Qafë Buall-Krastë, 16 km e “rrugës së vdekjes”, që po izolojnë Martaneshin

  • Shqip
  • English
  • E zhytur në pasuri natyrore krahina e Martaneshit ka ngelur peng i një rruge të gjatë prej 16.7 km. Njësia vendore akuzon firmën, që merret me mirëmbajtjen, se nuk bën as 10% të punimeve, duke e kthyer në një “rrugë vdekjeje”, ndërsa ARRSh thotë se kjo është e vetmja formë mirëmbajtjeje. Bizneset e kësaj zone derdhin në arkën e shtetit dhe atë të bashkisë rreth 4.5 milionë dollarë në vit taksë dhe rentë minerare, por institucionet deklarojnë se nuk kanë lekë për rehabilitimin e saj.

    Autor: Arjeta Cuka

    Anila Kunxhiu është në muajin e katërt të shtatzënisë, por çdo muaj udhëton drejt Tiranës për të bërë kontrollet rutinë. Në qytetin e Krastës, ku ajo jeton, nuk ka as gjinekolog dhe as spital për të ndjekur shtatzëninë, përveç një qendre shëndetësore.

    E reja rrëfen për Investigative Network Albania se e kap paniku, sa herë duhet të udhëtojë drejt Tiranës, për shkak të gjendjes së mjerueshme të rrugës nga Krasta në Qafë Buall.

    “Rruga është ankthi im i vazhdueshëm. Kam frikë se goditjet që merr mjeti nga gropat mund të më rrezikojnë fëmijën dhe akoma më shumë kam frikë, nëse, kur të vijë momenti i lindjes, mund të bllokohet rruga nga dëbora”, – rrëfen e reja. Në këtë situatë ajo ka planifikuar që muajin e fundit të shtatzënisë ta kalojë te disa të afërm në Tiranë, ashtu siç bëri, edhe kur lindi fëmijën e parë.

    Vetëm 16.7 km e gjatë, rruga Krastë-Qafë Buall, në afërsi të Bulqizës, është kthyer në makthin e banorëve të qytezës së vogël të Krastës. E hapur në vitet `80, atëherë kur industria e nxjerrjes së kromit e ktheu Krastën në një qytet, ku gëlonte jeta, mbi këtë rrugë nuk është vënë dorë që prej 40 vitesh. Si pasojë ajo është krejtësisht e amortizuar, me rrëshqitje dherash, gropa të mëdha, duke u kthyer në rrezik serioz për ata që kalojnë në këtë rrugë. Dhjetëra lapidarë që ndodhen përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor, dëshmojnë se Qafë Buall-Krastë është kthyer në një “rrugë vdekjeje”.

    E lënë në harresë nga të gjitha pushtetet, rruga ka izoluar krejtësisht banorët e Martaneshit. Për shkak të amortizimit, një drejtuesi automjeti i duhen së paku 60 minuta për t`i përshkuar 16.7 km e kësaj rruge. E kur vjen puna te pacientët, çdo minutë është e çmuar.

    “Transporti i një gruaje shtatzënë është vërtetë me rrisk, – thotë për Investigative Network Albania Vjollca Kuka, mami në qendrën shëndetësore të Krastës. – Rruga është e shkatërruar dhe duhen më shumë se 2 orë për ta dërguar pacienten në sallën më të afërt për lindje. Rrezikon të lindë në rrugë e, nëse ka komplikacione, atëherë jeta e nënës dhe e fëmijës është vërtet në rrezik”, – përfundon ajo.

    “Kemi pasur raste urgjencash dhe unë mund t’ju them se pa rrugë nuk mund të realizohet asgjë. Edhe pse me ambulancë e me staf te koka, ka pasur raste, kur jeta e pacientëve na është rrezikuar seriozisht për shkak të rrugës, shto këtu që rruga është gjithë gropa dhe nuk siguron një transport të qetë për një të sëmurë. Për ne mbetet thembra e Akilit”, – pranon Bashkim Isaku, mjek në Krastë.

     

    Të izolohesh nga rruga

    Për shkak të braktisjes totale, Martaneshi është rrudhur në 2.500 banorë që çdo shërbim, përfshirë atë spitalor, duhet të zbresin ta marrin në qytetin e Bulqizës, njësi e cila e administron.

    Banorët e thonë me bindje se rruga, jo vetëm po i izolon, por madje po pengon një zonë të madhe si ajo e Martaneshit nga e drejta për t’u zhvilluar dhe jetuar.

    Rruga Qafë Buall-Krastë

    Kujtim Bala, shofer i licencuar për transportin e udhëtarëve nga Tirana në Krastë, rrëfen se për të aksi Qafë Buall-Krastë është më i vështiri.

    “Kjo nuk mund të quhet rrugë, është krejtësisht e amortizuar. Në dimër situata është vërtet e frikshme, sepse edhe ngrin. Ka pasur plot raste, kur makinat edhe kanë dalë nga rruga… Gropat mbushen me dhé, në verë na mbyt pluhuri, në dimër bëhen shkak për spostim të makinave”, – rrëfen ai.

    Rruga Qafë Buall-Krastë është rikonstruktuar pjesërisht vetëm një herë në këto 30 vjet. Në vitin 2005 u niveluan dhe u asfaltuan 1.5 km rrugë me kosto 2.25 milionë lekë. Në këto kushte, ky aks rrugor është përfshirë në kontratë mirëmbajtjeje për 30 vjet.

    Drejtoria e Rajonit Verior Shkodër i bën me dije Investigative Network Albania-s se aktualisht ky aks rrugor mirëmbahet nga kompania “Udha” sh.p.k., me administrator Arben Çelën, kompani së cilës i janë besuar shumë rrugë të tjera në zonën e Matit dhe të Dibrës.

    Kontrata e fundit me afat 6-mujor është nënshkruar në qershor të këtij viti dhe përfundon në janar të vitit 2022, me një kosto të mirëmbajtjes mujore, rutinë 607.620 lekë.

    Kontrata për mirëmbajtjen e rrugës

    Në një vit mirëmbajtja e kësaj rruge kushton mesatarisht 7.3 milionë lekë të reja, ndërsa në 20 vitet e fundit për mirëmbajtjen e kësaj rruge janë hedhur rreth 146 milionë lekë të reja.

    Investigative Network Albania mëson se për këtë segment rrugor Njësia Administrative Martanesh është ankuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës për shkak të problemeve me mirëmbajtjen. Në një shkresë që mban datën 20 shkurt 2020, Njësia Administrative Martanesh i ankohet Ministrisë së Infrastrukturës se firma që ka për detyrë mirëmbajtjen, nuk i kryen punimet.

    Kërkesa e Njësisë Administrative Martanesh

    Njësia Administrative Martanesh e vë në dijeni Ministrinë e Infrastrukturës se përgjatë gjithë gjatësisë së saj “kjo rrugë është plot me gropa, nuk ka kanal anësor, dhe ai që ka qenë, nuk mirëmbahet dhe mbushet me ujë gjatë gjithë kohës; nuk ka sinjalistikë”.

    “Si pasojë, kjo rrugë çdo 1 km ka një lapidar”, – ankohet Njësia Administrative Martanesh, duke ia faturuar numrin e lartë të aksidenteve gjendjes së rrugës.

    “Kërkojmë nga ju që kontraktori i kësaj rruge të marrë masat e nevojshme për mirëmbajtje, pasi as 10 për qind e punës nuk investohet në këtë rrugë”, – thuhet në këtë shkresë.

    Në përgjigje të kësaj shkrese, ARRSh thotë se në mungesë të fondeve për investim, segmenti rrugor Qafë Buall-Krastë është përfshirë në kontratë mirëmbajtjeje, duke theksuar se kontraktori i mirëmbajtjes duhet të bëjë disa herë trajtimin e gropave me çakëll, si dhe pastrimin e kanalit kullues, pasi kjo rrugë përballet me trafik të mjeteve të tonazhit të rëndë, si dhe terren të vështirë malor.

    Mirëpo situata vazhdon të jetë e njëjtë prej dekadash. “Gropat janë aq të mëdha, sa, kur bie shi, të duhet varkë për t’i kaluar. Gomat duhen ndërruar çdo 5 muaj. Thyhen gominat, balestrat… kostoja është shumë e lartë, plus që 16 km rrugë të duhen 60 minuta për t’i bërë, sigurisht nëse je shofer me eksperiencë”, – thotë Zylf Bebja, shofer, i cili e bën pothuajse çdo ditë rrugën Krastë-Bulqizë.

    Investigative Network Albania konstatoi gjatë një vizite në terren se në këtë aks rrugor hidhet çakëll, por pa u mbyllur dita çaklli del nga gropat, kjo pasi struktura e poshtme e rrugës është shkëmbore dhe e pjerrët dhe si pasojë nuk e mban mbushjen, duke u zhdukur si të mos ishte hedhur fare. Teknikisht, sipas eksperteve, çaklli nuk lidhet me asfaltin. Për këtë arsye, shumë herë akuzohet firma e mirëmbajtjes se nuk ka bërë asgjë. Investigative Network Albania kërkoi informacion nga Ministria e Infrastrukturës me një seri pyetjesh, nëse është mbikëqyrur situata e kësaj rruge, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk morëm përgjigje.

    Nga ana tjetër, Drejtoria e Rajonit Verior Shkodër, e cila e ka në administrim këtë aks rrugor, thotë se, në kushtet kur nuk ka asfalt, kjo mbetet e vetmja zgjidhje.

    “Ky aks prej vitesh është klasifikuar me asfalt të degraduar. Teknikisht nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveç mbushjes me stabilizant, pasi nuk mund të bëhen arnime të asfaltit në segmentet, ku nuk ekziston asnjë cm2 asfalt”, – thotë DRVSH në një përgjigje për Investigative Network Albania.

    Shoferët e automjeteve pranojnë kotësinë e punimeve që kryhen në këtë rrugë. “Kanalet kulluese janë hapur, por nuk bëjnë asnjë punë, pasi janë të cekëta dhe uji rrëshqet mbi rrugë, duke marrë përpara çakllin. Muajin e fundit u vendosën disa barriera mbrojtëse, por paradoksalisht ato janë vënë vetëm në atë segment, ku rruga është e drejtë, aty ku punëtorët e kanë pasur më të lehtë dhe jo në kthesa të rrezikshme, ku në dimër akulli dhe gropat mund të na nxjerrin jashtë rruge”, – thotë Kujtim Bala.

     

    Kujtim Bala, shofer

     

    Të tjerë akuzojnë se, firma që e ka për detyrë mirëmbajtjen e kësaj rruge, në fakt shpesh bëhet vetë burim aksidentesh.

    “Kjo rrugë është me një kalim. Firma e mirëmbajtjes e grumbullon materialin, me qëllim që ta ketë aty për ta përdorur muajin tjetër, në ato pak vende ku mund të ndërrohen mjetet, duke u bërë shkak për aksidente”, – thotë Zylf Bebja.

    Mungesa e rrugës po çon në braktisjen masive të çdo fshati dhe qytetit të Krastës. Selman Likafi, nëpunës i Gjendjes Civile, thotë se në vitin 1990 në Martanesh jetonin 13.000 banorë. Nga viti 1991-1997 janë larguar 4.500 banorë. Ndërsa sot në Martanesh jetojnë 2.500 qytetarë.

    “Kanë ngelur vetëm dy kategori njerëzish: Ata që kanë ndonjë biznes privat dhe ata që s’kanë pasur mundësi ekonomike për të ikur”, – thotë Dilaver Koxherri.

    Miliona në buxhet, por nuk ka lekë për rrugë

    Ndonëse Martaneshi sjell miliarda të ardhura për ekonominë shqiptare, në këmbim ka marrë harresën deri në braktisje nga të gjitha qeveritë.

    “Ndihem në vështirësi të madhe për t’ju parë në sy dhe për t’ju folur, se ç’mund t’ju them unë në këto kushte! Ç`mund t’ju them unë, që pavarësisht se nuk kam qenë asnjëherë përgjegjës përpara jush në kuptimin e kontratës elektorale, prapëseprapë ndihem keq, sepse ky është një realitet shumë dramatik”, – deklaroi Edi Rama në vitin 2008, asokohe kreu i opozitës, gjatë vizitës së parë dhe të fundit në këtë zonë, ndërsa premtonte se “ky realitet mund të ndryshojë”. (marrë nga gazeta “Zëri i Popullit”, e enjte, 17 janar 2008, f. 10)

    Gazeta “Zëri i Popullit”, e enjte, 17 janar 2008, f. 10

    I pasur me burime natyrore, në Martanesh ushtrojnë aktivitetin 70 subjekte minerare dhe 5 HEC-e, si dhe disa fabrika të përpunimit të kromit, të cilat derdhin çdo vit miliarda lekë në buxhetin vendor dhe atë qendror.

    Sipas të dhënave të Bashkisë së Bulqizës, subjektet private, që ushtrojnë aktivitetin në Martanesh, kanë derdhur në buxhetin e kësaj bashkie 46.7 milionë lekë të reja për vitin 2020, ndërsa në vitin 2017 janë derdhur 62.9 milionë lekë të reja, tarifë vendore dhe taksë nga renta minerare.

    Grafik i të ardhurave në buxhetin e Bashkisë së Bulqizës

    Ndryshe nga Bashkia e Bulqizës, që deklaron 75 biznese në këtë zonë, që derdhin detyrime në buxhetin e shtetit afro 4 milionë dollarë në vit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaron se në Martanesh ushtrojnë aktivitetin 22 subjekte. Këto biznese kanë derdhur në buxhetin e shtetit 60.4 milionë lekë për vitin 2020.

    Kërkesa drejtuar DPT/Përgjigjja e DPT

    “Martaneshi përveç punësimit nuk ka përfituar asgjë nga kromi. Ndoshta ka ndikuar edhe aneksimi i kësaj krahine, sa në një rreth në tjetrin”, – ankohet Dilaver Koxherri. Ligji iu jep të drejtën bashkive, që nga të ardhurat e pushtetit vendor, me miratim të Këshillit Bashkiak, të investojnë çdo lloj objekti që ka probleme emergjente, me impakt në komunitet, por edhe në ekonominë kombëtare.

    Bashkia e Bulqizës nuk iu përgjigj pyetjes së INA MEDIA-s, nëse kishte një projekt dhe një preventiv për kostot që do të duheshin për rehabilitimin e kësaj rruge, por ekspertë të ndërtimit përllogarisin që kostoja për ta bërë nga e para këtë segment rrugor është rreh 300 milionë lekë të reja, shifër kjo më e ulët se të ardhurat e një viti, që biznesi që ushtron veprimtarinë në Martanesh derdh si detyrim në buxhetin e shtetit.

    Pavarësisht milionave që derdhen çdo vit nga bizneset e kësaj zone në arkën e bashkisë dhe atë të qeverisë, Bashkia e Bulqizës thotë se nuk mund ta marrë përsipër një projekt për riveshje të kësaj rruge, për shkak të kostos së lartë për buxhetin e saj. “Me gjithë dëshirën e madhe për të investuar në riveshjen me asfalt, e kemi patur të pamundur për shkak të mungesës së burimeve financiare, pasi kjo rrugë me një gjatësi prej 16.7 km ka kosto të lartë investimi”, – i thotë INA MEDIA-s Bashkia e Bulqizës në një përgjigje zyrtare.

    Martaneshi, krahina që ndërroi 5 herë bashkinë

     

    Martaneshi, një krahinë e njohur sidomos për burimet minerare, nuk ka gjetur paqe me bashkitë që e kanë marrë në administrim. Aktualisht, Martaneshi është pjesë e Bashkisë së Bulqizës dhe në përbërje të tij janë qyteti Krastë dhe fshatrat Gjon, Lenë, Peshk, Val, Staveç, Mëlçu, Ndërfushas.

    Ky pingpong administrativ, sipas banorëve të zonës, ka qenë shkatërrues, pasi nuk ka pasur asnjëherë projekte të mëdha zhvillimore.

    “Ndarja administrative e ka dëmtuar zhvillimin ekonomik dhe kulturor të zonës. Etnokultura e trevës sonë lidhet në hershmërinë e saj me etnokulturën e Çermenikës, Elbasanit dhe Tiranës. Ndërsa lidhja administrative pas Luftës së Dytë Botërore e zhvendosi këtë krahinë administrativisht nga Elbasani (1944) me Klosin (1945), më vonë me Librazhdin (1946), me Burrelin (1947) dhe në fund me Bulqizën (1996). Kjo solli pasoja rrënuese edhe në aspektin e zhvillimit të vlerave etnokulturore dhe ekonomike. Asnjëherë nuk u bënë projekte zhvillimore afatgjata për këtë zonë. Kjo është edhe një ndër arsyet kryesore të braktisjes masive të kësaj treve”, – thotë Teki Kurti, historian.

    Sipas tij madje kjo ka sjellë përplasje midis qeverisjes qendrore dhe asaj lokale për orientimin e projekteve zhvillimore.

    “Ka pasur ndër vite një përplasje ndërmjet drejtuesve të pushtetit qendror dhe atyre të rretheve për zhvillimin e kësaj treve. Orientimet nga dikasteri qendror jepeshin për t’u zhvilluar kjo zonë me impakt ekonomik kombëtar, drejtuesit e rretheve (të degëve ekzekutive, deputetët dhe drejtuesit politikë) i refuzonin këto projekte dhe kërkonin që investimet të kalonin në zonat e tyre, duke e konsideruar të huaj Martaneshin”, – thotë ai.

    Me një sipërfaqe prej 162 km2, Martaneshi, një ndër tri njësitë e qeverisjes vendore me sipërfaqen më të madhe gjeografike në Shqipëri, ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe ka një nëntokë të “florinjtë”. Miniera e kromit, “11 heronjtë e Batrrës”, renditet e dyta në Evropë për prodhimin e këtij minerali dhe e gjithë kjo zonë siguron deri në 500.000 tonë krom në vit.

    Qyteti Krastë

     

    Me një sipërfaqe pyjore ndër më të mëdhatë, ku përllogaritet një volum prej 1.46 milionë metrash kub lëndë drusore, të mbushura me ah, bredh, pisha, panja, bli, arra, gështenja dhe bimë medicinale, ofron potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit. “Edhe ky sektor kërkon infrastrukturë dhe mbështetjen e pushtetit vendor dhe atij qendror, por nuk ka rrugë”, – thotë Dilaver Koxheri.

    Dilaver Koxherri, banor i Martaneshit

    Në këtë trevë fle i pazbuluar një atraksion i mahnitshëm turistik. E shpallur zonë e mbrojtur, peizazhi Ballenjë-Bizë nuk është i vetmi ndër këto anë. Liqeni i Zi, Liqeni i Luleve, Liqeni i Sopajeve e plot pika të tjera janë potencial i jashtëzakonshme për turizëm, i cili në këtë zonë është fare pak i zhvilluar, sepse nuk ka rrugë!

    Liqeni i Zi

    “Martaneshi është atraksion natyror turistik. Është fare pranë Tiranës dhe mund të kthehet në destinacion gjithëvjetor. Megjithëse është klasifikuar ndër 16 zonat me përparësi për turizëm, aty nuk ka infrastrukturë hotelerie, pasi nuk ka rrugë”, – thotë Rrahman Kasa, kryetar i Unionit të Turizmit në Shqipëri.

    Harta e 16 zonave prioritare për turizëm

     

    Rruga pengon zhvillimin ekonomik të kësaj treve me asete të pasura në xeherorë, shërbime blegtorale, si dhe mbledhjen dhe transportin e bimëve medicinale. “Megjithëse ne i derdhim rregullisht detyrimet tatimore, nuk marrim shërbime”, – thotë Xhaferr Kunxhiu, sipërmarrës.

    “Për Martaneshin nuk ka pasur dhe nuk ka një studim të mirëfilltë për lidhjen e kësaj treve me sistemin rrugor kombëtar. Për ultësirat në Martanesh, ku janë të vendosur fshatrat dhe banorët (600-800 m mbi nivelin e detit), nuk u hapën asnjëherë rrugë me plan, por u bënë disa rrugë të ish-kooperativave bujqësore që funksiononin si rrugë sezonale për makina të larta”, – thotë historiani Teki Kurti.

    Teki Kurti, historian

     

    Shpresat janë të pakta edhe pas përfundimit të Rrugës së Arbrit, pasi Martaneshi është i privuar t’i gëzohet këtij investimi. Shkak është rruga. Nga Tirana në Qafën e Buallit mbërrin për 40 minuta, por nga Qafa e Buallit deri në Krastë duhen 60 minuta për të përshkuar 16.7 km rrugë të degraduar totalisht.

    “Ministria dhe ARRSh në mënyrë urgjente duhet të kryejnë një studim fizibiliteti për ndërtimin e një aksi të ri rrugor, që lidhet me ish-zonën historike të trevës, për ta lidhur për herë të parë me rrugë sipas standardeve bashkëkohore”, – thotë Teki Kurti, i cili sugjeron se vetëm në këtë mënyrë kjo trevë do të lidhej më në fund me pjesën tjetër të Shqipërisë dhe do t`i hapte rrugën zhvillimit ekonomik dhe turistik të kësaj zone.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike.