Politikanët e guroreve, që shkatërrojnë mjedisin

Autor: Fjori Sinoruka, Klesjana Omeri, Klevin Muka

Të vendosura në periferi, kompanitë, që shfrytëzojnë pasurinë e nëntokës, si gurët dhe mermerët, kanë shkaktuar plagë sociale, që lidhen më së shumti me shëndetin e banorëve. Lidhjet e fuqishme, që këto kompani kanë me politikanë qendrorë apo lokalë, “bllokojnë” strukturat shtetërore, që të kërkojnë zbatimin e kontratave.

“Pas 16 vitesh në Greqi u largova, që të investoj në vendin tim. Mendova që të bëj një bujtinë. Investova te shtëpia kursimet e mia, mirëpo në vitin 2017, kur ka ardhur firma e gurores, mua më është shkatërruar çdo gjë”, – kështu rrëfen Bashkim Uruçi, banor i Postribës, në Shkodër, i cili shtëpinë e tij në zonën piktoreske pranë malit të Maranait vendosi që ta hapë si bujtinë për turistët.

Bashkim Uruçi, banor i Postribës

Godina nuk arriti kurrë që të ngrihej si biznes, pasi 300 metra më tutje kompania “Babasi Coo”, me nën-kontraktor “NGA Group” sh.p.k., nxjerr mermer me plasje të fuqishme me eksploziv.

Guroret e vendosura në Postribë

“Babasi Coo” zotërohet nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ndriçim Babasi. Ai njihet si person me influencë, ndërsa biznesi i tij është i shtrirë në fushën e guroreve, kryesisht në Krujë, në zonën e Krastës, Borizanës, Fushë-Krujës, por edhe në Qafë-Mollë, Burrel e Shkodër. Babasi është shoqëruar nga policia për aktivitete të dyshuara, kriminale, ndërsa familjarët e tij kanë zënë shpesh vëmendjen e kronikës së zezë në media.

“Nuk kemi ujë. Na është shkatërruar burimi, që furnizon krejt fshatrat e Postribës. Mua më ka shkatërruar aktivitetin! Krejt fshati ka pas mbi 2.500 krerë dhen, sot janë duke i shit dita-ditës, sepse i ka bllokuar gurorja për me pa malin këtej. Gurorja ka zënë gjithë kullotën, që kishim si fshat dhe nuk mundemi që t’i çojmë kund tjetër dhentë”, – thotë Bashkim Uruçi.

Pas shumë protestave pa rezultat, në vitin 2023, banorët e fshatrave Domen, Milan, Boks, Dragoç, Kulej, Fshati i Ri dhe Qendër Urë e Mesit kallëzuan firmën për 3 vepra penale: “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”, “Shkatërrimi i rrjetit të Ujësjellësit” dhe “Shkatërrim i Veprave Kulturore”.

Bllokimi i kanalit vaditës i Postribës i bllokuar nga inertet e Gurores

Më 12 shtator 2024 Prokuroria e Shkodrës pushoi hetimet. Në vendimin që INA Media disponon, sa i përket ujit të pijshëm, në shumicën e fshatrave, ku është marrë mostra për analiza mikrobiologjike, rezulton se uji nuk i plotëson kushtet për konsum human, por vështirësia e Prokurorisë ka qenë që të zbulojë se çfarë e turbullon ujin.

Faksmile: Konstatimi i Prokurorisë për ujin në Postribë

Referuar të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, në Shkodër janë 3 kompani të licencuara për nxjerrje gurësh. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ndaj kompanisë “Babasi Coo”, me nën-kontraktor “NGA Group” sh.p.k., nuk është marrë asnjë masë administrative në 10 vitet e fundit.

I pyetur nga INA Media për pretendimet e banorëve administratori i “Babasi Coo”, Ndriçim Babasi, deklaroi se kompania nuk ka dëmtuar asgjë, përkundrazi, është përpjekur që të bëjë mirë në zonë.  “Ne kemi bërë shfrytëzimin e zonës, sipas ligjit. Kemi një leje, të cilën po e shfrytëzon nën-kontraktori. Nuk kemi asgjë kundër banorëve. Qëllimi është që t’i ndihmojmë dhe që të zhvillojmë zonën nëpërmjet punësimit. Për ankesat e banorëve ka folur sistemi gjyqësor dhe na ka dhënë të drejtën e vijimit të punimeve. Për sa i përket rehabilitimit të zonës, nuk mund të bëhet tani, sepse punimet sapo kanë nisur”, – deklaroi Ndriçim Babasi për INA Median.

Këto pasoja ekspertët thonë se vijnë nga mungesa e një studimi paraprak për zonën ku ushtrohet aktiviteti.

Shkëmbinj të rënë në rrugë nga gurorja

“Për çdo vepër inxhinierike duhet të ketë një studim të ndikimit në mjedis. Në rastin konkret, duhet të themi se kush është produkti që duhet të marrim, çfarë lloj minerali, çfarë lloj shkëmbi duhet të trajtojmë dhe rrjedhimisht, duke njohur elementet kimike, duhet të shohim se si ky impakton në pjesën shëndetësore të qytetarëve dhe në mjedis”, – shpjegon eksperti, Klodian Skrame, inxhinier dhe profesor në Universitetin e Tiranës.

Mermeri i Skraparit dhe LSI?

Rrethi i Skraparit përmban “minierën” e mermerit në Shqipëri. E nëse pjesa qendrore dhe perëndimore e Malit të Tomorit ka statusin e Parkut Kombëtar, pjesa e tij, lindore, nga ku del mermeri, nuk e gëzon këtë status. Pavarësisht statusit, kompani të shumta vijojnë shfrytëzimin e malit.

Një ndër licencat e para, që është dhënë, është ajo për kompaninë greke “STONE Works”,drejtuesit e së cilës janë përfolur për lidhjet e tyre me ish-presidentin, Ilir Meta. Kompania është themeluar më 3 maj 2003 dhe është regjistruar në QKB më 13 janar 2004 nga shtetasit grekë, Pavlidis Kyriakos dhe Achilleas Chatzopoulos.

Ende pa u mbushur një muaj pas regjistrimit, ortakët në një mbledhje të jashtëzakonshme autorizojnë Muharrem Berishën për të kryer të gjitha lëvizjet me paratë e kompanisë. Emri i tij është përfshirë në një kallëzim të depozituar në SPAK nga ish-deputeti, Halit Valteri, ku Muharrem Berisha akuzohet se është emri fiktiv i pasurive të Ilir Metës, një prej tyre edhe pallati ku ka zyrat subjekti politik, aktualisht Partia e Lirisë. Në kallëzim referohet si fakt që, Muharrem Berisha, i cili paraqitet në letra si biznesmen i fuqishëm, është punësuar pranë Ministrisë së Mjedisit si Inspektor Pyjesh. Në zgjedhjet e vitit 2017, Meta e kandidoi Muharrem Berishën për deputet në Tiranë. Më 30 janar 2021, në cilësinë e Presidentit, e dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Dekorimi i Muharrem Berishës si “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i atëhershëm Ilir Meta

I kontaktuar nga INA Media, Zoti Meta refuzoi që të japë një koment mbi marrëdhëniet e tij me Muharrem Berishën. Edhe Zoti Muharrem Berisha, i kontaktuar nga INA Media, nuk pranoi që të komentonte.
Në nxjerrjen e mermerit në zonën e Skraparit del edhe emri i ish-anëtarit të LSI dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Spartak Braho. Djali i tij, Arbër Braho, rezulton që të jetë pronar i kompanisë “White Stone” sh.p.k., e cila ka për objekt licence shfrytëzimin e malit për mermer në Gjerbës që prej vitit 2012, kur LSI bashkëqeveriste me Partinë Demokratike.

I pyetur nga INA Media, Z. Braho refuzoi që të japë një koment.

Faksmile: Regjistri i Qendrës Kombetare të Biznesit: Kontratë shit-blerje kuotash

TOPI EKI sh.p.k.,është një tjetër kompani, që operon në zonën e Mëlovës në Skrapar. Pronari i saj, Anesti Topi, është kallëzuar në SPAK për shkatërrimin e një parcele toke prej 5.3 ha – tokë pyll 50-vjeçar – me dru ahu dhe dru panje, në komunën Leshnje. Sipas kallëzuesve, të cilët pretendojnë pronësinë, kjo tokë po shfrytëzohet në mënyrë të paligjshme.

Anesti Topi në një reagim për INA Median tha se e akuzojnë për një tokë në pronësi të shtetit dhe se personat që e akuzojnë nuk kanë asnjë dokument pronësie. Ai pretendon se ka lejen e shfrytëzimit.

Statusi nuk e mbron Tomorin nga katastrofa mjedisore

Në malin e Tomorit duken lehtësisht krateret, që kanë hapur kompanitë, që nxjerrin gurë. Aktiviteti i guroreve ndër vite ka zhveshur një sipërfaqe të malit prej qindra hektarësh. Edhe pse gëzon statusin e Parkut Kombëtar, aktiviteti i guroreve vijon në mënyrë të paligjshme, duke thelluar katastrofën mjedisore.

Gjatë vëzhgimit në terren, pranë fshatit Novaj në territorin e Parkut Kombëtar të Tomorit, INA Media arriti që të evidentojë mjete, që marrin gurë në malin e Tomorit.

Kamion me gurë i konstatuar në Tomorr

Kamioni rezulton i regjistruar në emër të shoqërisë “Geri-01”, në pronësi të shtetasit Çaush Qato.

Qato, i kontaktuar nga INA Media, deklaroi se mjetin e ka shitur, por nuk e ka ndërruar ende pronësinë, për shkak të bllokimeve që i janë bërë nga përmbaruesi.

Rruga Berat-Poliçan i ngjan një kantieri të pafund, ku numërohen 14 pika shitjeje të gurëve, që nxirren në mënyrë të paligjshme nga Parku i Tomorit. Sa kalon periferinë e Beratit, Uznovën, 4 pika shitjeje gurësh ndodhen në krahun e majtë të rrugës, ndërsa plot 10 të tjera rrugës për në Poliçan.

Shitja vazhdon, nxjerrja e gurëve po ashtu, ndërsa të vetmet që nuk veprojnë janë institucionet.

KOMPANITË, QË KANË LEJE PËR TREGTIMIN E GURIT NË RRUGËN BERAT-POLIÇAN

Ajla Stone, Vërtop, Ndriçim Toro
ARTEON, Vërtop, Agim Salillari
DURA-PIETRA, Vërtop-Vodicë, Evdal Dura
GERI – 01, Berat-Poliçan, Çaush Qato
IGLI – 07, Berat/Uznovë, Avdurraman Hasanaj
KLEARD CONSTRUCTION, Berat/Uznovë, Baftjar Muka
Led-Bjon, Vërtop, Jorgo Delisi
Marmi Berat, Vërtop, Matilda Shehi
Alion sh.p.k., Uznovë, Haxhi Krëku


Çfarë ndodh në Krujë?

Kruja është qyteti i dytë me numrin më të lartë të guroreve në Shqipëri. Në këtë zonë operojnë 17 kompani, 13 prej të cilave janë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk kanë kryer rehabilitimin e zonës, referuar të dhënave nga AKBN. Banorët vuajnë prej vitesh pasojat e dëmtimeve në shëndet dhe banesa. Autoritetet herë pas here bëjnë inspektime dhe pezullime lejesh, por asgjë nuk ndryshon në zonë.

Guroret në Borizanë, Krujë

Banorët e mohojnë ndërhyrjen e autoriteteve.

“Gurët na kanë ardhur te shtëpia. Me t`u habit mendja! E kam pas lënë 2-3 vjet gurin, se mos vjen ndonjë ekspertizë e ta shikojnë faktik. Problematikë kemi guroren afër. E kemi 200 metra larg. Kryetari i bashkisë na ka thënë se nuk do të lejohen më makinat që të kalojnë, por prapë kanë kaluar”, – rrëfen Kadri Hima, banor autokton i fshatit Borizanë.

Kadri Hima, banor i Borizanës

Pavarësisht denoncimeve ndër vite, në korrik të vitit 2023 dy vëllezërit e deputetit të Partisë Socialiste në Krujë, Rrahman Rraja, së bashku me disa persona të tjerë dhunuan barbarisht dy banorë të zonës, të cilët ishin ankuar për dëmtimet në banesa nga aktiviteti i gurores së Xhelal Rrajës, vëllait të ish-deputetit të Partisë Socialiste. Punimet e gërmimit në guroren e Rrajave bëheshin nga “Delia Group” sh.p.k., në pronësi të Viktor Delias.

Shtëpite e shkatërruara nga shperthimet në Borizanë

9 muaj më pas, nga vëzhgimi i INA Medias rezulton se aktiviteti në Borizanë nuk është ndalur. Puna e ekskavatorëve vijon pa pushim për transportimin e qindra tonelatave gurë. Rreth 50 shtëpive në këtë zonë iu janë çarë muret si rezultat i shpërthimeve të pakontrolluara.

KOMPANITË, QË OPEROJNË NË FUSHË-KRUJË DHE NË KRUJË, DISA ME PRONARË “PROBLEMATIKË”

Delia Group sh.p.k., – Viktor Delia

Shpresa – Al sh.p.k., – Lush Osmani (Në vitin 2019 ka qenë në kërkim për falsifikim dokumentesh, me qëllim përfitimin e paligjshëm të pronave në Kepin e Rodonit).

KLM sh.p.k., – Luan Manjani

XYZ 08 sh.p.k., – Elton Pjetri (Më 24 korrik 2023 SPAK ka kërkuar konfiskimin e pasurive të kësaj shoqërie. Dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme për shkak të marrëdhënies me Anton Gjinajn, i dënuar për trafik heroine).

Victoria Invest sh.p.k., – Fatmir Kuçi (I përfshirë në kontratën e inceneratorëve. I dënuar për Vrasje nga pakujdesia e një turisti rus).

Granit ALB sh.p.k., – Shpëtim Shijaku (I shpallur investitor strategjik, por leja iu anulua nga qeveria. Përfitues i disa tenderëve publikë).

Dimali, qyteti, më i vogël se guroret

Çdokush që udhëton drejt Beratit, qytetit të një mbi një dritareve, nuk mund të shmangë “kafshimin” e madh që i është bërë kodrës krah Dimalit. Guroret marrin dita-ditës terren nga perimetri i qytetit, sa të bën të vendosësh në pikëpyetje ekzistencën e Dimalit pas disa vitesh. Edhe pse shumë pranë zonave të banuara, asnjë prej firmave të guroreve nuk është ndalur që t`i gërryejë kodrat, pa pushuar asnjë ditë të javës, duke mos ia larguar në asnjë moment qytetit pluhurin e bardhë mbi të.

Dimali pamje nga Google Maps

Dimali është qyteti me numrin më të lartë të guroreve në Shqipëri. Nga 21 gurore gjithsej, 20 prej tyre nuk e kryen rehabilitimin e zonës, e vetmja, që e ka kryer rehabilitimin, është AGBES KONSTRUKSION sh.p.k.

Guroret në Dimal

Perimetri i guroreve i tejkalon dhe përmasat e qytetit modest, i cili iu rikthye emërtimit historik 4 vite më parë.

Pavarësisht “ngrënies” së territorit në Dimal, shqetësimi i vetëm i banorëve është shëndeti, që dëmtohet nga ndotja, që shkaktohet nga mospërdorimi i filtrave mbrojtës nga firmat shfrytëzuese dhe nga shpyllëzimi i zonës.

“Nuk mund t`i hapim dritaret, tymi i bardhë i gurëve të përpunuar na mbulon gjithë shtëpinë”, – tregon Islam Aliaj, banor i zonës. Këto pasoja ekspertët thonë se vijnë si rezultat i mosrespektimit të rregullave nga firmat që e ushtrojnë këtë aktivitet.

“Për fat të keq ne kemi shumë gurore, te të cilat i gjithë procesi i shfrytëzimit ka qenë i gabuar. Shfrytëzimi apo ndërtimi i karrierave duhet të bëhet në formë shkalle, pra, në momentin që bëhet shfrytëzimi i shkallës së parë, duhet të bëhet dhe rehabilitimi i shkallës së parë. Në të kundërt, nëse marrim materialin në formë agresive, bonifikimi është i pamundur që të realizohet”, – shpjegon për INA Median eksperti, Klodian Skrame.

Deputetët shmangin diskutimin për guroret

Nga shtatori i vitit 2019 Kuvendi i Shqipërisë 1 herë në muaj iu dedikon një seancë plenare problemeve, që raportohen nga zgjedhësit e tyre, në atë që quhet Java e gjelbër.

Shqetësimet e banorëve nga aktiviteti i guroreve janë paraqitur në Parlament jo më shumë se dy herë.

INA Media kontaktoi me dy ligjvënës të dy partive kryesore, që përfaqësojnë një nga zonat me aktivitetin më të lartë të guroreve, atë të Krujës. Deputetja e PD, Merita Bakiu, e cila e ka ngritur si shqetësim në Parlament, thotë:

“Këto gurore janë të pajisura me leje të mjedisit, por duhet të ketë kontroll më të rreptë, sepse duhet që t`i plotësojnë të gjitha kriteret për të ushtruar aktivitetin e tyre në këto zona. Organet ligjzbatuese duhet të ushtrojnë kontroll në këto zona dhe duhet t`i detyrojnë këto aktivitete, që të zbatojnë ligjin dhe të rehabilitojnë zonën”.

Përfaqësuesi i mazhorancës, Denis Deliu, nënvizon:

“Është shumë e rëndësishme që institucionet, që e kanë për detyrë kontrollin e tyre dhe zbatimin e ligjit, të jenë më prezente në terren, më solide dhe më të vendosura, ku, atje ku shkelet ligji, të vendosin gjoba ose, për ato kompani, që nuk e respektojnë ligjin, të merret vendimi për t`i mbyllur”.

Degradimi i mjedisit nga industria e gurthyeseve edhe në Kosovë

Problematika të shumta shfaq aktiviteti i guroreve edhe në rajon, kryesisht në Kosovë.

Raporte të ndryshme në Kosovë e kanë nxjerrë një sektor që ka pasur ndikim negativ në mjedis. Në bazë të këtyre raporteve, aktiviteti i guroreve është i lidhur ngushtë me kompani, që nuk i kanë respektuar rregullat apo kanë lidhje të forta me politikën.

“Janë mbi dhjetë gurthyes, që na shkatërrojnë çdo ditë jetën”, – janë fjalët e para të Ahmet Govorit nga Stanishori i komunës së Novobërdës.

Ai thotë se gurthyesi po ua rrezikon jetën çdo ditë banorëve të fshatit.

Protestat nuk e patën ndikimin e duhur, pasi Govori thotë se çdo ditë ka kërkesa të vazhdueshme për hapjen e operatorëve të rinj.

“Ata na kanë prishur faunën, florën, rrugët”, – shprehet Govori, teksa thekson se nuk ka mbikëqyrje të duhur nga institucionet.

Në shumicën e rasteve kompanitë e guroreve hapësirën e shfrytëzuar e lënë në gjendje të mjerueshme. Banorët janë ankuar edhe për gropat e krijuara nga minimet dhe nga gërmimet me makineri të rëndë.

Organizata “Çohu” thotë se problemet më të mëdha qëndrojnë te kompanitë që kanë licencë, por nuk i përmbushin obligimet kontraktuale.

Drejtori ekzekutiv, Arton Demahasaj, i pyetur nga INA Media, deklaron: “Pjesën më të madhe të hapësirave, që e kemi vizituar, kanë qenë të degraduara. Kompanitë nuk janë duke i përmbushur kontratat, përmes së cilave obligohen që ta pyllëzojnë hapësirën”.

Sipas të dhënave nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale aktualisht janë 127 kompani me licenca aktive për shfrytëzimin e pasurisë minerare.

  • Rajoni i Gjilanit              28 licenca
  • Rajoni i Mitrovicës        11 licenca
  • Rajoni i Pejës   22 licenca
  • Rajoni i Prishtinës         40 Licenca
  • Rajoni i Prizrenit            26 licenca

Sali Malaj, nga ky Komision, ka pranuar se ka disa ndërmarrje, që nuk raportojnë saktë rreth vëllimit, shkallës dhe vlerës së mineraleve të prodhuara.

“Për mos-raportim dhe raportim të pasaktë fillimisht ndërmarrjeve iu dërgohen njoftime për korrigjim, iu shqiptohet gjoba dhe iu pezullohen licencat deri në plotësim të kushteve”, – ka thënë ai.

Gjatë vitit 2023, sipas KPMM, janë identifikuar 46 aktivitete të jashtëligjshme, minerare, ndërsa nga fillimi i vitit 2024 janë identifikuar 6 aktivitete të jashtëligjshme, minerare.

Arben Kelmendi, përfaqësues i Institutit Demokratik të Kosovës, si nevojë urgjente sheh reduktimin e ndikimit politik.

“Kompanitë e përfshira në praktikat e paligjshme vazhdojnë që të përfshihen në aktivitete të tilla, edhe pasi gjobiten, sepse përfitimet financiare mbeten shumë më të mëdha. Nevojiten përpjekje dhe dënime shtesë për t’i frenuar kompanitë nga përfshirja në këto praktika”, – është shprehur Kelmendi.

Aktiviteti i guroreve në Shqipëri dhe në Kosovë mbetet një rrezik i madh për mjedisin. Në të dyja vendet pasojat më të rënda i vuajnë qytetarët, shqetësimet e të cilëve nuk merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse.

Pavarësisht problemeve që sjellin, ka disa pika ku ndahen Shqipëria dhe Kosova. Në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin me licencë 268 kompani, në Kosovë janë të licencuara vetëm 127 kompani.

Një tjetër shqetësim për Shqipërinë, që duket se për Kosovën nuk ekziston, është aktiviteti i paligjshëm në zonat e mbrojtura. Ndonëse është i ndaluar me ligj, në Shqipëri, siç dokumentohet dhe më sipër, aktiviteti në disa raste vijon.

Frenimi i shkatërrimit të mëtejshëm të natyrës duket se mbetet në dorë të institucioneve, të cilat më shumë se detyrën bëjnë “pingpong” për t’iu shmangur përgjegjësive.




Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *