Rindërtimi, “gropa e zezë” financiare në Kavajë, Durrës dhe Shijak

  • Shqip
  • English
  • Edhe pse paratë dhe koha nuk munguan, “rindërtimi” duket ende shumë larg përfundimit. Durrësi vazhdon të jetë ende një kantier i hapur, ndërsa dhjetëra familje në Kavajë e në Shijak dëshmojnë me zhgënjim se si skadojnë njëri pas tjetrit afatet e dhëna për rindërtimin e shtëpive.

    Autorë: Klementina Cenkollari, Andrea Danglli dhe Dafina Kola

    Vali Nelka e ka pakënaqësinë nga shërbimet e pushtetit vendor më të madhe se dëshpërimin për shtëpinë e pabanuar. Ajo jeton prej vitesh në një apartament të vogël së bashku me bashkëshortin e sëmurë. Pritjet e gjata për ndërhyrjen në shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti ia kanë zbehur shpresat.

    “Kur vij në shtëpi, rri me frikë dhe nuk mund të fle. Vijmë, hamë bukë dhe në mbrëmje shkojmë paguajmë diku tjetër për të bërë gjumin. Dëmet janë vërtet shumë të mëdha”, – rrëfen Vali Nelka për Investigative Network Albania.

    “Mua më intereson të vij të banoj në shtëpinë time, pasi jetoj me një burrë të sëmurë”, – shprehet e nervozuar banorja, e cila sheh se si banesa e saj degradon ditë pas dite.

    E strehuar në një nga apartamentet pranë të ashtuquajturit “Pallati i Burgut”, Vali Nelka nuk është e vetmja që është e pakënaqur me rindërtimin. Vali rrëfen se bashkia iu ka premtuar se do të ndërhyjë brenda dhe jashtë apartamenteve, por deri më tani kanë qenë vetëm fjalë.

    Dhjetëra familje në Kavajë dëshmojnë me zhgënjim se si skadojnë njëri pas tjetrit afatet e dhëna për rindërtimin e shtëpive, ndërsa kanë nisur punën për riparimin e dëmeve me financa personale. Të pakënaqur janë edhe ata që kanë marrë fond për riparimin e dëmeve, pasi shumat janë tejet modeste për të mbyllur të gjitha punimet e nevojshme. Ata pretendojnë se masa e dëmshpërblimit për shkallën DS1, DS2 dhe DS3 është tepër e vogël dhe i bën të pamundura riparimet e nevojshme. Shumë prej tyre thonë se me shumën 100 mijë lekë, të dhënë nga pushteti vendor, asnjë kompani nuk e merr përsipër riparimin e plotë të dëmeve.

    “Ne na caktuan DS1, 1 milion lekë. Unë 1 milion lekët aty i kam, se s`i kam përdorur, por asnjë usta s`ma merr përsipër dhe e gjithë kostoja është së paku trefish më e lartë se kjo që na kanë dhënë. Komshinjtë e kanë rregulluar me lekët e tyre, unë s’kam dhe e kam lënë, siç e ka bërë tërmeti”, – rrëfen banorja Refo Bido, e cila thotë se, sa herë dëgjon për tërmet në Greqi, i nxjerr djemtë jashtë shtëpisë nga frika.

    Por, krejt ndryshe nga banorët, kryebashkiaku, Redian Krali, shprehet optimist për ritmet e rindërtimit.

    “Janë 260 apartamente të reja dhe të gjithë familjarët do të akomodohen në apartamente, ndërsa rreth 400 familje janë me bonus qiraje”, – tregon Krali.

    Vetë kryebashkiaku Krali thotë se ankesat janë shumë të pakta dhe për to kanë ngritur grupe verifikimi.

    “Kemi ngritur grupe pune dhe i shikojmë me kujdes. Nëse kemi parë ndonjë parregullsi të vogël, e kemi dokumentuar dhe e kemi dërguar drejt Fondit Shqiptar të Zhvillimit për shtëpitë individuale, ku janë 133 shtëpi në total”, – deklaroi ai.

    Procesi i rindërtimit në Kavajë

    Por, përkundër optimizmit të kryetarit të bashkisë, ka nga ata banorë që thonë se nuk kanë marrë fare dëmshpërblim. Dhjetë familje të pakënaqura mund të gjenden vetëm në pallatin ku banon Miranda Dajlani, një tjetër qytetare e shqetësuar.

     “As bonus nuk kam përfituar dhe as 1 milion lekët e dëmshpërblimit për dëmet e tërmetit s’i kam marrë fare. E rregullova me pensionin që kisha mbledhur bashkë me invaliditetin”, – thotë Dajlani, e cila na rrëfen për shtëpinë e saj.

    Kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe ka bërë që banorët të humbasin besimin te zgjidhja.

    “Çfarëdolloj vonese favorizon mungesën e transparencës dhe favorizon grupe të caktuara, duke e shndërruar këtë fatkeqësi në një armë pasurimi për individë dhe grupe të caktuara, si dhe për përfitime për qarqe politike, pas të cilave ata fshihen”, – arsyeton Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

    Vetë Ministria e Rindërtimit vendosi të jetë hermetike dhe nuk i dha asnjë përgjigje një serie të gjatë pyetjesh, të adresuara nga Investigative Network Albania.

    Ndërtime pa planifikim territori

    Shpejtësia, me të cilën u morën vendimet për të ndërtuar komplekset e reja, është parë shpesh me dyshim nga ekspertët e planifikimit të territorit. Ata sugjerojnë se lagjet e reja dhe vendimet duhet të ishin marrë mbi bazën e planeve të zhvillimit dhe jo mbi vendimmarrje ad hoc. Njëri prej tyre, urbanisti Flamur Kuçi, ka dyshime të forta se skemat e propozuara mund të mos jenë funksionale për shkak të gjendjes emergjente, me të cilën u planifikua territori për këto ndërtime.

    “Dyshoj se krijimi i këtyre zonave me një vendimmarrje ad hoc, shpeshherë me vullnet të fortë politik, por pa konsulencë të duhur nga pikëpamja profesionale, do të krijojë probleme. Duhet të ishte bërë mbi bazën e disa planeve konkrete. Në fakt, të gjitha këto qytete, që u përballën me këtë krizë, sapo kishin përmbyllur planet e tyre të zhvillimit lokal dhe është e pajustifikueshme që vendimmarrja për ndërtimet dhe post-tërmetet të bëhet e pabazuar mbi këto plane”, – thotë ai.

    “Zhvendosja e komuniteteve dhe krijimi i lagjeve të reja, në njëfarë mënyre me procedura ad hoc, jo të bazuara në plane e strategji konkrete, do të sjellë shumë problematika”, – sqaron më tej urbanisti Kuçi.

    Cilësia e ndëetimeve të dëmtuara

    Ai ngre dyshime edhe për cilësinë e ndërtimeve.

    “Procesi ad hoc ndikon edhe në cilësinë ndërtimore. Me sa kuptoj unë, nuk kemi të bëjmë me cilësinë e duhur ndërtimore për të ofruar me të vërtetë, qoftë kualitet urbanistik, qoftë kualitet ndërtimi apo edhe kualitet banimi”, – nënvizon Kuçi.

    I pyetur nëse kanë hartuar ndonjë plan urbanistik në kuadër të rindërtimit, kryebashkiaku i Kavajës e shmang përgjigjen, por kujdeset të sqarojë se krahas riparimit të dëmeve të tërmetit dhe ndërtimit të pallateve të reja, do të ketë edhe përmirësim të të gjithë infrastrukturës ndihmëse, me parqe, spitale, kopshte etj. Përdorimi i rindërtimit si një skemë për favorizime është shqetësim edhe për gazetaren investigative, Aranita Brahaj.

    “Ajo që vëmë re më së shumti në periudha zgjedhore, është aktivizimi i atyre granteve të vogla të rikonstruksionit. Pra, nëse tërmeti ka ndodhur në vitin 2019, nëse aktet e konstatimit janë bërë për muaj me radhë, qeveria vendosi që në prill, qeveria qendrore së bashku me qeverinë vendore, të aktivizonte ato grantet e vogla 1-5 mijë dollarë, të cilat iu jepeshin familjeve, jo atyre që ishin në ekstrem në nevojë, por atyre familjeve që kishin pësuar dëme të lehta të llojit DS1, DS2 dhe DS3”, – argumenton ajo.

    Bashkia e Durrësit harron tërmetin

    “Brenda vitit 2020 do të kenë shtëpitë e reja banorët e fshatit, ndërsa deri në qershor të vitit 2021 do të bëjmë shtëpitë në qytete për ata që nuk mund të kthehen në pallate nga dëmet e mëdha”, – do të shprehej më 14 dhjetor 2019 kryeministri, Edi Rama, në një video-mesazh drejtuar publikut përmes profilit të tij në Facebook. Por, dy vite pas tërmetit Durrësi është ende një kantier gjigant, i “hapur”. Madje, shumë objekte ende janë në fazë kërkimi financimesh.

    Nga ana tjetër, dhjetëra banesa, që u premtua se do të rimëkëmbeshin në kohë rekord, sot gjenden akoma në dyert e Bashkisë së Durrësit për të marrë dëmshpërblimin e nevojshëm. Të tillë janë banorët e pallatit nr. 21 në rrugën “Isuf Molla”, që u klasifikua i pabanueshëm, ndërsa u shemb 18 muaj më parë nga Inspektorati Kombëtar i Territorit. 20 familje durrsake, që banonin në këtë pallat, enden dyerve të Bashkisë së Durrësit dhe Prefekturës, në kërkim të një përgjigjeje se kur do të nisë rindërtimi i pallatit të tyre.

    Pallat i dëmtuar në Durrës

    Pallati ynë është shembur dhe është kthyer në vend plehrash. Nuk na kanë dhënë asnjë informacion se kur nis ndërtimi i pallatit të ri. As bonusin e qirasë nuk e kemi marrë, u bënë tre muaj”, – tha një qytetare, teksa protestonte para bashkisë.

    “Kam mbetur rrugëve me 100 mijë lekë (të vjetra) pension. Ku të shkoj unë? Dua shtëpinë time, se dua të vdes në shtëpinë time. S’dua të dalë xhenaze nga shtëpia e tjetrit”, – u shpreh një grua e moshuar.

    Prej 3 muajsh ata nuk e marrin bonusin e qirasë, ndërsa bashkia nuk jep asnjë shpjegim për këto vonesa.

     “Kërkojmë të na rindërtohet pallati dhe përveç kësaj kemi hyrë në muajin e tretë që nuk e marrim bonusin. Na ka shkuar thika në palcë”, – shprehet një burrë i moshuar.

    “Asnjë lloj sqarimi, jemi në pritje akoma, nuk dimë se çfarë do të bëhet”, – thotë një tjetër banor.

    Në një vëzhgim në disa prej vatrave më të prekura nga tërmeti i dy viteve më parë duket se gjurmët nuk janë përtërirë ende. Përgjatë zonës së plazhit të Durrësit nuk është e vështirë të shohësh pallate të dëmtuara, të cilat përbëjnë rrezik për qytetarët.

    Nuk kemi marrë asnjë përgjigje, edhe pse flasim vazhdimisht me institucionet. Në fillim ky pallat u shpall i pabanueshëm dhe më pas thanë, është i banueshëm. Ka dëme të jashtëzakonshme. Rrimë roje gjithë natën, nga frika se mos shembet dhe na zë brenda”, – shprehet Ramazan Shala, një banor i kësaj zone.

    “Janë bërë me dy standarde dhe në mënyrë shoqërore. Lus bashkinë që të vijë të bëjë riparimet e nevojshme, se nuk kemi asnjë mundësi financiare”, – shprehet ai.

    E njëjta situatë paraqitet edhe në pallatin nr. 901, në Durrës, pranë rrugës “Kristo Sotiri”. 45 familje po vuajnë mbi kurriz edhe “gabimet njerëzore”.

    Pallat i dëmtuar te rruga “Kristo Sotiri”, në Durrës

    Nga periudha e dëmtimit dhe deri më tani për këtë pallat kanë dalë tri lloje ekspertizash mbi nivelin e dëmtimit që ka marrë në strukturë.

    “Unë jam Suzana. Asnjë specialist nuk ka trokitur në derën time që të vlerësojë dëmet dhe t’i përkthejë në vlerësim monetar. Me ne nuk ka kontaktuar askush. Ne si banorë kemi marrë specialist privat, që na ka dhënë siguri që mund të jetojmë qetësisht”, – shprehet banorja e të ashtuquajturit Pallati 2000 pranë lagjes 18.

    Ndërkohë, nga ana tjetër, një përcaktim i dytë e ndryshoi rrjedhën, duke e shpallur dëmtimin në nivel DS4 ose për shkatërrim. Ankesat e banorëve kanë bërë që vendimi të rishikohet, duke e rikthyer vlerësimin sërish në nivel DS2. Kjo praktikë e ndjekur nga ana e institucioneve ka ngritur dyshime të forta edhe mbi vendimet e marra për qindra banesa dhe objekte të tjera, të cilat kanë pësuar dëmtime nga tërmeti dhe që në jo pak raste kanë ndeshur në kundërshti dhe paqartësi.

    Bashkia e Durrësit nuk dha përgjigje në lidhje me pyetjet e adresuara nga INA MEDIA dhe po ashtu as kryebashkiakja, Emiriana Sako, nuk pranoi të përgjigjet.

    Për inxhinierin Edgar Frashëri procesi i vlerësimit nuk po kryhet si duhet dhe institucionet ishin të papërgatitura për të marrë masat në kohë, për të përballuar çdo lëkundje sizmike.

    “Na ka ruajtur Zoti, pasi Durrësi mund të kishte pësuar dëmtime edhe më të rënda për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimeve. Çdo moment që shteti do të neglizhojë, të gjitha pasojat do të reflektohen, ashtu siç u reflektua në cilësinë e ndërtimeve në Durrës mungesa e normave dhe standardeve që vetë ky shtet duhet t`i miratonte dhe t`i bënte të detyrueshme për t’u zbatuar nga ndërtuesit”, – shprehet ai, teksa thotë se ndërtuesit kanë qenë të lirë për të ushtruar aktivitetin e tyre në mënyrë të pamonitoruar.

    Po ashtu, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka konstatuar se vendimi për prishjen e 11 objekteve është i pabazë.

    “Nën gjykimin e pavarur të grupit të auditimit, vlerësojmë se, në kushtet kur procedurat e ndjekura për vlerësimin e 11 objekteve të Bashkisë Durrës, që kanë pësuar dëme gjatë tërmetit, janë kryer në kundërshtim me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi dhe si pasojë edhe dokumentet – produkt i këtyre procedurave (akt-ekspertizat, oponencat) – nuk janë në përputhje me kriteret ligjore, procesi i vendimmarrjes, veçanërisht për prishjen e detyruar të objekteve, është i pabazë dhe mbart riskun që njëkohësisht të jetë edhe i gabuar”, – citohet në raportin e KLSH-së.


    Shijaku mes pritjes, lutjes dhe mëshirës

    Si të mos mjaftonin vështirësitë e moshës apo problemet me shikimin, që e sfilitin prej kohësh, Zeqine Hajri po përballet prej dy vitesh edhe me frikën e madhe se banesa e saj mund të shembet dhe rrënojat ta zënë poshtë.  Dy tërmetet, ai në shtator dhe ai në nëntor të vitit 2019, e nxorën apartamentin e saj në rrugën “Mustafa Kërtalli”, në Shijak të pabanueshëm.

    Shtëpi e dëmtuar në Shijak

    Zeqineja thotë se në fillim iu është thënë verbalisht që pallati do të shembet.

    “Erdhën, e panë dhe i vunë kryq rreth e rrotull për t’u shembur”, – shprehet nënë Zeqineja, e cila mbart mbi supe plot 85 vite.

    Më pas gjërat kanë ndryshuar. Ajo thotë se djalit të saj, që ka ardhur posaçërisht nga Italia për të gjetur një zgjidhje, i është thënë nga ana e kryetarit të bashkisë që pallati është për t’u riparuar.

    Në fillim na thanë se do të shembej, më pas na thanë, do riparohet. Kur përplas makina derën, luan pallati dhe gjithë shtëpia.”, – thotë e moshuara.

    Kërkesës zyrtare të INA MEDIA-s, ku parashtrohet çështja për pallatin 1, shk. 1, në rrugën “Mustafa Kërtalli” në Shijak, bashkia iu përgjigj duke thënë se “objekti është shpallur nga Instituti i Ndërtimit me Akt-Ekspertizë të Thelluar: Rikonstruksion me shkallë dëmtueshmërie DS4”, por nuk ka një përgjigje se kur do të nisë ndërhyrja rehabilituese në të.

    Edgar Frashëri, inxhinier, njëkohësisht ish-anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit, shpreh dyshime mbi ekspertizat e realizuara.

    “Abuzimet kanë qenë të mëdha. Shteti mendoi se do lajë mëkatet për 5 minuta me ekspertë që shkonin nëpër banesa për vlerësime, por kjo punë është më e thellë dhe më e gjatë se kaq”, – shprehet Edgar Frashëri.

    “As në Bashkinë e Tiranës, as në Bashkinë e Durrësit dhe në asnjë bashki tjetër nuk mund t`i gjesh listat e personave të dëmtuar, shkallët e dëmtimeve, klasifikimet e njohura si DS1, DS2, DS3 dhe DS4 e me radhë, njëkohësisht edhe madhësinë e fondeve që është menduar të jepet për këtë. Është e pakuptimtë që t’iu japësh pará në dorë për strehim, në një kohë që është shndërruar në një lloj ndihme ekonomike për fat të keq.”, – shpjegoi eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.

    Për kryetarin e Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, problematikat në fjalë duket se nuk ekzistojnë.

    “Vetëm në lagjen Lugina do të ndërtohen 21 pallate, ku do të akomodohen rreth 512 familje. Të gjitha familjet, që kanë humbur banesën, trajtohen me bonus qiraje dhe janë akomoduar në banesa rreth qytetit.”, – siguron Arbana.

    Akuzat e qytetarëve, të cilët pretendojnë se kategorizimi dhe shpërndarja e ndihmës ka qenë edhe me prapavijë politike në prag të zgjedhjeve, Arbana i mohon në mënyrë kategorike.

    “Kjo nuk është aspak e vërtetë, janë spekulime, që bëhen nga subjektet politike”, – shprehet ai.

    Referuar përgjigjes zyrtare të Bashkisë së Shijakut: 914 familje kanë përfituar bonus qiraje; 1421 familje kanë përfituar dëmshpërblim për DS1, DS2, DS3; 65 familje kanë përfituar dëmshpërblim për DS4 – rikonstruksion (banesa individuale) dhe 27 familje kanë përfituar nga dëmshpërblimi për nivelin e dëmit DS4 (shembje).

    Por, pavarësisht optimizmit të kreut të bashkisë, në terren situata nuk është aq e qetë. Ka nga ata qytetarë, të cilët, pasi janë goditur nga tërmeti, po cenohen dhe nga procesi i rindërtimit.

    Muharrem Çalliku ende nuk ka marrë ndihmë për riparimin, por edhe pallati i ri, që po rindërtohet, ka ardhur ngjitur me banesën e tij, duke i shtuar një hall më shumë.

    “Kam lindur në këtë shtëpi dhe tani jam 62 vjeç. Më është shembur pjesa, kur ka rënë pallati. Më thanë të bashkisë, mos u mërzit, se do t’i bëjmë, por deri më tani asnjë gjë. Erdhi puna për të rregulluar çatinë, se do fillonte shiu, nuk erdhën për ta rregulluar. U detyrova vetë dhe e bëra me lekët e mia. Kjo është qeveria jonë”, – thotë për INA MEDIA-n Çalliku, i cili pranon se nuk ka bërë aplikim.

    Grantet e shpërndara në periudhën janar-dhjetor 2020 kapin vlerën e 798,504.000 lekëve, pará të cilat janë akorduar për rikonstruksionin e banesave me DS1-DS3, përfituese nga aplikimet e muajve shkurt dhe korrik 2020. Por, drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj, ngre alarmin se ka procedura me një risk të lartë për sa i përket kontraktimit.

    Risku lidhet me mundësinë për klientelizëm dhe për mungesë të respektimit të lirive për barazi në gara apo lirive ekonomike”, – sqaron ajo.

    “Një procedurë që zhvillohet sot për prokurimet publike, qoftë dhe ajo me vlerë të ngjashme me vlerën për tenderë ndërkombëtarë, zhvillohet me një afat për shprehje interesi, që është vetëm 10 ditë. Mendoni një kompani të huaj, e cila merr dijeni për këtë njoftim dhe vetëm për të marrë një vulë apostile, do t`i duhej të shpenzonte më shumë se 10 ditë. Pra, automatikisht kemi rast klientelizmi, pasi kompanitë e huaja skualifikohen”, – sqaron Brahaj.

    “Të gjitha shkollat, ose të gjitha godinat, ose një pjesë e mirë e punimeve kanë dalë në tenderë, të cilët në një pjesë të mirë kanë karakter të përqendruar të ofertës, çka do të thotë që ofertuesit e nivelit të mesëm janë automatikisht të përjashtuar nga gara. Nga ana tjetër, kemi dhe një element tjetër të garës, që është procedura e kufizuar”, – thekson ajo.

    “Shpejtësia jo domosdoshmërisht është elementi i vetëm që dikton cilësinë”, – thotë Anisa Lloja, një arkitekte e rikthyer pas studimeve në Angli.

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike.