Dimri i tretë në çadra – Qeveria shqiptare, mes premtimeve të pambajtura dhe keqmenaxhimit të rindërtimit

  • Shqip
  • English
  • Dy vite pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, të dëmtuarit po përballen me vonesa dhe paqartësi se kur do të futen në “shtëpitë e reja”. Përveç disa banesave individuale, ende asnjë kompleks masiv nuk ka përfunduar, ndërsa, nga ana tjetër, vendime të dyshimta dhe kontradiktore kanë rritur faturën e rindërtimit, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet që qëndrojnë pas tyre.

     

    Autorë: Valmora Gogo, Dajana Dobrozi dhe Klaudio Agolli

     

    Sidi, një vogëlushe gjithë energji, që në fillim të dhjetorit do të fikë qiririn e dytë të ditëlindjes, erdhi në jetë, sapo e ëma u zhvendos në konteinerët e Manzës.

    Jeta mes konteinerëve është e vështirë për vogëlushen, për të cilën ende nuk ka një “çati të ngrohtë”.

    Sidi, vogëlushja e lindur pas zhvendosjes në konteinerë

    “Ja, siç na sheh. Lindi në konteiner e familja do të kishte dashur që këtë ditëlindje t’ia festonte në shtëpinë e re”, – na thotë gruaja, që kujdeset për vogëlushen, pasi së ëmës i duhet të punojë.

    Të zhgënjyer dhe të lodhur, banorët e strehuar në këta konteinerë, ndihen të braktisur.

    Konteineri që ndan Sadik Përleka me gruan

     

    “Nuk dimë asgjë”. “Jemi në ajër”. “Çfarë thotë njëri, s’e thotë tjetri”, janë përgjigjet më të shpeshta që marrim nga banorët e dëmtuar, kur i pyesim se kur do futen në banesat e reja.

    Konteinerët në Manzë

     

    Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe 913 të plagosur.

    Bilanci i dëmeve të shkaktuara po ashtu ishte shumë i rëndë për buxhetin e brishtë të shqiptarëve.

    95 mijë banesa u deklaruan të dëmtuara në 11 bashkitë e prekura, 11 mijë prej të cilave u shpallën më vonë të pabanueshme.

    U përllogarit se fatura e dëmeve nga tërmeti ishte rreth 985 milionë euro, ndërkohë që rindërtimi do të kushtonte rreth 1.08 miliardë euro. Këtë faturë kryeministri Rama e paraqiti në Konferencën e Donatorëve, nga ku mori premtimin për 1.15 miliardë lekë në donacione dhe kredi bankare.

    Fatura e rindërtimit u rrit edhe më shumë gjatë vitit 2020, pas një riekspertimi të dytë, të kryer në të gjitha bashkitë e prekura, ku dhjetëra apartamente u shpallën të pabanueshme, ndërsa për mijëra shtëpi individuale u rrit shuma, me të cilat do të mbështeteshin.

    Por, entuziazmi për mbështetjen e marrë nga Konferenca e Donatorëve po shoqërohet me zvarritje të procesit të rindërtimit dhe vështirësi në dyshime për procesin e rivlerësimit.

    Dimri i tretë në çadër

    Banorët e Manzës nuk janë të vetmit që ndihen të zhgënjyer.

    Ky është dimri i tretë që e gjen në çadër Gjergj Muçën, nga fshati Mallkuç, në Njësinë Administrative të Bubqit. Gjatë verës, vapa e bën të pamundur qëndrimin brenda tyre, ndërsa në dimër çfarë bie jashtë, futet brenda.

    Gjergj Muça tregon çadrat, ku jeton prej afro 2 vjetësh

     

     “Ne po rrimë në çadër. Po të futesh brenda, është temperatura shumë e lartë. Dal në 6 të mëngjesit e në 9 të darkës futem brenda. Më parë jo, për shkak të temperaturës shumë të lartë.”, tregon Muça, i cili shpjegon se ka aplikuar për ta rindërtuar banesën aty ku e kishte, në të njëjtin truall, mirëpo ai nuk ka as idenë më të vogël se kur do të nisin punimet për banesën e tij.

    Gjergji tregon se iu ka kërkuar leje përfaqësuesve të Bashkisë së Krujës që ta rindërtojë vetë banesën, që dimri i tretë mos ta zërë sërish në çadër, mirëpo nuk i kanë dhënë leje.

    “Unë i kam thënë, më jep leje, që ta ndërtoj me paratë e mia, se unë i kam disa miq. E zëmë, m’i jep ti 1 milion lekë, m’i jep ky, ai… Në rast se nuk e bëj brenda muajit, hajde shembe, i kam thënë. Por ai thotë, jo, e kemi fondin ne me ustallarët tanë. Nuk na lejojnë; se nuk e ka në dorë Turi (i referohet kryebashkiakut), e ka qeveria.”, – shprehet ai.

    Mes vapës së padurueshme ditën e të ftohtit natën, çifti Gjergj dhe Dile Muça kanë shfaqur të dy probleme shëndetësore, por zonja tregohet më e shqetësuar për të shoqin, për të cilin thotë: “U sëmur nga stresi.”.

    Dile Muça tregon çadrën, ku fle me të shoqin

     Edhe për Bardhok Jakun, që jeton në lagjen Tarinë të fshatit Mallkuç, ky është dimri i tretë që e gjen jashtë. Sipas tij, po të mos ishte një firmë gjermane, që i dhuroi një konteiner, do ta kishte patur të pamundur të mbijetonte majë kodrës ku jeton.

    “Kjo është çadra që na ka dhënë qeveria. Është shkrirë nga dielli, nga shiu… Ja ku është çadra, le ta marrin, se ma kanë lënë në ngarkim”, – thotë Jaku i pakënaqur. Çadra e qeverisë megjithatë nuk ka mbetur bosh, pasi Jaku e ka shfrytëzuar në vend të hangarit për jonxhën dhe bykun.

    Bardhok Jaku tregon çadrën e ofruar nga qeveria

     Në ditët e nxehta të verës Jaku tregon se ka gjetur strehim në hije të pemëve.

    “Po bëhen tre vjet që ne jemi në diell, bashkë me fëmijët, në hije të pemëve. A rri burri i vjetër në hije të pemëve? Po vuajmë më keq se në kohën e Ahmet Zogut”, – thotë i dëshpëruar ai.

    Strehëza e sajuar nga Bardhok Jaku nën hijen e pemëve dhe të batanijeve

     Jaku tregon se atij nuk i është dhënë asnjë opsion, as nëse banesa e tij do të rindërtohet në të njëjtin vend, e as nëse do të zhvendoset në lagjen e re në Bubq, gjë të cilën ai nuk e dëshiron.

    “Çfarë të shkoj të bëj në ato banesat në Bubq?! Unë jam pa shkollë. Atje vdesim zie.”, – shprehet Jaku.

     

    Ritmet e ngadalta të procesit të rindërtimit

    Ritmet e ngadalta të rindërtimit dhe mungesa e transparencës kanë rritur pakënaqësitë mes të prekurve.

    Teksa jemi futur në dimrin e tretë të tërmetit, Investigative Network Albania verifikoi se ndërtimet në terren nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm të premtimeve.

    Përveç disa shtëpive individuale, të cilat janë shpërndarë, thuajse në asnjë prej bashkive, që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk ka përfunduar ende asnjë kompleks masiv banesash.

    Në Durrës, bashkinë më të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, janë parashikuar të ngrihen 547 banesa kolektive në zonën nr.1, por sipas verifikimeve në terren nuk ka një datë përfundimi.

    Po ashtu, në Durrës ende ka zona apo pallate, ku nuk ka filluar puna, e në ato ku puna ka nisur, ka një tejkalim të afateve, si në rastin e Manzës, ku në kohën që pallatet duhej të kishin përfunduar, ato vetëm sa kanë filluar.

    Në Manzë parashikohet të ndërtohen 224 banesa kolektive. Në një tabelë pranë kantierit në Manzë thuhet që ndërtimi duhej të kishte përfunduar në maj të vitit 2021, por duket se banorët duhet të presin vitin 2022 për t`u futur brenda.

    Në Tiranë ka disa zona masive, të përfshira në projektet e rindërtimit, siç janë Ndroqi, Vaqarri, 5 Maji apo Kombinati, ku rezulton se puna, jo vetëm nuk ka përfunduar, por në disa zona nuk ka nisur ende.

    Tabela në kantierin e ndërtimit në Manzë tregon afatin e përfundimit të punimeve – maj 2021, foto e shkrepur në tetor 2021

    Në Laç verifikimet tregojnë se zona është në përfundim dhe rindërtimi i 645 banesave kolektive ka ecur, por plotësimi me infrastrukturën plotësuese duket se ka ende punë.

    Thumana po rindërtohet me ritme të shpejta falë donacioneve private, ndërsa shteti ka marrë përsipër infrastrukturën zhvillimore. Aty parashikohen të ngrihen 434 banesa individuale dhe kolektive.

    Në Krujë 184 banesat kolektive dhe individuale nuk kanë një datë përfundimi, por janë në proces, ndërsa për 221 banesat kolektive në zonën e Fushë-Krujës qeveria ka premtuar se do iu japë çelësat në dorë banorëve brenda këtij viti.

    Në të dyja zonat e rindërtimit të Bashkisë Vorë, ku parashikohen të ndërtohen 962 banesa kolektive dhe individuale, procesi është shumë i ngadaltë, për të mos thënë se ecuria është në fillesat e saj.

    Ashtu si në bashkitë e tjera, edhe në atë të Kavajës procesi po ecën me banesat individuale, por puna vijon me ritme të ngadalta dhe do duhet të marrë ende kohë deri në përfundim të banesave kolektive.

    Tabela që jep të dhënat mbi ecurinë e rindërtimit të Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Verifikim i kryer gjatë muajit shtator 2021

     Më 27 nëntor 2019, një ditë pas tërmetit shkatërrimtar, kryeministri Edi Rama i garantoi nga Durrësi të prekurit nga tërmeti se brenda vitit 2020 do futeshin të gjithë nëpër shtëpi të reja, të ndërtuara nga buxheti i shtetit apo nga ndihma e donatorëve.

    “Besoj që deri brenda vitit 2020 do arrijmë t’i fusim të gjithë nëpër shtëpi të reja dhe shtëpi më të mira se ç’i kishin”,premtoi Rama.

    Vetëm pak ditë pasi i siguroi “se planet e rindërtimit nuk do të cenoheshin” nga gjendja e emergjencës së shkaktuar nga Covid-19, optimizmi i qeverisë për planet e rindërtimit u rrudh vetëm te shtëpitë individuale.

    “Pavarësisht se na doli ky armik (i referohet virusit Covid-19), duhet të bëjmë çmos që ta çojmë drejt vitit të ri me sukses. Tani, s’i bëjmë dot të gjithë, besoj, por shumicën e atyre që kanë shtëpi individuale, do bëjmë çmos ta çojmë me sukses deri për vit të ri”,premtonte nga Thumana, më 8 prill 2020, kryeministri Rama.

    Por, as ky premtim nuk u mbajt dhe kryeministri Rama u detyrua të shtyjë sërish afatet, kur tha se në pranverën e vitit 2022 “çdo gjurmë e tërmetit do të fshihet”. Kjo u skalit në atë që qeveria Rama e quan programin e mandatit të tretë, prezantuar për publikun pas zgjedhjeve.

    Por, edhe ky afat u shty sërish nga ish-ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, që parashikon një tjetër periudhë, kur do të zhduken gjurmët e tërmetit.

    Duket se dalëngadalë, deri në shtator të vitit tjetër, nuk do kemi asnjë shenjë nga tërmeti”, – tha ministri Ahmetaj, gjatë muajit tetor të këtij viti, teksa inspektonte ecurinë e ndërtimeve në fshatin Bubq.

    Nga një analizë e realizimit të buxhetit të kryer nga Open Data Albania rezulton se gjatë vitit 2020 është realizuar vetëm 52% e shpenzimeve të Fondit të Rindërtimit, pra rreth 16.6 nga 32 miliardë lekë të planifikuara, ndërkohë që në vitin 2020 u miratua vetëm 92% e fondit të planifikuar për rindërtim për atë vit, pra 29.5.

    Dukshëm shifrat tregojnë që vonesa e rindërtimit të banesave lidhet edhe me alokimin e fondeve, edhe pse paratë janë gjetur.

    Qeveria shqiptare preferoi ta “zgjidhë qesen e tërmetit” me rreth 124 milionë euro për bashkitë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021.

    “I shpërngulin” nga fshati, refuzojnë pallatet

    Fshati modest i Bubqit është kthyer në një qendër të madhe urbane me shtëpi individuale dhe pallate të vogla 3-4-katëshe, ku do të strehohen rreth 300 banorë të fshatrave përreth, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit.

    Ndryshe nga shkëlqimi i rrjeteve sociale, banorët e fshatrave përreth tregojnë një tjetër histori, se si po “i shpërngulin” dhe po i “detyrojnë” të braktisin shtëpitë, ku kanë jetuar brez pas brezi, për të jetuar në pallatet apo shtëpitë në qendrën e re të Bubqit.

    Banesat kolektive në Bubq

     Shtëpitë e dëmtuara të Abaz Ajazit dhe Rakipe Kepit nuk janë larg bllokut të ri të banesave në Bubq, por ata e konsiderojnë absurde “zhvendosjen” e fshatit në apartamente.

    “Na çon zori, se nuk shkojmë atje. Ja ku e kemi pasur vendin për të bërë shtëpinë. Se ne jemi katundarë, duam lopë, duam pula, se s’kemi ku të hamë”, – thotë Rakipe Kepi.

    Ajo pak tokë që kanë dhe bagëtitë janë i vetmi burim të ardhurash për familjet e tyre, ndaj e konsiderojnë si antikushtetues “ngujimin” në apartamente, pasi iu heq mundësinë për t’u kujdesur për të vetmin burim jetese.

    “Kjo nuk është shtëpi e re, kjo është të shpronësosh fshatarët, sepse atje nuk do të mbash, as lopë, as kafshë pune, as prodhim. As nuk ke 1 hangar, ku të fusësh një prodhim bujqësor/blegtoral; se ai thotë, mbaje ku të duash lopën, delen ose dhinë. Por, ku do i mbash? Për mua është antikushtetues detyrimi atje… Nuk i ruajmë dot bagëtitë këtu. Kush do i ruajë në distancë?”, – shprehet Ajazi.

    Katerina Jaku, që jeton kilometra larg Bubqit, në zonën malore të Tarinës, rrëfen se nuk iu kanë lënë asnjë mundësi që shtëpinë ta rindërtojnë, aty ku e kanë, në fshat.

    “Na morën para një muaji nga Bashkia e Krujës, pyetën, ku i doni banesat. Vëllai im i tha, këtu, se jemi të vjetër. Jo, atje nuk ta bën njeri, i thanë. Hajdeni në Bubq, i kishte thënë. Por, çfarë do bëjmë ne atje?! Hajt, 10 veta po punësohen nëpër fabrika, por çfarë të bëjmë ne të tjerët?!”- rrëfen Katerina.

     “I ka bërë me detyrim Edi.”, – shprehet Abazi, duke iu referuar kryeministrit Rama, kur tregon se vendimi për zhvendosjen është marrë nga qeveria, pa i pyetur më parë ata dhe pa kryer dëgjesa apo konsultime me ta.

     

    Zhvendosje me vendime të dyshimta

    Dhjetëra banorë të Pallatit nr. 4 në zonën e Kombinatit janë ende të paqartë për fatin që i pret shtëpitë e tyre, pasi kanë në dorë dy akt-ekspertiza të ndryshme që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

    I ndërtuar përgjatë viteve 1988-1991 me punë vullnetare, menjëherë pas tërmetit iu vu shiriti, por më pas u shpall i parrezikshëm dhe banorët u lanë të qëndrojnë për më shumë se një vit aty.

    Pamje të jashtme dhe të brendshme të Pallatit nr. 4 në Rrugën “Myslym Keta”, Tiranë

    Në dokumentin e parë, që mban vulën e ish-drejtorit, Agron Hysenlliu, dhe datën 6 dhjetor 2019, thuhet se në pallat janë vënë re çarje dhe plasaritje të suvasë, mirëpo nuk u konstatuan dëme në strukturë. Grupi i inspektimit rekomandonte vetëm të merreshin masa për riparimin e dëmeve. Banorët u rikthyen të gjithë nëpër apartamentet e tyre dhe secili nisi të bënte vetë disa riparime.

    Akt-ekspertimi i Pallatit nr. 4, në Rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, 6 dhjetor 2019

     

    Por, në gusht të vitit 2020, Këshilli Bashkiak, duke iu referuar një ekspertize tjetër, të kryer nga kompania Infratech, sugjeronte që ky pallat duhej të shembej, pasi kostoja e rikonstruksionit “arrin në 116.41% të vlerës, nëse do bëhej i ri”.

    Vendimi për prishjen ka pështjelluar edhe banorët, një pjesë e të cilëve e kanë të vështirë ta besojnë. Njëra prej tyre, Zemrie Vilali, shprehet madje se preferon që rikonstruksionin ta bëjnë vetë banorët me paratë e tyre, vetëm që pallati të mos shembet.

    “Meqë shtetit i shkon shumë, nuk duam lekë. I rregullojmë vetë, ato që janë për të rregulluar. Tani na sjellin ca letra, njëra pas tjetrës. Pse thonë, hajdeni firmosni tani, ta kalojmë pallatin nga DS3 në DS5?!”, – tregon Vilali.

    Të tjerë e konsiderojnë ndërtesën të rrezikshme për të jetuar dhe kërkojnë të zhvendosen sa më parë.

    “Të shembet, jo që nesër, por që sot. Të ikim sa më parë, se është e rrezikshme.”, – thotë Leonard Disha, banor i po këtij pallati.

    Një tjetër banor, Ilmit Luzi, gjithashtu bie dakord që pallati duhet të shembet sa më parë, por shprehet mosbesues ndaj premtimeve të ish-ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

    “Ai që erdhi në fushatë të kërkonte votën, të vijë prapë këtu tani dhe të mbajë premtimin, se s’po e mban! Kur do bëhet pallati i ri?!”, – pyet ai.

    Të paqartë për fatin e tyre, banorët ngrenë pretendimin se po shpronësohen padrejtësisht dhe se do dërgohen në banesa sociale pranë Bregut të Lumit (zona e 5 Majit). Sipas tyre kjo është e padrejtë, pasi prona e tyre (apartamentet dhe trualli), jo vetëm nuk do të ketë të njëjtin vlerësim në treg, por prona e re nuk do të jetë e trashëguar te fëmijët.

    Luan Buzhiqi, avokat, i cili është po ashtu banor i këtij pallati, hedh hije dyshime ndaj bashkisë për arsyen e vërtetë të shembjes. Ai e lidh përfundimin e akt-ekspertizës së dytë me interesat që lidhen me truallin që do të lirohet pas shembjes së tij.

    Ai madje aludon se në vendin e pallatit, pasi të shembet, “duan të bëjnë qendër tregtare”.

    Përmes një procesi të dyshimtë, banorët e këtij pallati janë trajtuar me bonus qiraje përgjatë periudhës dhjetor 2019-janar 2021, pavarësisht se ata qëndronin në banesat e tyre dhe fillimisht godina nuk ishte konsideruar e rrezikshme.

    Paradoksalisht, bonusi është ndërprerë, ndërkohë që në bashki diskutohej për shembjen e ndërtesës, duke shtuar pikëpyetjet mes banorëve.

    “Nëse pallati paska qenë i rrezikshëm, shteti çfarë ka bërë deri tani?! Ku paska qenë shteti për 16 muaj?! Pse na lanë?! Çfarë shteti është ky?!”, – shprehet Zemrie Vilali.

    Banorët rrëfejnë se në muajin prill, që korrespondon me muajin e zgjedhjeve, kanë filluar të shpërndahen përsëri bonuse qiraje.

    “Një pjesë e banorëve e marrin bonusin e qirasë dhe vijojnë të qëndrojnë në këto banesa, janë të njëjtët që janë të lidhur me partinë në pushtet dhe të angazhuar në fushatë”, – hedh akuza avokat Buzhiqi, i cili e konsideron kthimin e bonuseve të qirave një “manovër” për të shembur ndërtesën.

    Në mes të kësaj situate të paqartë banorët kanë bërë kallëzim në prokurori, mirëpo ky institucion ka konsideruar se nuk kanë prova të mjaftueshme për të nisur një hetim.

    Banorët kërkojnë që të ngrihet një grup i pavarur ekspertësh të huaj, që të bëjë vlerësimin e dëmeve të pallatit.

    Irena Dule, avokate pranë qendrës Res Publica, që ka ndjekur raste të pallateve që do shemben në zonën e Kombinatit në Tiranë, deklaron se, duke parë se si po kryhet procesi i rindërtimit, nuk mund të flitet vetëm për keqmenaxhim të fondeve.

    “Ajo që po shohim, nisur nga disa procese gjyqësore kundër prishjes së detyruar të pallateve në disa zona të Tiranës, është një skemë e organizuar abuzimi me ligjin, të drejtat e banorëve dhe fondet publike. Kjo skemë nis me hartimin e akt-ekspertizave të porositura nga Bashkia Tiranë, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin, pra paraqesin fakte të pavërteta, më pas këto akte i nënshtrohen oponencës teknike të Institutit të Ndërtimit, që në të vërtetë thjesht i konfirmon këto fakte, pa i vërtetuar ato dhe në fund të zinxhirit është vendimi i Këshillit Bashkiak, që vendos për prishjen e pallateve.”, – thekson Dule.

    Kjo skemë, sipas saj, jo vetëm që është e kundërligjshme, por edhe jo-eficiente në kuptim të menaxhimit të rindërtimit, fonde të cilat, sipas saj, shpërdorohen dhe nuk shkojnë aty ku është e nevojshme.

    “Edhe më të rënda janë pasojat për pronarët e apartamenteve dhe njësive tregtare, të cilët janë njoftuar për prishjen e shtëpive të tyre, por pa u informuar se ku do të shpërngulen. Në kuptim të ligjit zhvendosja e këtyre banorëve është dëbim pa shkak ligjor dhe prishja e banesave të tyre është shpronësim i paligjshëm.”, – përfundon avokatja Dule.

    Edhe Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, që ka ndjekur rindërtimin me të dhënat e publikuara hap pas hapi, akuzon se rindërtimi është keqmenaxhuar për qëllime klienteliste.

    Rindërtimi është keqmenaxhuar për ndërtime klienteliste, pragmatizëm elektoral. Duket qartë, po të shohim mënyrën si po veprohet me trojet te zona 5 Maji në Tiranë, nën ndikimin e elementëve problematike në ndërtim.”, – thotë Aranita Brahaj.

     

    Centralizimi i informacionit

    Të painformuar dhe të paqartë, banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit përplasen me të njëjtën fjali, sa herë shkojnë në dyert e pushtetit lokal: “Nuk varet asgjë nga ne, varet nga ministri”, të cilit, me sa duket, i pëlqen të çlirojë veten nga përgjegjësitë.

    Pas lëkundjeve sizmike, qeveria krijoi një strukturë të posaçme për të menaxhuar situatën, Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin, në rolin e të cilit u emërua Arben Ahmetaj.

    Kur ka audituar se si ka ecur puna për menaxhimin e situatës nga Ahmetaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se ka mungesë dokumentacioni në veprimet e kryera, ka mungesë evidencash për stafet, si dhe nuk rezulton të ketë bërë ndjekjen e strukturave të posaçme. Por, shkeljet më të mëdha, të gjetura qëndrojnë te fakti se “ministri i Shtetit për Rindërtimin nuk e ka të dokumentuar përgatitjen dhe propozimin e projekteve të përgjithshme e të veçanta, që të ishin pjesë e programeve të procesit të rindërtimit…”, si dhe “… nuk i ka të dokumentuara informacionet për mënyrën e përdorimit dhe eficiencën e arritur për çdo donacion apo mbështetje të ofruar nga organizatat shtetërore dhe organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë, shoqatat, personalitetet publike dhe donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit.”

    Këto shkelje të gjetura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit faktojnë terrenin konkret se si ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe strukturat e posaçme kanë punuar nga 10 janari i vitit 2020 deri më 30 prill të vitit 2021, qartësisht në mungesë të dokumentacioneve dhe në tejkalime kompetencash.

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike.