Milionat nga bebet in vitro, shërbimi që lulëzon në privat, por mbahet peng në shtet

Autor: Eljona Ballhysa

Biznesi prej miliona lekësh i bebeve në epruvetë e mban të bllokuar këtë proces në sistemin publik. Ndonëse janë marrë paratë dhe janë dërguar për specializim mjekët, salla e fertilizimit in vitro pranë maternitetit “Koço Gliozheni” nuk është vënë asnjëherë në punë. Paradoksalisht, në spitalet private kjo teknikë lulëzon, duke iu siguruar atyre përfitime të majme, ndërsa mjekët që e aplikojnë, janë po ata të sistemit publik, duke rritur dyshimet se kjo është një skemë e mirëfilltë favorizimi kundrejt spitaleve private.

BE bleu 250 milionë lekë aparatura, mjekët u dërguan për specializim në Itali, por salla qëndron e kyçur që prej 8 vitesh

Etleva dhe Enver Zika janë bërë prindër të trinjakëve, dy vajza dhe një djalë, vetëm 15 muaj më parë.

Të martuar prej 15 vitesh, çifti vendosi t’i drejtohet fertilizimit in vitro, si e vetmja shpresë për të mbajtur në krah një bebe. Për shkak se ky proces është i kushtueshëm, çiftit Zika nga Yrsheku iu desh të merrte një kredi për të përballuar faturën e shpenzimeve.

 “Vetëm in vitro vajti 2500 euro, për të mos folur pastaj për ilaçe, kura e analiza pafund. Vetë nuk kishim mundësi, ndaj morëm kredi për ta përballuar”, – na rrëfen me lot në sy Etleva, e cila ende sot punon për të shlyer kredinë.

Çdo muaj duhet të paguajmë 100 mijë lekë (të vjetra) kredi, por shto këtu edhe shpenzimet e bebeve, mezi po jetojmë, ama nuk pendohem”, – shprehet Etleva, pa e fshehur emocionin që i shkakton mëmësia.

Ëndrrën e saj Etleva e bëri realitet në një klinikë private në Tiranë, pasi në shtet i kishin thënë se kjo procedurë nuk ofrohej.

Nëse ky proces do të bëhej në shtet, do të ishte një ndihmesë e madhe për shumë çifte”, – shprehet ajo e zhgënjyer.

Etleva dhe Enver Zika së bashku me trinjakët e tyre, të ardhur në jetë nga in vitro

Fekondimi in vitro është përfshirë në kuadrin ligjor shqiptar në vitin 2002 përmes 2 neneve në ligjin “Për Shëndetin Riprodhues”, por nuk shpjegohet mënyra se si duhet të asistojnë institucionet shëndetësore.

Ajo që e komplikon, është fatura financiare, e cila është mjaft e lartë, pa përfshirë edhe medikamentet, trajtimet, ekot e gjithçka tjetër dhe, në rastin kur tentativa e parë dështon, i gjithë procesi nis nga e para dhe çmimi dhjetëfishohet.

Megjithatë Etleva ndihet me fat që mundi të sjellë në jetë fëmijët e saj që në përpjekjen e parë, pasi jo të gjitha çiftet kanë sukses.

Ka nga ata që edhe pas disa tentativave, kanë shtuar borxhet, por nuk kanë mundur të mbajnë një bebe në krah.

Vjollca nga Tirana e ka provuar 3 herë in vitron, por pa rezultat.

“Kam marrë rreth 10. 000 euro kredi për të bërë in vitron dhe tani laj këstet mujore, pa mundur dot t’i gëzohem një bebeje. Punojmë bashkë me burrin dhe lajmë kredinë, por të paktën e provuam dhe jo pak, por tri herë”, – shprehet 45-vjeçarja, që punon si estetiste në një biznes privat pranë 21 Dhjetorit.

Laboratori, i kyçur në shtet prej 9 vitesh

Në maternitetin Koço Gliozheni që prej vitit 2013 u kompletua me aparaturat e nevojshme një sallë laboratori për fertilizimin in vitro. BE kishte nisur mbështetjen e kësaj ambicieje të qeverisë shqiptare, duke e financuar me 250 milionë lekë. Në të njëjtën kohë u mundësua trajnimi në Itali i një ekipi mjekësh.

Paradoksalisht, ajo sallë nuk u hap kurrë. Pretendimet kanë qenë nga më të ndryshmet, por ajo që zuri vend më gjerësisht ishte se porosia nga BE erdhi me mangësi. Edhe sot e kësaj dite dera e laboratorit vazhdon të jetë e kyçur dhe i gjithë investimi mendohet se është amortizuar.

Vangjel Tavo, ish-ministër i Shëndetësisë, që preu edhe shiritin e inaugurimit të këtij laboratori, këmbëngul se fertilizimi in vitro ka qenë prioritet dhe synonte të ofrohej falas.

“E kemi pasur prioritet. Ne synonim, duke u nisur dhe nga çmimet e larta, që ta garantonim dhe ta jepnim falas, por nuk e di çfarë është bërë më pas”, – largon përgjegjësinë nga vetja ish-ministri Tavo.

Nderim Horeshka është një nga mjekët gjinekologë që u trajnua në Itali për procedurën e fertilizimit in vitro, por që nuk ka mundur t’i përdorë asnjëherë njohuritë e marra. Ai tregon se salla vijon të jetë e kyçur dhe aparaturat e financuara nga BE nuk janë vënë asnjëherë në punë, megjithëse ka shumë kërkesa për këtë shërbim.

“Në prill të vitit 2014 jemi specializuar në Itali, por askush nuk na ka pyetur asnjëherë. Salla ishte e pajisur me të gjitha. Kur pyesnim, na thoshin se po llogaritet kostoja, sa do kushtojë si proces. Po asgjë më shumë. E di ministria, na thoshin. Salla vijon, është ende, por qëndron e mbyllur”, – tregon mjeku, ndërsa me keqardhje thotë se gjithçka është lënë në harresë.

Në errësirë të plotë është edhe Rigers Balla, i specializuar si embriolog në Itali. Sipas tij, drejtuesit e maternitetit që nga vitit 2014 e deri më sot nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim se përse ky laborator nuk u vu në punë dhe pse projekti i financuar nga BE nuk u zbatua.

“Siç ka qenë në vitin 2014, kur edhe bëmë specializimin, vazhdon të jetë edhe tani situata. Pa asnjë lloj informacioni. Nuk e di në dorë të kujt është, por duket qartë se janë shumë faktorë të përfshirë…”, – rrëfen doktori.

Sipas tij, shpresat filluan të zgjoheshin 3 vite më parë, kur ministria ngriti një grup pune, me qëllim llogaritjen e kostove me të cilat do të ofrohej ky shërbim, por u shuan shpejt dhe gjithçka u la sërish pezull.

Erdhën për ta vënë në funksion, ngritën grupin e punës, u përllogaritën kostot e shërbimeve që do të ofroheshin në strukturë. Më pas gjithçka u zhduk”, – tregon doktori.

Pjesë e grupit të punës kanë qenë juristë nga ministria dhe përfaqësues të ISKSH-së, pasi mendohej se do të bëhej me rimbursim dhe kostot do t’i kalonin totalisht shtetit.

Ne kemi përllogaritur kostot dhe nxorëm kostot minimale. Janë përllogaritur deri te copat e pambukut dhe ishte shumë më lirë se në privat.”, – tregon doktor Balla, i cili shpreh keqardhjen për mosvënien në funksion të laboratorit.

Ndryshe nga propozimi fillestar, ku i gjithë shërbimi do të rimbursohej, mjekët kanë hedhur idenë që kjo procedurë të ishte me bashkëpagim. Duke llogaritur kostot, ata sugjeruan që për ta përfituar këtë procedurë, do të duhej të paguheshin 700 euro. Një shifër kjo 5-10 herë më e vogël sesa kostoja që duhet të paguajnë në klinikat apo spitalet private.

Embriologu Rigers Balla ndihet i zhgënjyer, jo vetëm sepse ky projekt u zhbë, por edhe sepse nuk mundi t’i vërë në jetë dijet, për të cilat u specializua në Itali.

“Unë jam më i prekuri në këtë mes. Kam humbur kohë në atë pozicion, me idenë se po vihet sot në punë, po vihet nesër. Ndërkohë që unë nuk kam pasur ndonjëherë çelës të atij laboratori, nuk e di fare se çfarë bëhet aty brenda. Nuk jam futur ndonjëherë brenda. Di që pajisjet duhet të jenë aty. A janë të amortizuara, a s’janë, as këtë nuk di ta them. Di të them vetëm që minimalisht duhet ta kishin vënë në punë”, – shprehet doktor Rigers Balla.

Por, ndërsa mjekët janë dërguar për specializim dhe janë lënë “rrugëve”, Genci Hyska, drejtori i maternitetit Koço Gliozheni, rendit disa arsye se përse fertilizimi ka ngecur. Sipas tij, projekti në atë kohë ishte i paplotë, pasi nuk ishte kryer kostoja e shërbimit. Ai i mëshon idesë se dërgesa e pajisjeve nuk ka qenë e plotë.

Nuk është vënë në punë, për arsye se, që kur u konceptua dhe u investua, nuk u shoqërua me një studim për kostot për trajtim, gjë e cila nuk u përfshi në projekt. Investimi ka disa pajisje mjekësore, por jo të gjitha pajisjet e nevojshme për të realizuar procedurën in vitro. Aktualisht janë duke u vlerësuar me një grup të posaçëm kostot e këtij shërbimi, pasi, siç u shpjeguam, projekti nuk ka qenë i plotë për të vendosur më pas se si do të procedohet më tej”, – shprehet për Investigative Network Albania, drejtori Hyska.

Por, doktor Rigers Balla tregoi se grupi i punës në fjalë ka zhvilluar vetëm një mbledhje në mars të vitit 2019 dhe që nga ajo kohë e deri më sot, pra për 4 vite, ky grup pune ende nuk ka dalë me një vendim për koston e shërbimit.

Orion Gliozheni, i cili ka qenë drejtues i repartit të Gjinekologjisë në atë kohë, është edhe personi që ka bërë aplikimin për ta përfshirë Shqipërinë në projektin e BE-së për të ofruar shërbimin e “bebeve në epruvetë” edhe në sistemin publik. Gliozheni ka sjellë i pari fertilizimin in vitro në vendin tonë që në vitin 2003 pranë klinikës së tij private dhe aktualisht ai mbahet si “babai” i 1500 bebeve në epruvetë. Duke qenë se ai është personi që e ka ndjekur nga afër këtë projekt edhe pranë maternitetit të ri, INA e kontaktoi për të marrë një reagim të tij për dështimin e këtij projekti, por nuk morëm përgjigje, sikurse nuk morëm asnjë reagim edhe nga doktoreshë Rubena Moisiu, ish-drejtoresha e maternitetit.

Gerta është bërë nënë falë këtij procesi, të cilit i është nënshtruar në Stamboll. Sot e ka vajzën 10 vjeç. “Vajzën e kam bërë me procedurën in vitro 10 vite më parë në një spital në Stamboll të Turqisë. Sigurisht, do kisha dashur ta kisha bërë në Shqipëri e për më tepër në spital shtetëror, ku të paktën pagesa do të ishte më e lirë dhe do t`i kisha kursyer paratë e udhëtimit dhe të qëndrimit në hotel”, – tregon Gerta.

Por, përse u la në harresë ky projekt?

INA Media iu drejtua me anë të dy kërkesave Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar, jo vetëm arsyet se përse është bllokuar prej vitesh ky shërbim, por edhe se cilat janë projektet në vijim të qeverisë në lidhje me këtë biznes që lulëzon në klinikat e spitalet private. Sikundër kërkuam informacion, edhe nëse kjo ministri i kontrollon apo jo privatët në aplikimin e procedurës in vitro, a janë apo jo të certifikuar spitalet, klinikat dhe mjekët që e aplikojnë gjerësisht këtë procedurë.

Pavarësisht këmbënguljes së INA-s, nuk morëm asnjë përgjigje edhe pas ankesës drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Mimoza Keta ishte ndër të parat që mori rolin e promovimit të kësaj nisme në media. Aktualisht, ajo e ushtron profesionin në një klinikë private dhe nuk di të thotë me saktësi se përse ky proces ngeli pezull.

Ajo rrëfen se interesi nga pacientët që kërkonin in vitron në shtet ishte tejet i lartë. Si mjeke e profesioniste e fushës, Keta rrëfen se është ndjerë shumë keq që gjithë ai investim shkoi dëm.

“Ka pasur shumë raste në atë kohë që e kërkonin”, – kujton ajo.

“Kam ngelur shumë keq, por asnjëherë nuk u shpjegua arsyeja përse mbaroi çdo gjë. Të gjitha ishin gati, u bë godina, erdhën pajisjet, u punësuan edhe njerëzit, por mbeti. Shkaqet nuk i di, pse është lënë pezull. Në fund të fundit, s’ka pse të mos bëhet në shtet. Ne sot bëjmë shumë politikë, themi, pse u prish materniteti i vjetër, por nuk del asnjëri që të ngrejë zërin e të thotë, kaq e kaq njerëz harxhojnë pará për këtë punë. Përse kjo të mos bëhet edhe në shtet?”, – shprehet ajo.

Laborator fertilizimi in vitro

Ajo hedh hije dyshimi se mos hapja e klinikës së fertilizimit në shtet është çështje interesash ekonomike mes spitaleve private, pasi janë të njëjtët mjekë të shtetërorit që këtë procedurë e ofrojnë në privat.

“Konflikti privat-shteti ekziston. Është një konflikt, sepse, po të shkojë në shtet, do paguajë më pak, po të shkojë në privat, do paguajë më shumë. Ky mund të jetë një nga shkaqet, sepse në klinikat private janë po ata mjekë që punojnë edhe në shtet, janë po ata shefa që punojnë edhe në shtet dhe ku iu leverdis? T’i kenë pacientët në privat apo shtet?!”, – pyet gjinekologia.

Interesat e privatit për mosfunksionimin e in vitros në maternitetet shtetërore pranohen jo zyrtarisht nga shumë mjekë që e njohin mirë problematikën.

Në kushte anonimati ata drejtojnë gishtin nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, por vetë Beqaj e mohon këtë akuzë. Madje ai thotë se e ka nxitur projektin dhe ka bërë përpjekje që in vitro të ofrohej njëlloj, siç ofrohet paketa kardiologjike.

“Unë kam firmosur ngritjen e një grupi pune që të bënte një analizë të kostos se sa do të kushtonte, sepse duhej të siguroheshin edhe ilaçet e trajtimit. Pra, të mos ishte falas vetëm procesi i fekondimit in vitro, por edhe ilaçet, sepse janë të kushtueshme. Unë këtu e kam lënë, por nuk e di se çfarë është bërë më mbrapa. Personalisht kam kërkuar që ky shërbim të ofrohet si paketë, siç ishte paketa e kardiologjisë. Kam bërë përpjekje që të ofrohej falas, të ishte pjesë e paketës”, – shprehet Beqja, i cili shton se nuk e ka idenë, pse projekti është bllokuar më pas.

In vitro, “thesar” për spitalet private, në pikëpyetje siguria

Fertilizimi in vitro është një procedurë që ka filluar të përdoret gjerësisht nga spitalet dhe klinikat private, por ata janë hermetikë për statistikat apo çmimet, me të cilat i ofrojnë.

“Gjatë 5 viteve eksperiencë të klinikës sonë përqindja e suksesit në IVF vazhdon të jetë 65%, pra mbi 600 fëmijë të lindur përmes fertilizimit in vitro”, – na thotë në kushtet e anonimatit një mjeke, e cila punon në një klinikë mjaft të njohur private, e autorizuar të kryejë procesin in vitro.

INA Media iu drejtua me anë të një kërkese për informacion spitalit Hygea, Spitalit Amerikan, Turkish International Hospital, klinikës Ursula, përfaqësuesit e të cilëve, sapo u njohën me pyetjet, refuzuan të përgjigjen.

Megjithatë, nga burimet spitalore mësuam se çmimet ndahen në dy pjesë, një pjesë i takon analizave paraprake dhe ilaçeve, që fillojnë nga 1000 euro deri në 2500 euro dhe pjesa e dytë i takon fekondimit in vitro, që varion nga 2400 euro e lart, sipas specifikave të secilit çift. Pra, në tërësi një seancë e fekondimit artificial kushton rreth 5000 euro. Në rast se përsëritet, seanca e dytë kushton sërish 2400 euro, pa përfshirë setin tjetër të ilaçeve.

Pavarësisht kërkesës në rritje për këtë procedurë, doktor Nderim Horeshka është skeptik për mënyrën se si kryhet. Ai thotë se në Tiranë ka shumë klinika private që e ofrojnë këtë shërbim, por nuk ka siguri, nëse janë apo jo të specializuara për ta kryer procedurën e in vitros. Këtë shqetësim e ka edhe ish-ministri Vangjel Tavo, i cili thotë se ka njerëz që marrin përsipër të bëjnë gjëra që nuk i dinë.

“Imagjino, ka që në vitin 2012 dhe akoma nuk ofrohet si shërbim në maternitetet shtetërore.

Unë njoh raste që kanë shkuar dhe e kanë bërë deri në 12 herë dhe iu ka dalë negative, sepse ka njerëz që marrin përsipër gjëra që nuk i dinë”, – tregon Tavo, ndërsa nuk përjashton mundësinë që projekti i nisur që në kohën e tij, pra që në vitin 2012, të jetë bllokuar edhe për të favorizuar privatët.

Mjekët gjinekologë bien dakord se ka një rritje të shkallës së infertilitetit në vendin tonë dhe si pasojë është shtuar dhe numri i çifteve që kanë interes të kryejnë metodën e fekondimit in vitro. “Interesi është gjithmonë i çifteve që duan të kenë një shtatzëni, të kenë një lindje, të kenë një fëmijë. Për këtë arsye sigurisht që është në vëmendjen e të gjithëve zgjidhja e infertilitetit në vend. Ka shumë çifte që interesohen ta bëjnë procedurën in vitro”, – bën të ditur mjeku gjinekolog pranë maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Erlin Kurti, i cili thotë se bashkëpunon edhe me klinika private që e ofrojnë këtë shërbim.

Lidhur me statistikat se sa fekondime in vitro kryhen mesatarisht në klinikat private, doktori thotë se këto janë shifra konfidenciale, ndërsa mbështet faktin që ky shërbim duhet të ofrohet edhe në maternitetet shtetërore.

“E sigurt është që infertiliteti është evident në Shqipëri dhe ka hapësirë për t’i dhënë një zgjidhje edhe në sistemin publik. Unë jam pro dhe do ishte një risi shumë e rëndësishme ofrimi i këtij shërbimi në sistemin publik për çiftet në pamundësi ekonomike, pasi edhe shtetet e tjera kanë praktika të tilla”, – shprehet doktor Erlin Kurti.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, 5 vitet e fundit rezulton se numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm, sidomos gjatë vitit pandemik 2020, ku shtimi i popullsisë ishte me vetëm 470 persona.

Në këtë situatë, ofrimi i shërbimit të fertilizimit in vitro mund t’i hapte dritën jeshile dhjetëra çifteve që stepen për shkak të mungesës së parave; një politikë për të inkurajuar numrin e lindjeve, e ndjekur nga të gjitha vendet e rajonit.

Gjinekologia Alojva Xhelilaj shprehet se ofrimi i këtij shërbimi falas në strukturat publike është një procedurë tejet delikate që mund të prodhojë edhe konflikte ligjore.

“FIVET është procedurë që kushton. A duhet ta ofrojë shteti? Sigurisht do ishte mirë, po që në krye të herës e përmenda, kostot janë shumë të mëdha. Pastaj lind konflikti që nuk përfshihet nga siguracionet, pasi nuk është sëmundje. Më pas do lindin konflikte edhe ligjore. P.sh., nëse e ofron si shërbim, a do të duhet ta ofrosh edhe për çiftet homoseksuale?! Për këtë nuk ka kuadër ligjor. A do duhet të ofrohet dhe për çifte që nuk janë të lidhur në martesë? Ja u ndanë, ndërkohë që embrionet janë formuar, kush mban përgjegjësi për embrionet të ngelur jetim?!”, – shprehet doktoreshë Xhelilaj.

Bazuar në një dokument të Parlamentit Europian të vitit 2016, shtete të ndryshme ndjekin praktika të ndryshme në lidhje me fekondimin in vitro. Kështu, në Austri shteti financon 70% të procedurës, Belgjika rimburson të gjitha kostot laboratorike për 6 cikle IVF, sikundër dhe Kroacia.

IVF mbulohet dhe nga sistemi francez i sigurimeve shoqërore për gratë më të reja se 43 vjeç dhe që janë në një lidhje heteroseksuale. Ndërsa në Gjermani trajtimet e IVF janë pjesërisht të mbuluara nga sigurimet shëndetësore. Edhe në shtetin fqinj, Greqi, trajtimet IVF mbulohen pjesërisht nga sistemi kombëtar i kujdesit shëndetësor. Italia e ofron falas fekondimin in vitro për ato çifte që sigurojnë certifikatë të infertilitetit.

Në Shqipëri, megjithëse ky problem është ngritur shpesh herë, zgjidhja mbetet “mollë e ndaluar”, edhe pse pajisjet u dhuruan nga BE tetë vite më parë. Institucionet shqiptare e mbajnë “peng” këtë proces, teksa në spitalet private, pa u penguar nga asnjë kuadër ligjor, lulëzon “biznesi in vitro”.