Nafta pa akcizë, përse nuk e morën fermerët karburantin pa taksa?

Autor: Rudina MUÇA – Qendra Alert

Në konferencën për shtyp të 13 tetorit të 2020, kryeministri i vendit do të lajmëronte se nga 2021 fermerët do të përfitonin naftën për punimin e tokës pa akcizë, pa taksën e qarkullimit dhe pa taksën e karbonit. Për realizmin e skëmës së mbetejesh së naftës për fermerëtqeveria akordoi një fond prej 10 milionë dollarësh.

Gjithashtu, kryeministri do të pretendonte se, 70 mijë fermerë që disponojnë një NIPT do të jenë potencial për të përfituar nga regjimi i ri për të përfituar karburantin falas për punimin e tokës. Kjo nismë u përshëndet nga fermerët të cilët në çdo protestë të tyre kërkonin uljen e cmimit të naftës. Nga ana tjetër naftën e zhveshur nga taksat nuk e përfituan të gjithë fermërët. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në mesin e fermërëve bëri diferencime. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, "Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të skemës së mbështetjes me naftë për bujqësinë" naftën pa taksa patën të drejtë ta përfitonin vetëm fermerët që plugonin tokën.

Udhëzimi i Ministrise se Bujqesise

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, thirrjen për të përfituar naftën pa taksa  e çeli më 15 janari,  sipas njofotimit zyrtare afati i fundit ishte deri më 25 shkurt. Po çfarë ndodhi?

Thirrjes së parë për të përfituar naftë pa taksa iu përgjigjën 15 mijë fermerë. Numri i ulët i aplikimeve si dhe shtimi i interesit, sipas Ministrisë së Bujqësisë, bëri që ky institucion të shtrijë fillimisht afatin deri më 30 mars për të përfituar naftë pa akcizë. Ky proces sipas Ministrisë së Bujqësisë ka për qellim uljen e kostove të prodhimit bujqësor si dhe formizimin e sektorit të bujqësisë. Për këtë arsye kriteri kyç për të përfituar naftën pa taksa ishte pajisja e fermerit me NIPT. Si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit, këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l.

Gazetarët Investigativ të Qendrës ALERT intervistuan fermerin nga Lushnja Besnik Qerreti. Në një hektarë sera Besiku kultivon perime të ndryshme si speca, kastravec dhe domate.  Ai thotë se, iu përgjigj thirrjës së Ministrisë së Bujqësisë për të përfituar naftë me taksa zero. Sipas Besnikut, skema e naftës nuk e ndihmon aspak fermerin shqiptar. Formula e përfitmit të naftës pa akcizë, nuk ul kosot  prodhimit.

"Unë aplikova për të përfituar naftën pa taksa. Kjo është qesharake. Unë kam 1 hektar serë dhe ministria më njeh 5 litra për dynym,ndërkohë që unë e plugoj tre herë në vit. Sezoni parë është ky që e mbjell, sezoni dytë është kur e djeg serën, kjo ndodh në qeshor ose maj. Pra, kërkon me patjetër plugim. Ndërsa sezoni i tretë është në muajin shtator që kërkon përsëri plugim. Unë serën, minimumi e plugoj tri herë ne vit. Një hektar i thonë 50 litra çmimi i naftës është 130-149 Lekë për litër, ministria do të japë gjysmin e çmimit. Atëherë unë do të mar 50 litra naftë që kap vlerën e 70-75 mijë lekëve të vjetra dhe gjysma e kësaj shumë i bie 37-38 mijë lek të vjetra. Kjo nuk është ndihmë për fermerin", tha Besnik Qerreti nga Lushnja.

Besnik Qerreti

Sasia e naftës që përfiton aplikanti varet nga sipërfaqja e tokës të deklaruar dhe kultura bujqësore që ai ka mbjellë.  Së pari, ministria e bujqësisë llogariti sasinë e naftës falas për te gjithë ata fermerë që kanë deklaruar toke bujqësore deri në 10 hektar. Më pas, sipas udhëzimit u llogarit sa ka ngelur nga fondi limit i naftës dhe për të gjithë ata që kanë më shumë se 10 hektar, për pjesën mbi 10 hektar, shërbehen me sasinë e korrektuar te naftës sipas koeficientit.

Sasia e naftës së zhveshur nga taksat sipas kësaj skeme varion 56 litër për hektar deri 106 litër për hektar. Nafta pa taksë u shpërnda për fermerët që kanë kultivuara në arat e tyre një nga kulturat bujqësore që ishte e përfshirë në këtë politikë.

Konkretisht sipas tabelës për 1 hektar tokë të mbjellë me misër dhe fasule, që përfshihet te grupi “Bimë arash” do të shpërndahet 106 litra naftë falas për hektar. Për të gjitha llojet e frutave, agrumeve dhe vreshtave pjesë e grupit të dytë “Dru frutore” për aplikimet e pranuara do të shpërndahet 90 litra për hektar falas, ndërsa për të mbjellat me mollë 106 litra për hektar.

Sipas normativi të publikuar nga Ministria e Bujqësisë janë 3 grupe kulturash bujqësore që rimbursohen nga skema dhe 11 nëngrupe. Për perimet e fushës që kultivohen në sezonin e parë të mbjelljes, duke përfshirë të gjitha llojet e perimeve, si edhe shalqi, pjepër, luleshtrydhe normativa e llogaritur e naftës për t’u shpërndarë është 84 litra për hektar. Fermerët që kultivojnë perime sere për sezonin e parë të mbjelljeve u mbështeten me 95 litra naftë për hektar dhe perimet e mbjella në sezonin e dytë do të mbështeten me 78 litra naftë për hektar.

Normativa e karburantit

Në këtë listë kuptojmë që jo të gjithë fermerët kanë të drejtë të përfitojnë naftën pa akcizë. Së pari në këtë listë nuk janë përfshirë ullishta, kullota, bimë dekorative si dhe bletërritësit. Ministria e Bujqësisë ka bërë dallime mes fermerëve edhe pse këta luajn një rol të rëndësishëm në bujqësinë vendase.  Rifan Basha, prej 30 vitesh është bletar.Ai thotë se në sistemin RUD ka regjistruar 550 koshere me bletë, ndërkohë që numri real në terren është më i madh se kaq. Rifani ka 7 parqe bletesh në vende të ndryshe si: Korçë, Pogradec, Librazhd dhe Elbasan. Parqet e bletave ndodhen në fshatrat e thella të këtyre qyteteve, për të bërë shërbimn e bletës si shtegtimin, vjeljen, apo dhe kurimin e tyre nevojiten automjet i tipit kamionçinë. Të gjitha këto lëvijze bëhen me naften me taksa.

"Kam 30 vjet që merem me bletë. Skema e re e naftës m'u duk si një dritë jeshile. Në kohën e shtegtimit të bletëve nga fshatrat e Elbasanit drejt zonave të thella e Librazhdit një lëvizje me kamionçinë mua më kushton 50 mijë lekë naftë. Imagjino që kamionçina merr vetëm 40 koshere me bletë. Minimumi një park bletësh ka 80 koshëre. Kështu që, unë detyrohem që ta bëj dhjetra herë rrugën e shtegtimit. Përjashtimi i bletarëve nga skema e naftës nuk u komentua nga ministria. Një gjë e tillë do ta detyrojë bletarin të rrisë çmimin e produkteve të bletës", tha Rifan Basha.

Rifan Basha

 

Nëse i referohemi të dhënave zyrtare nga ministria e bujqësisë për të përfituar naftën me çmim të ulët aplikuan 20.561 fermerë, prej të cilëve 19,213 u shpallën fitues.

Sipas eskpertit të bujqësisë Ervin Resuli, kjo skemë nuk formalizoi bujqësinë vendase. Ai tha se, shtimi i numrit të NIPT-ave nuk u reflektua me rritjen e të punësuarve në bujqësi.

"Nëse i referohemi të dhënave zyrtare nga INSTAT gjatë periudhës së tre mujorit të parë të vitit 2021, numri i të punësuarve në bujqësie pësoi rënie. Megjithë se u shtuan 14 mijë NIPT-e, numri i fermerëve, pra i personave që merren më punët e bujqësisë nuk u rrit", theksoi Resuli.

Të dhëna INSTAT

Bujqësia, pylltaria dhe sektori makro i peshkimit janë një nga kontribuesit kryesorë ne ekonominë shqiptare, duke gjeneruar 18.6% të GDP. Sipas Resulit, nga skema e naftës përfituan vetëm 5.8 % e fermerë.

"Në vendin tonë, nga 47 mijë fermerë të regjistruar me NIPT, pas skemës mbështetës të naftës, numri i fermerëve të regjistruar arriti në 61 mijë fermerë. Afërsisht kjo skemë shpalli fitues 20 mijë fermerë, pra gati 30% e totalit të fermerëve të formalzuar. Dhe, vetëm 5.8% të totalit të fermerëve që ka regjistruar Ministria e Bujqësisë, që janë 350 mijë fermerë. Kjo skemë nuk rriti punësimin dhe as formalizoi fermerët. Kjo skemë u përdor për qellime politike" përfundoi eksperti i bujqësisë Ervin Resuli.

Fondi prej 10 milionë dollarësh nuk rriti konkurueshmërinë në rajon. Dhe, as uljen e çmimit të prodhimit bujqësor në treg. Shumë fermerë të mëdhenj në Shqipëri, për të plotësuar kërkesat e tregut, sipërfaqet e të mbjellave i kanë shtrirë në tokat që kanë marë me qira. Një kontratë noteriale qiraje fermerit, qiradhënësit i kushton 4 mijë lekë, kjo shumë është e barasvlefshme me çmimin e naftës pa akcizë që që i takon.