Inflacion marrëveshjesh në mbledhjet ndërqeveritare, qytetarët nuk përfituan lehtësira

  • Shqip
  • English
  • Të reklamuara me pompozitet, 130 marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet e miratuara në mbledhjet e përbashkëta mes qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës nuk kanë krijuar lehtësira për qytetarët në të dyja anët e kufirit. Një duzinë prej tyre kanë ngecur, disa ri-përsëriten e mbivendosen dhe vetëm një pjesë e vogël ka parë dritën e zbatimit.

    Autorë: Albionë Zhitia, Sulejman Dida dhe Marinela Dushi

    Kur më 11 janar të vitit 2014, në një mbledhje të përbashkët, të zhvilluar në Prizren, mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës u nënshkrua marrëveshja për lehtësimin e procedurave në fushën e tregtisë, bizneset këtej dhe andej kufirit ishin entuziaste.

    Përtej sloganit pompoz, “Bashkë pa Kufij”, dhe premtimit për krijimin e një “tregu të përbashkët”, 8 vite më pas bizneset kosovare vazhdojnë të përballen me pengesa shumë më të mëdha sesa nëse do të eksportonin në Kinë apo në Bashkimin Europian.

    Pritjet në kufij, mosnjohjet e certifikatave fitosanitare dhe skanimi i produkteve janë vetëm disa nga pengesat, me të cilat përballet kompania për përpunimin e patates, “Pestova”, kur eksporton mallin e saj nga Kosova në Shqipëri.

    “Minimumi, çdo dokumentacion, që lëshohet në terminalin në Kosovë… pse të mos pranohet në Shqipëri, por të pritet në kufi? Ne eksportojmë në shumë vende të Bashkimit Europian, por më shumë ka pengesa, kur eksportojmë në Shqipëri sesa në BE”, – thotë për Investigative Network Albania-n Bedri Kosumi, pronar i kësaj kompanie, nga Kosova.

    I pakënaqur me marrëveshjen është edhe biznesmeni Shefqet Zeqiraj nga kompania “Bekaj”, që merret me pemë dhe perime. Ata eksportojnë thuajse çdo ditë në Shqipëri, pasi biznesin e tyre e zhvillojnë edhe në këtë anë të kufirit.

    Pasi rendit një sërë kostosh, që duhet të paguajë për çdo kamion, që kalon nga Kosova në Shqipëri, ai hedh poshtë çdo aludim për lehtësim procedurash.

    Kostoja për skanerin në doganë është 22 euro. Kostoja për tarifën rrugore, pagesa për kamionët, varësisht nga kapaciteti, varion nga 17-23 euro; certifikata e biznesit dhe tatimit të paguar; TVSH 4% nga vlera që ka malli, që gjendet në kamion”, – shprehet Zeqiraj për INA MEDIA-n, duke shtuar se këto janë vetëm një pjesë e vogël e pagesave, pasi ato ndryshojnë në varësi të produktit që eksporton.

    Si pasojë e këtyre pengesave, “bizneset kosovare paguajnë dy milionë euro në vit vetëm për skanimin e mallit, përpara se të futen në Shqipëri”, – thotë një studim i Institutit për Hulumtime të Avancuara, GAP, i realizuar gjatë vitit të kaluar.

    Sipas GAP-it, autoritetet e Shqipërisë iu kërkojnë bizneseve nga Kosova t’i noterizojnë edhe certifikatat fitosanitare të prodhimeve, gjë të cilën nuk e praktikojnë shtetet e tjera në rajon e madje as ato të Bashkimit Europian.

    Përkundër këtyre marrëveshjeve, Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, pranon se e kanë të vështirë të investojnë në Shqipëri.

    “Bilanci tregtar i Kosovës drejt Shqipërisë është shumë negativ. Kosova tani më lehtë eksporton në vendet e BE-së sesa në Maqedoni dhe Shqipëri. Në këto dy vende ka barriera jo të arsyeshme, që duhet të hiqen”, – shprehet Astrit Panxha.

    Ai rendit edhe disa shembuj se si po i nxjerrin probleme produkteve të Kosovës.

    “Ka produkte të Kosovës që po kanë shumë problem të jenë në tregun shqiptar, p.sh., produkti i birrës dhe i patates. Jemi një komb dhe kemi një gjuhë, por, kur po vjen te tregtia, po ka shumë probleme. Ne po kërkojmë të ketë trajtim të barabartë të prodhimeve të Kosovës”, – theksoi ai për Investigative Network Albania-n.

     

    70 marrëveshje, pak lehtësira

    Duke filluar që nga viti 2013, kur edhe u ndërmor nisma për mbledhjet ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim lehtësimin e procedurave për shtetasit shqiptarë në të dyja anët e kufirit, janë nënshkruar plot 70 marrëveshje. Nëse përfshijmë edhe memorandumet e protokollet e bashkëpunimit, kjo shifër është shumë e lartë, rreth 130 të tilla.

    Më 11 janar 2014 u realizua takimi i parë ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, i cili u mbajt në Prizren. Kryeministrat, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, u angazhuan për partneritet strategjik mes dy vendeve përmes nënshkrimit të një dokumenti të posaçëm për bashkëpunim. Firma u hodhën edhe për lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunim në fushat e transportit, duke u nënshkruar 5 marrëveshje, ndonëse më herët ishte deklaruar nga Thaçi se do të nënshkruheshin 15 marrëveshje.

    Mbledhja e parë në Prizren, më 11 janar 2014
    1-Marrëveshje për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve
    2-Marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë
    3-Marrëveshje për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës
    4-Propozim për bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës
    5- Miratim për një propozim për krijimin e fondit të përbashkët për zhvillimin e Luginës së Preshevës

    Faksimile e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e parë, të përbashkët Shqipëri-Kosovë

    Mbledhja e fundit, e shtata në radhë, është realizuar më 26 nëntor 2021, ku u nënshkruan 13 marrëveshje të tjera, duke e çuar në total në 70 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në 7 mbledhje ndërqeveritare.

    Faksimile e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e fundit, të përbashkët Shqipëri-Kosovë

    Por, sa efikase kanë qenë dhe sa zbatim kanë gjetur këto marrëveshje në 8 vitet e fundit?

    Politologu Afrim Krasniqi shprehet kritik mbi zbatimin e tyre, duke vënë theksin mbi neglizhencën e dy qeverive, ndërsa shton se ato përsëriten ose korrigjojnë njëra-tjetrën.

    “Një sërë marrëveshjesh, nëse ne i marrim në mënyrë të listuar, janë marrëveshje që përsëriten me njëra-tjetrën ose korrektojnë njëra-tjetrën, duke treguar se është më shumë një përpjekje për të pasur show dhe për të pasur bilanc numerik, sesa për të pasur realisht një bashkëpunim konkret dhe një produkt të prekshëm për qytetarët”, – shprehet Krasniqi për INA MEDIA-n.

    Sipas tij, marrëveshjet janë bërë pa konsultim me qytetarët dhe pa asnjë transparencë, ndërsa thekson se mungojnë mekanizmat teknikë, që do të mundësonin zbatimin e tyre.

    Nuk ka pasur konsultime me grupet e interesit, konsultime me ekspertë, as me ata që kanë përvojë në marrëdhëniet diplomatike. Nëse ne do të kishim transparencë për nënshkrimin e marrëveshjeve, gjë që mungon, ne do të kuptojmë kush e ka propozuar dhe cilat janë relacionet e bëra para propozimit”, – argumenton më tej ai.

    Ngecjen e zbatimit të marrëveshjeve e ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të marsit të vitit 2021 gjatë një vizite në Shqipëri. Ndërsa kryeministri Rama është shprehur se marrëveshjet kanë ecur me ritme të ngadalta, duke kërkuar në mbledhjen e 7 ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, që të vijohet me zbatimin e sa më shumë marrëveshjeve të nënshkruara.

    Mimoza Kusari-Lila, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, shprehet hapur se marrëveshjet “kanë qenë fiktive” sa i përket efikasitetit, ndërkohë që hedh dyshime edhe mbi Open Ballkan.

    “Mungon vullneti për t’i zbatuar. Gjithashtu, çka e shoh si sfidë në vetvete, është se, ndërkohë që po mbahen takimet mes Kosovës e Shqipërisë apo Kosovë-Maqedoni e Veriut, ndodh në të njëjtën kohë një iniciativë tjetër, e nisur nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb në raport me Ballkanin e Hapur. Do të thotë, krijohet një bindje që është edhe një proces tjetër, i cili nuk e trajton Kosovën si të barabartë, por në anën tjetër synohet që të njëjtat çështje të bisedohen në raportet bilaterale”, – thotë Kusari-Lila për INA MEDIA-n.

    Ekspertët nga Kosova aludojnë se është Shqipëria ajo që po vendos më shumë barriera në bashkëpunimin mes Prishtinës e Tiranës dhe se politika shqiptare ka një qasje më pozitive drejt Beogradit sesa Prishtinës.

    Mendoj se Shqipëria është pengesa më e madhe e një zhvillimi të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet midis dy vendeve. Së dyti, mendoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë në këto 8 vitet e fundit i ka penguar një marrëdhënie e ngushtë e qeverisë shqiptare me qeverinë e Beogradit. Madje, për shkak të ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Beogradin, janë dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Prishtinën”, – mendon analisti Enver Bytyçi.

     

    Marrëveshjet që (s`) gjetën zbatim

    Alba Alishani, gazetare dhe moderatore e njohur, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, dëshmon se pajisja me leje qëndrimi ka qenë një procedurë sfilitëse.

    Në mbledhjen e fundit të të dyja qeverive në Elbasan u firmos që leja e qëndrimit të bëhet çdo 5 vite dhe jo çdo 1 vit.

    “Çdo 1 vit kam dorëzuar pranë Zyrës së Emigracionit kopje të kontratës së qirasë, vërtetim banimi nga njësia bashkiake, kontratë pune, vërtetim nga sigurimet shoqërore, vërtetim page etj. Të gjitha këto janë një tmerr, ndërsa për të marrë nënshtetësinë shqiptare, nga 5 vite leje qëndrimi tani është zgjatur dhe duhet të kesh 7 vite”, tregon Alba Alishani.

    Megjithatë, ajo shton se, marrëveshjet e firmosura në Elbasan për lehtësimin e kritereve për të marrë leje qëndrimin në Shqipëri, duhet të ishin bërë shumë më herët.

    Duhet të ishte nënshkruar një marrëveshje e tillë shumë vite më parë”, – shkruan ajo.

    Por, kjo nuk është e vetmja marrëveshje që qytetarët kërkojnë të ishte bërë më herët, ndonëse në 7 mbledhje janë nënshkruar një duzinë marrëveshjesh.

    Për të kuptuar më shumë se cilat marrëveshje kanë gjetur zbatim, ne iu drejtuam me kërkesa zyrtare të dyja qeverive, ku shumë ministri, të ngarkuara për zbatimin e tyre, nuk u përgjigjën.

    Fatkeqësisht, nga përgjigjet e marra pjesa dërrmuese e marrëveshjeve të firmosura vijon të mbetet në letër.

    Fatin, që të realizohen plotësisht, e kanë pasur marrëveshjet për heqjen e tarifave roaming, ajo e ngritjes së pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit apo unifikimi i modeleve të certifikatave shëndetësore, përfshihet këtu edhe abetarja e përbashkët, unifikimi i kurrikulës, por edhe platforma e përbashkët, digjitale e arsimit para-universitar.

    Gjithashtu, është realizuar pjesërisht krijimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike, Fondi Zhvillimor për Luginën e Preshevës, si dhe ngritja e Dhomës Ekonomike Shqipëri-Kosovë.

     

    Tregtia, sfida e madhe

    Për Kosovën Shqipëria zë vendin e parë sa iu përket eksporteve dhe vendin e pestë sa iu përket importeve. Shqipëria është e rëndësishme për Kosovën në aspektin tregtar, edhe për arsye se më shumë se një e treta e produkteve të tregtuara në Kosovë kalojnë transit përmes saj.

    Të dyja vendet janë po ashtu edhe anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Europën Qendrore (CEFTA), e cila synon eliminimin e barrierave tregtare, qofshin ato tarifore apo jo-tarifore.

    Megjithatë, për bizneset dhe qytetarët duket se në realitet nuk ka ndryshuar asgjë.

    Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet për Investigative Network Albania-n se marrëveshjet mes dy shteteve shqiptare më shumë janë sipërfaqësore, gjë që e bën të vështirë zbatimin e tyre.

    Këto marrëveshje nuk kanë afate të caktuara për t’u realizuar ose plane operacionale, prandaj është e vështirë të përcillet se si po zbatohen”, – thotë Berat Rukiqi.

    Në të njëjtën linjë shprehet edhe eksperti i ekonomisë në Shqipëri, Selami Xhepa.

    Përtej angazhimit që kanë dy qeveritë, në veçanti në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, marrëdhëniet midis dy vendeve tona kanë ngecur ose hasin vështirësi. Tregtia e patates, e qumështit, e çimentos, e birrës etj., ka ndeshur shpesh në vështirësi serioze, madje do të thosha probleme serioze edhe në politikë”, – argumenton Xhepa qëndrimin e tij.

    Për Nexhat Hasanin, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, marrëveshjet e bëra janë politike dhe jo ekonomike.

    Të gjitha ato marrëveshje, që kanë bërë të dyja qeveritë tona, që u quajtën si marrëveshje ekonomike në lehtësimin e bashkëpunimit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, unë mendoj se kanë pasur efekt vetëm politik dhe nuk kanë pasur ndikim në ekonominë e të dy vendeve”, – shprehet Nexhat Hasani.

    Sokol Kolgjini, nënkryetar i shoqatës “Biznesi për Biznesin”, shkon edhe më tej, kur thotë se e gjitha kjo është më shumë një show sesa marrëveshje. Për këtë ai i referohet deklaratës për heqjen e doganave. Ironikisht, një prej pikave të marrëveshjes së fundit, të nënshkruar në mbledhjet e përbashkëta, ndërqeveritare, lidhet pikërisht me standardizimin e procedurave doganore, ndërsa më herët ishte premtuar se do të hiqen doganat.

    “Si mund të themi që do të heqim doganat, ndërkohë që bëjmë marrëveshje për standardizim të strukturave doganore?! Pra, ne do t`i kemi doganat dhe s’po i heqim, pavarësisht se na u deklarua me pompozitet të madh, që do të heqim doganat”, – thotë ai.

    “Të bësh tregti me Kosovën, është si të bësh tregti me Kinën. Të njëjtat procedura, dokumente, që duhen për të sjellë një produkt nga Kina ose që ta çosh në Kinë, duhen dhe për Kosovën. Ne si shoqatë e biznesit kemi kërkuar që në vitin 2017 në formë zyrtare vlefshmërinë e faturave tatimore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Për aq kohë sa nuk do të bëhet, nuk besoj se do të kemi ndonjë gjë përveçse atyre efekteve 3D”, – shpjegon Kolgjini.

    Krijimi i një marrëveshjeje, që po zvarritet për t’u zbatuar, është edhe ajo e bursës shqiptare të energjisë elektrike. Edhe pse në vitin 2019 u krijua Bursa Shqiptare e Energjisë, viti 2022 e gjen ende të pazbatuar. Ngritja e bursës së përbashkët të të dy shteteve ka tejkaluar çdo afat ligjor, ndërkohë që nga data 1 janar 2022 ka nisur edhe dalja në treg të lirë e bizneseve të lidhura në tensionin 20 KV, të cilat, sipas të dhënave zyrtare, vetëm në Shqipëri janë rreth 7.500.

    Krijimi i Korridorit Digjital 5G mes Prishtinës e Tiranës ishte një tjetër marrëveshje e famshme, që u arrit në mbledhjen e gjashtë mes dy qeverive.

    Ministria e Financave në Kosovë nuk iu përgjigj një kërkese për informacion nga INA MEDIA, për të kuptuar se çfarë është bërë për të zbatuar këtë memorandum bashkëpunimi, nënshkruar më 2 tetor të vitit 2020.

     

    Zvarritja e marrëveshjeve

    Edhe ato marrëveshje, që kanë parë dritën e zbatimit, janë zvarritur për vite të tëra.

    Konkretisht, unifikimi i certifikatave bujqësore dhe veterinare u vendos në mbledhjen e vitit 2017, por u deshën 4 vite që kjo marrëveshje të niste zbatimin.

    Në mbledhjen e fundit ndërqeveritare, të zhvilluar në Elbasan, u njoftua unifikimi i 40 certifikatave veterinare, duke lehtësuar njohjen e tyre në të dyja vendet, ndërkohë që vijon me të tjera dokumente.

    Premtimi për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë është një tjetër angazhim i të dy qeverive. Sipas tyre, kjo hekurudhë ka edhe rëndësi gjeopolitike, jo vetëm ekonomike.

    Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve në nëntor të vitit 2021 në Elbasan, ku u zhvillua takimi i shtatë, i përvitshëm, mes qeverive të të dyja vendeve, palët njoftuan që në buxhetet e të dyja vendeve për vitin e ardhshëm janë parashikuar fondet për kryerjen e fizibilitetit të ndërtimit të kësaj hekurudhe, gjë që konsiderohet si fillimi i punimeve për ndërtimin e saj.

    Në buxhetin e Kosovës për vitin 2022 për fazën e parë të studimit të fizibilitetit të këtij projekti janë ndarë 1 milion euro. Por, gjithçka ka ngecur këtu.

    Ndërsa në Shqipëri për vitin 2022 është publikuar vetëm buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës shqiptare, 47.5 miliardë lekë, por nuk bëhet me dije, nëse është planifikuar nisja e studimit të fizibilitetit për këtë projekt dhe sa është buxheti.

    Diplomacia është një fushë tjetër, ku Kosova dhe Shqipëria arritën disa marrëveshje, por kryesisht më shumë të natyrës infrastrukturore se sa politike. Konkretisht, bazuar në marrëveshjen për shërbime të përbashkëta konsullore, janë hapur disa konsullata të përbashkëta dhe është rënë dakord për pasjen edhe të ambasadave të përbashkëta me qëllim edhe reduktimin e kostove.

    Pavarësisht këtyre sukseseve të vogla, kjo marrëveshje mund të quhet një pikë e zbatuar në mënyrë të pjesshme, për sa kohë nuk kemi ende përfaqësi të përbashkëta në të gjitha vendet, ku Shqipëria dhe Kosova kanë momentalisht përfaqësi.

    Marrëveshjet mes Kosovës e Shqipërisë sa i përket politikës së jashtme janë më shumë të natyrës teknike dhe infrastrukturore se sa politike. Kjo gjë është e mirë, mirëpo ajo që ka më shumë rëndësi është se duhet të kemi synime të përbashkëta sa i përket lobimit për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por kjo gjë nuk po ndodh”, – shprehet drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci.

    Deri më tani Kosova e Shqipëria kanë konsullata të përbashkëta në Bari, Kopenhagë, Munih, Milano dhe Stamboll.

     

    Abetarja e përbashkët, 1 dekadë premtime

    Abetarja e përbashkët është një kartë “patriotizmi” që qeveritë shqiptare e përdorin prej vitesh. Një marrëveshje për abetaren e njehsuar dhe të përbashkët është firmosur edhe në vitin 2010, si pasojë e së cilës ka një tekst që përdoret, edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, por ky premtim është hedhur sërish.

    Kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe qeveritë e të dyja vendeve pas 12 vitesh detyrohen të ripërtërijnë marrëveshje, të cilat duhet të ishin zbatuar me kohë midis dy vendeve”, – shprehet analisti Enver Bytyçi.

    Nga ana tjetër, zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, thotë se ka filluar hartimi i standardeve për abetaren dhe hartimi i një kalendari për zhvillimet e aktiviteteve, që do të çojnë deri në rezultatet e dëshiruara.

    Dardanë Statovci, një mësuese në qytetin e Podujevës, e cila punon prej vitesh me abetaren e përbashkët, që i paraprin abetares së unifikuar (me autorë: Mimoza Gjokutaj, Islam Krasniqi, Shezai Rrokaj dhe Saranda Pozhegu), e sheh me skepticizëm këtë tekst. Sipas saj, ky tekst më së shumti iu krijon vështirësi nxënësve kosovarë, pasi ka fjalë, shprehje apo terma që përdoren vetëm në Shqipëri dhe janë krejt të panjohura për shqiptarët e Kosovës.

    Unë kam punuar me dy gjenerata me këtë abetare dhe sipas meje nuk është e përshtatshme. Gjatë punës me të kemi patur plot probleme me shprehje e fjalë që nxënësit nuk i kanë kuptuar; ka terma që përdoren vetëm në Shqipëri”, – shprehet ajo.

    Abetarja e përbashkët, që përdoret në Shqipëri dhe në Kosovë

    Abetarja e përbashkët, sipas mësueses nga Kosova, duhet të marrë për bazë gjuhën standarde shqipe dhe të mos ketë anime të njërës krahinë, në të kundërtën nuk do të ketë rezultate të kënaqshme nga pala kosovare.

    Në abetaren aktuale shprehjet anojnë shumë nga Shqipëria. Ka aty plot fjalë që ne s`i përdorim tani dhe as që do t’i përdorim në të ardhmen. Pra, ku është thelbi me i mundu fëmijët me të tilla shprehje, që nuk përdoren në kontekstin tonë?!”, – nënvizon mësuesja Statovci për INA MEDIA-n.

    Krejt ndryshe, në Shqipëri janë në qarkullim tri lloje abetaresh, përfshirë edhe abetaren e përbashkët, por shkollat zgjedhin vetë, cilën do të përdorin.

    N.T., mësuese në një shkollë 9-vjeçare në qytetin e Durrësit, tha se stafi pedagogjik këtë vit ka zgjedhur abetaren “ABC Shkronjë pas Shkronje”, pasi ajo ka një ngarkesë më të vogël se sa abetarja që përdor edhe Kosova.

    Drejtuesit e arsimit në Kosovë thonë se marrëveshjet e tjera sa i përket arsimit, siç është ajo për unifikimin e kurrikulës, ajo për zhvillimin e tekstit për gjuhën shqipe për diasporën, janë realizuar pjesërisht. Ndërkaq, më pak është punuar në zbatimin e marrëveshjes për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

    Ministria e Arsimit në Shqipëri nuk iu përgjigj kërkesës për informacion nga Investigative Network Albania.

    Për ekspertin e arsimit, Ndriçim Mehmeti, përveç propagandës, studentët dhe arsimtarët e të dy vendeve nuk kanë përfituar asgjë. Dy marrëveshjet e firmosura në vitin 2015, bashkëpunimi në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, zhvillimi profesional i mësimdhënësve në arsimin profesional, sipas ekspertit të arsimit, nuk janë zbatuar.

    Nuk është bërë asnjë kërkim shkencor në Shqipëri, nuk është bërë asnjë trajnim i mësuesve se si ata të përmirësojnë mënyrën e të dhënit mësim. Ne duhet të shikojmë ku jemi në fushën e teknologjisë dhe të informacionit; ku jemi me digjitalizimin, se e pamë së çfarë ndodhi me arsimin online”, – shprehet Mehmeti.

    “Palët kanë miratuar marrëveshje bashkëpunimi, por palët kanë miratuar ligjet e arsimit të lartë, që pamundësojnë shkëmbimet e pedagogëve mes dy vendeve, çfarë do të thotë që nuk ka një rakordim midis legjislacionit të të dyja vendeve dhe vullnetit të shprehur midis marrëveshjeve të të dy kryeministrave”,thekson Afrim Krasniqi.

     

    Një Sekretariat “shprese” për marrëveshjet

    Duke parë që të gjitha këto marrëveshje, memorandume dhe protokolle të nënshkruara bashkëpunimi po shfaqin vështirësi në zbatimin e tyre, në mbledhjen e shtatë u vendos që të krijohet Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar.

    Tani kemi disa ndryshime, për shkak se përpara mbledhjes së përbashkët ne kishim takime paraprake, ku u dakorduam për kornizat e përgjithshme; si rezultat kemi një Sekretariat të përbashkët, që do t’i mbikëqyrë këto marrëveshje. Ky është një hap pozitiv në kontekstin se marrëveshjet e reja do të kenë një fat tjetër, për dallim nga ato paraprake”, – shprehet Kusari-Lila.

    Megjithatë, nëse ky Sekretariat do të japë rezultatin e duhur, mbetet për t’u parë. Deri më sot marrëveshjet kanë mbetur në letër dhe veç kostove për mbledhje të përbashkëta dhe show-t mediatik, përfitimet e qytetarëve në të dyja anët e kufirit kanë qenë të vogla, për të mos thënë, të papërfillshme.