Abuzimet/Magazina e spitalit plot, mjeku i jep recetë 1500 euro, që ta blejë në privat

  • Shqip
  • English
  • Informacionet e grumbulluara nga INA MEDIA konfirmojnë se në spitalin e Traumës mungon një gamë e madhe produktesh ortopedike, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve. Drejtuesit pranojnë se për pasojë 1200 pacientë janë në listë pritjeje.

    Investigative Network Albania zbulon edhe një tjetër skemë abuzimi nga vetë mjekët, të cilët i orientojnë drejt farmacive private, me receta që kushtojnë mijëra euro, pavarësisht se produkti gjendet në spital.

     

    Autor: Saida Malaj

    Pas një aksidenti rrugor, të ndodhur në Lezhë në qershor të vitit 2021, bashkëshortja e A. D., pësoi dëmtime të rënda në këmbë dhe për pasojë mjekët rekomanduan ndërhyrje të menjëhershme.

    Për shkak të dëmtimeve të shumta ajo u transferua drejt spitalit të Traumës, ku mjeku ka konkluduar se pacientja ka nevojë për një ndërhyrje delikate, por vidat fiksuese për dy pllakat e gjurit, që do i vendoseshin të sëmurës, nuk gjendeshin në farmacinë e spitalit.

    Në këtë situatë, mjeku iu ka plotësuar një recetë familjarëve dhe iu ka rekomanduar që të blejnë vida kortikale, auto-filante 3.5 mm me gjatësi nga 10 mm deri në 12 mm në farmacinë përballë spitalit.

    “Mjeku më tregoi një mesazh, ku sqarohej se nuk i kishin këto pajisje për fiksimin e kockave, duke më drejtuar në njërën prej farmacive që ndodhet pranë spitalit për të blerë pllaka dhe vida”, – thotë A.D., për Investigative Network Albania.

    Receta e dorëzuar nga mjeku te familjari për materiale ortopedike

    Kur A. D., është paraqitur në farmaci me recetën që i kishte përshkruar mjeku, ai ka mbetur i çuditur nga ajo që ka parë dhe e ka bërë të dyshojë se është përfshirë në një skemë mashtrimi dhe përfitimi.

    Sapo arrij në farmaci, sipër tavolinës shoh një letër, ku shkruhej emri i bashkëshortes time dhe një llogari matematikore, 1500 euro – 700 = 800, ndërkohë që këto pajisje kushtonin 1500 euro”, – tregon i afërmi i pacientes.

    Ai pretendon se i ka kërkuar llogari farmacistes se përse emri i bashkëshortes së tij ishte mbi tavolinë, por ajo i është përgjigjur se “ishte thjesht një rastësi dhe se letra nuk kishte lidhje me rastin e tij”.

    Në këtë situatë ai ka kërkuar ndihmë në media dhe vetëm pas interesimit të gazetares pajisjet çuditërisht gjendeshin në magazinat e spitalit dhe ndërhyrja u krye me sukses.

    Ndryshe nga pretendimi i mjekut, që e ka drejtuar pacientin drejt farmacisë private, hulumtimi i Investigative Network Albania ka faktuar se ky produkt ndodhej në të vërtetë në magazinat e spitalit.

    Referuar përgjigjes zyrtare, të mbërritur nga spitali i Traumës në lidhje me pajisjet ortopedike, rezulton se pikërisht në periudhën që pacienti është dërguar në klinikën private për të blerë materialet e nevojshme, spitali i kishte në gjendje.

    Konkretisht, referuar kësaj liste spitali kishte gjendje plot 605 copë vida kortikale, auto-filante 3.5 mm me gjatësi nga 10 mm deri në 12 mm, duke ngritur dyshime se kjo është një skemë se si “vidhen” pacientët në spitalet publike; ndërkohë që me dokumente gjithçka funksionon shumë mirë, materialet janë në gjendje dhe pretendohet që pacientët e marrin shërbimin në spital.

    Gjendja në magazinë e materialeve që i nevojiteshin pacientit, pika 1

    Investigative Network Albania kontaktoi me drejtoreshën e spitalit të Traumës, Edlira Bode, nëse kishte dijeni për këtë skemë, ku pacientët me recetë nga mjeku dërgohen jashtë spitalit për të blerë pajisje ortopedike jashtë vullnetit dhe dëshirës së tyre.

    Bode, e cila e ka marrë këtë pozicion në tetor të vitit 2021, mohon që një gjë e tillë të ketë ndodhur, gjatë kohës që ajo e drejton këtë spital.

    “Deri më tani nuk ka pasur asnjë indicie të një fenomeni të tillë. Në regjistër është lehtësisht e verifikueshme, në momentin që krahasohen operacionet dhe pajisjet e dala nga magazinat, por në dijeninë time asnjë pacient nuk është ankuar në drejtorinë e spitalit”, – shfajësohet Bode.

    Por, hulumtimi i Investigative Network Albania-s ka zbuluar edhe një tjetër realitet të hidhur. Në këtë spital mungon një gamë shumë e madhe produktesh, mungesë që, jo vetëm vë në rrezik jetën e pacientëve, por rrit edhe barrën financiare të familjeve.

    Pavarësisht marrëveshjes kuadër, sipas së cilës spitali duhet t’i ketë në gjendje këto pajisje për rastet emergjente, rezulton se nuk ka rezerva.

    Mungesat konfirmohen edhe nga vetë mjekët ortopedë të këtij spitali. Sipas tyre, këto instrumente janë shumë të rëndësishme në fiksimin e kockës me materiale metalike.

    Në këto raste është e domosdoshme zgjatja e kockave dhe për këtë ka nevojë të përdoren bulona dhe pllaka (thënë në gjuhën teknike, mjekësore).

    Në këto kushte, skema është e njohur: mjekët i drejtojnë të afërmit e pacientëve në farmaci, ku materialet ortopedike blihen me çmime të kripura.

    Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, Investigative Network Albania nëpërmjet një shkrese për informacion kërkoi të mësonte se si ishte gjendja në magazinat e farmacisë së spitalit të Traumës.

    Në kthim-përgjigjen e spitalit, e cila ka mbërritur në shtator 2021, rezulton se plot 24 produkte mungonin dhe në kolonën e dokumentit shënohej “0 copë në magazinë”, por, sipas spitalit, këto pajisje mbuloheshin nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, 2-vjeçare.

    Në përpjekje për të justifikuar rastet, kur ka mungesa të këtyre produkteve, drejtoresha e këtij spitali zbulon një tjetër skandal: shtyrjen e operacioneve të urgjencave dhe lënien e qytetarëve pa shërbim.

    “Në raste të urgjencave ka 3 mundësi: Kryhen mini-konkurse dhe kompania sjell pajisjet. Operacioni shtyhet, derisa të vijnë mjetet; Pacienti zgjedh vetë t`i blejë me vullnet të lirë ose bëhet marrëveshje me kompaninë, që të mbulojë urgjencat e paparashikuara dhe më pas të paguhen, në rast se ka mbaruar kontrata para kohe”, – thotë Bode për INA MEDIA-n.

    Referuar listës së vënë në dispozicion nga vetë spitali i Traumës, një pjesë e pajisjeve ortopedike, që mungojnë, janë shumë të shtrenjta, variojnë nga qindra deri në mijëra euro.

    Implantet ortopedike gjendje në Spitalin Universitar të Traumës Sasia për çdo pajisje për copë
    Pllaka klavikule

     

    0
    Fiksor ekstern multiaxial me klamp

     

    0
    Fiksor ekstern radio-carpal

     

    0
    Fiksor ekstern radio-carpal

     

    0
    Fiksator femuri

     

    0
    Fiksator kërciri

     

    0
    Proteza koka-humerale

     

    0
    Proteza component-humeral, pa cement

     

    0
    Vida locking 6.5 mm

     

    0
    Proteza component-humeral, me cement

     

    0
    Vida locking 5.0 mm

     

    0
    Vida locking 3.5mm

     

    0
    Pllaka lockingdistal

     

    0
    Pllaka olekrani loc

     

    0
    Koka bipolare

     

    0
    Pllaka olekrani, jo loc

     

    0
    Pllaka distal-anatomike, fibule loc

     

    0
    Pllaka anatomike femuri, proksimat

     

    0
    Spacer për protezat e infektuara

     

    0
    Fasheta

     

    0
    Liner i gjurit

     

    0
    Komponenti tibial i gjurit

     

    0
    Komponenti femoral i gjurit

     

    0

    Tabela e produkteve ortopedike që mungojnë në spitalin e Traumës

    Ish-drejtori i spitalit të Traumës, Arben Zeneli, pranon se ka ndodhur disa herë që magazina e mjeteve ortopedike të spitalit të ketë mungesa për një sërë pajisjesh.

    Ai sqaron se i kanë dërguar disa herë shkresa Ministrisë së Shëndetësisë, si autoriteti që kryen tenderët për furnizimin e spitaleve, për ta vënë në dijeni për mungesat.

    Burime pranë spitalit të Traumës fajësojnë skemën e zgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë për zhvillimin e tenderëve.

    Sipas kësaj skeme, në bazë të kërkesave të vetë spitalit, ministria alokon një fond 1-vjeçar për të plotësuar nevojat. Parashikimet bëhen në bazë të ecurisë së një viti më parë, por ndodh që jo gjithçka të parashikohet. Për këtë arsye ka mungesa të disa mjeteve, por ndodh edhe e kundërta, një pajisje pak e nevojshme mbetet stok, ndërsa më të përdorurat janë mbaruar.

    Sipas burimeve konfidenciale, fondi, që ministria përcakton, nuk mjafton, duke lënë në listë pritjeje një numër të lartë pacientësh për operacionet me planifikim.

    Procedurat kontraktuale përcaktojnë se, në rast se x pajisje mbaron para afatit të kontratës, kompania e kontraktuar duhet ta zëvendësojë, por, nëse një x material mjekësor mbaron, pasi ka përfunduar edhe kontrata me privatin, atëherë spitali i bën kërkesë ministrisë që të shtojë fondin dhe të hapen mini-konkurse përsëri.

    “Ne i kemi bërë kërkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë, por jemi përballë faktit se nuk ka instrumente fiksuese për kockat, për t’iu ardhur në ndihmë pacientëve”, – shpjegon ish-drejtori i Traumës, Arben Zeneli, i cili aktualisht punon si mjek ortoped në këtë spital.

    Mungesën e pajisjeve ortopedike ish-drejtori Zeneli e argumenton edhe me faktin se spitali i Traumës përballet pothuajse me të gjitha rastet e rënda që vijnë nga rrethet.

    Si pasojë e mungesës së mjekëve specialistë nëpër rrethe, spitalet rajonale në shumë raste madje as nuk i çelin fare tenderët për të blerë pajisjet për kirurgjinë ortopedike dhe i delegojnë pacientët te spitali i Traumës.

    Kjo rrit fluksin e pacientëve dhe nevojën për të pasur më shumë pajisje mjekësore në gjendje te Trauma”, – thotë Zeneli.

     

    Spitalet rajonale, pa mjekë dhe pa fonde për traumat

    Katër spitalet rajonale, ai i Elbasanit, i Lezhës, i Durrësit dhe i Vlorës, pranojnë se në institucionet e tyre mungonin, jo vetëm mjetet, por edhe mjekët specialistë, që do t`i përdornin këto mjete.

    Spitali i Elbasanit pranon se, për shkak të mungesës së materialeve mjekësore, i referojnë rastet në spitalin e Traumës.

    Mungesa e materialeve dhe prania e një ortopedi definitiv e bën të pamundur kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale, por të gjitha rastet janë konsultuar në SUT për dhënien e ndihmës më të specializuar”, – sqaron për INA MEDIA-n spitali i Elbasanit.

    Në këtë spital për vitin 2021 janë kryer vetëm pesë ndërhyrje kirurgjikale, ortopedike, ndërsa në ditën e mbërritjes së përgjigjes për informacion nuk kishte asnjë pacient të shtruar në këtë shërbim.

    Spitali i Elbasanit në një përgjigje zyrtare për INA MEDIA-n shpjegon se kjo vjen, pasi “rastet në përgjithësi janë politrauma. Zgjidhen rastet sipas gjendjes së pacientit. I jepet ndihma e parë, mjekësore, pastaj transferohet në SUT për një trajtim më të specializuar”.

    Spitali i Lezhës konfirmon se sasia e materialeve, me të cilat ata furnizohen, nuk arrin të mbulojë nevojat e pacientëve. Si pasojë edhe ata “lajnë” duart nga përgjegjësia dhe i referojnë këta pacientë drejt Traumës në Tiranë.

    “Institucioni ynë disponon materiale mjekimi për ndërhyrjet ortopedike. Sidoqoftë, sasia është e pamjaftueshme, pasi nevoja është më e madhe për arsye të numrit në rritje të pacientëve, që e kanë të nevojshme marrjen e këtij shërbimi. Gjithashtu, ky shërbim mbulohet vetëm me një mjek specialist, ortoped. Spitali disponon aparaturat e domosdoshme për trajtimin e rasteve urgjente, ndërsa transferimi i pacientëve në Spitalin Ushtarak të Traumës kryhet në rastet kur paraqesin gjendje të rënduar dhe/ose në prani të sëmundjeve bashkëshoqëruese, kur kërkojnë trajtim multidisiplinar, më të specializuar”, – i përgjigjet interesimit të INA MEDIA-s spitali i Lezhës.

     

    Referuar të dhënave nga vetë ky institucion shëndetësor, për periudhën janar-tetor 2021, reparti i Ortopedisë ka kryer 163 operacione, ndërkohë që vetëm 8 pacientë janë transferuar te Trauma.

    Në spitalin e Durrësit situata paraqitet më optimiste. Ata shpjegojnë se fatmirësisht i kanë specialistët për të asistuar, por kanë kufizime për të kryer operacionet e rënda.

     

    “Shërbimi i Ortopedisë ka stafin dhe të gjitha pajisjet për kryerjen e operacioneve të traumave lokomotore. Në shërbimin e Kirurgjisë kryhen operacionet e traumave që kanë lidhje me abdomenin për traumën lokomotore (të gjitha frakturat e ekstremiteteve); i kemi të gjitha mjetet për zgjidhjen e tyre. Në spitalin tonë trajtohen traumat e abdomenit dhe më pak të toraksit dhe për këto patologji janë mjetet e domosdoshme dhe përgjithësisht këto trajtohen nga personeli ynë. Shërbimi i Ortopedisë kryen më shumë se 450 ndërhyrje kirurgjikale në vit, ku përfshihet trauma lokomotore e ekstremiteteve”, – sqaron spitali i Durrësit.

    Në Tiranë dërgohen ato ndërhyrje, që kanë lidhje me traumat e kokës, të cilat kanë nevojë për neurokirurg dhe trajtim në Neurokirurgji”, – sqaron më tej spitali i Durrësit.

    Problematika është e pranishme edhe në spitalin e Vlorës, i cili dëshmon se specialistë ka, por ka mungesë dhe boshllëqe të mjeteve specifike.

    Spitali i Vlorës ka patur kontratë dy-vjeçare furnizimi nga MSHMS dhe më pas ka prokuruar materiale ortopedike, ku për shkak të procedurës ka patur vakum në furnizim”, – sqaron situatën spitali i Vlorës.

    Referuar përgjigjes zyrtare, të mbërritur nga ky institucion, bëhet me dije se “Spitali i ka të gjitha kapacitetet diagnostikuese në raste traumash: skaner, rezonancë, grafi, gjak, si dhe ekip mjekësh 24 orësh, reanimator, mjek ortoped dhe kirurg, por rastet, të cilat kërkojnë materiale specifike, janë në mungesë dhe këto nisen te Trauma: për ta konkretizuar, nëse ka ndonjë frakturë te fëmijët e vegjël ose politrauma të shoqëruara me fraktura të kokës, sepse nuk ofrohet shërbimi i neurokirurgjisë”.

    Ky spital referon se për 9-mujorin e vitit 2021 janë kryer 267 operacione ortopedike, ndërsa transferime te spitali i Traumës në Tiranë kanë qenë gjithsej 15 raste.

    Mohimin e këtij shërbimi, që garantohet me ligj, aq më tepër që është mjaft jetik, pasi bëhet fjalë për politrauma, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, e konsideron diskriminim. Sipas tij, ndalimi apo mos-aksesimi prej disa faktorësh i shërbimit të spitaleve, duke përfshirë pajisje, materiale apo edhe staf mjekësor, cenon, jo vetëm shëndetin e pacientëve, por edhe dimensionet ekonomike.

    “Spitali duhet të jetë planifikues. Fakti që pacienti nuk arrin të marrë shërbim, tregon se kemi të bëjmë me diskriminim. Kujdesi shëndetësor është një e drejtë themelore, e parashikuar me ligj, që të përfitohet falas. Në momentin që tërthorazi apo indirekt mohohet kjo e drejtë, kjo përbën problem. Mungesa e pajisjeve për kirurgji cenon shëndetin e pacientëve dhe gjithashtu rëndon ekonomikisht familjen”, – thotë ai.

     

    Zgjidhja që vjen nga spitalet

    Vetë Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale nuk iu përgjigj një kërkese për informacion deri në momentin e publikimit të këtij artikulli në lidhje me mungesat e shumta të këtyre materialeve.

    Ekspertët e gjejnë fajin e mosfunksionimit të këtij zinxhiri te procedurat e përqendruara vetëm në dorën e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Leonard Solis, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë gjatë viteve 2003-2005, e sheh zgjidhjen tek autonomia spitalore.

    Ministria duhet të kontrollojë funksionimin dhe mbarëvajtjen, ndërsa organizimin duhet t’ua lërë vetë spitaleve”, – shpjegon Solis.

    Është më tepër një çështje në organizimin e brendshëm, duke iu përmbajtur fluksit të ndërhyrjeve kirurgjikale. Në rast se do t`ia lërë totalisht kompetencat drejtorisë së spitalit, kjo e fundit do të jetë e detyruar të gjejë zgjidhje. Sepse, marrim shembull frakturat spontane: te të moshuarit janë gati të papërballueshme kostot, pasi një operacion mund të shkojë deri në 3 mijë euro, nëse pacienti i blen nga xhepi këto”, – argumenton më tej ish-ministri, Solis.

    Ndërsa një ekspert i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili foli në kushtet e anonimatit, thotë se zgjidhja gjendet te marrëveshja kuadër.

    Institucioni duhet të bëjë një marrëveshje kuadër për blerjen e materialeve ortopedike. Marrëveshja konsiston që në kontratën që spitali bën me firmën për një kohë afatgjatë, ta mbulojë, sa herë të ketë nevojë spitali për furnizimin me materiale implantesh ortopedike”, – thotë ai.

    Konkretisht, të gjitha barnat spitalore, materialet e mjekimit dhe mirëmbajtja e aparaturave mjekësore janë të rregulluara me anë të marrëveshjeve kuadër, që do të thotë se çdo nevojë i kontraktuari e plotëson drejtpërdrejt.

     Në këto kushte, bëhet inventari dhe kryhet përsëri një mini-konkurs me materialet që shefi i Ortopedisë ka kërkuar në listën e paraqitur. Kjo mund të dojë një afat të caktuar 2-javor, por pacientëve në asnjë rast nuk iu thuhet se nuk ka pajisje, por iu komunikohet se pajisjet vijnë në këtë afat”, – thotë Bode.

    Megjithatë, drejtoresha e këtij spitali, Edlira Bode, pranon mungesat në këto produkte, duke bërë që aktualisht të jenë mbi 1200 pacientë në listë pritjeje.

    Për operacionet e planifikuara dhe protezat ka mungesa të vazhdueshme dhe të trashëguara. Janë 1200 emra në pritje, ndërsa në muaj arrihen të kryhen vetëm 3 deri në 4 ndërhyrje”, – thotë Bode për operacionet e planifikuara, ndërsa siguron se për ndërhyrjet urgjente situata është e zgjidhur.