Zjarri i tokave torfike djeg, edhe mjedisin, edhe shëndetin

Tokat torfike, që janë përfituar si pasojë e bonifikimit të kënetave dhe të moçaleve, rrezikojnë të kthehen në gjendjen e mëparshme. Mungesa e sistemit të vaditjes dhe të kullimit, si dhe zjarret e vëna nga fermerët me besimin se rrisin prodhimin, kanë çuar në degradimin e sipërfaqes me mbi 20 mijë hektarë, që gjendet më së shumti në bashkitë Maliq, Lezhë dhe Divjakë. Flakët shpërndajnë në atmosferë grimca të rrezikshme për shëndetin e banorëve.

Autor: Roland Beqiraj

Mijëra hektarë tokë bujqësore, torfike në Shqipëri rrezikojnë të shkrumbohen nga zjarret. Sipërfaqet më të mëdha të tokës torfike prej 9 mijë hektarësh gjenden në bashkitë e Maliqit, Lezhës dhe Divjakës, por asnjëra prej tyre nuk ka sisteme funksionale të ujitjes dhe të kullimit, që janë e vetmja mënyrë për të zvogëluar efektet shkatërruese të zjarreve, të cilat prekin ekonominë, mjedisin dhe shëndetin e popullatës.

Kënetat dhe moçalet, të shtrira gjithashtu në qarqet Shkodër, Dibër, Fier dhe Gjirokastër, të konvertuara gjatë diktaturës në toka bujqësore përmes procesit të bonifikimit, rritën fondin e tokës së bukës në vend me rreth 21 mijë ha.

Tokat torfike, me origjinë nga bimësi e dekompozuar ujë-dashëse, kanë rendiment të lartë prodhimi, mirëpo gjatë verës në mungesë të ujit shtresat e torfës kanë tendencën të vetëdigjen. Zjarri, që mund të zgjatë disa muaj, ul nivelin e tokës 3-5 cm çdo vit.

Si të mos mjaftonte vetë-djegia, fermerët e përdorin zjarrin si mënyrë pastrimi, madje besojnë se kjo rrit prodhueshmërinë.

Sulejman Qemalaj nga fshati Drithas i Maliqit tregon se ka 20 dynymë tokë, 5 prej të cilave, tokë torfike. Fermeri pranon se parcelat torfike i djeg çdo vit.

“Çfarë mbetet nga korrja e grurit dhe e misrit, unë e djeg. Këtë bëjmë të gjithë, sepse kjo e bën tokën më pjellore dhe e përgatit për sezonin tjetër të mbjelljes. Kemi dëgjuar që nga djegia toka varfërohet, por ne nuk e besojmë”, – thotë Qemalaj.

Ekspertët e bujqësisë e konsiderojnë djegien e tokave të dëmshme dhe me pasoja afatgjata. Sipas tyre, nga djegia tokat torfike humbasin elementet ushqyese për bimët dhe iu ulet niveli. Eksperti i bujqësisë, Robert Damo, thotë se në një tokë torfike, të padjegur lëndët organike janë në masën 40,92%, ndërsa në një tokë torfike të djegur zbresin në 1,9%.

Shkëlqim Myslymi, banor i fshatit Sheqeras në Maliq, ka në pronësi 28 dynymë tokë, 4 prej të cilave janë tokë torfike. Ai tregon se kultivon grurë dhe misër, por ndër vite prodhimi thuajse është përgjysmuar dhe të ardhurat e tij janë ulur.

“Në 1 dynym të mbjellë me misër dikur merrja 8 kuintalë, sivjet mora 4 kuintalë. Nëse heqim kostot, mund të fitojmë 5 mijë lekë për dynym. Thuajse kaq fitohet edhe nga gruri”, – thotë ai.

Fermeri tregon se e djeg tokën pas korrjes, por, sipas tij, ulja e rendimentit nuk vjen nga zjarri. Kjo ndodh për shkak të mungesës së vaditjes dhe plehrave kimike aspak cilësore, që shiten në farmacitë bujqësore.

Duke pranuar problematikën që sjell djegia e mbetjeve bimore në tokat torfike, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në përgjigje të kërkesës për informacion tha se në tokat e djegura rendimenti ulet në masën 25-35%. Pavarësisht se MBZHR pretendon se janë ndërmarrë fushata sensibilizuese për ndërgjegjësimin e fermerëve, qartazi ato nuk kanë dhënë rezultat, pasi tokat vazhdojnë të digjen.

Toka torfike, fshati Sheqeras në Bashkinë e Maliqit

Bashkia e Maliqit ka sipërfaqen më të madhe të tokës torfike në vend, rreth 5.300 ha. Nga procesi i vetë-djegies dhe nga zjarret, që fermerët iu vënë tokave pas vjeljes së prodhimit, rezultojnë të djegura gati 2.000 ha.

Ulja e nivelit të tokës për shkak të zjarreve pasohet me përmbytje të kësaj sipërfaqeje gjatë vjeshtës dhe dimrit.

“Pasi digjet parcela, mbetet gropë, ngaqë ulet niveli i tokës dhe, kur bien shirat, përmbytet. 3-4 vjet nuk e kultivojmë, se nuk bëhet asgjë”, – thotë fermeri, Shkëlqim Myslymi.

Eksperti Damo përmes matjeve ka arritur në përfundimin që nga djegia e 50 cm shtresë torfike mbeten vetëm 10 cm. “Zjarret në tokat torfike janë të zakonshme. Në mungesë të masave për menaxhimin e tyre nga bashkitë, toka bujqësore po degradohet, çka zvogëlon sipërfaqen e kultivueshme”, – thotë Damo.

Në disa zona në fushën e Maliqit toka ka pësuar rënie deri në 5 m, duke i kthyer ato në moçalishte. Eksperti Damo, i cili prej më shumë se dy dekadash ka studiuar tokën torfike, thotë që kultivimi është i pamundur në një sipërfaqe prej 500 ha të fushës së Maliqit, ndërsa në sipërfaqen prej 1.600 ha të djegur ndër vite kultivimi është problematik në masën 15-30%. Eksperti ka llogaritur dëmin ekonomik në një sipërfaqe prej 1.000 ha, e cila nuk kultivohet për shkak të zjarreve dhe përmbytjeve.

“Nëse kjo sipërfaqe toke do të kultivohej me grurë, rendimenti i të cilit është 5.000 kg/ha dhe çmimi 25 lekë/kg, të ardhurat do të ishin 125 milionë lekë.

Nëse e njëjta sipërfaqe do të mbillej me misër, rendimenti i të cilit është 8.000 kg/ha dhe çmimi 33 lekë/kg, të ardhurat do të ishin 264 milionë lekë.

Në rast se 1.000 ha do të mbilleshin me patate, rendimenti i së cilës është 40.000 kg/ha dhe çmimi për kilogramë është 40 lekë, të ardhurat do të ishin 1.6 miliardë lekë të reja”, – llogarit ai.

Zjarret, të pamenaxhueshme, bashkitë, sytë nga qielli, duart nga qeveria

Korrikun e kaluar në fshatin Sheqeras zjarri përfshiu 10 ha tokë në përdorim të një biznesmeni nga Katari. Sapo ishte korrur gruri. Bashkia e Maliqit reagoi në kohë, por toka digjej si furrë, çfarë e bënte të kotë luftën me flakët. Veç bashkisë dhe policisë, që u angazhuan me mjete, në ndihmë shkuan edhe fermerët e zonës. Ndërhyrja ishte shumë e vështirë. Temperatura e tokës shkonte deri në 80°C. Mjeteve zjarrfikëse iu bllokoheshin filtrat e ajrit nga hiri i torfës. Ekskavatorëve iu shkrinë gomat, ndërsa punonjësve dhe banorëve iu dogjën këpucët. Gjatë korrikut dhe gushtit vatrat e zjarrit mbetën aktive nën tokë për shkak të mungesës së ujit në kanalet vaditëse. Zjarri u fik plotësisht ditët e para të shtatorit nga shiu.

Sheqeras, zjarr në tokën torfike

Tokat torfike, sipas ekspertit të bujqësisë, Avni Spaholli, duhet të mbahen nën ujë për të evituar zjarret dhe pasojat që vijnë prej tyre. E vetmja mënyrë për të menaxhuar tokat torfike mbetet sistemi funksional i ujitjes dhe i kullimit.

“Ndryshe nga tokat minerale, tokat torfike mund të ujiten vetëm nëpërmjet infiltrimit. Kjo do të thotë që gjithë sistemi i kanaleve duhet të jetë i pastruar dhe në funksion, si për kullim, ashtu dhe për ujitje”, – thotë Spaholli.

Bashkia e Maliqit thotë se ka të mbuluar me sistem vaditës 70% të sipërfaqes së tokës bujqësore, por sistemi mbetet jashtë funksionit për shkak të mungesës së ujit në rezervuarin e Podgories. Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, thotë se e vetmja mënyrë për të minimizuar zjarret në tokat torfike është funksionimi i plotë i kolektorëve dhe i kanaleve të dyta dhe të treta të ujitjes dhe të kullimit.

“Para viteve `90 rezervuari i Gjançit vadiste edhe tokat e fushës së Maliqit, sot nuk është e mundur për shkak të mungesës së ujit. Ne kemi investuar 45.2 milionë lekë të reja për ndërtimin e hidrovorit të Vreshtasit, i cili largon ujërat e tepërta nga tokat, duke i dërguar në rezervuarin e Podgories. Pavarësisht se ky investim ka rritur kapacitetin ujëmbajtës të rezervuarit të Podgories, përsëri nuk sigurohet sasia e domosdoshme për të mbajtur nën ujë gjithë tokat torfike”, – thotë Topçiu.

Pas Maliqit, Lezha ka sipërfaqen më të madhe, afro 3.200 ha tokë torfike në ish-kënetën e Torovicës. Vetë-djegia dhe zjarret e fermerëve edhe këtu përsëriten. Bashkia në përgjigjen e kërkesës për informacion pretendon se e ka 100% në funksion sistemin ujitës dhe kullues, përfshirë edhe atë të tokave torfike të Torovicës. Në tre vitet e fundit bashkia ka investuar për sistemin e ujitjes dhe të kullimit në të gjithë territorin e saj 122.8 milionë lekë, por tokat torfike vazhdojnë të përmbyten.

Në Bashkinë e Divjakës, e cila ka në administrim rreth 600 ha tokë torfike të ish-kënetës së Tërbufit, rreziku i djegies është akoma më i madh për shkak të mungesës së plotë të sistemit ujitës.

Fusha e Tërbufit

Serma Kasa, banore e Tërbufit, tregon se zjarret janë të zakonshme në këto toka. Ato herë ndodhin aksidentalisht dhe herë të tjera për traditë të djegies së tokës për ta bërë më prodhuese.

“Kam 17.5 dynymë tokë në Tërbuf, që dikur ka qenë kënetë. Kur korret gruri, qëllon që një person e hedh bishtin e cigares ose shkrepësen në tokë dhe zjarri përhapet nga era deri në Biçukas dhe te Tri Urat. Po të ketë ujë toka, zjarri nuk përhapet. Sot është prishur çdo gjë dhe kanalet vaditëse s’kanë pikë uji”, – thotë ajo.

Bashkia e Divjakës në përgjigjen e kërkesës për informacion thotë se në tre vitet e fundit nuk ka pasur zjarre masive në tokat torfike, por djegia e tokave nga fermerët është një fenomen që vazhdon. Sistemi vaditës i Tërbufit u prish pas viteve `90 dhe pas tri dekadash tokat thahen për ujë, ndërsa bashkia e ka të pamundur ta përballojë me buxhetin e saj investimin për sistemin e ujitjes dhe të kullimit.

“Sistem të mirëfilltë, vaditës ish-komuna Tërbuf nuk ka. Po përpiqemi bashkë me Ministrinë e Bujqësisë për ta rindërtuar sistemin, që do të bëjë të mundur vaditjen e një sipërfaqeje të konsiderueshme”, – thotë Bashkia e Divjakës.

Në pritje të investimit nga qeveria, Bashkia e Divjakës e ka lëshuar dorën, duke shpenzuar 33 milionë lekë nga buxheti i saj për pagat e punonjësve të Drejtorisë së Bujqësisë, të Bordit të Ujitje-Kullimit dhe Mjedisit, si dhe për karburant.

Problemet me infrastrukturën e ujitjes mbeten të pazgjidhura, edhe pse investimet e viteve të fundit të qeverisë arrijnë miliarda lekë. Në Strategjinë Kombëtare të Ujitjes dhe të Kullimit, 2019-2031 të MBZHR thuhet se për periudhën 2013-2015 janë investuar për infrastrukturën e ujitjes, të kullimit dhe të mbrojtjes nga përmbytja 2,5 miliardë lekë.

Për tonelatat e torfës së djegur askush nuk ka sy

Ndotja e shkaktuar nga djegia e torfës, sipas studimeve të huaja, të cilave iu referohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit, rrit 40-60% nivelin e gazrave serë, të çliruara në ajër, duke kërcënuar mjedisin dhe shëndetin e banorëve.

Tymi i çliruar gjatë djegies së torfës

Banorët e Sheqerasit në Maliq ankohen se nga djegia e përvitshme e tokave torfike ndotja e ajrit është alarmante. Vjeshtën e vitit të kaluar ata protestuan, pasi djegia e tokave, e pasuar nga re të dendura tymi dhe gazra me erë të rëndë, vazhdoi disa muaj.

77-vjeçari Ajet Beqiraj tregon vështirësitë, me të cilat u përball ai dhe familjarët e tij për shkak të ndotjes së ajrit.

“Të mbyt tymi, nuk merrnim dot frymë, sidomos në mëngjes. Unë, si i moshuar, por edhe mbesat dhe nipërit e mi e ndienim shumë, madje fëmijët mbanin maska gjatë mësimit”, – shprehet i moshuari.

Nga djegia e tokës torfike ndodh fenomeni, që ekspertët e quajnë erozioni error, prej të cilit hiri i torfës përhapet në formën e reve të tymit dhe grimcave në ajër.

Eksperti Robert Damo ka llogaritur se sasia e torfës së djegur për sipërfaqen prej rreth 2.000 ha në Maliq, të përfshirë nga zjarri, është 2,5 milionë tonë. Një pjesë e hirit, që mbetet nga djegia e torfës, përhapet nga era në një territor shumë të madh, që fillon nga fusha e Maliqit dhe arrin deri në bregun e Liqenit të Ohrit në Maqedoninë e Veriut, në një distancë prej 49 km.

“Për shkak të fenomenit të erozionit error, duke përdorur ekuacionin e erodibilitetit të erës, del se sasia e torfës së eroduar ishte 4.98 tonë/ha në vit për tokat e mineralizuara në mënyrë natyrale dhe 8.29 tonë/ha në vit për materialin e djegur”, – thotë Damo.

Djegia e torfës sjell emetimin e gazrave serë në ambient, që krijojnë një terren të papërshtatshëm për bimësinë dhe organizmat e gjallë. Në përgjigje të kërkesës për informacion Agjencia Kombëtare e Mjedisit sqaron se nga djegia e tokës torfike çlirohet CO2 (dyoksidi i karbonit), CO (monoksidi i karbonit) dhe CH4 (metani). Ndërkohë, si institucioni që ka detyrim matjen e cilësisë së ajrit, ajo thotë se nuk i monitoron shkarkimet në ajër.

“Për sa kohë nuk ka të dhëna për nivelin e ndotjes nga toka torfike, ne nuk e vlerësojmë dot cilësinë e ajrit në këto zona”, – thotë AKM.

Pavarësisht se djegia e torfës ka marrë përmasa shqetësuese, duke u shtrirë në disa zona të Shqipërisë, me kohëzgjatje që mund të arrijë deri gjysmën e vitit, autoritetet nuk i konsiderojnë ato si njolla të kuqe të ndotjes mjedisore, që duhen mbajtur nën mbikëqyrje.

Tri bashkitë, që kanë në administrim pjesën më të madhe të sipërfaqes së tokës torfike, Maliqi, Lezha dhe Divjaka, pranojnë se nuk kanë fonde dhe infrastrukturë për ta monitoruar cilësinë e ajrit në territorin e tyre.

Situata mjedisore në njësitë vendore, që preken nga djegia e tokave torfike, nuk monitorohet as nga Instituti i Shëndetit Publik. Në përgjigje të kërkesës për informacion, ISHP pohoi se nuk ka ndërmarrë studime në lidhje me ndotjen e ajrit të derivuar nga djegia e tokave torfike, pasi nuk ka patur njoftim ose ankesa nga popullata apo nga strukturat përgjegjëse në bashki.

“Ne iu kemi dërguar shkresa institucioneve të linjës, të cilat duhet të shprehen, pasi kemi të bëjmë me njerëz”, – shprehet Topçiu.

Eksperti Damo në studimin “Vlerësimi i dëmit mjedisor dhe ekonomik për tokat torfike, të djegura dhe të përmbytura të Maliqit” ka përllogaritur efektet që sjell në mjedis djegia e tokës torfike në një sipërfaqe prej 1.900-2.000 ha për gazrat e azotit, që janë llogaritur në ekuivalent N2O-N dhe ato të karbonit në CO2-C, pa përfshirë emetimin e metanit.

“Nga djegia e torfës janë emetuar mesatarisht 48.175 tonë N2O-N, e barabartë mesatarisht me 44.816.472 tonë CO2  – ekuivalent, sasi mjaft e lartë krahasuar me vlerën mesatare të emetimit prej 5.8 kg N2O-N ha-1 vit-1 nga tokat organike, të kultivuara”, – vlerëson eksperti.

Ai shton se sasia e CO2-C, e emetuar nga djegia një herë e një hektari tokë trofike në Maliq, është afërsisht e barabartë me sasinë mesatare të emetuar për 35-45 vjet në kushte kultivimi normal.

“CO2-C, i çliruar në atmosferë nga djegia e torfës për gjithë sipërfaqen, shkon mesatarisht në 385.500 tonë”, – thotë Damo, duke konkluduar se, në total emetimi i këtyre gazrave serë është 46.744 milionë tonë CO2 – ekuivalent ose afërsisht 1.5 herë më shumë se ato të parashikuara për t`u emetuar nga të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit për 10 vite.

Katastrofa mjedisore, që vjen si pasojë e djegies së tokave torfike, ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës së këtyre zonave. Njësitë Administrative Maliq dhe Vreshtas, ku jetojnë 18 mijë banorë, konsiderohen si vatrat kryesore të ndotjes së ajrit. Një specialist i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor të Korçës në kushtet e anonimatit i tha INA Media-s se, djegia sistematike e tokës torfike në fushën e Maliqit ka rritur rastet e personave të prekur nga sëmundjet respiratore apo të zemrës dhe përkeqëson gjendjen e të sëmurëve kronikë. Institucioni nuk ka të dhëna të sakta për pacientët në këto zona.

Ekspertët i konsiderojnë grimcat e pluhurit, që çlirohen nga djegia e tokës torfike, si më të rrezikshmet për shëndetin e banorëve.

Enkelejda Kucaj, eksperte e mjedisit, thotë se tymi, që çlirohet nga djegia e tokave torfike, ka në përbërje edhe grimcat e pluhurit PM2,5 që është shumë i rrezikshëm, sepse shkon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mushkëri. “Më të rrezikuar janë të sëmurët kronikë dhe fëmijët”, – thotë ajo.

Mjekët në Korçë vlerësojnë se pasojat e ndotjes mjedisore mund të jenë të menjëhershme, por mund të shfaqen edhe pas disa vitesh. Shefja e Shërbimit të Dispanserisë në Sanatoriumin e Korçës, Diana Aliçkolli, thotë se djegia e torfës, përdorimi i druve për ngrohje, ndërtimet apo çdo aktivitet tjetër me impakt në mjedis ka efekt në rrugët e frymëmarrjes.

“Pas pandemisë ne kemi pasur rritje të numrit të vizitave dhe të shtrimeve në sanatorium. Pacientët kronikë, që vinin një herë në vit, tani po vijnë tri herë në vit. Por, sa ka ndikuar ulja e imunitetit nga COVID-i dhe sa nga ndotja e mjedisit, duhen bërë studime”, – thotë Aliçkolli.

Raportin e Gjendjes në Mjedis, 2022 të AKM, referuar vlerësimit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, del niveli mesatar, vjetor i grimcave PM2.5, NO2 dhe O3 dhe numri i vdekjeve të parakohshme për periudhën 2016-2020.

Faksmile nga raporti i AKM

Ndotja mjedisore ka një faturë të kripur, financiare për xhepin e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit. Në raportin e Bankës Botërore “Kostoja në shëndetin global nga ndotja e ajrit me PM2.5”, – thuhet se në vitin 2019 në Shqipëri humbën jetën 2.257 persona si pasojë e ekspozimit ndaj grimcave PM2.5. Kostoja vjetore e dëmeve shëndetësore sipas Bankës Botërore për vitin 2019 ka qenë 1.16 miliardë dollarë ose 7.6% e GDP-së së vendit.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.