Mungesa e transparencës, bashkitë dështuan në qasjen ndaj qytetarëve gjatë vitit 2023

Në 2023, qeverisja vendore, pavarësisht pranisë së saj digjitale në publik, përballet me kritika për mungesë transparence. Hulumtimi i INA Media gjen faqe jo-uniforme të web-it, ndërveprim tejet të ulët me qytetarët, dhe kosto të paarsyeshme të mirëmbajtjes së faqeve të internetit. Programet e transparencës mbeten të papërditësuara ose të papërdorshme nga publiku i gjerë, duke nxjerrë në pah një hendek mes qëllimit për një qeverisje të hapur dhe zbatimit të saj në praktikë. 

Autor: Fatjon Kaloçi

Pajisja e të gjitha bashkive me faqe bashkëkohore interneti ishte një nga objektivat sfidues të bashkive të reja të pas-Reformës Administrative-Territoriale. Sot, të gjitha bashkitë kanë faqet e tyre të internetit, ndonëse emërtimi i adresave online nuk është i standardizuar. Bashkia e Vlorës ka adresën e saj, online, vlora.gov.al. Bashkia e Kavajës ka adresën kavajajone.al. Bashkia e Finiqit është me adresën online bfiniq.gov.al, ndërsa Bashkia e Gramshit ka adresën bashkiagramsh.gov.al. Mungesa e një standardi të adresave online ka sjellë që 61 faqet web të bashkive të gjenden me vështirësi në internet. Çdo vit bashkitë kryejnë pagesa për mirëmbajtjen e këtyre faqeve, ku shpenzojnë kryesisht për domain-in, host-imin e mirëmbajtje të tjera, që synojnë t`i vijnë në ndihmë transparencës proaktive.

Në faqen web të Bashkisë së Maliqit asnjë material nuk mund të klikohet. Kur klikuam në pjesën e sipërme të butonit, ku lexohej Programi i Transparencës, shkuam te një dritare e re, ku kërkohej të bëhej regjistrimi i postës elektronike (e-mail-it) dhe, vetëm pasi të ishte bërë kjo, mund të na jepej akses për ta parë Programin e Transparencës.

Monda Lajthia është gazetare e ekonomisë dhe drejton emisionin E-Zone në televizionin kombëtar, Vizion Plus. Qasja jo e duhur e bashkive ndaj nevojës për informim për të është shqetësuese. “Llogaridhënia e bashkive u përkeqësua pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019, ku opozita nuk mori pjesë. Nga viti 2019 në Shqipëri ka një ligj në fuqi, sipas të cilit ndërtuesit paguajnë 3% të sipërfaqes së objektit për shtresat në nevojë. Sot, askush, as vetë ndërtuesit nuk kanë një të dhënë se sa familje të pastreha apo në nevojë kanë përfituar banesë si pasojë e këtij kontributi. Madje, nuk dihet as se sa është fondi i mbledhur, pasi me një ndryshim ligjor parashikohet që këto sipërfaqe mund të konvertohen në vlerë monetare”, – tha Monda Lajthia.

Për Agron Haxhimalin, Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, ndryshe nga sa propagandohet për transparencën, realiteti jep një pamje tjetër. “Kur flasim për transparencë nga bashkitë, duhet të kemi parasysh sistemin ligjor dhe institucional apo instrumentet përkatëse për transparencë. Ndërsa ligjet bëhen e ndërkohë që shumë propagandohet për transparencë, realiteti ka një pamje tjetër”, – tha Haxhimali. Me një përfshirje shumëvjeçare në çështjet e qeverisjes vendore, ai sugjeron edhe se si mund të ecet më tej: “Së pari, duhet bërë kulturë institucionale dhe qytetare. Së dyti, drejtuesit duhet të ndryshojnë sjelljen lidhur me proceset e përfshirjes së qytetarëve dhe jo thjesht duke postuar njoftimin për mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Së treti, mbajtja e fortë e pozitës dhe e ngarkesave politike të drejtuesve apo dhe të administratës e zhvlerëson shumë transparencën”, – tha Drejtuesi Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë.

Shpenzimet e pajustifikuara të bashkive për “transparencën” në web

Ne kryem një hulumtim në mbi 61 faqe web të bashkive në vend, të cilave iu drejtuam edhe zyrtarisht me kërkesë për informim, për të mësuar nëse shpenzojnë dhe sa harxhojnë për mirëmbajtjen e këtyre faqeve. 18 bashki nuk kthyen përgjigje, edhe pse në tejkalim me afatet ligjore, ndërsa të dhënat e mbledhura për 43 bashki në vend thanë se mirëmbajtja e faqeve zyrtare web të këtyre bashkive për vitin 2023 iu ka kushtuar 11.660.579 lekë.

Të dhënat e shpenzimeve që kryen 43 bashki në Shqipëri gjatë vitit 2023 për faqet web

Pagesa për faqe që nuk kanë çfarë të ofrojnë për publikun

Por, çfarë i ofrojnë publikut këto pagesa? Për vitin 2023 Bashkia e Rrogozhinës nuk pati asnjë shkrim në faqen e saj web. Shkrimi i fundit në këtë faqe daton në dhjetor 2022, ndërsa Bashkia e Këlcyrës përgjatë gjithë vitit 2023 pati vetëm një shkrim. Një tjetër bashki, ajo e Tepelenës, tha se shpenzoi rreth 250.000 lekë për mirëmbajtjen e faqes së saj, zyrtare, edhe pse gjatë gjithë vitit 2023 kishte publikuar vetëm 3 artikuj, ku më i fundit datonte më 21 qershor. Faqja web e Bashkisë së Krujës duket se postimin e saj të fundit ka akoma atë të muajit mars 2023. Por, këto nuk janë të vetmet probleme. Natyra e postimeve dominohet nga njoftimet për mbledhjet e Këshillit Bashkiak, njoftime për vende pune dhe shumë më pak janë shkrimet me interes më të gjerë publik. Shumica e artikujve kanë në qendër kryetarët e bashkive dhe publikimet japin vetëm arritjet.

Numri total i publikimeve që ka bërë secila bashki gjatë vitit 2023 në faqen e saj web

Ndërveprimi i bashkisë me lexuesin dhe siguria, thuajse të pamundura

Vetëm në 12 faqe zyrtare, reciprokisht të bashkive Dibër, Lezhë, Mirditë, Klos, Kurbin, Fushë-Arrëz, Finiq, Kavajë, Gjirokastër, Poliçan, Roskovec dhe Librazhd, një vizitori i lihej mundësia për të komentuar apo për të bërë sugjerim nën një shkrim apo artikull. Por, pavarësisht mundësisë që jepej, që komenti të bëhej publik, duhej pritur miratimi i administratorit të web-it.

Ne u ndalëm edhe tek elementi i sigurisë. Nëse dikush kërkon faqen web të Bashkisë së Kuçovës, gjëja e parë që të shfaqet, sa hyn në të, është shënimi “faqe jo e sigurt”. E njëjta situatë duket edhe në website-t e bashkive Mirditë e Dibër. Problematikat më të mëdha të sigurisë duket se rezultonin në përdorime të papërditësuara të versioneve të shtojcave apo elementeve të faqes së tyre. Përmes përdorimit të një shërbimi të lirë, të quajtur pentest-tools.com (instrument që është përdorur edhe nga KLSH në disa raporte auditimi) skanimi i elementeve të sigurisë së këtyre faqeve tregon për nivele të larta risku, çka dëshmon se mirëmbajtja e pretenduar, për të cilën paguhet, duket jo shumë reale.

Me nivele të larta risku rezultojnë faqet zyrtare web të 23 bashkive, konkretisht, Berat, Cërrik, Delvinë, Dibër, Divjakë, Dropull, Fushë-Arrëz, Këlcyrë, Kolonjë, Krujë, Kuçovë, Librazhd, Mallakastër, Mat, Memaliaj, Patos, Përmet, Poliçan, Përrenjas, Pustec, Sarandë, Shijak dhe Dimal. Të klasifikuara me nivel të mesëm risku në faqet e tyre web paraqiten 21 bashki në vend: Belsh, Bulqizë, Finiq, Himarë, Kamëz, Korçë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Libohovë, Lushnjë, Maliq, Mirditë, Pogradec, Pukë, Rrogozhinë, Selenicë, Tiranë, Tropojë, Vau i Dejës dhe Vorë. Faqet web, që kanë një nivel më të ulët risku, i përkasin 17 bashkive: Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Durrës, Skrapar, Tepelenë, Roskovec, Peqin, Malësi e Madhe, Kolonjë, Klos, Kavajë, Has, Gramsh dhe Devoll.

Bashki, që ende nuk e përmbushin detyrimin ligjor për miratimin e një programi transparence

Bashkia e Tepelenës konfirmon se ende nuk ka një Program të miratuar Transparence

Dy bashki, ajo e Tepelenës dhe e ajo e Memaliajit, dallojnë nga bashkitë e tjera në Shqipëri. Në përgjigjen që Koordinatorët për Informim të këtyre dy bashkive na dhanë, thanë se këto dy bashki deri në dhjetor të vitit 2023 nuk kanë ende të miratuar asnjë Program Transparence, ndonëse kanë publikuar online një model. Bashkitë e kanë detyrim ligjor, jo vetëm miratimin, por edhe publikimin e Programit të Transparencës në faqen e tyre të internetit. Detyrimi për transparencën vjen nga ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ku në nenin 15, të titulluar “Transparenca e veprimtarisë së njësive të vetëqeverisjes vendore”, thuhet se njësitë e vetëqeverisjes vendore garantojnë për publikun transparencën e veprimtarisë së tyre dhe se çdo akt i organeve të vetëqeverisjes vendore publikohet në faqen zyrtare të internetit të njësisë vendore dhe afishohet në vendet e caktuara.

Bashkia e Memaliajit konfirmon se nuk ka një Program Transparence

Ndërlidhja me një tjetër ligj, atë me nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, bën që një instancë tjetër, ajo e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të përcaktojë modelet se si duhet të jenë këto Programe Transparence, që duhen publikuar në faqet e internetit të bashkive. Dhe, në fakt, modeli është i miratuar dhe i publikuar prej vitesh. Ai është i bazuar në 7 kategori të përgjithshme informacioni, ku secila prej tyre ka nën-kategori, që duhet të bëhen publike.

Në faqen e Bashkisë së Kavajës, edhe pse Programi i Transparencës afishohet, klikimi në të nuk shfaq asnjë rezultat. Për të gjetur adresën elektronike të Koordinatorëve për Informim në secilën faqe online të bashkive, matëm numrin e klikimeve që bëhen brenda faqes deri në marrjen e rezultatit. Në një numër të madh bashkish, kur qytetari kërkon të dijë adresën elektronike të Koordinatorit për Informim, klikimi shoqërohet me shkarkime të panevojshme të dokumenteve, kryesisht të llojit .doc ose .pdf, ku nuk garantohet siguria dhe ku lexuesi nuk paralajmërohet më parë se për materialin që shkarkohet do të nevojitet një lexues apo një aplikacion i caktuar për ta shfletuar. Në 19 bashki vizitori duhet të bëjë 3 klikime për të marrë informacion, në 21 bashki informacioni merret me 2 klikime. Vetëm në 18 bashki mjafton vetëm një klikim.

Edhe pse pjesa më e madhe e bashkive të monitoruara e kanë Programin e Transparencës në faqet web, shumë rubrika janë të paplotësuara me informacione e nuk mund t’i shërbejnë në mënyrë efektive publikut. Jo të gjitha elementet e Programit të Transparencës rezultojnë të publikuara apo të klikueshme. Minimalisht, rreth 20% e zërave të programeve të transparencës së bashkive, ndonëse shkruhen si zëra, klikimet në to nuk janë të vlefshme apo janë pa informacion. Në disa bashki të tjera konfigurimi i Programit të Transparencës duket kaotik dhe i paorganizuar.

Në konfigurimin vizual Programi i Transparencës së Bashkisë së Tiranës duket më lehtësisht i organizuar. Më i plotë dhe më shumë elemente të klikueshme duket se ka Programi i Transparencës i Bashkisë së Skraparit, ndonëse në brendësi shumë materiale janë të papërditësuara. Bashkia e Elbasanit e ka perceptuar vizualisht ndryshe Programin e Transparencës. Ai nuk i ngjason modelit të miratuar nga Komisioneri dhe disa elemente, që kanë të njëjtin tekst, janë të përsëritura dy ose më shumë herë. Vetëm 10 bashki vetëdeklaruan numrin total të vizitorëve, që ato kishin për faqet e tyre web.

Sipas të dhënave, që këto bashki dhanë për INA Media-n, gjatë vitit 2023 numri total i vizitorëve të faqeve web të bashkive Tiranë, Kamëz, Kukës, Devoll, Shkodër, Mat, Sarandë, Vau i Dejës, Bulqizë dhe Fier në total ka qenë 11.148.399 vizitorë.

Bashkitë online, pak ose aspak kërkesa për informim gjatë vitit 2023

Një ndër treguesit më të saktë të interesimit qytetar drejt bashkive është ai që quhet Regjistri i përditësuar i Kërkesave për Informim. Bashkitë Maliq, Kavajë, Has, Fushë-Arrëz dhe Pukë nuk e mundësojnë klikimin mbi Regjistrin e përditësuar të Kërkesave për Informim. Deri në janar 2024 ky regjistër nuk rezultonte i përditësuar dhe bashkitë Elbasan, Gjirokastër, Krujë, Dimal, Konispol, Finiq dhe Memaliaj ende kanë si shifra të fundit të dhënat e vitit 2021.

Bashkitë e Selenicës dhe Këlcyrës përditësimin e këtij regjistri e kanë ende me të dhënat e vitit 2022. Kështu, në Bashkinë e Beratit Regjistri i përditësuar i Kërkesave për Informim kishte si përditësim të fundit kërkesën numër 23, që i përket muajit korrik 2023 dhe prej këtej nuk shfaqen kërkesat e reja. Si rregull në dy javët e para të janarit duhej të ishte plotësuar i plotë regjistri i vitit 2023. Bashkia e Gjirokastrës në faqen web nuk ka të publikuar regjistër kërkesash për vitin 2023, ndonëse Koordinatori për Informim na tha se për vitin 2023 kanë patur 27 kërkesa, por ne nuk mund ta verifikojmë dot këtë, kur nuk janë të publikuara online.

Numri i kërkesave për informim për vitin 2023, të publikuara në web

Lidhur me numrin e kërkesave për informim drejtuar bashkive gjatë vitit 2023, pesë bashkitë, që kanë numrin më të lartë të kërkesave për informim, rezultojnë: Tirana me 241 kërkesa, Lezha me 112 kërkesa, Poliçani me 94 kërkesa, Durrësi me 81 kërkesa dhe Vora me 72 kërkesa; ndërsa Berati, Fieri, Tepelena, Divjaka dhe Kolonja listohen me më pak kërkesa për informim në afishimin e bërë prej tyre për vitin 2023 në faqet përkatëse web. Një tjetër element shqetësues të këtij hulumtimi e patëm me kthimet e përgjigjeve të kërkesave për informim.

INA Media iu drejtua përmes e-mail-it më 12 janar 2024 përmes formularit tip të kërkesës për informim dhe dokumentacionit të nevojshëm të 61 koordinatorëve të bashkive në vend. 18 bashki, përkatësisht Berat, Lushnjë, Dimal, Librazhd, Cërrik, Finiq, Fushë-Arrëz, Has, Kavajë, Këlcyrë, Kolonjë, Konispol, Krujë, Malësi e Madhe, Pustec, Rrogozhinë, Roskovec dhe Selenicë, nuk u përgjigjën deri më 5 shkurt 2024, për ndonjë bashki afatet për kthimet e përgjigjeve kanë kaluar, si dhe për shumë të tjera, që ende presim një përgjigje.

Ndërsa në morinë e artikujve apo çdo lloj publikimi të bërë në këto faqe zyrtare rezulton se për vitin 2023 postimi i fundit në faqen e Bashkisë së Kavajës është bërë më 24 prill 2023, ndërsa Bashkia e Krujës materialin e fundit të publikuar për vitin që shkoi e ka më 7 mars 2023 dhe prej kësaj dite nuk rezulton asnjë publikim tjetër për vitin 2023. Korça dhe Tepelena kanë shkruar materialet e fundit për vitin 2023 në qershor. Në disa bashki emrat e Koordinatorëve për Informim dhe adresat elektronike nuk janë përditësuar dhe në shumë prej tyre e-mail-et nuk janë të domain-it zyrtar të bashkisë, por mund të gjesh edhe adresa në gmail, në yahoo apo të transmetuesve të tjerë.

Grimcat e konsultimit publik

Nisma për të krijuar një portal unik të konsultimit publik të bashkive, e standardizuar me portalin https://konsultimivendor.al/, për drejtuesin e Qendrës për Çështjet e Informimit Publik, Infocip, Gert Shella, është një mënyrë e mirë për të rritur transparencën. Nevoja për të patur standardizim për të është po aq e rëndësishme sa vullneti që duhet të tregojnë vetë bashkitë për ta nxitur transparencën. “Prej vitesh Infocip ka ndihmuar bashkitë për të rritur transparencën, por duhet të jenë këto bashki që ta kenë vetë prioritet atë. Në vitin 2022 kompletuam platformën www.konsultimivendor.al, e cila ishte një mjet i munguar dhe një detyrim i paplotësuar nga qeveria ndaj kërkesave të ligjit Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, – tha Shella.

 

Për të, ashtu sikundër u bë me konsultimin publik, duhet të bëhet edhe me transparencën, ndonëse, sipas tij, për standardizimin ka edhe shumë aktorë që nuk e duan. Gert Shella tha se edhe standardizimi cenohet.

Infocip ishte ndër aktorët e parë që kompletoi plotësisht standardizimin e shërbimit të njoftimit të vendimeve të Këshillave Bashkiakë përmes kompletimit të platformës vendime.al në vitin 2018 me të gjitha bashkitë e listuara në këtë platformë. Ne u habitëm, kur mësuam se një mënyrë për t`i bërë bashkitë e forta ishte duke goditur vendime.al dhe filozofinë e standardizimit, që kjo platformë mishëronte. Për ne, që e kishim krijuar këtë sistem, kjo situatë ishte surreale: ishte si të gjendeshe brenda mitit të Rozafës, ku ne ndërtonim ditën, kurse kolegët tanë shkatërronin gjatë natës në emër të ndërtimit të bashkive më të forta. Forca e vërtetë është të ndërtosh, jo të shkatërrosh. Për fat të keq, forcat shkatërrimtare janë prezente dhe ky është realiteti që ne përballim çdo ditë në Shqipëri. Jemi ndjerë të befasuar që strukturat shtetërore nuk kanë reaguar me forcën e duhur ndaj këtyre sjelljeve, që cenojnë deri parimet e gjithëpranuara të rakordimit të asistencës për institucionet qeverisëse nga partnerët e huaj”, – tha Drejtori i Qendrës për Çështjet për Informim Publik, Infocip.

Aktualisht, konsultimivendor.al në dukje shfaqet si një platformë e standardizuar për të gjitha bashkitë, së paku vizualisht, por në përmbajtje bashkitë bëjnë publikime sa për t’u dukur ose nuk bëjnë fare. Shkodra, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Fushë-Arrëza, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Mati, Kurbini, Klosi, Bulqiza, Tirana, Vora, Durrësi, Kamza e shumë bashki të tjera nuk kanë asnjë publikim për vitin 2023 në platformën e konsultimit vendor. Lezha, Tropoja, Shijaku kishin vetëm 1 thirrje konsultimi të publikuar për vitin 2023. Elbasani ka bërë 6 thirrje për konsultim publik gjatë vitit 2023.

Sot, duket se bashkitë po tentojnë të shkojnë drejt rrjeteve sociale, duke humbur aspektin zyrtar të përfaqësimit të tyre. Numri i ulët i kërkesave për informim, numrat e ulët të publikimeve që këto bashki bëjnë në faqet zyrtare, artikuj pa shije dhe gati të palexueshëm nga publiku, që vijnë më tepër si një mburrje organizate pune; materiale të pafreskuara, të mykura në harresë dhe të papromovuara duket se janë shpenzimi i kotë i radhës i parave, që nuk i kthehen mbrapsht publikut në kohë reale, në përditësimin e duhur dhe në funksion të njohjes së tij.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.