Ekspertizat e rreme u dhurojnë lirinë kriminelëve

Autorët: Elton Qyno, Gazmend Myteberi dhe Besar Bajraktaraj

Ekspertizat e rreme janë kthyer në një biznes shumë të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë duke u dhënë lirinë të dënuarve me burgim të përjetshëm. Të përfshirë në një skemë të mirëfilltë korrupsioni, gjyqtarë apo ekspertë të ndryshëm, nuk ngurrojnë t’u japin pafajësinë emrave të njohur të botës së krimit. Më pas ata janë kthyer në një “ingranazh” të fortë jo vetëm për mbledhjen e votave gjatë zgjedhjeve, por edhe diktojnë rregulla për administratën.

Një ekspertim mjeko-ligjor, i kryer nga mjekët psikiatër Latif Fjolla dhe Shkëlqim Korbi, nxirte të dënuarin me 16 vjet burg për vrasje, Astrit Avdylin, se vuante nga sëmundje “Depresion Endogjen me tentativa suicidale (Vetëvrasje)”.

Klinikisht sipas mjekëve, ky personazh paraqiste çrregullime në formën e deluvioneve, të cilat udhëheqin sjelljet vetëdëmtuese dhe suicidale.

Njeriu që sipas dy ekspertëve të mësipërm, gjatë qëndrimit në burg shfaqte shenja psikiatrike të kryerjes së vetëvrasjes apo dëmtimit të jetës së të dënuarve të tjerë, pas daljes nga burgu, shumë shpejt do të rimerte kontrollin psiqik të vetes, duke arritur deri në atë shkallë sa të drejtojë trafikun e heroinës nga Turqia në Itali.

Njëherësh gjatë kohës së qëndrimit në lirim, Astrit Avdyli, arriti të hynte brenda rradhëve të anëtarëve të Partisë Socialiste, duke u kthyer në një militant i flaktë dhe “ingranazh”, i fortë për mbledhjen e votave pranë shtabit elektoral të Vangjush Dakos, në qarkun e Durrësit.

Astrit Avdyli, nga një personazh që për të fituar lirinë nga burgu ju desh të bëhej si i çmenduar, duke arritur deri në atë pikë sa me dokumenta mund të vetëvritej. Por shumë shpejt Avdylaj u kthye në njeriun kryesor, që në zgjedhjet e 2017, vuri në rresht administratën shtetërore të Durrësit dhe një pjesë të mirë të militantëve të PD-së në këtë qark.

Ironia shkoi deri aty, sa një të sëmuri depresiv si Avdyli, i liheshin në dorë listat emërore të votuesve të Partisë Demokratike.

Nëse do të ishte kryer një ekspertim psikiatrik objektiv dhe jo i rremë nga dy mjekët, Astrit Avdyli, njëri nga anëtarët kryesorë të dosjes së famshme me nr. 339, do të ishte i mbyllur në burg gjatë periudhës së zgjedhjeve parlamentare 2017.

Ka mjaftuar një ekspertizë psikiatrike e rreme që, Astrit Avdyli, të lerë qelitë e burgut të Shën-Kollit në Lezhë në datën 2 mars 2016, një vit para se në Shqipëri të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare.

Por dy vite nga lirimi nga burgu me motivacionin se i rrezikohej jeta për shkak të sëmundjes depresive, Astrit Avdyli, arrestohet sërisht pas një operacioni “Vol-vo 4” të kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi Avdyli ishte pjesë organizative e një grupi kriminal që trafikonte heroinë nga Turqia, Kosovë, Shqipërisë dhe Itali.

“…ka qënë një lajthitje e mjekëve psikiatër, të cilët dolën në konkluzionin se Avdylit i rrezikohej jeta, nëse do vijonte të vuante dënimin e mbetur në burg. Ky personazh nuk kishte asnjë tipar që vuante nga çregullime mendore, deri në atë shkallë sa ta çonin në vetëvrasje. Pas daljes nga burgu, koha tregoi se mjekët psikiatër kishin mashtruar drejtësinë me raportet e ekzaminimit mendor të Avdylit…”-tha një prokuror në kushtet e anonimatit që ka ndjekur çështjen e tij.

Në fakt dy mjekët ligjorë Shkëlqim Korbi dhe Latif Fjolla, që ekzaminuan shëndetin mendor të Astrit Avdylit dhe dy të dënuarvve të tjerë Bashkim Xhika dhe Arjan Laçi, në 10 shkurt 2010 u dënuan për “Shpërdorim detyre”, nga Gjykata e Apelit Shkodër, me 4 muaj burgim dhe gjobë prej 5 milion lekë të vjetra secili.

Ishin pikërisht këto ekspertime të rreme që çuan gjykatën për dhënien e vendimit të dënimit të dy mjekëve psikiatër.

Në vendimin e saj gjykata e Apelit shprehet: “…Shkëlqim Korbit dhe Latif Fjollës, ti hiqet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare…”.

Por në muajin shkurt 2021 mjeku psikiatër Shkëlqim Korbi, arrestohet sërisht nga prokuroria e posaçme SPAK, për akuzën e “Ekspertimit të rremë”.

Nga hetimet rezultoi se Korbi fillimisht ka përgatitur aktin e ekspertimit psikiatriko–ligjor të shtetasit Oriol Keqi, i dënuar më herët për dhunë në familje, dhe më tej e ka depozituar në sekretarinë e mjekësisë–ligjore.

“…ky akt-ekspertimi ishte në disfavor të kërkuesit…”-thotë prokuroria e SPAK në dosjen e saj.

Pas ndërhyrjeve të të interesuarve, eksperti Korbi ka ndërhyrë tek sekretaria e mjekësisë-ligjore, duke rimarrë aktin e dorëzuar dhe përgatitur, një akt të ri që përmbush kërkesat dhe interesat e të dëuarit, Oriol Keqit.

Nga një verifikim në rregjistrin elektronik të ekspertëve që administrohet nga Ministria e Drejtësisë, rezulton se mjeku psikiatër Shkëlqim Korbi, nuk është fare i rregjistruar në këtë databazë elektronike.

Rasti “Dokle-Gjenerari” kambanë alarmi për sistemin

Kartela klinike me nr. 1285 që kishte mbajtur mjeku psikiatër i burgut të sigurisë së Lartë në Fushë-Krujës, për të dënuarit me burgim të përjetshëm, Endrit Dokle, ka ndikuar ndjeshën në vendimarjen e gjykatës së Krujës. Më 14 janar 2020, kjo gjykatë, vendosi të lirojë me kusht Endrit Doklen, që vuante dënimin për disa vrasje dhe trafikim të heroinës.

Sipas konkluzionit të arritur në këtë kartelë dhe të konfirmuar në gjykatë nga vetë mjeku psikiatër i burgut, i dënuari me burgim të përjetshëm, Endrit Dokle, vuan nga “Çrregullime depresive madhore me tipare psikotike”.

Këto çregullime, thuhet në raport, vijnë në mënyrë periodike dhe problemet e shfaqura janë gjendja depresive, halucinacione, pagjumësi, simptoma të cilat kanë një historik.

Pas administrimit në dosjen gjyqësore të këtij raporti psikiatrik të bërë nga mjeku i burgut dhe një sërë dokumentash të tjerë, në muajin janar 2020, gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, urdhëroi lirimin para kohe me kusht, të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Endrit Dokle.

Endrit Dokle, i liruar nga burgu më 14 janar 2020

Rasti i lirimit nga burgu të Endrit Dokles, u kthye në një kambanë alarmi për sistemin e drejtësisë në vend dhe mënyrën e trajtimit të kërkesave të të dënuarve, për lirim me kusht nga gjykatat shqiptare.

Rasti “Dokle”, ishte i njëjtë me rastin e lirimit nga burgu të Gerd Gjenerarit në Korçë.

Edhe ky i dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e të fortit të Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali, ku edhe rezulton me dy dy dënime për pjesëmarrje në trafiqe e deri tek grupi kriminal, gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo, i dha lirinë me kusht, për sjellje të mirë. Në vendimin e gjyqtarit shkruhet se Gjenerari “është plotësisht i rehabilituar dhe i gatshëm për t’u riintegruar në shoqëri”.

Gjenerarit i mjaftuan vetëm pak ditë liri me kusht, që ai të arratisej, megjithëse vendimi i Kuqos u konsiderua i padrejtë dhe gjykata kërkoi rikthimin e tij në qeli.

Ndërkohë Gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo, që i dha lirinë të dënuarit me burg të përjetshëm, u përjashtua nga Sistemi i Drejtësisë për shkelje flagrante të procedurave të ndjekura në këtë rast.

Gerd Gjenerari

Të dy gjyqtarët Enkelejda Hoxha dhe Markelian Kuqo, për lirimin e dy eksponentëve të njohur të krimit, u mjaftuan vetëm me raportet psikiatrike të mbajtura nga mjekët psikiatër të burgjeve, duke mos kërkuar asnjë ekspertizë shtesë nga ekspertë të pavarur për të përcaktuar problemin mendor të dy të dënuarve me burgim të përjetshëm.

Sot të dy gjyqtarët e mësipërm që pranuan t’i japin lirimin me kusht Gjenerarit dhe Dokles, janë të shkarkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

“…është një guxim i madh të marrësh vendime të tilla për lirimin me kusht të dënuarve me burgim të përjetshëm. Këto raste janë shumë komplekse dhe çdo vendimarje e sotme, do të kërkojë llogari nesër. Të dyja rastet janë bërë të nxituara, pasi nuk ka në dosje një ekspertizë të mirëfilltë psikologjike nga mjekë psikiatër të certifikuar në këtë fushë…”- thotë një prokuror në kushtet e anonimatit.

Zyrtari i prokurorisë shton duke thënë se: “…thjesht janë marë disa raporte të mbajtura në mënyrë periodike nga mjekët e burgjeve dhe kaq ka mjaftuar që sëmundjet dhe problemet psikiatrike, si për Doklen dhe Gjenerarin, të merren të mirëqëna nga gjykata…”.

Pas tre muaj liri me kusht, Gerd Gjenerarit, do t’i duhej të zhdukej pa gjurmë dhe t’i fshihet drejtësisë, pasi në muajin korrik 2018, Gjykata e Apelit Korçë, urdhëroi kthimin e tij në burg.

Ende dhe sot Gjenerari, vijon të jetë një person në kërkim nga policia.

Aksidentet, ekspertiza pa eskpertë

Hetimi i aksidenteve rrugore kërkon domosdoshmërisht një ekspertim auto-teknik, gjë e cila krijon provën kryesore në përcaktimin e përgjegjësisë penale të personave të arrestuar për aksidente.

Sipas rregjistrit elektronik të Ministrisë së Drejtësisë, në total Shqipëria, ka në dizpozicion 266 ekspertë të liçensuar për ekspertiza nga më të ndryshme.

Në dhjetëra raste aksidentesh, ekspertët auto-teknikë kanë nxjerë viktimën me faj, duke dhënë konkluzione të gabuara tek gjykata, e cila detyrimisht bazohet në këto përfundime, gjatë dhënies së vendimit të saj.

Nëse shohim me vëmëndje këtë video ekskluzive të një aksidenti të ndodhur në korrik të vitit 2016 në kryqëzimin e fshatit Mashkullorë në Gjirokastër, dallohet dhe kuptohet fare qartë se kush nga drejtuesit e mjeteve është fajtori.

Nga aksidenti ku u përfshinë dy makina “Benz-Mercedes” dhe “Nissan”, humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një grua. Ndërsa mbetën të plagosur 7 persona.

Për këtë ngjarje prokuroria e Gjirokastrës procedoi dhe mori të pandehur drejtuesin e automjetit Benz-Mercedes, Hasan Dedaj, si shkaktarin e aksidentit, i cili gjatë gjykimin në shkallë të parë u dënua me 6 vite burgim për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërsa në Gjykatën e Apelit Gjirokastër sipas dokumentacionit, Hasan Dedaj, ka dalë i pafajshëm dhe shkak për pafajësinë e tij kanë qënë ekspertët autoteknikë, të cilët kanë nxjerë fajtor në këtë aksident, drejtuesin e mjetit “Nissan” dhe jo Hasan Dedaj që del nga rruga dhe kryen manovra të rrezikshme.

Për këtë ngjarje në gusht 2018, shtatë ekspertë autoteknikë janë proceduar nga prokuroria e Gjirokastrës, e cila në atë periudhë i kërkoi gjykatës ndalimin e ushtrimit të detyrës për një periudhë 3 mujore.

Praktika e përditshme tregon se gjykatat shqiptare pranojnë, që ekspertizat e aksidenteve të kryhen nga ekspertë auto-teknikë, që jo vetëm nuk janë të rregjistruar si të liçensuar nga Ministria e Drejtësisë, por dhe s’kanë certifikimet e duhura në këtë fushë.

Në dokumentat që kemi siguruar tregohet se si Edmond Komino, një pronar autoshkolle në Gjirokastër, ushtron funksionin edhe të ekspertit në aksidentet rrugore.

“…nga verifikimi në rregjistrin elektronik të ekspertëve pranë Ministrisë së Drejtësisë, nuk rezulton të jetë rregjistruar ansjë ekspert me emrin Edmond Komino, në fushën e ekspertit autoteknik…”-thuhet në dokument.

Kamino, megjithëse prej 1 marsit 1991 është i rregjistruar në Qendrën e Biznesit me subjektin “KAMINO” si autoshkollë dhe ekspert autoteknik, ai rezulton të mos ketë licencë me emërtim “Ekspert Autoteknik”.

“…është një shkelje flagrante e Kodit të Procedurës. Si mundet që një instruktor autoshkolle, i pa licensuar nga Ministria e Drejtësisë, të mari përsipër të realizojë ekspertime autoteknike. Kodi i Procedurës në një dispozitë, është i paqartë dhe lë vend për abuzim qoftë nga gjyqtari dhe prokurori. Kjo pasi parashikon ekspertizë në fusha të veçanta, për të cilat ligji nuk parashikon licencimin e ekspertëve…”-shprehet avokati Arben Llangozi.

Faksimile e përgjigjes së dërguar nga Ministria e Drejtësisë, ku saktësohet se Edmond Komino, nuk është i licencuar si ekspert autoteknik

Sipas tij, nëse ligji lë vend për interpretim, kjo nuk do të thotë që të meret një instruktor autoshkolle, për të realizuar një ekspertizë.

“…me këtë llogjikë, i bie të marim për të na dhënë një ekspertizë autoteknike dhe një karrocier…”-u shpreh avokati Llangozi.

Një ndër ekspertët e njohur autoteknikë Artur Sulçe, tha se shumë ekspertime ligjore kryhen nga individë që janë ekspertë duke pasur vetëm njohuri minimale, që kanë mbaruar një shkollë mekanike dhe kaq.

Ndërsa juristja dhe pedagogia Enida Bozheku, tha se janë disa lloje çështje si civile dhe penale që gjykohen me sistemin trilateral.

“…kemi procese gjyqësore në Shqipëri që palët janë kompakte në një sistem trilateral, “Gjyqtar, ekspert dhe avokat” ose “Gjyqtar, ekspert dhe prokuror….Janë të njëjtët njerëz që zhvillojnë çdo proces gjyqësor të së njëjtës natyrë dhe pa dyshim që rezultati në fund, paracaktohet që në fillim”- thotë Bozheku.

Sipas Bozhekut, përzgjedhja e ekpertëve ligjorë jashtë çdo kriteri siç e kërkon Kodi i Procedurës, ka qenë shkaku kryesor që Shqipëria, ka humbur, çdo gjyq për pronat në gjykatën e Strasburgut.

Për më tepër avokatja thotë se caktimi i një eksperti sipas rregullave ligjore kërkon kohë dhe shtyrje seancash të një pasnjëshme, ç’ka sjell dhe vonesa në gjykim.

Prokurori Xhelian Seferi, tha se njohuritë posaçme, që janë shkollimi bazë dhe çertifikimet, mjaftojnë nga ana ligjore për të caktuar një ekspert të fushës, me qëllim kryerjen e një ekspertimi ligjor.

Hetime të mbetura rrugës

Për shkak të dhënies së konkluzioneve të gabuara para gjykatës duke sjellë lirimin e personave të arrestuar për vepra të ndryshme penale, në jo pak raste prokuroria ka nisur hetime kundër ekspertëve ligjorë.

Neni 309, i Kodit Penal që flet për “Ekspertimin e rremë”, hyn tek kategoritë e veprave penale që kryhen kundër Drejtësisë.

Prokuroria e Tiranës është ajo që mban numrin më të lartë të procedimeve, ku gjatë vitit 2020 ka rregjistruar 14 dosje, ku 7 nga çështjet hetimore me objekt “Ekspertim i rremë”, janë çuar në gjykatë për pushim.

Më tej vijojnë me një numër relativisht të ulët me 2 apo deri në 4 procedime penale, prokuroritë si Korça, Elbasani, Shkodra, Berati. Ndërsa pjesa më e madhe e prokurorive të vendit nuk ka asnjë dosje të rregjistruar për akuzën e “Ekspertimin e remë”.

Vetëm në vitin 2019, rezulton se prokuroria Shqiptare ka rregjistruar 26 procedime në total për veprën penale të “Ekspertimit të rremë”, ku nga këto vetëm 2 dosje me tre ekspertë, janë dërguar në gjykatë si të pandehur dhe rezultojnë të dënuar.

Prokurori i Elbasanit, Xhelian Seferi është një nga njerëzit që ka çuar në gjyq si të pandehur disa ekspertë ligjorë, të cilët më pas janë dënuar nga gjykata.

“…unë kam ndjekur hetimin e rastit të ekspertit mjeko-ligjor të Elbasanit, Altin Kenuti. Mjekun e kam marrë të pandehur për 4 ekspertime të rreme, ku në dy raste është dhënë pafajësi dhe në dy të tjera është provuar akuza në gjykatë, dhe eksperti mjeko-ligjor u dënua me 1 milion lekë të vjetra gjobë nga 2 vite burg që kërkova unë në dhënien e pretencës…”-tregoi prokurori.

Eksperti mjeko-ligjor i Elbasanit kishte dalë në konkluzionin se dy persona ishin plagosur lehtë, ndërkohë plagët dhe dëmtimet në trupin e tyre, dukshëm ishin shumë të rënda, sa që disa ditë me vonë sollën vdekjen e të dëmtuarve në spital.

“…çudia më e madhe është se pas dënimit të ekspertit Altin Kenuti nga gjykata, ai qëndroi për një periudhë 1 vjeçare pa punë dhe tashmë sërisht është eskperti mjeko-ligjor i Elbasanit…”-thotë prokurori Seferi.

Artur Sulçe, një ndër ekspertët e vjetër në Shqipëri thotë se reforma në drejtësi që u krye në Shqipëri, preku të gjitha hallkat e drejtësisë, por çuditërisht reformimin e sistemit të ekspertëve e la në hije, pa i kushtuar një vëmëndje.

“…ka ardhur koha që sistemi i ekspertëve të reformohet. Çdo ekspert i të gjitha fushave të veçanta, duhet t’i nënshtrohet provimit mbi kapacitetin e njohurive, vettingut mbi pastërtinë penale dhe licensimit të tyre…”-thotë Artur Sulçe.