhe punësonte edhe punonjësit. Që nga viti 2017 kjo kompani ndryshoi 3 administratorë, i treti ishte shtetasi Klevin Molla. Sipas hetuesve, në asnjë rast, juridikisht, Erjon Kasmi nuk la gjurmë në dokumente.
Ai u vu në pranga në aeroportin e Rinasit, teksa po dilte nga Shqipëria, vetëm pak orë nga bastisja e ambienteve të call center-it të tij.
Vështirësia në gjetjen e pronarëve të vërtetë pranohet edhe nga Policia e Shtetit, e cila nëpërmjet zëdhënësit për mediat, Gentian Mullai, thotë se faktori kryesor në këtë vështirësi është skema e fshehjes së pronarëve, dokumentuar në dy dosjet që INA MEDIA disponon.
“Identifikimi dhe gjurmimi i pronarëve apo administratorëve të këtyre subjekteve është i vështirë. Pronarët përfitues, për të shmangur përgjegjësitë ligjore, hapin biznese në emër të punonjësve të tyre apo kontraktuesve të tretë, duke u fshehur pas tyre”,- u shpreh Mullai.
“Mashtrues” me diplomë
Spanjollët i hetuan dhe i ndoqën lëvizjet e tyre me lupë, që prej vitit 2018, pas denoncimeve për mashtrime me anë të aktivitetit të call center-ave. Por, jo vetëm spanjollët, pasi të njëjtat gjurmë duket se janë ndjekur edhe nga autoritetet gjermane. Ndjekja e llogarive të hapura, ku të mashtruarit kalonin paratë dhe identifikimi i serverëve online, çoi autoritetet e huaja te 5 shqiptarë, 3 prej të cilëve, të diplomuar në Informatikë dhe Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Tiranës.
Në dosjen e bashkëpunimit të 8 shteteve që INA MEDIA disponon, thuhet se këta persona kishin zhvilluar programet online dhe sistemet e përdorura për aktivitetin mashtrues.
Referuar të dhënave të sjella nga autoritetet gjermane, gjurmët e tyre kishin mbetur në ndërtimin e faqeve dhe sistemeve të kompanive IT Puma TS dhe SMS Company.
Të vetmit që u vunë në pranga në Shqipëri janë shtetasit Irisa Puca dhe Adrian Korriku. Në dosjen hetimore thuhet: “Dyshohet se shtetasja nën hetim, Irisa Puca, është përgjegjëse për zhvillimin e sistemeve CRM, të cilat janë përdorur për funksionimin përkatës te platformave mashtruese, si AGMarkets, SnPBroker, FXNober etj. Të gjitha të dhënat relevante të klientëve ruheshin në këto sisteme CRM, pasi platforma të tilla, si AGMarkets, SnPBroker, FXNober etj., nuk mund të funksionojnë ekonomikisht pa ruajtjen dhe menaxhim e të dhënave për klientët.”
Nga informacionet e mësipërme rezulton se shtetasi Adrian Korriku ka qenë aktiv në të njëjtin ambient me shtetasen Irisa Puca dhe kanë lidhje me njëri-tjetrin, konstatuar kjo nga një kontratë qiraje për një apartament në Vilnius, Lituani, e cila është bërë në emër të shtetasve Irisa Puca dhe Adrian Korriku.
Nga ana tjetër, para hetuesve, dy të pandehurit thonë se nuk kanë dijeni për aktivitetin mashtrues, pasi ata janë të punësuar në mënyrë të ligjshme në kompani dhe japin shërbimin e tyre.
“Të hetuarit, Irisa Puca dhe Adrian Korriku, janë të punësuar në sektorin e mirëmbajtjes së sistemeve elektronike dhe platformave që nga krijimi i tyre. Është njëlloj si të arrestohen krijuesit e platformave si WhatsApp, që përdoren në përditshmëri. Nuk mund të mbajë përgjegjësi mirëmbajtësi i një sistemi, nëse subjektet, që e përdorin këtë platformë, e përdorin për mashtrim. Në asnjë moment nga prokurori nuk thuhet si këta dy shtetas kanë kontribuuar në mashtrim kompjuterik. Janë marrë emrat e këtyre dy shtetasve për shkak të punës së ligjshme që ata kanë kryer në Lituani apo në Gjeorgji, ku kanë qenë me kontratë pune, me leje qëndrimi dhe në zbatim të të gjitha ligjeve të vendit të origjinës dhe vendit ku kanë jetuar e punuar”, – i tha gjykatës Arben Prenga, avokat.
Të dhënat e sjella nga autoritetet gjermane nxjerrin edhe 3 emra të tjerë, një prej të cilëve aktiv në llogaritë ku janë bërë pagesa nga të dëmtuarit, por këta persona, të konsideruar nga autoritetet si organizatorë kryesorë të aktivitetit, nuk u arrit që të viheshin në pranga.
Subjektet nën hetim
Referuar të dhënave zyrtare nga institucionet ligjzbatuese shqiptare janë rreth 100 kompani që mbikëqyren nga policia dhe prokuroria, pasi dyshohet se ushtrojnë aktivitet të paligjshëm.
Zyrtarisht, Policia e Shtetit u shpreh për INA MEDIA-n, se janë rreth 60 raste që po hetohen dhe pjesa më e madhe e subjekteve nën hetim janë në kryeqytet.
Sipas informacioneve të siguruara mësohet se 50 subjekte janë nën hetim vetëm nga Prokuroria e Tiranës. Interesit të INA MEDIA-s për kompanitë nën hetim institucioni i akuzës iu përgjigj se nuk mund të japë detaje për shkak të sekretit hetimor. Ndërsa prokurori i Seksionit të Krimit Ekonomik, Bledar Valikaj, u shpreh se ka nën hetim 50 çështje të regjistruara për këtë aktivitet të paligjshëm.
INA MEDIA arriti të zbardhë emrat e 10 subjekteve që operojnë në këtë skemë mashtrimi. Shumica e këtyre subjekteve, referuar të dhënave në QKB, janë regjistruar si kompani që operojnë në fushën e tele-marketingut, por që në të vërtetë operojnë si platforma Forex. Një nga këto kompani operon në qytetin e Elbasanit, një në Durrës, ndërsa subjektet e tjera janë të vendosura në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Emrat e kompanive nën hetim |
||||||||||
|
Por, përveç mbikëqyrjeve nga policia dhe hetimeve nga prokuroria, autoritetet gjatë 2 viteve të fundit kanë ndërhyrë, duke goditur disa nga këto subjekte.
Sipas bluve, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 16 operacione, 3 prej të cilave me urdhër nga SPAK. Zyrtarisht bëhet me dije se rreth 250 persona janë shoqëruar për t’iu marrë deklarimet, ndërsa 143 prej tyre janë vënë nën akuzë për “Mashtrim kompjuterik”.
Referuar të dhënave nga gjykata, 108 persona po hetohen në gjendje të lirë, 24 janë në “arrest shtëpie”, ndërsa 11 prej tyre qëndrojnë në qeli.
Zyrtarisht Prokuroria e Posaçme i tha INA MEDIA-s, se në këtë institucion nga autoritetet e huaja kanë mbërritur 5 letërporosi, që kanë si objekt hetimin për mashtrimet me call center-a. 3 kërkesa janë ekzekutuar, ndërsa dy të tjerat janë ende në kuadër të verifikimeve.
Gjithashtu, referuar të dhënave zyrtare, në tremujorin e fundit Policia e Tiranës ka goditur 5 kompani Forex. Në sajë të operacioneve “Programuesi”; “Fraud”; “Nine”; “Trick”; “Snare” dhe Trade”, u arrestuan 9 persona dhe u proceduan 19 të tjerë. Gjykata i cilësoi të ligjshme arrestimet, por në qeli la vetëm 3 nga 9 të arrestuarit.
Kompanitë në hetim | Operacione | Persona në hetim | Arrest me burg | Arrest shtëpie | Gjendje të lirë |
50 |
16 |
143 |
11 |
24 |
108 |
Fakti që thuajse asnjë prej pronarëve nuk është mundur të kapet dhe të arrestohet, ka ngritur dyshimet për dekonspirim të aksioneve.
Burime konfidenciale i thanë INA MEDIA-s se ky fenomen ka qenë dhe vijon të jetë, por zyrtarisht autoritetet e mohojnë. Institucionet ligjzbatuese nuk kanë regjistruar asnjë procedim për dekonspirim. Asnjë efektiv nuk është nën hetim apo me masë disiplinore.
Përgjimet italiane
“… Më ka pëlqyer një Nike, por ishte shumë e shtrenjtë. Zot i madh!”, – në pritje të hapjes së telefonatës nga viktima e radhës, një prej operatoreve të një call center-i, të identifikuar nga autoritetet italiane, bën plane për blerjet e saj të radhës.
Biseda është regjistruar nëpërmjet serverit Aruba, që qendra përdorte për telefonata automatike dhe që ishte sekuestruar nga prokuroria italiane muaj më parë.
Nëpërmjet e-mail-eve të dërguara drejt qytetarëve italianë dhe numrave të telefonit, të vendosur për rikuperimin e tyre, autoritetet italiane identifikuan Gilbert Pushanin, Valbona Abedinajn dhe Elisa Çaçin, si autorë kryesorë të veprimtarisë mashtruese. 3 qendra call center, të hapura që në vitin 2017, rezultojnë të jenë në emrin e Elisa Çaçit dhe sipas dosjes hetimore, që zbardhi INA MEDIA, gjatë një viti ata kanë kryer 39.674 telefonata, në tentativë që të gjenin qytetarë, të cilët do të investonin.
Pas aktivitetit mashtrues, siç ka rezultuar nga dosjet hetimore, nuk qëndrojnë vetëm shtetas shqiptarë, por edhe të huaj, polakë e izraelitë. Ata janë identifikuar vetëm nga bashkëpunimi i punonjësve të tjerë ose nga përgjimet. Ndërkohë, një hetim i autoriteteve spanjolle duket se dokumentoi dyshimet se edhe persona me lidhje të forta në administratë, si dhe biznesmenë kanë qëndruar pas mashtrimit me call center-at.
Amant Aleksandër Josifi, një biznesmen i njohur në fushën e call center-it, por që deri në vitin 2020 ka qenë edhe këshilltar i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka një urdhër ndërkombëtar kërkimi, të lëshuar nga autoritetet spanjolle. INA MEDIA ka mësuar se ish-këshilltari i Xhaçkës është larguar nga Shqipëria pak ditë para finalizimit të operacionit “Frida-REFOX“, në kuadër të të cilit ndaj tij duhej ekzekutuar masa e sigurisë.
Burime konfidenciale, që i referohen sistemit TIMS, i thanë Investigative Network Albania-s se ai ka kaluar kufirin me Greqinë. Autoritetet shqiptare thonë se nuk kanë mundur të konfirmojnë, nëse Amant Josifi ka udhëtuar më pas drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ku dyshohet se edhe fshihet aktualisht.
Në përgjigje të një kërkese për informacion, dërguar nga INA MEDIA, SPAK thotë se nuk ka asnjë procedim për Josifin dhe se ai kërkohet nga autoritetet spanjolle.
Pasiviteti i autoriteteve shqiptare
Dosjet e analizuara nga INA MEDIA tregojnë se të dhënat kryesore për identifikimin e autorëve të mashtrimit kompjuterik me anë të call center-ave, janë siguruar nga partnerët, aty ku edhe ndodhte mashtrimi. Edhe pse baza, ku nis aktiviteti i paligjshëm, është Shqipëria, në këto dosje nuk reflektohen veprime hetimore të kryera për identifikimin e autorëve, por vetëm kontrolle të subjekteve, të identifikuar nga Italia, Gjermania apo Spanja, apo mbajtja në vëzhgim e të hetuarve, të kërkuar nga autoritetet e huaja.
I pyetur në një nga konferencat për shtyp për rezultatet e operacioneve kundër call center-ave, drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Edmond Rizaj, tha se hetimet nisin nga partnerët, pasi viktimat e veprës penale janë atje.
Mungesa e monitorimit dhe mos-marrja e masave për mashtrimet e kryera nëpërmjet platformës Forex nga call center-at nxiti debate mes deputetit Erion Braçe dhe kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në Komisionin e Ekonomisë, të mbajtur më 10 maj të vitit të kaluar.
Ish-zëvendëskryeministri i kërkoi llogari AMF-së për mos-marrjen e masave, duke thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë, ku, edhe ato goditje, që janë bërë, kanë ardhur pas raportimeve të autoriteteve të huaja.
“Ajo që më shqetëson, është se asnjë nga institucionet financiare nuk është marrë me këtë aktivitet. U bëmë qendra e botës, turpi, për shkak të raportimeve që erdhën nga agjenci ligjzbatuese të vendeve ku qytetarët ishin mashtruar përmes këtij procesi”, – tha Braçe në komision.
Kërkesës së llogarisë së deputetit socialist, kreu i AMF, Ervin Mete, iu përgjigj: “Sot, që flasim, nuk ka asnjë subjekt të licencuar në Shqipëri për aktivitetin e broker-ave, të lidhur me vendet e BE, pasi të gjitha licencat e dhëna janë hequr, janë pezulluar për shkak të shkeljeve dhe përfundimit të kontratave me BE. Pra, sot të gjithë ata që e bëjnë këtë aktivitet, janë të palicencuar dhe duhet të shkojnë në ndjekje penale.”
Lidhur me këtë çështje, pyetjes së INA MEDIA-s për lulëzimin e këtij aktiviteti të paligjshëm, dhe cilat janë masat për parandalimin dhe goditjen e këtyre kompanive, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u përgjigj: “Tregu i Forex, i palicencuar, nuk është nën rregullimin e AMF”.
Autoritetet ligjzbatuese u shprehën se nuk kanë marrë asnjë informacion nga AMF për kompani që e ushtrojnë këtë aktivitet. Policia e Shtetit i tha INA MEDIA-s se ndërhyrjet bëhen me kërkesë të të huajve, pasi viktimat nuk janë shtetas shqiptarë.
“Si rezultat i investigimeve të zhvilluara nga Strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, është konstatuar se pjesa dërrmuese e subjekteve tregtare, me objekt veprimtarie call center, me pronar shqiptarë apo të huaj, e zhvillojnë aktivitetin e tyre me klientë kryesisht nga vendet e BE-së”, – sqaroi policia.
Të njëjtin qëndrim mban edhe prokuroria, e cila sqaron se Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet t`i kontrollojë këto tregje.
“Të gjitha këto kompani duhet t’i nënshtrohen sa më parë licencimit nga AMF dhe të kontrollohen nga ky institucion”, – u shpreh institucioni i akuzës.
E ndërsa institucionet ligjzbatuese e shohin të vështirë goditjen e këtij fenomeni, eksperti Zef Preçi aludon se këto aktivitete nuk “goditen”, pasi personat, që i kanë ngritur këto skema mashtrimi, kanë mbështetje politike.
Zef Preçi
“Në qoftë se këshilltari i një ministri apo një kryetar bashkie i jep mbështetje dhe interferojnë në aktivitete të ligjshme, kuptohet se ata fitojnë imunitet”, – thotë Preçi.
Pastrimi i parave
Të regjistruara në disa raste si biznese të ligjshme, kompanitë e call center-ave hodhën në tregun shqiptar pará të krijuara nga mashtrimi në formën e pagave.
Dosja ndaj izraelitit, Rafael Genish, të cilën INA MEDIA e disponon të plotë, tregon se nga verifikimet e prokurorisë ky shtetas vetëm në 5 muaj shpenzoi për kontribute shoqërore, shëndetësore dhe taksa mbi 33 milionë lekë ose 275 mijë euro.
“Mbi këtë bazë ka lindur pyetja se cilat janë kontratat e bashkëpunimit që ka kjo shoqëri për realizimin e të ardhurave të saj dhe për pasojë për pagesën e gjithë këtyre shpenzimeve, në kushtet kur organi procedues, nga i gjithë kontrolli që ka kryer, nuk ka gjetur asnjë kontratë të vetme bashkëpunimi midis RG Capital dhe ndonjë shoqërie tjetër që ka pasur nevojë për shërbimin e RG Capital. Për pasojë, evidentohet se e gjithë veprimtaria e kryer nga kompania RG Capital është e kundërligjshme dhe ka si qëllim të vetëm mashtrimin e shtetasve të huaj nga vende të ndryshme”, – evidentohet në dosjen hetimore.
Por, futja në treg si të pastra në formën e pagave, edhe pse sipas hetuesve është forma më e shpeshtë e pastrimit të këtyre të ardhurave, nuk është e vetmja.
Ish-prokurori, Eugen Beçi, në një intervistë për INA MEDIA-n tregon se ky aktivitet hap porta shumë të mëdha për pastrimin e parave edhe nëpërmjet investimeve në bursat fiktive.
“Nëse një person investon në Forex apo në bursa të sajuara 100 lekë, atij i kthehen mbrapsht si fitim, për shembull 50 lekë. Ky 50 lekësh për personin me të ardhura kriminale është tashmë i “ligjshëm”, i justifikuar si fitim nga investimet në bursa, ndërkohë që hartuesi i kësaj skeme e fiton 50 lekëshin e vet. Këtu fillon, dhe paraja kalon në banka të ndryshme, që edhe përfituesi, si pronar i Forex-it, të shmangë gjurmët”, – tha Beçi.
Eugen Beçi
Për Eduart Gjokutajn, ekspert ekonomie, kjo ndodh, pasi Shqipëria është krejt e dobët për parandalimin e pastrimit të parave.
“Shqipëria nuk i ka instrumentet e nevojshme për të parandaluar pastrimin e parave dhe evazionin fiskal, që qarkullon përmes parasë digjitale. Ndonëse këto aktivitete licencohen nga Banka Kombëtare, kjo nuk është garanci për ta quajtur të ligjshëm këtë biznes”, – thotë Gjokutaj, sipas të cilit duhet të plotësohen edhe kriteret që lidhen me regjistrin tregtar dhe atë fiskal.
Skema e pastrimit të parave nga kompanitë call center është pranuar edhe nga ish-drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, në një dalje për mediat.
“Këto call center-a janë një mundësi, që këta persona, që i hapin, të bëjnë pastrim parash. Kuptohet që këto të ardhura vijnë nga veprimtaria kriminale dhe në çfarëdo fushe që ato të investohen, janë parà që pastrohen”, – u shpreh Vocaj.
Tonin Vocaj, ish-drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale
Transferimi i parave në vende të treta, bashkëpunimi me banka të caktuara të nivelit të dytë, që lehtësojnë transaksionet, investimi në pasuri të patundshme, investimi në emra individësh dhe jo te pronarët e vërtetë, janë disa nga format e kryerjes së pastrimit të parave.
“Ky aktivitet i ka paralizuar të gjitha institucionet, mes të cilave edhe Tatim-Taksat. Ka një evazion të dukshëm fiskal të këtyre kompanive. Lehtësirat teknologjike kanë bërë që paratë të transferohen drejt vendeve të treta, duke sjellë mos-vjeljen e taksave këtu apo të dëmtuarit në vendet perëndimore”, – shtoi Preçi
Të rinjtë, drejt call center-ave
Sektori i call center-ave ka fuqinë më të madhe punëtore në Shqipëri, me rreth 25 mijë persona.
Ndryshe nga call center-at, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive pranon se nuk ka asnjë të dhënë për numrin e punonjësve që punojnë në platformat Forex, pasi këto janë aktivitete të paligjshme.
Por, kreu i sindikatës së call center-it, SKOT, thotë se janë rreth 3000 të rinj që zgjedhin të rendin pas përfitimit të lehtë e të “mashtrojnë”.
“Nga të dhënat që kemi mbledhur përgjatë këtyre dy viteve, kohë kur mori formë dhe sindikata, kemi informacione se janë rreth 3000 persona që janë të punësuar si operatorë Forex“, – tha Ilir Xhemalaj.
Mes pagave të majme që iu ofron ky sektor, të rinjtë, që punojnë në këto call center-a, ndahen tri kategori: Junior, Broker dhe Retention.
INA MEDIA ka mundur të kontaktojë me punonjës të të tria kategorive. Rroga e një Juniori shkon 350-500 euro.
“Puna eci mirë, sepse rroga ishte 350 euro dhe bonuset rreth 150 euro, pra në total bëra 500 euro muajin e parë. Ishin shumë në krahasim me rrogat në Shqipëri”, – tha një 22-vjeçare, e cila klientëve të saj iu prezantohej me emrin Chiara.
Junior janë punonjësit që bëjnë prezantimin e platformës dhe, nëse klienti tundohet, ata ia kalojnë telefonatën Broker-it, i cili ka detyrën që ta bindë atë për të investuar. Ndërsa nga Retention zakonisht sigurohen 80% të të ardhurave të kompanive call center. Retention janë personat që kryejnë transaksionet dhe iu marrin lekët klientëve. Rroga e tyre varion nga 800-1000 euro, plus përqindjes që varion nga fasha e shumave të grumbulluara.
“Zakonisht unë e kaloj fashën e madhe, për shembull unë kam arritur të grumbulloj muajin e kaluar rreth 600 mijë euro. Pronarja më dhuroi apartament, sepse edhe vlera e tij ishte më shumë se 60 mijë euro. Unë e kam siguruar jetën, sepse kam një biznes familjar dhe dy apartamente. Të gjitha këto i kam siguruar në 3 vite e pak punë”, – tha Luçia, e cila prej 4 vitesh punon në bursa dhe tani mban titullin Retention ose, ndryshe, supervizore.
Skema e transaksioneve
Në dosjet e analizuara nga INA MEDIA skema si merren paratë nga shtetasit e huaj të mashtruar në vlera që shkojnë në disa mijëra euro, është e njëjtë. Ata fillimisht joshen që të investojnë në pasuri që nuk ekzistojnë, por që inskenohen virtualisht si të vërteta dhe, pasi fitojnë besimin e qytetarëve, ata iu marrin paratë që “investojnë” dhe zhduken.
Ata hapin llogari bankare në disa banka, kryesisht në vendin e origjinës, ku jetojnë qytetarët e mashtruar, si dhe në vende të Bashkimit Europian. Llogaritë në pjesën më të madhe ishin të njëjta në të gjitha rastet e kallëzuara dhe të analizuara nga autoritetet.
Në dosje gjithashtu rezulton se transfertat janë bërë edhe në Pay Pal, në llogari me emra fiktivë. Këto vlera monetare qarkullonin në disa llogari, deri në momentin që binin në duart e autorëve të veprave penale.
Në rastet e fundit të hetuara, qytetarëve, që binin pre e mashtrimeve, iu janë dhënë edhe llogari të kriptomonedhave, ku janë dërguar vlerat monetare.
Për prokurorin e SPAK-ut, Ened Nakuçi, investimi në monedha online e bën të vështirë gjurmimin e transaksioneve. Gjatë konferencës për shtyp, pas finalizimit të operacionit “Fitimi i Ëndrrave”, në të njëjtën linjë ishte edhe homologu i tij italian, Raffaele Titto, që sqaroi se gjurmimi i parave përmes bitcoin-it është shumë i vështirë për t’u arritur.
Marko, i cili punon si broker, i cilëson si naivë klientët që investojnë në kriptomonedha. Sipas tij, ata besojnë se do bëhen të pasur për një muaj.
“Kur dikush do të investojë në kripto, dije se është naiv. Besojnë se do të bëhen të pasur brenda muajit. Ata gënjehen lehtë. Mjafton t’iu flasësh për historinë e bitcoin-it, që e nisi nga 0.00008 dollarë në ditën e parë dhe arriti në 70 mijë dollarë”, – tha i riu.
Ky aktivitet zhvillohet në informalitet, edhe pse ka hyrë në fuqi legjislacioni përkatës, Ligjin Nr.66/2020 “Për tregjet financiare, të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Eduart Gjokutaj
Eksperti Gjokutaj miratimin e këtij ligji e sheh si politikë të nxituar.
“Miratimi i ligjit për bursat online të parasë digjitale është një politikë e nxituar, për sa kohë që nuk garantohet integriteti i tregut formal dhe siguria kibernetike”, – thotë Gjokutaj.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.