Trajtimi i mbetjeve të rrezikshme, një histori paligjshmërie dhe informaliteti

Me 20 mijë tonë mbetje të rrezikshme që prodhon çdo vit, vendi ynë nuk ka ende as strategji dhe as kapacitete për trajtimin e tyre. Ato “dergjen” të lira në natyrë, duke u kthyer në një bombë ekologjike. Në këtë situatë ekspertët e kanë të pamundur të matin deri ku i kanë shtrirë efektet mbetjet e rrezikshme, që iu shtohen mijëra tonelatave me mbetje të trashëguara nga industria e rëndë e monizmit.

Autorë: Klaudja Karabolli, Julian Hoxhaj, Enriko Gabaj dhe Entela Mema

Vetëm 8 km larg qendrës së Elbasanit ndodhet Balëza e Poshtme, me rreth 1200 banorë. Në zemër të këtij fshati ndodhet e vetmja qendër në rang vendi ku grumbullohen dhe trajtohen kimikatet e rrezikshme. Në heshtje të plotë, ish-magazina e ndërmarrjes së furnizimit të industrisë së minierave që prej vitit 2015 u kthye në “strehën” e mbetjeve të rrezikshme kimike dhe reagjentëve të laboratorëve të ish-ndërmarrjeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Banorët janë në errësirë të plotë se për çfarë shërbejnë këto magazina, ndërkohë ekspertët ngrenë alarmin se kjo qendër mund të kthehet në një bombë të vërtetë ekologjike, jo vetëm për zonën.

 

“Problemi është se kjo qendër vetëm strehon dhe grumbullon mbetje të rrezikshme dhe nuk i përpunon ato. Nuk ka kushte optimale për ruajtjen e tyre dhe një gabim i vogël mund të çojë në katastrofë mjedisore, duke ndotur, jo vetëm ajrin, por edhe tokën, ujërat nëntokësorë e sipërfaqësorë”, – shpjegon për Investigative Network Albania Ahmet Ahmeti, ekspert mjedisi në Elbasan. Qytetarët e zonës, të cilët nuk pranuan të identifikohen, nuk ishin të informuar për aktivitetin e qendrës ku gjenden tonelata mbetjesh kimike me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e tyre.

“Nuk kemi frikë nga vendgrumbullimi në Balëz, sepse ato helme kanë 50 vite që rrinë aty”, shprehet 60-vjecari B. A., që nxiton t’iu shmanget gazetarëve. Ai jeton 100 metra pranë zonës ku ndodhet qendra e grumbullimit të kimikateve në Balëz.

 

Mbetjet kimike dhe reagjentët që dërgohen në qendrën e Balëzës, janë jashtë përdorimit, për rrjedhojë pretendohet se mund t`i kenë reduktuar vetitë e tyre fizike, kimike dhe toksike. Qëllimi i grumbullimit të tyre është eliminimi i premisave për ndotje të mjedisit dhe të njerëzve në ato ndërmarrje, të cilat kanë dalë nga funksioni ose janë në likuidim.Ruzhdi Pisha, drejtori i qendrës së Balëzës, iu shmang disa herë kërkesës së Investigative Network Albania për të shpjeguar situatën.

 

“Mbetjet e rrezikshme në Shqipëri kanë mundur të kontaminojnë në mënyrë konstante të gjitha elementet biofizike të territorit ku janë depozituar: ujërat sipërfaqësorë, nëntokësorë, tokën vetë, si edhe çlirimet e komponentëve kimikë në ajër”, – thotë për Investigative Network Albania Rodion Gjoka, ekspert mjedisi.

Mbetjet e rrezikshme rehabilitohen në “letër”

 

Zyrtarisht Shqipëria nuk ka infrastrukturë për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme, madje asnjë hartë të saktë të shpërndarjes në territor. Ky fakt pranohet edhe nga qeveria në Dokumentin e Politikave Strategjike dhe Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020-2035, i botuar në Fletoren Zyrtare, më 27 maj 2020.

“Për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri nuk ekziston infrastruktura bazë. Për më tepër nuk ekzistojnë të dhëna mbi sasinë dhe rrymat e mbetjeve. Vendet për ndërtimin e objekteve për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme apo të qendrave pritëse nuk janë përcaktuar ende në asnjë rajon apo qytet të vendit”, thuhet në dokumentin strategjik.

Ekspertët japin alarmin se në mungesë të impianteve trajtuese këto mbetje shpesh përfundojnë në vend-depozitime të hapura, ku përzihen me mbetje urbane, depozitohen në galeri të braktisura minierash, groposen e në disa raste madje edhe digjen pa asnjë kriter a kontroll.

“Situata është në kufijtë e emergjencës. I takon ISHP-së dhe AKM-së që të vlerësojnë riskun potencial nga ky sektor e të ndërhyhet me masa konkrete”, – sugjeron Rodion Gjoka.

Në një komunikim zyrtar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë mësuam se dy landfillet e vetme të trajtimit të mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri (landfilli i arsenikut dhe zhivës), nuk janë aktive prej vitesh.

Ekspertët thonë se, nga 20 000 tonë mbetje të rrezikshme që krijohen çdo vit, rreth 400 tonë janë mbetje kimikatesh, 14 000 tonë mbetje nga pajisjet elektrike dhe elektronike, 2 000 tonë mbetje nga kafshët, 2 400 tonë vajra të përdorur, 480 tonë bateri dhe akumulatorë dhe më shumë se 600 tonë, mbetje spitalore.

Seit Shallari, drejtues i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thotë se situata me mbetjet është në një pikë kritike.

“Nuk ka vende të posaçme ose landfille për depozitimin e tyre. Vetëm pak kompani ofrojnë shërbimin e grumbullimit të një pjese të mbetjeve të rrezikshme, goma të përdorura, bateri, vajra të përdorura etj. Gjithashtu, vetëm një kompani ofron mundësinë e eksportit të mbetjeve të rrezikshme jashtë Shqipërisë, për t’u trajtuar apo asgjësuar në vendet e tjera”, – shpjegon Shallari.

Institucionet nuk disponojnë të dhëna të sakta se si trajtohen mbetjet e industrive dhe për këtë ekspertët propozojnë auditim të kompanive nga ekspertë të pavarur. Lulzim Bauman, ekspert i mjedisit për çështjet e incenerimit, shikon një zinxhir të tërë që nuk funksionon.

“Mbetjet e rrezikshme dalin nga shtëpitë tona, pasi nuk ndahen që në fillim. Ka depozitime ilegale të mbetjeve spitalore edhe në brigjet e lumenjve. Inceneratorët janë ndërtuar për mbetje urbane, jo për mbetje të rrezikshme”, – shprehet eksperti.

Përpunimi i të dhënave zyrtare nga VKM për Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020-2035


Ministria përplaset me koncesionarin për mbetjet e rrezikshme

Kompania Integrated Energy BV SPB sh.p.k., e cila po ndërton dhe menaxhon inceneratorin në landfillin e mbetjeve në Sharrë, ka kërkuar që të menaxhojë edhe mbetjet e rrezikshme, madje ka nisur punën për krijimin e infrastrukturës, që do të bënte të mundur përpunimin e kësaj kategorie mbetjesh.

Mirëpo përkundër dëshirës së Integrated Energy BV SPB sh.p.k., ministria ka refuzuar ta pajisë me leje mjedisi këtë kompani, duke argumentuar se projekti për “landfillin e mbetjeve të rrezikshme, jo-radiokative” nuk është pjesë e Kontratës së Koncesionit”.

Investigative Network Albania siguroi dokumentin ekskluziv të refuzimit që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka bërë ndaj kompanisë Integrated Energy BV SPB sh.p.k.

Ekspertët e mjedisit detajojnë më tej se “nuk është përcaktuar sasia e mbetjeve sipas llojit, lloji i tyre, mënyra e kapsulimit dhe depozitimit në landfill”, ndërsa i kujton koncesionarit se “dëgjesa publike është realizuar vetëm për mbetjet e urbane dhe jo mbetje të rrezikshme”.

E pakënaqur nga refuzimi i lejes për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme, koncesionari i landfillit të Sharrës nisi një betejë ligjore. Më 23 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Administrative vendosi ta shfuqizojë vendimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke i urdhëruar këto institucione të pajisnin me Deklaratë Mjedisore për ndërtimin e landfillit të mbetjeve të rrezikshme kompaninë Integrated Energy BV SPV sh.p.k.

Ky vendim është ankimuar nga Ministria e Mjedisit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila i sqaron Investigative Network Albania se “tashmë është në pritje që të merret një vendim i formës së prerë”.

Referuar INSTAT-it, sasia e mbetjeve të rrezikshme që trajtohen, jo vetëm është e papërfillshme, por edhe ka pësuar një rënie drastike. Në vitin 2013 në Shqipëri janë trajtuar 1.1% e mbetjeve të rrezikshme jospitalore, ndërsa në vitin 2019 kjo shifër ka shkuar në 0.1%, duke shënuar një rënie me dhjetë herë më pak.

“Qartësisht, as ligji për menaxhimin e mbetjeve, as strategjia e plani kombëtar me futjen e inceneratorëve nuk po i japin zgjidhje situatës së mbetjeve në Shqipëri prej 3 dekadash”, – shprehet skeptik Rodion Gjoka.

Të dhënat e INSTAT-it

Investigative Network Albania kontaktoi me përfaqësuesit e Integrated Energy BV SPV për të kuptuar planet dhe kapacitetet e kësaj kompanie në lidhje me trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

 “Ky landfill i jep zgjidhje vetëm një pjese/kategorie të mbetjeve të rrezikshme, që gjenerohen kryesisht nga aktivitete industriale, të cilat, referuar legjislacionit në fuqi, mund të depozitohen në landfill, pasi ka kategori/tipologji të mbetjeve të rrezikshme, të cilat nuk mund të depozitohen në landfill, por kërkojnë teknologji të posaçme për t`u asgjësuar”, – sqaron shoqëria Integrated Energy BV SPV.

Refuzimi i Deklaratës Mjedisore

Landfillet sanitare punojnë me gjysmën e kapacitetit

Në bazë të direktivës së BE-së, në vend janë krijuar disa landfille sanitare. Paradoksalisht, ndërsa Shqipëria noton në mbeturina, këto landfille po shkojnë drejt “kolapsit”, pasi punojnë me gjysmën e kapacitetit për shkak të kostos së lartë.

Në rajonin e Shkodrës, vend-depozitimi sanitar i Bushatit u projektua për një kapacitet prej 1 milion tonësh mbetje, që do të grumbulloheshin nga qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Puna ka nisur në vitin 2011 dhe aktualisht ky vend-depozitimi përmban vetëm shtypjen, sheshimin dhe deri diku mbulimin me dhé të mbetjeve. Për shkak të distancave të mëdha të udhëtimit të kamionëve të grumbullimit është propozuar ndërtimi i stacioneve të transferimit për ta bërë më efektiv nga pikëpamja e kostos transferimin e mbetjeve për në vend-depozitimin rajonal.

Në rajonin e Vlorës janë ndërtuar në vitin 2014 dhe në vitin 2015 vend-depozitimi sanitar në Bajkaj dhe stacioni i transferimit në Himarë, si një element i Projektit të Integruar të Zonës Bregdetare (financuar nga Banka Botërore). Sasitë e mbetjeve që priten aktualisht në vend-depozitim, janë më pak se gjysma e sasive të planifikuara fillimisht, për këtë arsye kostot për njësi janë më të larta nga sa pritej edhe nga financimi i aktivitetit.

Në qarkun e Tiranës aktualisht bashkitë po përdorin tri vend-depozitime të ndryshme, nga të cilat dy ndodhen brenda qarkut të Tiranës, përkatësisht vend-depozitimi sanitar i Sharrës (që iu shërben bashkive Tiranë dhe Vorë) dhe vendgrumbullimi i Kamzës (që i shërben Bashkisë Kamëz). Bashkitë e Kavajës dhe Rrogozhinës i çojnë mbetjet e grumbulluara në një vendgrumbullim në Durrës. Kështu, përveçse në bashkitë e Tiranës dhe Vorës, mbetjet e grumbulluara depozitohen në vendgrumbullime, ku nuk janë marrë masa për mbrojtjen mjedisore.

Impiantet ekzistuese dhe të Planifikuara Rajonale të Asgjësimit dhe Trajtimit

Harta nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile që pasqyron hotspotet

Ministria, 12 vite pa zgjidhje për mbetjet

Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi një dokument strategjik në vitin 2018 (Plani Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta), duke i ngarkuar përgjegjësi direkte Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për hartimin e politikave për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Investigative Network Albania pyeti ministrinë për projektin e fundit dhe në përgjigjen zyrtare të kësaj ministrie na informuan se është kryer një studim i vitit 2009, ku janë identifikuar 10 pikat më të nxehta mjedisore dhe kostot financiare për rehabilitimin e tyre. Projekti u finalizua vetëm me krijimin e një faqeje online, e cila me kalimin e viteve humbi funksionin dhe të dhënat nuk u ruajtën.

“Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve në atë kohë ka përfituar faqen online, ku janë specifikuar këto hotspote me disa të dhëna bazë. Faqja online nuk hapet më. www.hotspots.aefalbania.org”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Bashkitë, mes rrezikut dhe pamundësisë për zgjidhje

Për ekspertët 6 vjet pas implementimit të reformës territoriale, koha provoi që bashkitë dështuan në përmbushjen e funksionit të tyre në menaxhimin e mbetjeve të ngurta, urbane.

“Në gjendjen që ndodhet Shqipëria, trajtimi i mbetjeve të rrezikshme është një sfidë e madhe, sidomos po t’i referohemi situatës me mbetjet e ngurta, urbane, të cilat janë shndërruar në një problem madhor në të gjithë territorin”, – thotë Olsi Nika, aktivist në çështjet mjedisore.

Bashkia e Tiranës në raportin e saj të Vlerësimit Strategjik Mjedisor ka identifikuar të paktën 12 hotspote, të cilat ndodhen kryesisht brenda qytetit dhe në disa prej tyre qytetarët kanë ndërtuar ose përdoren si ambiente tregtimi.

Referuar këtij vlerësimi, 12 hotspotet e Tiranës janë: vend-depozitimi i vjetër i mbetjeve në Sharrë, Alba Film (ish-Kinostudio), ish-Ndërrmarrja Kimike, ish-Ndërmarrja e Peliçerisë/ regjje lëkure, ish-Pularia, thertorja pranë ish-Kombinatit të Mishit, Uzina Dajti, Ndërmarrja e rigjenerimit të vajit të transformatorëve, Reparti i ngjyrosjes pranë ish-Kombinatit të Tekstileve, Reparti i përpunimit termik pranë ish-Uzinës së Autotraktorëve dhe ish-Uzina e Baterive/ Akumulatorëve.

Gazetarët e INA Media-s e panë nga afër situatën tek ish-Uzina e Autotraktorëve. Ky hotspot cilësohet i rrezikshëm, pasi ka shërbyer si zonë industriale.

E braktisur që prej gati 3 dekadash, dyert e ish-uzinës qëndrojnë të hapura dhe pa kurrfarë sigurie.

Ndonëse ekspertët thonë se ndotja vazhdon të jetë e madhe në zonën përreth, nuk ka të dhëna dhe analiza se çfarë ndodh me bimësinë dhe ujin, madje asnjë rekomandim se sa larg duhet të jenë banesat e qytetarëve.

Ish-Uzina e Autotraktorëve

 

Ndërkohë, në raportin e saj të VSM-së, Bashkia e Tiranës shprehet se nuk ka informacion se në

ç`gjendje janë këto hotspote, duke i vendosur si prioritet të studimeve për të ardhmen. E njëjta situatë është dhe në bashki të tjera të vendit, ku në planet e tyre të vlerësimit mjedisor thuhet se, “këto bashki nuk kanë plan për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme”.

Jetesë në zona të nxehta mjedisore

 

Menaxhimi jo i duhur në të shkuarën i mbetjeve të rrezikshme nga industria e metalurgjisë, kimike apo nga ajo minerare ka shkaktuar një impakt të madh në mjedis. Vajrat e përdorura, mbetjet e rrezikshme spitalore, akumulatorët dhe bateritë e rrisin “barrën” që këto mbetje të rrezikshme po i shkaktojnë mjedisit dhe potencialisht shëndetit të njerëzve.

Rreth 50 familje që jetojnë në zonën e ish-uzinës së sodës, PVC, në qytetin e Vlorës, janë të rrezikuara.

“Pasojat e uzinës ndihen akoma. Kanë ngelur vetëm rrënoja, godina të vjetruara dhe një numër i ulët familjesh që banojnë ende këtu. Infrastruktura zero, rruga copë-copë, ndriçim s`ka, jemi lënë në harresë”, – ankohet Avdul Malaj, banor tek ish-PVC-ja në Vlorë.

Hodo Kabello, mjek (tashmë i dalë në pension), që ka punuar më gjatë me banorë të zonës, thotë se territori ende bën pjesë në një zonë me ndotje të nivelit të lartë.

“Më tepër çrregullime te banorët e kësaj zonë vihen re me fillimin e sezonit pranveror, ku nxiten fenomene spastike dhe sëmundje dermatike, por ka edhe ankesa të tjera, të ndryshme”,tregon mjeku.

Mbetjet e merkurit, zhivës dhe të pesticideve të tjera, me të cilat punonte uzina thuajse tri dekada më parë, janë përhapur kudo dhe janë të pranishme në gërmadhat e ish-uzinës.

“Uzina është shkaku kryesor që kjo lagje është braktisur masivisht. Banorët u ngritën në protesta të shumta, pasi, të jetosh në këtë zonë, është e vështirë. Ndotje ngado, rrezik nga zhiva, ndërtesat gati të shembura”, – shprehet për Investigative Network Albania Sazan Hoxha, një ndër banorët e paktë, të mbetur në këtë zonë.

Ata që merren me monitorimin e situatës, shprehen se rreziku është akut, sidomos për shëndetin publik, por edhe në raport me kontaminimin e burimeve natyrore.

“Rreziku më akut paraqitet në kontaminimin e ujërave. Pjesa më e madhe e lumenjve në Shqipëri janë tepër të ndotur, e përçojnë më pas tek akuiferet, prej të cilëve furnizohemi me ujë të pijshëm, te rezervuarët, me të cilët vaditen tokat bujqësore. Kështu, kjo ndotje kalon në zinxhirin ushqimor që ne konsumojmë dhe rrjedhimisht rrit riskun e sëmundshmërisë te popullata”, – sqaron Rodion Gjoka, i angazhuar në disa projekte për monitorimin e mjedisit.

Situata e rëndë pranohet edhe nga ministria, por ajo nuk ka një zgjidhje.

“Një problem i konstatuar në vite është zënia e paligjshme e ish-godinave tek Uzina e Sodës Kaustike, Vlorë nga njerëz në nevojë. Këto ambiente janë të kontaminuara me merkur. Deri tani nuk është zgjidhur për shkak të gjendjes ekonomike të banorëve”, – thuhet në përgjigjen e MIE.

Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, thotë se problemet që mund të vijnë nga mbetjet e rrezikshme, mund të jenë fatale për njeriun.

“Këto lloje mbetjesh shkaktojnë kancer, keqformime gjenetike, dëmtime të organeve të riprodhimit, defekte në lindje, dëmtime të organeve të brendshme deri në insuficiencë, kryesisht të veshkave, mëlçisë etj.”, – sqaron mjeku Dasho.

Zgjidhja, e vështirë

 

Ekspertët sugjerojnë se së pari duhet të bëhet identifikimi dhe vlerësimi i saktë i mbetjeve të rrezikshme sipas direktivave të Bashkimit Europian. Lulzim Bauman propozon që në Shqipëri të trajtohen veç mbetjet e riciklueshme, ndërkohë pjesa tjetër të dërgohet jashtë për asgjësim.

“Mbetjet që nuk riciklohen në Shqipëri, duhet të eksportohen jashtë. Në rastin e Shqipërisë do të jetë e pamundur dhe është pa interes që të ndërtohen impiante incenerimi për mbetjet e rrezikshme, të mëdha. Zgjidhja më e mirë është që të eksportohen njëherë në vit”, – shprehet Bauman.

Për Seit Shallarin, drejtues i Departamentit të Mjedisit dhe Burimeve Natyrore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ngërçi qëndron te kostoja e lartë dhe teknologjia e përdorur.

“Asgjësimi i mbetjeve të rrezikshme me incenerim ka një kosto nga 800-1000 euro/ton.

Po ashtu, vetëm një kompani ofron mundësinë e eksportit të mbetjeve të rrezikshme jashtë Shqipërisë, për t’u trajtuar apo asgjësuar në vendet e tjera, por shumë pak kompani kanë kontrata shërbimi për shkak të kostos së lartë”, – shpjegon Shallari.

Ekspertët e konsiderojnë të rëndësishëm pasqyrimin e të dhënave për situatën reale të mbetjeve të rrezikshme në terren, si një mundësi për ta bërë punën si duhet.

“Ka mungesë raportimi të të dhënave të plota dhe të sakta nga prodhuesit, importuesit, bashkitë apo operatorët e tjerë që gjenerojnë mbetje gjatë aktivitetit të tyre, kjo sepse shpesh ka një paqartësi rolesh midis institucioneve”, – shprehet Tea Zeqaj, eksperte mjedisi.

Aktivisti Olsi Nika, prej vitesh i angazhuar në çështjet mjedisore, e sheh të vështirë zgjidhjen e situatës me mbetjet e rrezikshme, por jo të pamundur.

“Për një vend të vogël si Shqipëria menaxhimi mund të kryhet më së miri nga një agjenci e specializuar dhe e dedikuar në menaxhimin e mbetjeve”, – sugjeron ai.