Ndotja, e patrajtuar prej dekadash, liqeni i Shkodrës rrezikon të kthehet në kënetë

  • Shqip
  • English
  • Prej tri dekadash liqeni më i madh i Ballkanit po vuan ndotjen e vazhdueshme dhe pamundësinë e autoriteteve shqiptare dhe atyre malazeze për ta rehabilituar. Një pjesë e madhe e 640 mijë banorëve që jetojnë në të dyja brigjet, derdhin në të ujërat e zeza, mbetjet dhe inertet, duke rrezikuar “kënetëzimin” e tij. Si pasojë e ndotjes së lartë dhe gjuetisë së paligjshme, disa peshq të rrallë janë zhdukur krejtësisht e një pjesë tjetër është listuar në kategorinë “shumë të rrezikuar”. Ndërkaq, në anën malazeze një “bombë ekologjike” rrezikon të shpërthejë, duke përçuar mbetje kimike në liqen. 

      

    Gazetarë: Fatjona Mejdini, Marko Veshoviq dhe Anila Dushi*

    Maliq Myrto del pothuajse çdo ditë në liqenin e Shkodrës në zonën e Shirokës për të peshkuar me rrjeta. Zanati i peshkatarit për shumë dekada i ka mundësuar mbijetesën familjes së tij, por vitet e fundit po bëhet gjithmonë e më e vështirë.

    “Sot peshkojmë për të hangër një cop bukë”, – tregon ai për Investigative Network Albania.

    Myrto rrëfen se vite më parë liqeni ishte plot me peshq, ndërsa sot janë të pakta ditët “me fat”, kur rrjetat ngrihen plot.

    As që krahasohet peshkimi sot me atë të 10 viteve më parë. Shumica e specieve po zvogëlohen. Për shembull, gjuhca është zhdukur me të paktën 50%”, – pohon Maliq Myrto.

    Maliqi është një nga rreth 500 peshkatarët dhe varkëtarët e licencuar të liqenit të Shkodrës, të cilët e sigurojnë bukën e familjes nga peshkimi.

    Peshkatarët nuk janë të vetmit që iu bien kambanave të alarmit për pakësimin e peshkut, sidomos atij tradicional, siç është gjuhca (alburnus scoranza), në këtë liqen, ujërat e të cilit menaxhohen nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

     Në vitin 2018 Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në liqenin e Shkodrës konstatoi se ky peshk autentik po riprodhohej gjithmonë e më pak.

    Arsyeja, sipas Arjan Çinarit, drejtuesit të kësaj organizate, lidhej me ndotjen e zallit buzë liqenit, ku këta peshq shtronin vezët.

    “Nga ndotja zallet ishin të veshura me myshk, duke u bërë të rrëshqitshme, si pasojë peshqit e kanë të pamundur të shtrojnë vezët aty”, shpjegon ai.

    Ndotja e ujërave të këtij baseni ujor vjen nga derdhja e ujërave të zeza të të gjithë zonës. Si pasojë e kësaj ndotjeje është ulur ndjeshëm sasia e ushqimit për botën ujore, por ka krijuar edhe kushte të pafavorshme për riprodhimin e tyre.

    Në këtë situatë emergjente vetë peshkatarët gjetën një zgjidhje origjinale: pastrimin e zallit buzë liqenit me detergjent e ujë me presion me anë të një gjeneratori.

    Kjo praktikë, e cila kërkon kohë dhe pará, po përdoret përpara çdo sezoni riprodhimi, në mënyrë që kjo specie e rëndësishme në liqen të ketë mundësi të shumohet.

    Peshkatarët lajnë me detergjent zallet në brigjet e lumit për t’iu krijuar mundësinë peshqve të shtrojnë vezët

    Foto: Arjan Çinari

    Për ironi “gjeneratori” është një nga shkaktarët e pakësimit të kësaj specieje, pasi përdoret për gjueti të paligjshme.

    Janë rreth 100 gjeneratorë, që nga kufiri deri në derdhje të Bunës”, – thotë për INA MEDIA-n Maliqi nëpër dhëmbë, duke lënë të kuptohet se peshkimi i paligjshëm me elektricitet është ende gjerësisht i përhapur në brigjet e liqenit.

    Zhdukja e specieve në këtë liqen fatkeqësisht nuk është gjë e re. Prej të paktën 25 vitesh peshkatarët e zonës theksojnë se nga liqeni është zhdukur peshku legjendar i blinit, vezët e të cilit janë havjari i shumëkërkuar.

    Por, ende në të dyja anët e kufirit biologët thonë se nuk ka studime që të përcaktojnë dëmet konkrete të specieve dhe sasisë së peshkut në liqen. Mungesa e studimeve në lidhje me prodhimin e peshkut në liqen pohohet edhe nga Bashkia e Shkodrës. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, thekson se statistikat e fundit për rezervën e peshkut në liqen janë mbledhur gjatë regjimit komunist.

    Në ato kohë, statistikat vjetore të zënies së peshkut mblidheshin nga autoritetet e peshkimit, duke krijuar kështu një bazë mjaft të shëndoshë për menaxhimin e rezervave. Për fat të keq, këto statistika nuk mblidhen më, për të mos folur pastaj për fushata të pavarura monitorimi”, – sqaron Ademi për INA MEDIA-n.

    Duke mos pasur statistika të sakta, Ademi thekson se pretendimet e peshkatarëve për reduktimin e rezervave të peshkut në liqen nuk janë të bazuara në studime.

    Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Gadishullin e Ballkanit, është një pasuri natyrore mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Me një sipërfaqe që shkon deri në 570 km2, prej shekujsh ky liqen është përdorur për aktivitet tregtar, lidhjen e njerëzve dhe kulturave. Me një nga biodiversitetet më të pasura liqenore në kontinent, sot ky liqen është në rrezik.

    Djana Bejko, specialiste Mjedisi, që drejton Forumin e Liqenit të Shkodrës, thekson se për pasojë “është rritur shkalla e eutrofikimit të ujërave të liqenit, duke përshpejtuar kënetëzimin e tij”

    Derdhja e ujërave të zeza në të dyja anët e kufirit, mbipopullimi i brigjeve të liqenit, hedhja e mbetjeve urbane dhe kimike, gjuetia e peshkut me metoda të paligjshme duket se po shuajnë çdo perspektivë për përdorimin e liqenit si një pasuri nga Shqipëria dhe Mali i Zi, madje rrezikojnë “kënetëzimin” e tij.

    Ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza të Bashkisë së Shkodrës, që nuk do të lejonte depërtimin e tyre të papërpunuar në liqen apo tharja e pellgjeve masive me lëndë kimike, krijuar nga fabrika e aluminit në Podgoricë, konsiderohen me kosto të lartë.

    Ujërat e zeza dhe inertet përfundojnë në liqen

    Përgjatë basenit të liqenit të Shkodrës vlerësohet se jetojnë më shumë se 600,000 banorë; nga të cilët 170,000 në pjesën shqiptare, ujërat e zeza të të cilëve përfundojnë në liqen.

    Po ashtu, në të dyja anët e liqenit janë të vendosura me mijëra biznese private, që, jo vetëm e kanë ndotur dhe dëmtuar biodiversitetin e zonës me ujërat e zeza, por madje edhe inertet i kanë zbrazur në liqen.

    Agim Dardha, specialist Mjedisi që drejton Administratën e Zonave të Mbrojtura në Shkodër, ku përfshihet edhe liqeni i Shkodrës e lumi Buna, thotë se këto ndërtime, në pjesën më të madhe pa leje në të dyja anët, janë kontribuueset më të mëdha të dëmtimit të biodiversitetit.

     “Thuajse të gjitha ndërtimet funksionojnë me gropa septike dhe këto ndotin ujërat nëntokësore që lidhen drejtpërdrejt me liqenin dhe lumin Buna; është një numër i madh biznesesh pranë ujërave të liqenit dhe lumit Buna, mbi 900 bare dhe restorante, por edhe biznese të tjera që janë nga Hani i Hotit deri në Velipojë, ku derdhet lumi Buna në det”, – i shpjegon INA MEDIA-s, specialisti Dardha.

    Mungesa e landfill-eve për Shkodrën dhe Malësinë e Madhe për grumbullimin e mbetjeve të ngurta e ka përkeqësuar edhe më tej situatën.

    Situata me ujërat e zeza të qytetit ka mbetur e pazgjidhur, edhe pse Banka Gjermane për Zhvillim akordoi 20 milionë euro për impiantin e Shirokës, por ky impiant përpunon vetëm ujërat e zeza të Shirokës dhe Zogajt buzë liqenit. Pjesa tjetër derdhet e papërpunuar në lumin Buna.

    Në kuadër të masave që duhet të merren për të reduktuar ndotjen, Bashkia e Shkodrës është duke përfunduar dhe sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza për qytetin, një projekt i cili ka nisur në fundin e vitit 2019 dhe pritet të përfundojë në vitin 2023.

    Nga ana tjetër, sipas kësaj bashkie, afërsisht 9.5 milionë euro pritet të përdoren për ndërtimin e impiantit biologjik për trajtimin e ujërave të ndotura dhe po kështu krijimin e një sistemi për transmetimin sa më të mirë mes tyre. Të ardhurat mësohet se janë siguruar nga Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, dhe studimi i fizibilitetit është gati, ndonëse puna në terren ende nuk ka nisur.

    Derdhja e ujërave të zeza të Bashkisë së Shkodrës në lumin Bunë

    Foto: Anila Dushi

    Edhe në anën tjetër të kufirit situata nuk është ndryshe. Ndërsa në Shqipëri pjesa më e madhe e ujërave të zeza përfundon në liqen përmes lumit Buna, në Malin e Zi kjo ndodh përmes lumit Moraça.

    Jelena Kljajeviq, drejtoreshë për Parqet kombëtare në Malin e Zi, i thotë Investigative Network Albania-s se kolektori për përpunimin e ujërave të zeza për Podgoricën ka kapacitete të pamjaftueshme. Për pasojë një pjesë e këtyre ujërave derdhen në lumin Moraça, duke përfunduar më pas në liqen.

    Njësoj si në Shqipëri, përgjatë brigjeve të liqenit janë ngritur me mijëra banesa të reja e biznese private, të cilat nuk kanë sisteme të integruara për ujërat e zeza dhe përfundojnë në liqen të patrajtuara, siç kanë përfunduar në liqen edhe inertet që janë gjeneruar nga këto ndërtime.

    Bomba ekologjike në fushën Zeta

    Fusha e Zetës gjendet midis Podgoricës dhe liqenit të Shkodrës dhe konsiderohet një nga fushat më pjellore në Malin e Zi, por në mes të saj, tetë kilometra nga Podgorica dhe 15 kilometra nga liqeni, përkrah lumit Moraça dhe aeroportit të Podgoricës, ekzistojnë dy “liqene” të vogla, të mbushura me atë që quhet “baltë e kuqe”.

    Këto dy pellgje, që zënë një hapësirë prej afërsisht 45 hektarësh, janë të mbushura me shtatë milionë e gjysmë tonë mbetje kimike, që janë gjeneruar nga fabrika e prodhimit të metalit, fabrika e aluminit, Podgoricë.

    Pellgjet masive të ujit të kontaminuar me substanca të rrezikshme, si fluori, nikeli, kromi, zinku, arseniku etj., prej vitesh mendohet se ndotin nëntokën e zonës, duke e përçuar ndotjen përmes ujërave nëntokësore në liqenin e Shkodrës.

    Pellgu masiv i “baltës së kuqe”, formuar nga mbetjet e fabrikës së aluminit në Podgoricë

    Foto: Marko Veshoviq

    Përveç ndotjes konstante që këto pellgje shkaktojnë nëpërmjet ujërave nëntokësore në liqen, një rrezik i madh vjen edhe nga derdhja e këtyre pellgjeve në lumin Moraça, me brigjet e të cilit i ndajnë vetëm pak kilometra. Nga ky lumë mbetjet do të derdheshin në mënyrë direkte në liqen.

    Rreziku më i madh që i kanoset liqenit, është një aksident i mundshëm në fabrikën e aluminit, që do të bënte që balta e kuqe e pellgjeve masive që gjenden në të, të përfundonte në lumin Moraça”, – thekson Jelena Kljajeviq, drejtoreshë për Parqet kombëtare në Malin e Zi.

    Pavarësisht disa përpjekjeve të qeverisë malazeze për të rehabilituar pellgjet masive të baltës së kuqe në fabrikën e aluminit, deri tani nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për këtë shqetësim të madh, mjedisor.

    Kërcënimi që vjen nga mosmenaxhimi i mbetjeve

    Jelena Dabanoviq nga Virpazari, një fshat buzë liqenit të Shkodrës në Bashkinë e Tivarit, organizon lundrim dhe aktivitete argëtuese në liqen për turistë të ndryshëm që vizitojnë zonën. Shpesh ato që nisin si udhëtime turistike, përfundojnë në aksione pastrimi të liqenit, për shkak se turistët shikojnë mbetjet e shumta që lundrojnë mbi këtë basen ujor.

    Shpesh turistët, të cilët marrin te ne me qira kajakë për të shëtitur në liqen, kthehen mbrapsht me qese të mbushura me shishe plastike apo mbetje të tjera, të cilat i kanë parë duke pluskuar në ujë apo i kanë gjetur mes bimësisë së liqenit”, – theksoi ajo.

    Madje, një restorant në Virpazar ka gjetur një mënyrë krejt origjinale “duke i shpërblyer” me një pjatë supë peshku falas të gjithë ata që kthehen me një qese me mbeturina.

    Situata e mbetjeve në Shirokë

    Foto: Anila Dushi

    Gjergj Pavaci, banor i Shirokës, e kujton ende kohën, kur shumë shkodranë vinin në Shirokë për të shijuar ujërat e liqenit dhe thekson se numri i tyre ka ardhur gjithmonë duke u ulur.

    Sot, turizmi në këtë zonë buzëliqenore është i kufizuar vetëm te frekuentimi i restoranteve buzë tij.

    Dikur Shiroka ishte një vend i frekuentuar, ku bëhej plazh dhe vihej edhe me biçikletë nga Shkodra. Ka rreth 20 vite që në Shirokë vijnë për plazh ditor pak njerëz. Lokalet e ndërtuara e kanë eliminuar plazhin dhe në qendër as që bëhet më fjalë”, – thekson ai.

    Situata me mbetjet buzë liqenit të Shkodrës në Shirokë

    Foto: Anila Dushi

    Buzë brigjeve të Shirokës keqadministrimi i mbetjeve është tejet i dukshëm, pavarësisht se pak kohë më parë një pjesë e zonës buzë liqenit u rehabilitua si pjesë e projektit Rilindja Urbane të ndërmarrë nga qeveria.

    Mbetjet transportohen nga njëra anë e liqenit te tjera dhe situata e vështirë me administrimin e tyre edhe në Malin e Zi e përkeqëson edhe më tej gjendjen, së cilës i shtohen edhe landfill-et ilegale.

    Sipas drejtoreshës për Parqet kombëtare në Malin e Zi, Jelena Kljajeviq, pas përmbytjeve të fuqishme që ky liqen shkaktoi në vitin 2011, u diskutua një nismë për të vendosur rrjeta në lumin Moraça, në mënyrë që mbetjet të mos arrinin në liqenin e Shkodrës.

    Por, shumë shpejt u hoq dorë nga kjo ide.

    Situata me mbetjet buzë liqenit në pjesën e Malit të Zi

    Foto: Marko Veshoviq

    Aktivistët e mjedisit në të dyja vendet mendojnë se zgjidhja për pastrimin e këtij liqeni varet vetëm nga vullneti i autoriteteve të të dyja vendeve, shoqëruar me nisma edukuese, por edhe ndëshkuese në të njëjtën kohë.

    Dëmtimet në ekosistem

    Me rreth 280 lloje shpendësh, midis tyre lloje të rralla, si dallëndyshja faqebardhë e detit, pelikani kaçurrel, çafka e verdhë etj., liqeni është edhe shtëpia e rreth 50 llojeve peshqish, një pjesë e tyre autoktonë dhe një pjesë tjetër specie migratore që qarkullojnë në basenin e tij, ujor.

    Bota bimore e këtij liqeni është gjithashtu tejet e pasur me rreth 132 specie bimësh ujore, nga të cilat 123 janë bimë me lule. Kallamet e blerta, zambakët dhe arra e ujit janë karakteristike për këtë liqen. Nga ana tjetër, në zonat e cekëta brenda liqenit gjenden këneta dhe pellgje ujore, ku mbizotëron shelgu dhe lloje të tjerë drurësh, që formojnë ishuj të pyllëzuar brenda tij, duke ofruar potenciale të jashtëzakonshme për turizmin.

    Vitet e fundit më shumë në Malin e Zi sesa në Shqipëri, liqeni po përdoret për turizëm, që bazohet pikërisht te biodiversiteti i tij. Në brigjet e tij shqiptare vetëm dy vitet e fundit ka nisur eksplorimi turistik i këtij biodiversiteti përmes varkave apo kanoeve, ku atraksioni kryesor për turistët janë zogjtë (birdwatching), dhe bimësia në të.

    Të dhënat nga të dyja anët e liqenit tregojnë se peshkimi me metoda të ndaluara vijon të ndodhë në lumin Moraça, i cili furnizon me ujë liqenin e Shkodrës, dhe në lumin Buna, që rrjedh pikërisht nga ky liqen.

    Rezervat e peshkimit në liqen janë zvogëluar nga mbishfrytëzimi, përdorimi i metodave të paligjshme ose të paqëndrueshme, konkurrenca nga specie ekzotike dhe degradimi i habitateve nga ndotja dhe shkatërrimet e bregut të liqenit”, – thekson biologia Aurora Zylja.

    Sipas saj, menaxhimi i rezervave të peshkimit në liqen është përkeqësuar më tepër nga mungesa e një planifikimi efektiv, ndërkufitar.

    Luigj Preka, një tjetër peshkatar në zonën e Shirokës, shprehet se gjuetia e peshkut me mjete shfarosëse dhe shtimi i ndotjeve ka ndikuar edhe në cilësinë e peshkut që kapet.

    Biologia Aurora Zylja thekson se, gjatë dy dekadave të fundit gjuetia e paligjshme ndaj shpendëve ujorë, e kombinuar me ndikime të tjera, si ndryshimet në rezervat ushqimore, cilësia e ujit, klima dhe shqetësimet nga aktivitetet njerëzore, kanë bërë që biodiversiteti të rrudhet.

    Këto elemente kanë zvogëluar numrin e llojeve dhe numrin total të shpendëve në liqen”, – thekson ajo.

    Speciet invazive në liqen janë një tjetër rrezik që i kanoset botës ujore të këtij baseni ujor. Ato turbullojnë, jo vetëm llojet e peshqve në liqen, por sjellin dhe reduktimin e llojeve të shumta të bimëve aty. Specialistët iu referohen disa bimëve ujore invazive, të cilat po çojnë shumë shpejt drejt zhdukjes ato që konsiderohen si specie bimore, tradicionale të liqenit.

    Procesi i heqjes së këtyre specieve është jashtëzakonisht i vështirë, i lodhshëm dhe kërkon kohë. Teknologjia që kërkohet për ta bërë këtë, është e kushtueshme. Pra, ky proces është tejet i vështirë dhe sfidues për vende shumë herë më të zhvilluara se tonat”, – thekson Jelena Kljajeviq.

     Pengesat institucionale

    Liqeni i Shkodrës menaxhohet nga të dyja vendet dhe sfida e madhe në rehabilitimin e tij lidhet me nevojën e koordinimit të nismave mes dy shteteve.

    Si për ta komplikuar edhe më tej situatën, ekspertët theksojnë se ka një mbivendosje të kompetencave institucionale për administrimin e tij edhe brenda vendit.

    Sipas Djana Bejkos nga Forumi i Liqenit të Shkodrës, kompetencat e institucioneve menaxhuese të zonës së mbrojtur të liqenit të Shkodrës – lumit Buna, janë të miksuara dhe shumëdimensionale, duke përfshirë një numër të lartë aktorësh që shpesh kanë përplasje.

    Menaxhimi i peshkimit si kompetencë i përket Ministrisë së Bujqësisë, ndërkohë që mbrojtja dhe menaxhimi i burimeve të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna është kompetencë e Ministrisë të Turizmit dhe Mjedisit, kompetencë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Inspektoratit të Territorit. Miksimi i kompetencave lejon shmangien e institucioneve nga përgjegjësitë direkte, duke lënë hapësirë për abuzime”, – thekson ajo.

    Nga pala malazeze qeveria e re që ka marrë detyrën thekson se liqeni i Shkodrës ka vuajtur nga mungesa e përgjithshme e vëmendjes për shkatërrimin e mjedisit dhe degradimin e biodiversitetit në zonat e mbrojtura.

    Qeveria e mëparshme e Malit të Zi nuk e kishte mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit prioritet dhe bashkëpunimi me Shqipërinë për mbrojtjen e kësaj pasurie të përbashkët thjesht ishte në listën e tyre të punës”, – thekson Jelena Kljajeviq, drejtoreshë për Parqet kombëtare në Malin e Zi.

    Sipas saj, pasojat e lejimit të abuzimeve dhe neglizhencës e kanë sjellë liqenin në këtë situatë të vështirë.

    Por, pavarësisht këtij qëndrimi të palës malazeze, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, thekson se bashkëpunimi me palën tjetër ka qenë gjithmonë i mirë dhe efikas.

    Me palën malazeze ka pasur gjithnjë koordinim shumë të mirë, kjo referuar të gjitha programeve apo ndërhyrjeve që kanë të bëjnë me pjesën e liqenit të Shkodrës si një pasuri e të dyja vendeve kufitare”, – theksoi ajo.

    Referuar ndotjes së madhe si pasojë e urbanizimit të brigjeve në të dyja anët e këtij liqeni, ekspertët sugjerojnë edhe përdorimin e instrumenteve ligjore.

    Vuk Vuçerakoviq, nga organizata mjedisore, Zero Waste, në Malin e Zi, mendon se nevojitet me emergjencë një nismë ligjore që do të reduktonte përdorimin e qeseve plastike. Sipas tij, kjo duhet të shoqërohet dhe me masa të rrepta për ata që do të refuzonin ta respektonin.

    Djana Bejko ndan të njëjtin mendim. Sipas saj, moszbatimi i ligjit po krijon dëme të vështira për t`u rikuperuar në liqen.

    Shkarkimi i ujërave të zeza të 140 mijë banorëve të Bashkisë së Shkodrës që derdhen të patrajtuara në pjesën perëndimore të qytetit, aty ku liqeni takohet me lumin Buna, ka sjellë për pasojë një situatë të tejndotur në nivele të larta sëmundshmërie infektive, ndërkohë që ligji rri në heshtje”, – theksoi ajo.

    *Gazetarja Anila Dushi humbi jetën në prill të këtij viti si pasojë e COVID-19.

    Ajo raportoi për këtë shkrim nga Shkodra.

    **Simon Shkreli kontribuoi për këtë raport.

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike.