Universitetet mbledhin miliona euro nga tarifa e shkollimit, por ofrojnë vetëm Wi-Fi për studentët

Universitetet publike arkëtojnë miliona euro çdo vit nga tarifa e shkollimit, por iu ofrojnë vetëm internet studentëve, ndërsa aksesi në printime për nevojat e studimit nuk ofrohet as në bibliotekat e fakultetit. Bibliotekat online nuk u finalizuan asnjëherë, por, megjithatë, Ministria e Arsimit pagoi qindra-mijëra dollarë për një abonim, “por aksesimi nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar”.

Ndalesa në kancelarinë afër fakultetit është kthyer në rutinë për Erën, studente e vitit të tretë për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Çdo javë duhet të fotokopjojë një pirg me detyra kursi, tema, projekte, madje edhe librat e lënë nga profesorët.

“Kam qenë e detyruar që t’i frekuentoj kancelaritë për printime përgjatë gjithë viteve akademike. Projekte shkollore, libra. Nëse nuk kemi mundësi që t`i blejmë librat, pedagogët na e lënë literaturën në kancelaritë pranë universitetit”, – tregon Era, e cila thotë se shpenzon çdo javë 400 lekë për fotokopje dhe printime.

Në vitin 2023 Universiteti i Tiranës arkëtoi 6.2 milionë euro nga tarifat e shkollimit, por ofron vetëm internet për studentët, ndërsa aksesi në printime për nevojat e tyre të studimit nuk ofrohet as në bibliotekën e fakultetit.

Këto shërbime u premtuan se do të lehtësoheshin për studentët nëpërmjet bibliotekave online, një nga premtimet e Paktit për Universitetin. Ngritja e tyre u mor përsipër nga Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH) dhe kishte si qëllim që studentët të mos i fotokopjonin më leksionet, por literatura e mësimit të sigurohej online.

Dëshmitë e studentëve dhe të dhënat e mbledhura nëpërmjet kërkesave për informacion tregojnë se nga RASH nuk u finalizua asnjë bibliotekë online, por, megjithatë, Ministria e Arsimit harxhoi 687 mijë dollarë për një abonim trevjeçar, që ka përfunduar në mars 2022.

Por, as ky shpenzim nuk ka qenë dobiprurës.

“Qeveria ka paguar aksesin në bibliotekën digjitale, EBSCO, por aksesimi nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar”, – thuhet në Strategjinë Kombëtare të Arsimit, 2021-2026.

Në këtë dokument të rëndësishëm Ministria e Arsimit thotë se, në shumicën e institucioneve të arsimit të lartë infrastruktura shfaq mangësi të theksuara, që janë pasojë e mungesës së financimit, por edhe të mirëmbajtjes.

“Kjo ka të bëjë me godinat, laboratorët, bibliotekat dhe mjediset e tjera të punës dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e studimeve dhe të kërkimit shkencor”, – pranojnë autoritetet, që premtojnë zgjidhje nëpërmjet rritjes së financimit.

Qëndresa Qytetare, që po monitoron prej 5 vitesh buxhetet e universiteteve, ka konstatuar keqpërdorim të parave, që burojnë nga tarifat e studentëve, pará këto që përbëjnë 50% të të ardhurave të një universiteti.

“Këto pará fillimisht kanë shkuar për makina, dieta, udhëtime e me kalimin e viteve janë modifikuar në kancelari, kompjuterë e rikonstruksion apo shërbime digjitale”, – thotë Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.

“Mungesa e parave, që jepen në drejtim të arsimit nga qeveria, bashkon në të njëjtin hall studentët dhe pedagogët. Nga Pakti për Universitetin asnjë nga premtimet nuk është plotësuar”, – thotë Ina Zhupa, deputete e PD, njëherazi anëtare e Komisionit parlamentar për Median dhe Edukimin Publik.

Shpëtimi, te fotokopjet

Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, mblodhi për vitin akademik 2022-2023 nga tarifat e shkollimit të studentëve 623.360.000 lekë ose 6.2 milionë euro. Ndonëse ky universitet arkëton miliona euro, ai nuk ndan pothuajse asgjë për t`i përmbushur nevojat e studentëve për printime dhe fotokopje as brenda ambienteve universitare.

“Këto fonde përdoren për kryerjen e shpenzimeve për funksionimin e institucionit, që janë shpenzime operative, shpenzime për investime”, – thotë Universiteti i Tiranës.

Në një përgjigje për INA Median, printimi duket ende një luks, por Universiteti i Tiranës krenohet, se ofron internet falas në të gjitha godinat universitare.

Fakulteti i Ekonomisë, ai i Gjuhëve të Huaja dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës nuk e ofrojnë shërbimin e printimit në asnjë ambient për studentët, ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë shërbimi i printimit ofrohet vetëm në ambientet e bibliotekës.

“Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë shërbimi i printimit për studentët kryhet nga laborantet e departamenteve për materialet me karakter kurrikular, sipas kurrikulave të departamenteve, ndërsa në Fakultetin e Shkencave Sociale printimi ofrohet sipas kërkesës së studentëve”, – shkruhet në përgjigjen e Universitetit të Tiranës.

Tarifat e studentëve janë një nga dy burimet e financimit të universiteteve publike. Pjesa më e madhe e financimit vjen nëpërmjet buxhetit të shtetit, i cili në një vit buxhetor mbulon vetëm 10 muaj paga profesorësh. Burimi i dytë janë tarifat e studentëve, nëpërmjet të cilit universiteti mbulon të gjitha nevojat akademike, infrastrukturore dhe shërbimet ndaj studentëve. Por, mënyra se si universitetet i kanë administruar paratë e studentëve, ngre pikëpyetje për ekspertët.

“Vendimmarrja për ironi ka qenë gjithmonë në favor të tenderëve për rinovim, roje, lyerje, rikonstruksion, sistemim territori apo ndërtim”, – thotë Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, një organizatë jofitimprurëse, që monitoron prej vitesh mënyrën se si universitetet i menaxhojnë fondet.

Mes shpenzimeve për qira, për të blerë librat dhe kostove të larta të jetesës në Tiranë, Ana, studente e Masterit në Gjuhën Angleze, shpenzon 600 lekë çdo javë për të printuar leksionet apo detyrat e kursit.

“Në 3 vitet e Bachelorit ka qenë më e vështirë, më rëndonin si kosto, sepse nuk punoja dhe përafërsisht në muaj shkonin 3.000 lekë. Për familjen time ishin shumë, pasi ishim dy fëmijë në universitet”, – tregon për INA Median studentja e vitit të dytë Master për Gjuhën Angleze.

Nëse një student shpenzon mesatarisht 500 lekë në javë, atëherë (500×32 javë mësimore), në fund të vitit akademik ai do të paguajnë rreth 16.000 mijë lekë ose sa gjysma e tarifës së studimit, që varion nga 25.000-45.000 lekë.

Ndonëse studentët paguajnë privatisht për ta marrë këtë shërbim, universitetet sërish paguajnë shifra të majme për fletët në format A4, për bojëra printeri apo për shërbime të tjera kancelarie, që shkojnë vetëm për shërbime administrative, pavarësisht se një pjesë e madhe e këtyre shërbimeve kryhen në mënyrë elektronike.

Vetë Universiteti i Tiranës sqaron se për vitin 2023 ka shpenzuar 32.451.174 lekë ose mbi 324 mijë euro për bojëra printeri, fletë në format A4 dhe pajisje laboratorike

Studentët e Universitetit Politeknik e kanë edhe më të rëndë faturën e printimeve.

Silvia Kokoshi, studente e vitit të tretë në degën e Arkitekturës, iu drejtohet kancelarive 3 herë në javë dhe shpenzimet për printime e fotokopje variojnë nga 2.000 deri në 4.000 lekë në javë. Projektet, maketet, mbi të cilat duhet të hedhin skicat, janë disa herë më të kushtueshme se sa ato të studentëve të tjerë.

“Ne punojmë mbi formate të mëdha, minimalisht A3, A2, B2, si dhe me materiale për makete, që janë shumë më të kushtueshme. Dy vitet e para shpenzimet kanë qenë më të mëdha, pasi detyrat në çdo lëndë i vizatonim manualisht, me dorë, në kartonë, dhe në shumicën e rasteve ripërsëriteshin për disa javë”, – rrëfen Silvia, që thotë se në këtë rutinë nuk përfshihen rastet e projekteve apo ato të detyrave të kursit për materiale ndihmëse, akademike.

Ndryshe nga fakultetet e tjera, në ambientet e brendshme të Universitetit Politeknik ndodhet një kancelari private.

Vetë Universiteti Politeknik vë në dijeni se Fakulteti i Arkitekturës dhe i Urbanistikës ka shpenzuar 714.283 lekë për bojëra printeri dhe shpenzime të tjera kancelarie, ndërsa Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, 171.822 lekë, shërbime këto që shkojnë vetëm për nevojat e administratës dhe të sekretariateve mësimore.

Në afërsi të Fakultetit të Histori-Filologjisë, atij të Gjuhëve të Huaja dhe të Fakultetit të Ekonomisë janë të paktën 4 kancelari, që mbushen çdo ditë me studentë.

Një prej pronarëve të kancelarive tregon se ky është një biznes fitimprurës për të, pasi vetëm për vitin akademik 2022-2023 realizoi një xhiro vjetore prej 7 milionë lekësh.

“Punojmë vetëm me studentët, kryesisht për printime, për fotokopje apo për skanime”, – tregon F. Sokolaj, i pyetur për xhiron vjetore të biznesit të tij.

Ndërsa menaxheri i një tjetër kancelarie në afërsi të Fakultetit të Histori-Filologjisë tregon se gjatë këtij viti akademik, 2023-2024, deri në muajin mars xhiroja e biznesit, që ai administron, ka arritur në afro 5.5 milionë lekë ose 55 milionë lekë të vjetra.

“Përafërsisht çdo vit mund të ketë arritur në 6 apo 7 milionë lekë, përveç vitit të pandemisë, që studentët ishin online dhe të gjitha bizneset kishin vështirësi”, – tregon ai për INA Median.

Pra, në vetëm dy kancelari studentët kanë shpenzuar përafërsisht 12.5 milionë lekë, pa llogaritur dhjetëra biznese të tjera të këtij lloji në afërsi të universiteteve.

Një raport i organizatës Qëndresa Qytetare mbi transparencën financiare të universiteteve për vitin akademik 2022-2023 ngre hije dyshimi mbi destinacionin e këtyre parave, ndërsa aksesi i studentëve në shërbime të kësaj natyre është i kufizuar. Sipas këtij raporti, nga 3.8 milionë euro, që shpenzoi Universiteti i Tiranës, pjesa më e madhe e tyre shkuan për shërbime kancelarie, mobilime, ruajtje të godinës dhe honorarë për pedagogët.

Shkëputur nga raporti i Qëndresës Qytetare, Universiteti në Sitën e Transparencës Financiare

Sipas ekspertëve të arsimit, dy zërat më disproporcionalë janë raporti mes pagesave për kërkimin shkencor dhe ai për ruajtjen e godinave.

“Ky i fundit është një shpenzim krejtësisht i panevojshëm, që i tejkalon vlerat e 500.000 eurove”, – thotë Rigels Xhemollari.

“Nga ana tjetër pedagogët ndër vite ankohen se i paguajnë nga xhepi edhe paratë për të publikuar një artikull, i cili në fund i vlen edhe nivelit shkencor të vetë universitetit”, – vijon më tej Xhemollari.

Universiteti Politeknik, një ndër 7 universitetet, që janë marrë në shqyrtim nga Qëndresa Qytetare, regjistron shpenzimet më të larta për shërbime për personelin dhe për honorarë me mbi 8.7 milionë euro, ndjekur nga Universiteti i Tiranës, me mbi 1.1 milionë euro.

Edhe në kategorinë “Investime” Universiteti Politeknik i Tiranës rezulton të ketë kryer shpenzimet më të larta me mbi 1.8 milionë euro, ku peshën kryesore e zë blerja e mjeteve dhe e pajisjeve teknike, me vlerë 1.413.220 euro.

Referuar raportit të organizatës Qëndresa Qytetare, Universiteti i Mjekësisë është i vetmi universitet, që nuk ka kryer shpenzime në zërin “Studime dhe Kërkime”, kur baza e këtij institucioni është pikërisht kërkimi shkencor.

Por, megjithatë, ky universitet shpenzoi 9.249.870 lekë për “Aktivitete Sociale për Personelin”.

“Nëse paratë, që shkojnë për godina që rilyhen, për salla që ri-rinovohen, për pagesa marramendëse për roje, të cilëve nuk iu bëjnë as uniformat, do të reduktoheshin dhe do të shkonin për libra në biblioteka, salla leximi, printerë për studentët, Wi-Fi, mjete teknike, mbështetëse për mësimin, do të ndikonin drejtpërdrejt në misionin e nxënies cilësore të një studenti, por dhe në lehtësimin e tyre, financiar”, – përfundon Migen Qiraxhi për Investigative Network Albania-n.

Mjekësia, kancelaritë kthehen në librari

Universiteti i Mjekësisë, më i kërkuari në vend, arkëtoi 4.3 milionë euro për dy vite nga tarifat e studentëve (2.2 milionë euro për vitin 2021 dhe 2.1 milionë euro për vitin 2023). Por, edhe studentët e këtij universiteti shpëtimin e gjejnë te kancelaritë private.

“Studimet tona në 80% të rasteve mbështeten në fotokopje të leksioneve, shënime apo përmbledhje, ndonjëherë edhe të përkthyera keq. Kancelaritë përballë universitetit janë kthyer në librari”, – thotë Dea Guri, studente në vitin e gjashtë për Mjekësi të Përgjithshme.

Ajo ankohet edhe për cilësinë e literaturës, që ofron ky universitet.

“Nuk i është kushtuar rëndësi investimit për përmirësimin e literaturës, që të paktën t’ia vlente çdo qindarkë”, – ankohet ajo.

“Rreth QSUNT-së ka disa kancelari, që na vijnë në ndihmë për printime, për vërtetime apo edhe për të punuar mbi projekte dhe detyra kursi në kompjuterë, pasi në fakultetin tonë nuk kishim një sallë kompjuterësh në dispozicion apo printerë për të na ardhur në ndihmë”, – shpjegon Adriana Zhama, studente në vitin e dytë Master për Teknik Laboratori.

Por, ndërsa studentët enden kancelarive, Universiteti i Mjekësisë shpenzoi për vitin akademik 2022-2023 plot 2.875.761 lekë për bojëra printeri dhe 1.165.166 lekë për shërbime kancelarie. Ndërsa për vitin akademik 2023-2024 rezulton të ketë shpenzuar 1.388.900 lekë për bojëra printeri dhe 1.799.285 lekë për shërbime kancelarie.

“Bëhet fjalë për jo pak, por për 6 vite mjekësi, të përkthyera në shpenzime të mëdha për libra dhe për shënime të fotokopjuara”, – thotë Dea Guri.

“Planifikimi i shpenzimeve për çdo program studimi përfshin shpenzimet për pagat, shpenzimet për materiale dhe mirëmbajtje, shpenzimet për shërbimet e tjera, të nevojshme për funksionimin e procesit akademik dhe të kërkimit shkencor”, – thotë Universiteti i Mjekësisë.

Premtime të pambajtura

Një nga premtimet e Paktit të Universitetit në vitin 2019 ishin bibliotekat digjitale, që do të zgjidhnin edhe çështjen e printimeve. 5 vite më pas rezulton të jetë një premtim i pambajtur.

“Ministria e Arsimit ka kontaktuar Qendrën Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar (RASH), për të vlerësuar mundësinë e implementimit të bibliotekave elektronike. MASR do t’i akordojë një fond të veçantë, buxhetor RASH, që ka ngritur grupin teknik për përgatitjen e ToR për infrastrukturën hardware dhe middleware, të nevojshme për ngritjen e bibliotekës digjitale”, – shkruhet në Paktin për Universitetin, që prodhoi 11 VKM dhe 4 urdhra të kryeministrit, Edi Rama.

Sipas këtij dokumenti, biblioteka digjitale duhet të ishte në dispozicion të studentëve në qershor 2019.

Ndryshe nga premtimet, Rrjeti Akademik Shqiptar, qendra ndërinstitucionale e kontraktuar nga Ministria e Arsimit për zbatimin e këtij projekti, i tha Investigative Network Albania-s se nuk ka dhe nuk ka patur biblioteka elektronike.

“Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH) nuk ka informacion mbi numrin e bibliotekave online, të investuara nga qeveria shqiptare, nga Ministria e Arsimit apo nga donatorë të tjerë, që operojnë në fushën e arsimit të lartë”, – shkruhetnë përgjigjen e RASH për Investigative Network Albania-n.

Madje, RASH mohon që të bëhet fjalë për biblioteka digjitale, por vetëm për një abonim, që ka kushtuar 687.825 dollarë.

“Ju bëjmë me dije se MAS ka realizuar abonimin 3-vjeçar në arkivin digjital të EBSCO dhe aksesin në platformën e-learning, Rosseta Stone, për sitin e gjuhëve të huaja për periudhën 1 prill 2019 deri më 31 mars 2022. Theksojmë se ky ka qenë një abonim, që ka mbaruar më 31 mars 2022 dhe jo një librari digjitale”, – sqaron RASH.

Ajo që iu ka mbetur studentëve nga gjithë ky investim janë disa revista shkencore dhe një platformë digjitale për gjuhët e huaja.

Ndonëse disa universitete i kanë faqet e këtyre bibliotekave, studentët thonë se nuk janë në dijeni për ekzistencën e tyre. Shumica e publikimeve në këto biblioteka janë revista shkencore, që iu shërbejnë më shumë pedagogëve sesa studentëve.

“As nuk e dimë ekzistencën e bibliotekës online. Unë personalisht nuk e kam përdorur kurrë dhe nuk e di, nëse funksionon, por as nga studentët e tjerë nuk kam dëgjuar kurrë për këtë bibliotekë. Për literaturën bazohemi vetëm te librat dhe te materialet që blejmë ose tek ato që mund të gjenden në bibliotekën e universitetit”, – tregon Marta, studente e vitit të dytë Master për Gjuhë Angleze.

“Bibliotekat digjitale nuk kanë qenë funksionale”, – thotë Dea Guri, studente e Mjekësisë.

“Është ngritur si shqetësim nga ne, studentët, edhe për të patur disa ambiente studimi apo biblioteka, por nuk ka patur përgjigje nga rektorati”, – vijon ajo.

Si pasojë, mijëra studentë të universiteteve publike e gjejnë zgjidhjen te fotokopjet private.

“Për bibliotekat online, që ishin një nga premtimet e qeverisë, nuk është bërë asgjë, as në drejtim kombëtar në lidhje me krijimin e një databaze, që mund të ndërlidhej me databazën e skanuar, apo versione pdf të Bibliotekës Kombëtare, apo marrëveshje të MAS me shtëpitë botuese”, – thotë Ina Zhupa.

Universitetet, me laboratorë të vjetëruar

Universitetet shqiptare vijojnë të kenë probleme serioze edhe me laboratorët. Studentët ankohen se në shumicën e rasteve nuk kanë fare akses në laboratorë ose, edhe në rast se kanë, ata nuk i përmbushin nevojat e tyre.

“Në mjete laboratorike kemi pasur akses shumë të kufizuar, minimumi duhet të kishim kadavra (ku kryhen praktikat mësimore për studentët). Ata pak mikroskopë, që kemi patur në dispozicion, i përdornim vetëm në 40 minuta gjatë leksionit i gjithë grupi. Për të mos folur për mungesën e theksuar të sallave të leksioneve, që bëhen në salla të vogla, të tejmbushura”, – thotë Dea Guri, studente në vitin e gjashtë për Mjekësi të Përgjithshme.

“Kemi hasur problematika në pjesën e praktikave profesionale në godinën e fakultetit, pasi pajisje laboratorike ose kite të caktuara për analiza të posaçme kanë qenë në mungesë. Kjo bënte që të punonim privatisht në laboratorë të ndryshëm apo edhe vullnetarisht për të mësuar dhe për të përvetësuar profesionin”, – tregon vështirësitë për Investigative Network Albania-n Adriana Zhama, studente në vitin e dytë Master për Teknik Laboratori.

Të dhëna të përpunuara nga Thesari i Shtetit dhe Prokurimet Publike mbi shpenzimet e Universiteteve për përiudhën 1 Shtator 2022 – 31 Gusht 2023

Universiteti i Mjekësisë një pjesë të buxhetit e ndan pikërisht për të rritur kapacitetet laboratorike dhe për të ofruar kushte sa më të mira për studentët.

Po ashtu, Universiteti Politeknik tha se dy fakultetet e tij, ai i Arkitekturës dhe ai Teknologjisë së Informacionit, kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme: përkatësisht 11.635.714 lekë dhe 13.495.212 lekë, për laboratorët mësimorë (pajisje audio-vizuale, kompjuterike apo laboratorë specifikë). Por, ndonëse universiteti thotë se ka investuar në laboratorë, studentët ankohen pikërisht për punën praktike dhe për mungesën e pajisjeve teknologjike, që t’i përgjigjen zhvillimit të kohës dhe nevojës për aftësim drejt tregut të punës.

“Sa i takon laboratorëve dhe pajisjeve teknologjike, shumica prej nesh preferon të përdorë kompjuterët personalë, ata që janë në fakultet, janë funksionalë, por shumë të vjetër e të ngadaltë”, – tregon Silvia, studente e Arkitekturës.

“Ne kemi shumë nevojë për punë praktike, laboratorike, por ka mungesë të pajisjeve të fundit, teknologjike apo të aplikacioneve të nevojshme. Detyrohemi shpeshherë të programojmë në fletore apo t’i kryejmë provimet me shkrim. Në shumicën e rasteve laboratorët kanë pajisje të vjetra dhe kompjuterë jo të përditësuar, që sjellin vështirësi, jo vetëm për ne, por edhe për stafin akademik”, – tregon për INA Median Mateo Yskollari, student në vitin e dytë në degën Inxhinieri Informatike.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *