Dhjetëra objekte të trashëgimisë kulturore janë populluar me shfaqje tallavash në formën e bareve dhe të restoranteve. Të dhënat e grumbulluara nga INA Media dëshmojnë se këto biznese po i cenojnë rëndë sitet arkeologjike, ndërsa autoritetet përgjegjëse kanë dështuar që t’i monitorojnë.
Në juglindje të kryeqytetit, mbi kodrat e veshura me ullinj shekullorë, ngrihet Kalaja e Petrelës, monument kulture i kategorisë së parë. E ndërtuar në shekullin e VI pas erës sonë, historia e kësaj fortese nuk i ka penguar autoritetet, që të japin leje, për ta shndërruar ambientin brenda mureve shekullorë në një bar-restorant, që rrezikon ta dëmtojë këtë trashëgimi mijëravjeçare.
Sipërfaqja e vogël e kalasë është zënë pothuajse e gjitha me tavolinat e mëdha të restorantit, të vendosura në tarracat e kalasë, në kthina dhe nëpër sheshet e vogla të pjesës së brendshme.
Turistët, që e kanë “zbuluar” këtë thesar, nuk ulen në tavolina, por ecin rrëzë mureve rrethues. Kuriozë për të mësuar diçka më tepër, informacioni në disa tabela të grisura prej kohësh duket i mangët.
Mbi muret e lashtë varen kabllo të pasistemuar, ndërsa aty, ku duhet të ishin artefaktet historike, gjen depozita uji, karrige të thyera apo tavlla të pista duhani.
Në sfond dëgjohet muzikë tallava dhe të qeshurat e disa burrave, që po shijojnë rakinë dhe mishin, pa shfaqur interes për vlerën që ka ky objekt.
Statusi i veçantë, që gëzon ky objekt, nuk e ka mbrojtur dhe aktiviteti tregtar, që ushtrohet në ambientet e tij, rrezikon që ta dëmtojë këtë trashëgimi mijëravjeçare.
“Petrela duhet të ishte trajtuar krejt ndryshe, vetëm restorant nuk duhej të ishte bërë! Kulla e veçuar, me formën e saj, cilindrike, është fare e papërshtatshme me funksionin si restorant”, – thotë arkeologia, Iris Pojani.
Nëpërmjet një vendimi kontrovers të 11 viteve më parë, qeveria shqiptare dha me qira dhjetëra kala dhe objekte të tjera, kulturore në të gjithë vendin. Prej më shumë se një dekade ato janë pushtuar nga restorantet, që meny kryesore kanë mishin e pjekur dhe rakinë.
“Autoritetet do të ishte e mira që të hartonin një udhëzim për ri-funksionet e tërësisë së monumenteve dhe të siteve të vendit, me një listë të larmishme të shërbimeve të mundshme në funksion të vizitorit, duke prioritarizuar funksionin edukues”, – argumenton Pojani.
Nëpërmjet vëzhgimeve në terren dhe pas gjashtë muajsh përpjekjesh të vazhdueshme me kërkesa për informacion, INA Media ka dokumentuar se, Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Informacionit dhe institucionet e varësisë nuk e dinë se në cilat objekte zhvillohen aktivitete tregtare, nuk kanë bilance apo të dhëna për marrëdhëniet me këto kompani.
Ministria e Ekonomisë, e Kulturës dhe e Informacionit (MEKI) i vuri në dispozicion INA Medias një listë me vetëm 6 monumente kulture, të cilat i ka dhënë me qira te privati, por në këtë listë nuk figuron Kalaja e Petrelës.
Po ashtu, MEKI pranon se nuk ka një inventar për të gjitha këto site arkeologjike dhe aq më pak raporte, që të mund të hedhin dritë mbi menaxhimin e tyre.
Njëjtë si në Kalanë e Petrelës, edhe në Kalanë e Prezës përballesh që në hyrje me gozhdët e ngulura në portën e kalasë. Edhe ajo, si shumica e kalave të Shqipërisë, mbart brenda mureve rrethues aktivitete të ngjashme bar-restoranti.
Ndonëse ky aktivitet vijon prej vitesh, Ministria e Kulturës thotë se aktiviteti është ndërprerë, pasi kalaja është dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019.
Në përgjigjen e cunguar të MEKI nuk ka asnjë të dhënë për monitorimin e sitit arkeologjik apo mekanizmat që garantojnë ruajtjen e tij nga aktiviteti privat brenda këtij territori.
“Në lidhje me Kalanë e Prezës ka ekzistuar një kontratë me Qendrën Muzeore, Durrës, e cila pas tërmetit të vitit 2019 nuk është rinovuar, pasi ambienti është dëmtuar dhe subjekti qiramarrës nuk e shfrytëzonte. Me përfundimin e kolaudimit do të lidhet një kontratë e re për shfrytëzimin dhe për mirëmbajtjen e ambienteve të kalasë”, – thotë MEKI në një përgjigje me shkrim.
Kalatë, me qira
Praktika e dhënies me qira të objekteve kulturore ka nisur që në vitin 2013. Asokohe, Ministria e Kulturës nxori një udhëzim për dhënien me qira të këtyre objekteve të rëndësishme.
Sipas arkeologut, Lorenc Bejko, në periudhën 2010-2013 marrëzia arriti deri aty, sa Instituti i Monumenteve të Kulturës përgatiti një listë të gjatë të kalave, që do të jepeshin me qira për aktivitete restorantesh e baresh.
“Po në këtë periudhë kishte edhe ide “më origjinale”, si ndërtim hotelesh dhe në një rast, kazino! Zyrtarisht përmendej nevoja për “rijetësimin e monumenteve”, – komenton arkeologu, Lorenc Bejko, mbi praktikën e dhënies për lokale të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Arkeologia, Iris Pojani, beson se baret dhe restorantet nuk i promovojnë veprimtaritë kulturore, për të cilat flet neni përkatës i Ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
“Rivalorizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, si dhe përdorimet e monumenteve duhet të lidhen me aktivitete të shumëllojshme, jo vetëm bar-restorante. Aktivitetet e lidhura me restorantet për më tepër krijojnë ndotje dhe ndikojnë shumë negativisht në këto peizazhe kulturore, që na vijnë nga e kaluara”, – thotë Pojani.
“Duhet të fokusohemi në një studim tërësor, të planifikohet me shumë kujdes, rast pas rasti”, – sugjeron ajo.
Po aq e vagullt dhe e paqartë ishte edhe përgjigjja, që detajon praktikat, që ndiqen në lidhjen e kontratave me këto biznese brenda siteve arkeologjike.
Ministria dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk ka vënë në dispozicion të INA Medias asnjë raport që lidhet me dëmtimet serioze, që konstatohen gjatë vëzhgimit tonë në terren. Asnjë e dhënë apo asnjë monitorim nuk ka, as për ndërhyrje të tilla si: kur ngulen hekura e gozhdë në muret e kalasë apo kur zmadhohet porta kryesore për të lejuar makinat të futen në parking, siç ka ndodhur me portën e Kalasë së Prezës.
Pas kërkesës së përsëritur drejtuar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore lidhur me mekanizmat e kontrollit mbi këto site, ministria jep një përgjigje të detyruar, duke përsëritur ligjin, por nuk thuhet asgjë se si kryhet ky monitorim dhe çfarë është vërejtur.
“Gjatë zhvillimit të aktiviteteve, institucionet në varësi të Ministrisë së Kulturës ngarkohen përmes urdhrit të ministrit, që miraton zhvillimin e aktivitetit, që të monitorojnë aktivitetin me qëllim moscenimin e pasurisë kulturore”, – thuhet në përgjigjen e ministrisë për INA Median.
Në Kalanë e Shkodrës autoritetet thonë se nuk ka biznese, që ushtrojnë aktivitetin brenda saj, por sqarojnë se kanë kapur në flagrancë dy subjekte, që kishin nisur përgatitjet për bizneset e tyre.
“Gjatë kësaj jave grupi i punës së DRTK ka konstatuar se, subjektet e këndeve “Sal” në hyrje të kalasë, si dhe bar “Rozafa” kishin filluar përgatitjet për fillimin e aktivitetit privat, gjë për të cilën është mbajtur një procesverbal për konstatim të faktit që subjektet e sipërcituara filluan ushtrimin e aktivitetit privat dhe u bënë me dije se veprimtaria mund të zhvillohet vetëm pas lidhjes së kontratës përkatëse”, – sqaron ministria në një përgjigje në fund të muajit dhjetor 2023.
Në sitin arkeologjik të Apolonisë në Fier prej vitesh zhvillojnë aktivitetin dy biznese private.
“Bar “Leon Rey” është objekt i dhënë me qira nga Ministria e Kulturës që prej vitit 2018. Subjekti vazhdon që të paguajë rregullisht qiranë e tij në llogari të institucionit, që derdhet në buxhetin e shtetit; kurse “Bar Apolonia” ushtron aktivitetin në pronë private (me certifikatë pronësie)”.
Në kalanë e Lëkursit, e dhënë me qira prej dekadash, kontrata ka përfunduar, por subjekti vijon që ta zhvillojë aktivitetin edhe me dijeninë e institucioneve.
“Operatori ekonomik, “Alb Tavos”, vazhdon të ushtrojë aktivitet në Kalanë e Lëkursit, ku ka paguar rregullisht qiranë, por afati i vlefshmërisë së kontratës së qirasë ka përfunduar dhe nuk është rinovuar”, – thotë Ministria e Kulturës në një përgjigje të fund-vitit 2023.
Siç duket nga këto përgjigje, ministria sqaron vetëm pjesën e korrektësisë së subjekteve private sa i përket pagesës së qerasë, por nuk jep asnjë detaj, që lidhet me kontrollin e institucioneve mbi dëmet e mundshme të aktivitetit të këtyre subjekteve private në sitet arkeologjike
Monumentet, në dorë të privatit
Origjina e këtij aktiviteti tregtar mbi kalatë e Shqipërisë daton që në vitin 1980, por gjatë viteve 2010 aktiviteti u shtri në të gjithë vendin.
Referuar bilancit për kostot dhe përfitimet, Bejko beson se këto aktivitete nuk iu duhen këtyre kalave.
“Përvoja e dy dekadave të fundit ka treguar se në të gjitha rastet marrëdhënia e këtyre aktiviteteve private, me monumentet ku janë vendosur, ka qenë e vështirë dhe problematike. Funksioni i tyre, i nevojshëm në modelin e përfaqësuar nga Apolonia dhe nga Shkodra është i pakrahasueshëm me dëmin që ato kanë shkaktuar në modelin e përfaqësuar nga Lëkursi dhe Petrela”, – këmbëngul Lorenc Bejko.
Ku mbështetet praktika e lejimit të aktiviteteve të tilla, tregtare?!
Referuar nenit 178 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, këto pasuri mund të jepen në përdorim, me kushtin që të mos cenohen vlerat e tyre.
“Institucionet publike mund t’ia japin në përdorim pasuritë kulturore, që kanë në administrim, me përjashtim të objekteve të kultit, një subjekti të interesuar, nëse garantohet përputhshmëria e qëllimit të përdorimit me destinacionin kulturor të pasurisë dhe dhënia në përdorim nuk cenon vlerat e saj si trashëgimi kulturore.”, – detajon ligji nr. 27/2018.
Por, ky nuk është rasti i parashikuar në ligj. Brenda siteve arkeologjike ka shumë bare ose restorante dhe aktiviteti i tyre nuk monitorohet nga institucionet.
Ministria e Kulturës në një përgjigje me shkrim për INA Median i konsideroi këto lokale si aktivitete kulturore me qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore.
“Përmes aktiviteteve kulturore promovohen vlerat e trashëgimisë kulturore, si dhe mbështeten individë/subjekte, aktiviteti i të cilave ka në fokus promovimin e këtyre vlerave”, – u përgjigj Ministria e Kulturës për INA Median.
Ministria e mbështet argumentin te pika 65, e nenit 5, të Ligjit nr. 27/2018 për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku specifikohet se, “Vlerësimi” është ushtrimi i funksioneve dhe veprimtarive, që kanë për qëllim promovimin e zhvillimin e trashëgimisë kulturore, si dhe krijimin e kushteve më të mira për përdorimin dhe gëzimin e saj, publik. Në lidhje me peizazhin kulturor, vlerësimi përfshin gjithashtu rikualifikimin e objekteve të paluajtshme dhe të hapësirave të vendosura në mbrojtje, të dëmtuara ose të degraduara”.
Gjatë udhëtimit nëpër këto site arkeologjike, INA Media konstatoi një realitet krejt tjetër nga misioni që parashikohet në ligj. Këto bare e restorante nuk përmbajnë asnjë element, që mund t’i përngjajë promovimit.
Kabllo të varur, elektriciteti, tavolina të vjetra, karrige të thyera, plastike, tavlla të pista, duhani, muzikë tallava e të tjera detaje, që nuk ke si t’i shmangësh, nuk mund të konsiderohen promovim i trashëgimisë kulturore, por krejtësisht e kundërta.
Arkeologu, Lorenc Bejko, i ndan në dy kategori: në kala, ku shërbimet tregtare janë të domosdoshme për shkak të hapësirës së madhe, mbi të cilën shtrihen dhe site, që janë konceptuar si destinacione kulinare. Apolonia dhe Kalaja e Shkodrës janë parqe të mëdha, arkeologjike, që vizitohen nga një numër i madh vizitorësh dhe janë pjesë e qenësishme e itinerareve të turizmit kulturor në vendin tonë, ndryshe nga Petrela apo Lëkursi.
“Për këtë arsye ato kanë patur prej kohësh, që para viteve 1990, nevojë për të ofruar edhe shërbime thelbësore për vizitorët e shumtë, si muze, qendër vizitorësh, tualete, restorant/bar apo infrastrukturë tjetër, mbështetëse, kështu që edhe konceptimi i tyre, volumetrik, arkitektonik apo funksional është i trashëguar që nga vitet 1980”, – shpjegon Bejko.
Në vitin 2019 qeveria shqiptare miratoi një VKM, që parashikonte rregullat, mbi të cilat vendoset një partneritet publik-privat në sitet arkeologjike të Shqipërisë dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore. Dhënia me koncesion e tyre është tashmë fakt, si në rastin e Parkut të Butrintit.
VKM nr. 828, datë 18.12.2019 “Për miratimin e kushteve të përgjithshme e të posaçme të kontratës së rijetësimit të pasurive kulturore, kombëtare”, parashikon që një pasuri të jepet në përdorim, kur kjo veprimtari është në përputhje me vlerat kulturore.
Prania e aktiviteteve tregtare mbi site arkeologjike nuk gjendet vetëm në Shqipëri.
Pas suksesit ndërkombëtar të filmit “Game of Thrones”, turistë nga e gjithë bota vërshuan në Kroaci, atje ku ishin realizuar disa nga episodet e tij, më tërheqëse.
Vërshimi i turistëve pati një ndikim shumë pozitiv në ekonominë e vendit, por dalëngadalë nisi të shfaqë efektet negative në mjediset e rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Situata u bë aq shqetësuese, sa institucionet shtetërore të ruajtjes së trashëgimisë kulturore vendosën rregulla të rrepta, madje për disa mund të duken edhe të çuditshme: asnjë turist nuk mund të ecë mbi kalldrëmet e qytetit të vjetër të Dubrovnikut me taka apo të tërheqë një valixhe me rrota mbi një peshë të lejuar.
Por, ndryshe nga Shqipëria, në këto vende kontrolli është i rreptë dhe i bazuar mbi një strategji kombëtare, që mbron trashëgiminë kulturore.
“Aktivitete tregtare, të deleguara tek operatorë privatë mbi bazën e një partneriteti publik-privat dhe në funksion të ofrimit të shërbimeve të nevojshme për vizitorët, ndeshen shpesh në rajon dhe në Europë. Vendimi për funksionimin e tyre merret mbi bazën e një plani të studiuar mirë për administrimin e siteve kulturore dhe jo si nisma të veçuara “rijetësuese”, – thotë Bejko.
Jo vetëm kalatë, por edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri janë nën kërcënim të vazhdueshëm, për shkak të neglizhencës së institucioneve përgjegjëse për ruajtjen dhe administrimin e tyre.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar për një periudhë të gjatë kohe situatën në sitet arkeologjike në Shqipëri. Në përfundim të auditimit është hartuar dhe një inventar i siteve arkeologjike në territorin e Shqipërisë, të cilin MEKI duket se nuk e disponon. Në gjetjet e raportit të vitit 2021, rezulton se nga 2.161 monumente kulture në territorin e Shqipërisë, vetëm 745 prej tyre ose 34% janë në gjendje të mirë dhe kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme; ndërsa 122 prej tyre janë shkatërruar plotësisht, 884 objekte të tjera janë në nevojë emergjente për restaurim, 98 janë të tjetërsuara dhe 15, pa kartelë, tërësisht jashtë vëmendjes për ruajtje dhe për administrim.
Janë mirëmbajtur apo janë restauruar 280 objekte, janë pastruar kryesisht nga mbeturinat dhe nga vegjetacioni 330 monumente, pra gjithsej 610 monumente kanë qenë në vëmendjen e institucioneve nga 2.161 prej tyre.
Arkeologia, Iris Pojani, beson te planet, që institucionet kanë hartuar për menaxhimin e siteve sipas modeleve bashkëkohore, por thekson se synimi parësor është mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe jo përfitimet prej saj.
“Funksionet mund të ndryshojnë, por kalaja, siti apo monumentet duhet të mbeten aty, të mirëmbajtura për brezat që do të vijnë”, – përfundon ajo.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.