Kanioni i Bicajt kërcënohet nga ndërtimi i hidrocentralit të jashtëligjshëm

  • Shqip
  • English
  • Autor: Ola Mitre – ALL GREEN CENTER

     

    Skënder Hoxha, një banor i fshatit Bicaj në Njësinë Administrative me të njëjtin emër në Bashkinë e Kukësit, prej shumë vitesh ka zgjedhur bujqësisë dhe blegtorinë, për të siguruar jetesën për familjen e tij, si një nga pak alternativat që ofron zona ku ai banon. Në tokën e tij ai mbjell misër e grurë, por edhe jonxhë për të ushqyer bagëtitë. “Unë kam toka në Bushat, Bicaj, në gjithë këtë zonë deri në Nangë. Mbjellim grurë, misër, jonxhë për bagëtinë”,-thotë Skënderi për “EkoSkaner”. “Me to kemi mbajtur familjen gjithmonë. Dihet që Kukësi është ndër qytetet më të varfra dhe më bagëti dhe blegtori kemi krijuar jetesën”, -shton ai.

    Kanioni i Bicajt

    Megjithatë, mjetet e jetesës së familjes Hoxha vihen në rrezik, pasi uji i përroit të Shejës, që ata e përdorin për ujitje rrezikon të thahet nga ndërtimi i një hidrocentrali në rrjedhën e tij. Ngjashëm me Skënderin, edhe shumë familje të tjera e përdorin ujin e lumit për të ujitur tokat që kultivojnë, si dhe për të mbajtur në punë disa mullinj bloje, që janë të vetmit burime jetese për këto familje. “Fshati Bushat ka një sipërfaqe toke 80 ha që vaditet me këtë ujë. Unë për vete si person kam 2 dynym tokë. Ato i kam mbjellë jonxhë për blektori. E shtyjmë me varfëri të madhe”,-tregon Kadri Gjana, përfaqësues i kryepleqësisë së fshatit Bushat. Ndërsa Dylejman Onuzi, nga fshati Nangë, thotë se me këto toka janë ushqyer brez pas brezi. “S’ka asnjë mundësi tjetër. Mirë për vaditje, por jo na shërben edhe për higjienizim. E kemi të detyruar dimër e verë”,-thotë Onuzi. “Pastaj me këtë ujë mbajmë në punë edhe mullinjtë se janë 5 mullinj që bluajnë”,-shton ai.

    Administratori i Njësisë Administrative Bicaj, Ali Hoxha thotë se nga ndërtimi i këtij hidrocentrali preken fshatrat e Nangës, Bushatit, Canajt, Mustafajt dhe Bicajt, ku banojnë mijëra familje. “Janë me hektarë të tërë, pa llogaritur sesa familje mbeten pa ujë. Janë mbi 2000 familje, që s’kanë asnjë lloj të ardhure: vetëm me toka, me bujqësi, me këtë ujë”,-thotë Hoxha.

    Hec-i, në zonë të mbrojtur

    HEC “Palushi” mori miratimin paraprak nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në qershor të vitit 2018, ndërsa në mars të vitit 2019 Agjencia Kombëtare e Mjedisit miratoi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Hidrocentrali do të ketë një fuqi të instaluar prej 1012 KË, ndërkohë që përroi mbi të cilin ai po ndërtohet, përshkon Kanionin e Bicajt, që gëzon statusin “Monument Natyror”. Gjithashtu, ky kanion ndodhet brenda Parkut Natyror Korab-Koritnik, që është pjesë e rrjetit Emerald dhe Brezit të Gjelbër.

    Punimet për ndërtimin e HEC “Palushi” në Kanionin e Bicajt

    Sipas legjislacionit në fuqi, në zonat që gëzojnë statusin “Monument Natyror” zbatohet shkalla e mbrojtjes, e njëjtë me “Rezervën strikte” apo thënë ndryshe shkalla e parë e mbrojtjes, duke ndaluar të gjitha aktivitetet njerëzore që mund ta dëmtojnë. Në këto zona është e lejuar vetëm prania e vizitorëve, por pa mjete të motorizuara, në mënyrë që të ruhet cilësia e natyrës së egër. Por, pavarësisht kësaj, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtuara ka lejuar zhvillimin e këtij projekti hidroenergjetik, duke deklaruar se HEC-i ndodhet jashtë zonës së mbrojtur. Sipas dokumenteve që “EkoSkaner” disponon ky dikaster ka deklaruar se sipërfaqja ku do të zhvillohet aktiviteti i subjektit Palushi ndodhet 200 m larg Zonës së Mbrojtur Korab-Koritnik, ndërsa Kanioni i Bicajt nuk përmendet aspak. Por, punimet që kanë nisur në terren tregojnë se ato po kryhen brenda kanionit, duke nxjerrë në pah venddodhjen e saktë të zhvillimit të këtij projekti.

    Kompania Palushi, në përmbledhjen joteknike të projektit thotë se distanca e veprës së marrjes nga kufiri i zonës së mbrojtur është 184 m, që sipas saj është një distancë e konsiderueshme për të mos patur ndikime në zonën e mbrojtur nga zhvillimi i projektit. Ndërkohë që, ndryshe nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, zhvilluesi i projektit është i vetëdijshëm për praninë e Kanionit, por në dokumentet e paraqitur pohon se distanca më e afërt me këtë monument natyre është mbi 649 m në vijë ajrore.

    Punimet për ndërtimin e HEC “Palushi” në Kanionin e Bicajt

    Megjithatë, në terren duket se punimet e kompanisë janë përqëndruar në kanion, ku për shkak të ndërhyrjeve, edhe një ujëvarë që tërhiqte shumë turistë vendas e të huaj nuk është më.

    “2 vite përpara, kanioni ka patur edhe një ujëvarë, e cila ka qenë një pikë referimi për shumë turistë. Ajo tashmë nuk ekziston për shkak të ndërhyrjeve që janë bërë aty”,-tregon Naim Mehmetaj, guidë turistike në zonë dhe banor i fshatit Canaj. “Ajo zonë vazhdon të jetë zonë në ndërtim dhe aty nuk ka mbetur gjë tjetër, përveçse inerte, tuba. I është prishur komplet imazhi që i jep bukurinë atij peizazhi”,-shton më tej Naimi.

    I kontaktuar nga emisionin “EkoSkaner”, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej këmbënguli në të njëjtin qëndrim, duke thënë se hidrocentrali ndodhet jashtë zonës së mbrojtur.

    Vlerat e kanionit

    Vetë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në Studimin për Rivlerësimin e Sistemit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore në Shqipëri (1990-2019) i lartëson vlerat e Kanionit të Bicajt, duke e konsideruar monument natyror me vlera të mëdha shkencore, ekologjike dhe turistike. Ndërkohë që, edhe profesor Aleko Miho, nga departamenti i Biologjisë në Universitetin e Tiranës flet për vlerat e veçanta që ka ky Monument Natyre. “Kanioni në fjalë dhe kanione të tjerë, kam parasysh këtu Kanionin e Grykës së Çajës në Lapaj, që janë në radhë në zonën Kukës- Peshkopi, brenda zonës Natyrore Korab-Koritnik, janë të rralla nga ana gjeologjike”,-thotë prof. Miho. “Ajo që ne njohim si botanistë është se në to ka shumë bimë të rralla, që kanë gjetur strehë në tërheqjen e akullnajave në këto lugina të thepisura, qoftë të Çajës, qoftë të Shejës dhe të tjera që janë nën kërcënim,-shton ai.

    Kanioni i Bicajt

    Ekspertët e mjedisit thonë se Kanioni rrezikohet nga ndërtimi i hidrocentralit, duke theksuar se efektet negative në mjedis nga zhvillimi i këtyre projekteve tashmë janë të njohur.

    “Si në të gjithë rastet e tjerë, kur hidrocentralet janë ndërtuar brenda zonave të mbrojtura, në kufi të zonave të mbrojtuara apo në afërsi të tyre, impakti është pothuajse i njëjtë: Janë shkatërruese për mjedisin”, -thotë për “EkoSkaner” eksperti i mjedisit, Abdulla Diku. “Kini parasysh që ndërtimet e HEC-eve në kanione të tilla, në zona shumë të ngushta, të cilat janë dashur miliona vjet për t’u ndërtuar shkatërrojnë gjithë peizazhin natyror së pari sepse duke qenë terrene shumë të pjerrëta, gjurmët e hapjes së kanaleve, shtrirjes së tubacioneve, vendosjes së ndërtesave, etj. shtrihen përgjatë gjithë kanionit, duke e tjetësuar komplet pamjet e asaj”,-shton ai. Gjithashtu, Diku flet edhe për impaktin në biodiversitet, por edhe në komunitet, si pasojë e tharrjes së ujit. “Çdo lloj aktiviteti që është shqetësues në këto zona, siç janë përdorimi i makinerive të rënda për gërryerje, për shpërthime, etj. shkakton shqetësime edhe te flora dhe te fauna e zonës”,-thotë Diku. “Ajo që është më e rëndësishme në jetën socio-ekonomike të komuniteteve është përdorimi i burimeve ujore. Ne kemi patur raste kur ka patur konflikte të ashpra midis kompanive dhe banorëve, por ende nuk ka dalë në sipërfaqe konflikti i madh që ekziston lidhur me përdorimin e burimeve ujore”,-shton ai.

    Edhe Prof. Miho thotë se ndërtimi i një hidrocentrali është gjithmonë i shoqëruar me aktivitete që ndikojnë në prishjen e vlerave natyrore. “Të gjitha këto janë rrjedha lumore, që janë korridorë. Korridorët lumorë janë shumë të rëndësishëm. Janë një frymëmarrje e jetës: e peshqeve, molusqeve, kafshëve, etj., që përdorin ujin, kështu që nëse ndërhyn në formën e një HEC-i: ndërtimi i një HEC-i është ndërtimi i një dige,i një tuneli, i rrugëve i linjave të transmetimit. Të gjitha këto biokorridore janë të tjetërsuara”,-shprehet prof. Miho. “Habitatet përkatëse të tyre hyjnë si habitate të mbrojtura n konevtntat ndërkomëbatre, me anë të një HEC-i këto ndryshojnë: nuk janë më natyrore. Nuk kemi të bëjmë më, me një mjedis të virgjër”,-shton ai.

    Ata flasin gjithashtu për strategjinë e gabuar që ndiqet nga institucionet për shkatërrimin e çdo përroi, ndërkohë që prioritet në këto raste duhej t’i jepej turizmit.  Sipas Naim Mehmetajt, “deri një vit më parë ka patur interes edhe nga turistë të huaj, edhe vendas për shkak edhe të pozicionit gjeografik që ka kanioni”. “Por për shkak edhe të ndërhyrjeve që janë bërë për ndërtimin e HEC-it ka mangësi të ardhjes së tyre, pasi edhe hyrjet në kanion janë bllokuar”,-bën me dije ai.

    Ndërkaq, sipas prof. Mihos “dëmtimi i imazhit, pasohet edhe me dëmtimin e këtij burimi ekonomik, që është turizmi. “Një turist, nuk vjen që të shohë një tub, që lëshon ujë në një HEC, një gurore të ndërtuar atje dhe ca rrugë të shëmtuar që shoqërojnë gjithmonë këto HEC-e”, -thotë prof. Miho. “Turisti vjen pikërisht për këto që janë kanione të veçanta, që kanë shkëmbinj që rrallë, që kanë bimë, florë, faunë të rrallë dhe padiskutim një peizazh natyror. Duke ndërtuar, ne këtë ia heqim një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të sotëm dhe të ardhshëm”, -shton ai.

    Banorët, kundër projektit

    Banorët e fshatrave që preken nga ndërtimi i hidrocentralit akuzojnë kompaninë dhe institucionet vendore se nuk i përfshinë në dëgjesën publike të mbajtur për hartimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, ndërkohë që kundërshtojnë me forcë ndërtimin e tij.

    Banorët e fshatrave: Bicaj, Nangë, Mustafaj, Canaj dhe Bushat

    “Qeveritarët, ato firmat që i vendosin për këto investime, të dinë që kjo është në dëm të komunitetit. Nuk i shërben komunitetit, ne na prek shumë”, thotë Dulejmani, që përkrahet edhe nga Enver Tema e shumë banorë të tjerë të këtyre fshatrave.“Si popull që jemi, nuk e pranojmë të ndërtohet në këtë zonë. Djemtë tanë që kanë ikur në emigracion mund të bëjnë një lokal atje sipër në Grykë të Shkallës, ajo është perlë, por si të ikë uji aty: kjo zonë është e vdekur”, -thotë Tema.

    Ndërkaq,sipas kryetarit të Njësisë Administrative Bicaj, janë bërë disa tentativa, duke iu dërguar shkresa kryeministrit, ministrit të Energjisë, ministrit të Mjedisit, por deri më tani nuk kanë asnjë përgjigje. Banorët thonë se janë të vendosur të përballën me çdo mjet për të ndaluar ndërtimin e hidrocentralit. “Të parët tanë janë rritur me këtë ujë dhe ne do ta mbrojmë deri sa të vdesim këtë luginë, këtë përrua se nuk kemi mundësi të tjera”, – thotë Skënder Hoxha. Edhe Dulejman Onuzi thotë se do e mbrojnë me çdo çmim. “Nuk mund talejojmë marrjen e këtij uji. Me çdo lloj çmimi do të përballemi me qeverinë dhe kush është ai pronar i kësaj pune. Jemi njerëz në hallin tonë, në punën tonë: Mos na prekni atje ku s’duhet. Mos na prekni punën e jetesës se me zor jemi duke u mbajtur”,- shprehet ai. Ndërkaq, banorët nuk përjashojnë as mundësinë për ta çuar çështjen në gjykatë. “Normalisht, populli do përdorë të gjitha mundësitë për mos realizimin e këtyre HEC-eve, do të shohim edhe mundësinë e gjyqit, me aq sa kemi mundësi”,-pohon Naim Mehmetaj.

    Koha për ndëshkim!

    Profesor Aleko Miho dhe eksperti i mjedisit Abdulla Diku thonë se zhvillimi i projekteve në zona të mbrojtura është një praktikë e njohur edhe më herët, ndërkohë që deri më tani nuk ka patur asnjë ndëshkim për personat që firmosin për këto projekte në mënyrë të jashtëligjshme. “Drejtësia duhet të merret dhe me këtë krimin mjedisor, i cili në Shqipëri është i pandëshkuar. Kjo duhet të fillojë me zhvilluesin: Me këta që kanë paranë sepse ky është edhe modeli që ka nevojë të shohë publiku: Pra t’i mund të kesh paranë, por nuk mund ta blesh drejtësinë, nuk mund të blesh pushtetin, natyrën, të ardhmen e njerëzve”, -thotë Diku. “Duhen ndëshkuar ata që shkelin ligjin, pra ata që me ligj paguhen për të mbrojtur zona të tilla. Administratat lokale dhe qendrore duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore përpara gjithçkaje që kanë bërë në kundërshtim me ligjin. Ka sa të duash raste, mundësi për të gjurmuar dhe për të çuar para drejtësisë persona, të cilët kanë bërë veprime të tilla të papërgjegjshme, antiligjore, kriminale madje”,-shton ai.

    Ndërkohë që, sipas Prof. Mihos” kur ne të arrijmë në këtë moment, që të ndëshkohen ata që kanë firmosur për këto ndërhyrje në zonat e mbrojtura ose që firmosin sot në këto zona të mbrojtura, shoqëria shqiptare do arrijë një moment që duhet festuar”. “Kur drejtësia të bëhet palë për mbrojtjen e natyrës dhe të shëndetit të njeriut, jam i bindur që ne do kemi kapërcyer shumë, shumë”,-përfundon ai.

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike.