Seta e thyer, dikur një mrekulli natyrore, sot një kaskadë hidrocentralesh

  • Shqip
  • English
  • I ndërtuar mbi një monument natyror, HEC-i Seta 4 ka dështuar në prodhimin e energjisë. Krejt ndryshe nga shifrat e fryra në kontratën koncesionare, 4 HEC-et e ngritura mbi lumin Seta kanë arritur të prodhojnë vetëm 0.05% të energjisë së premtuar. Vetë kompania fajëson reshjet e pakta dhe përplasjet e ashpra me banorët, që nuk i kanë lejuar ta përdorin të gjithë ujin.

    Autore: Jona Kaso

    Dëshira për ta kthyer fshatin Çidhën në një zonë turistike, u zbeh pas ndërtimit të hidrocentralit Seta 4, në lumin me po të njëjtin emër, Seta.

    Gryka e ngushtë e Setës me kanionin e saj, bashkë me burimin, si dhe shpellën e ujëvarën e Sopanikës, që bëjnë pjesë në listën e monumenteve të kulturës dhe mbrohen nga UNESCO, janë kthyer në një rrugë kalimi për HEC-et.

    “Do të doja që në këtë zonë të ndërtoja një bujtinë, për të afruar sa më shumë turistë dhe për të promovuar vendin tonë, por tani, pas shkatërrimit të kësaj mrekullie që ka na falur Zoti, nuk mundemi të investojmë më”, – shprehet për INA MEDIA-n Liman Kola, banor i fshatit Çidhën.

    Në mënyrë absurde, kjo perlë, monument kulture, së bashku me 4 burimet e ujëvarave fantastike, është burgosur nga tubacionet që e marrin ujin direkt nga burimi dhe e çojnë në HEC.

    Më konkretisht, HEC-i Seta 4 ka futur një tub prej 1.8 km të gjatë pikërisht në përroin e Sopanikës, duke e marrë ujin që nga burimi.

     

    Seta 4 nuk prodhon energji

    Krejt ndryshe nga shifrat e majme që parashikonte në kontratën koncesionare, edhe dy vite pasi vuri për herë të parë turbinat në punë, Seta 4 pothuajse nuk ka prodhuar fare energji.

    Më konkretisht, referuar kontratës koncesionare dhe përllogaritjeve të bëra në VNM-në paraprake, koncesionari deklaronte se vetëm HEC-i Seta 4 do të prodhonte një sasi prej 27.740.047 KWH, duke shfrytëzuar një volum prej 122.7 milionë m3 ujë. ( VNM paraprake, faqe 39-40)

    Faksimile e kontratës koncesionare për Seta 4

    Por, raportimet e Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se HEC-i Seta ka dështuar.

    Nga monitorimet që Investigative Network Albania-s kreu në faqen zyrtare të ERE-s, rezulton se të 4 HEC-et e ndërtuara nga kompania Hydro Seta Power nuk kanë prodhuar as energjinë që duhet të prodhonte vetëm njëri prej tyre.

    Sipas ERE-s, të 4 HEC-et e Hydro Seta Power, të ndërtuara mes përplasjeve dhe kundërshtive të forta me banorët, kanë prodhuar vetëm 47.785 KWH përgjatë vitit 2019-2020, ndërsa në kontratën koncesionare ishte parashikuar që të 4 HEC-et të kishin një kapacitet prodhimi 86 milionë KWh/vit. E thënë më qartë, të katërta HEC-et kanë prodhuar vetëm 0.05% të sasisë së energjisë që kishin parashikuar në kontratë.

    Statistika, 8-mujori i vitit 2020 për prodhimin e energjisë së HEC-it të ndërtuar në Setë

    Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, që e ka për detyrë monitorimin e zbatimit të kontratës, thotë se nuk është në gjendje të identifikojë se sa prej kW energji ka prodhuar Seta 4.

    “Në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet Seta 1-2, 3, 4, si nga raportimet e shoqërisë koncesionare, ashtu edhe nga OSHEE sh.a., është për të gjithë kontratën (pra, për të katërta hidrocentralet së bashku) dhe jo për secilin hidrocentral më vete. Duke marrë shkas nga sa më sipër, nuk mund të identifikojmë prodhimin vetëm për hidrocentralin Seta 4”, – i tha INA MEDIA-s në një përgjigje me shkrim Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

    Ndërsa shpjegon se kontrata me tri HEC-et e Hydro SETA Power ka hyrë në prodhim për herë të parë në muajin prill 2019, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Seta 4, i cili ka disa vepra të marrjes së ujit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se vetëm në një vepër marrje janë ndaluar punimet, e kjo vepër ka qenë saktësisht në burimin e Sopanikës.

    “Në momentin e monitorimit, HEC-et ishin të përfunduara nga ana ndërtimore, me përjashtim të njërës nga veprat e marrjes së HEC-it Seta 4, burimi i Sopanikës, ndërtimi i së cilës është bllokuar nga banorët dhe çështja është në gjykatë”, – sqaron AKBN.

    Faksimile e përgjigjes së AKBN për monitorimin e raportit vjetor të HEC-eve në lumin Seta

    Vetë kompania pranon se nuk kanë prodhuar energji, aq sa ishte parashikuar në kontratë, por, sipas tyre, kjo jo për faj të tyre.

    “Sa për prodhimin e energjisë mesatare, vjetore, arsyet kanë qenë dy: e para, kushtet e motit që kanë qenë shumë të disfavorshme, sepse të gjitha HEC-et kanë qenë me minus; e dyta, për shkak se banorët, që kanë bërë ankesën, nuk na kanë lejuar që ne ta zbatojmë projektin sipas vendimit të Këshillit të Ministrave dhe ne nuk kemi mundur që ta marrim të gjithë ujin që kemi pasur leje për ta shfrytëzuar”, – thotë Pëllumb Beta, përfaqësues i kompanisë Hydro Seta Power.

    Nga ana tjetër, sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, rezulton se kompania Seta Hydro Power ka qenë korrekte në raportim gjatë fazës së ndërtimit, por jo gjatë fazës së prodhimit, që daton që prej muajit prill të vitit 2019.

    Faksimile e përgjigjes së AKBN për raportin vjetor të monitorimit

    Referuar raportit 6-mujor të HEC-it Seta 1, koncesionari parashikon që të investojë rreth 16 milionë euro për ndërtimin e këtyre 4 veprave, por nga të dhënat e prodhimit të energjisë duket që është shumë larg vjeljes së këtij investimi. (1.993.076.966 lekë – faqe 3/raporti 6-mujor/HEC-i Seta 1)

    Këtë hendek të madh mes parashikimeve në VNM dhe asaj që prodhon realisht ky HEC, eksperti hidrik, Abdulla Diku, e lidh me të dhënat shumë të vjetra, ku bazohen ekspertët që merren me hartimin e VNM-së.

    Sipas tij, të dhënat paraqesin klimën e dekadave më parë, ndërkohë që aktualisht ka më pak reshje dëbore e për rrjedhojë më pak burime të qëndrueshme uji.

    “Arsyeja, pse ky HEC nuk ka arritur të prodhojnë energjinë e përcaktuar në kontratë, është se abuzohet me të dhënat e reshjeve. Shpeshherë për të kënaqur zhvilluesit e HEC-eve, shifrat fryhen në mënyrë artificiale, duke mos dhënë realitetin. Kjo bën që projekti të jetë shumë larg realitetit”, – shpjegon eksperti Abdulla Diku.

    Sipas tij, nga ana tjetër janë shtuar ngjarjet ekstreme të motit (p.sh., reshjet intensive), duke bërë që sasia e ujit të mos shfrytëzohet maksimalisht. Veçanërisht HEC-et pa rezervuare uji e vuajnë këtë fenomen, sepse nuk kanë kapacitete të ruajtjes së ujit.

    “Ka mjaft studime që HEC-et e vogla i vlerësojnë si jo-efektive në drejtim të përfitimit financiar. Pra, pavarësisht investimit, përfitimi prej tyre është gjithnjë në nivelin minimal”, – thotë për Investigative Network Albania-n eksperti, Abdulla Diku.

    Të tjerë ekspertë mendojnë se mungesa e prodhimit të energjisë së premtuar duhet të jetë për një periudhë të gjatë kohe që të konsiderohet. Sipas tyre, fillimisht duhet kuptuar nga se vjen, vjen nga keq-kalkulimet e bëra në projektimin e HEC-it apo nga mosrealizimi i plotë i investimeve.

    “Në të dyja rastet mungesa e prodhimit është diçka, për të cilën dikush duhet të japë llogari, pasi shteti ka sakrifikuar mjedisin, ka shkatërruar një ekosistem biologjik, për ta mundësuar atë energji dhe, kur energjia mungon, dikush duhet të japë llogari, përse po ndodh”, – argumenton për Investigative Network Albania-n eksperti i ekonomisë, Pano Soko.

    Në vitin 2013 u mor leja e parë e ndërtimit për një HEC-i pranë lumit Seta, pjesë e Njësisë Administrative Arrëz në fshatin Çidhën. Në vitin 2015 u bë rilidhje kontrate me kompaninë Hydro Seta Power sh.p.k., për të vazhduar punimet për ndërtimin e këtij HEC-i.

    Faksimile e kontratës koncesionare

    Në Shqipëri numërohen 179 hidrocentrale, të cilat janë në prodhim energjie, ndërsa numri i projekteve të planifikuara është 410, aktualisht në ndërtim janë 24 të tilla. (të dhënat janë marrë nga studimi “Projekte hidroenergjitike në lumenjtë ballkanikë” për vitin 2020.)

     

    Qira qesharake, 7 mijë lekë për 2 hektarë

    Kontrata e qirasë, që ka lidhur Hydro Seta Power me komunën Arrëz për sipërfaqen e marrë në shfrytëzim, është krejt qesharake. Referuar kësaj kontrate, që Investigative Network Albania e disponon, vitin e parë vlera e qirasë do të jetë 687.950 mijë lekë për 2 ha tokë, shumë në të cilën llogariten edhe dëmtimet që i shkaktohen florës dhe faunës, ndërsa për çdo vit tjetër kjo kompani do të paguajë një qira prej vetëm 91.450 lekësh në vit, një shumë qesharake kjo për një sipërfaqe të tillë.

    E thënë ndryshe, kjo kompani paguan një qira mujore prej 7.620 lekësh të reja ose 76 mijë lekë të vjetra për 2 hektarë tokë, sipërfaqe e cila u lëshua me qira pas vendimit të lidhjes së kontratës.

    Faksimile e kontratës së qirasë mes kompanisë Hydro Seta Power dhe komunës Arrëz

    E kontaktuar nga INA MEDIA për kontratën e shfrytëzimit të dy hektarëve tokë me komunën Arrëz vetë kompania u shpreh se nuk paguante vetëm këtë kontratë, pasi kishte edhe një tjetër kontratë me komunën Lurë.

    “Paguajmë 12 milionë lekë qira për tokën, pasi kemi dy kontrata, një në komunën Arrëz dhe një në komunën Lurë dhe të dyja bashkë shkojnë 12 milionë lekë. Kontrata me Arrëzën mund të ketë qenë më pak, sepse ne nuk kemi bërë asnjë dëm atje”, – tha për Investigative Network Albania-n Pëllumb Beta, përfaqësuesi i kompanisë Hydro Seta Power.

    Ndryshe nga kontrata e qirasë me komunën Arrëz, që AKM e dispononte si dokument, kontrata me Lurën nuk gjendet në dosjen koncesionare. Sipas AKM-së, bazuar në Ligjin Nr. 10440, datë 07.07.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, i ndryshuar, ky dokument (pra, kjo kontratë qiraje) nuk është pjesë e dokumentacionit që duhet gjatë fazës së VNM-së, pasi është një marrëdhënie midis shoqërisë dhe njësisë përkatëse, vendore.

    Nga dokumentet e siguruara rezulton se shoqëria Hydro Seta Power Sh.p.k., ka lidhur kontratë me Njësinë Administrative, Lurë në vitin 2015. Referuar kësaj kontrate, shoqëria koncesionare Hydro Seta Power Sh.p.k., shfrytëzon 4.4856 ha tokë, me një qira vjetore prej 2.555.228 lekësh për vitin e parë, ndërsa për vitet në vazhdim shoqëria paguan një qira vjetore prej 1.180.195 lekësh të reja.

    Në total kjo kompani paguan një qira vjetore prej 1.2 milionë lekësh të reja për një sipërfaqe prej 6.5 hektarësh, të marrë me qira në Lurë dhe në Setë.

     

    Dëgjesa pa banorë

    Kompania zhvilloi dëgjesat publike në një prej lokaleve të fshatit për të dytën herëshumë prej banorëve e kanë kundërshtuar sërish këtë projekt, me pretendimin se ndërtimi i tij do të shkatërrojë një monument të mbrojtur natyror, si dhe do të ndikojë direkt në jetën e tyre. Konsultimi me banorët duket se është bërë vetëm në letrat e kompanisë, pasi, sipas banorëve, ata nuk kanë nënshkruar kurrë për ndërtimin e këtij HEC-i, gjithashtu ata shprehen se disa prej firmave të banorëve mund të jenë falsifikuar.

    “Ne e kundërshtojmë ndërtimin e HEC-it Seta 4, që po ndërtohet në zonën e mbrojtur, në territorin e dy monumenteve të mbrojtura të natyrës, si dhe dy kalave, njëra prej tyre ilire, 3300-vjeçare, tjetra e Kastriotëve, të dyja në luginën strategjike të Setës, vetëm 5 km larg njëra-tjetrës. Në atë luginë ndodhen edhe dhjetëra gjeo-monumente dhe shpella të banuara, si dhe një territor arkeologjik, shumë i rrallë ndër territoret shqiptare, ndoshta i vetmi i shekullit 3-7 pas Krishtit, kur shkëputet vazhdimësia ilire”, – thotë banori Mustafa Tola.

    Faksimile e dokumentit të dëgjesave me publikun

     

    Seta, banorët, 7 vite “betejë” në gjykatë

    Të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e këtij HEC-i, banorët e zonës enden dyerve të gjykatës që prej vitit 2015, duke kërkuar anulimin e këtij koncesioni.

    “Që në vitin 2015, kur kompania erdhi të bënte dëgjesat me publikun dhe prezantoi projektin, ne kemi nisur përpjekjet për ta kundërshtuar ndërtimin e këtij HEC-i. Nuk mund të lejonim që të shkatërrohej një mrekulli natyrore, siç është Seta. Ngritëm peticione me 350 firma të banorëve të territorit dhe i dërguam në institucionet përkatëse, në Kryeministri, në Ministrinë e Mjedisit, në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, por nuk morëm përgjigje”, – shprehet Tola për Investigative Network Albania-n.

    Mes kundërshtive të forta të banorëve dhe proceseve gjyqësore, ndërtimi i HEC-it Seta 4 shkoi përpara dhe sot, jo vetëm është ndërtuar, por është futur edhe në punë, duke prodhuar energji.

    “Kemi organizuar protesta, që qeveria dhe institucionet e tjera përkatëse të mos e lejonin miratimin e këtij projekti. U bë e kundërta nga ajo që kërkonim ne, madje policia ka proceduar penalisht 25 banorë protestues, vetëm se ishim kundër ndërtimit të këtij HEC-i”, – thotë Qazim Daci, një tjetër banor.

    Banorët e kanë çuar çështjen në Gjykatën Administrative që në vitin 2015, por pas zvarritjeve të paarsyeshme, me vetëm një seancë në një vit e gjysmë, aktualisht çështja ndodhet në Gjykatën e Shkallës së Dytë, por deri tani nuk është bërë asgjë për t’u gjykuar.

    “Kemi bërë 25 seanca. Një seancë gjyqësore na ka shkuar 18 muaj. Një vit e gjysmë, një seancë! Gjykata e Shkallës së Parë e ka rrëzuar padinë, me pretekstin që ne nuk kishim të drejtë të bënim padi, sepse nuk na janë prekur interesat drejtpërdrejt”, – shprehet Mustafa Tola

    Pas një kalvari të gjatë prej 25 seancash gjyqësore, banorët nuk kanë aspak ndërmend të heqin dorë, përkundrazi.

    “Në shkallë të dytë e kemi çuar në vitin 2019 dhe deri tani nuk ka asnjë tentativë për ta gjykuar, asnjë gjykatës nuk e merr përsipër për ta gjykuar. Që kur e kemi nisur, ne e kemi pasur të qartë, do t`i kalojmë të gjitha shkallët, madje do ta çojmë edhe në Strasburg”, – thotë Qazim Daci.

    “Unë kam qenë prezent në 13 seanca gjyqësore në Gjykatën Administrative. Pavarësisht vendimit, ne do ta vazhdojmë edhe më tej. Do ta çojmë deri në Strasburg çështjen, nuk heqim dorë nga e drejta jonë, e cila na është shkelur”, – këmbëngul Liman Kola, banor i fshatit Çidhën

    Pas një beteje 7-vjeçare për të kundërshtuar ndërtimin e HEC-it në Setë, banorët ende kanë një proces të hapur, gjyqësor me kompaninë koncesionare Hydro Seta Power.

    Avokati i banorëve, Përparim Noka, thotë se kontrata e koncesionit është lidhur jashtë çdo respektimi ligjor, duke nisur që me lejen e kontratës koncesionare, cenimin e një zone të mbrojtur natyrore, ndryshimin e vendndodhjes së shtratit të lumit dhe përroit të Setës.

    “Nuk mund të jepej një leje mjedisore për atë vend, i cili është shpallur me ligj Monument Natyror. Është shkelur ligji për menaxhimin e burimeve natyrore, si dhe ai për mbrojtjen e mjedisit”, – sqaron avokati Noka

    Shkelja fillon që me VNM, e cila për këtë HEC duhet të ishte një VNM e thelluar, ndërsa e ka marrë lejen vetëm me VNM paraprake.

    Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e konsideron një zonë me rëndësi këtë monument kulture dhe shprehet se “projekti nuk ka nevojë për procedurë të thelluar të VNM-së, pasi kjo vlen për projekte me impakte potencialisht të konsiderueshme në mjedis”.

    Faksimile e VNM së projektit të ndërtimit të HEC-it Seta 4

     

    Dëmet e parikuperueshme në natyrë

    Banorët e kësaj zone të strukur mes maleve kanë nisur të ndjejnë efektet e HEC-eve. Tokat kanë ngelur djerrë për shkak të ujit, ndërsa edhe ajo pak infrastrukturë ka dalë jashtë funksionit, për shkak të kamionëve të rëndë që punuan për ndërtimin e HEC-eve.

    “Tokat na i kanë shkatërruar, rrugët na i kanë shkatërruar, ujin na e morën. Këtu te ne shkojnë temperaturat deri në 37 gradë, si në Tiranë, kjo për shkak të tharjes së ujit”, – shprehet banori Qazim Daci.

    Sipas ekspertëve, ndërtimi i HEC-eve ka sjellë shkatërrim, jo vetëm të natyrës, por edhe të gjallesave që jetojnë në këtë lumë. Më e rëndësishme për banorët e zonës është se, si pasojë e marrjes së ujit dhe futjes se tij në tuba rrezikon të zhduket edhe trofta, i vetmi lloj peshku që rritet në lumin e Setës.

    “Ndikimet e pritshme në ekosistem kanë të bëjnë me një efekt domino, negativ që nis me ndryshimin drastik (deri në tharje) të regjimit ujor në lumë e që lidhet me ndërprerjen e lidhjes gjatësore ekologjike të sistemeve lumore. Kjo ndërprerje në vetvete përkthehet në ndërprerje të rrugëve të migrimit të peshqve, sidomos të troftës. Një çekuilibrim i tillë, jo vetëm që kërcënon seriozisht gjallesat ujore, siç është trofta, por sjell edhe dëmtimin e vetë zinxhirit ushqimor, pasi shumë lloje të tjera mbështeten te peshqit, si p.sh., lundërza”, – thotë për Investigative Network Albania-n eksperti i mjedisit, Olsi Nika.

    Si pasojë e tharjes së lumit, trofta e egër me pika të kuqe tashmë rrezikon të zhduket. Kjo gjë ka ndikuar shumë në ekonominë e banorëve, pasi nuk mund të vazhdojë dot si më parë veprimtaria e peshkimit.

    Vetë shoqëria koncesionare Hydro Seta Power nuk pranon që ta ketë dëmtuar mjedisin dhe shpjegon se për këtë kanë marrë aprovimin e të gjitha instancave publike.

    “Kjo nuk është e vërtetë, pasi ne kemi pasur edhe një kontroll nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, janë bërë të gjitha verifikimet”, – tha për Investigative Network Albania-n Pëllumb Beta, përfaqësuesi i shoqërisë koncesionare, Hydro Seta Power.

    Sa iu përket proceseve gjyqësore, ai shprehet se nuk i kupton arsyet e pretendimeve të banorëve, pasi kompania nuk e ka dëmtuar mjedisin.

    “Çfarë detyrimesh kemi pasur për mjedisin, janë plotësuar. Nuk kemi prishur gjë në mjedis, madje kemi instaluar një tub brenda shtratit të lumit, pra nuk kemi prerë pemë, nuk kemi prishur toka, por nuk e dimë se sa do të vazhdojmë akoma të jemi në procese gjyqësore”, – thotë Beta për INA MEDIA-n.

    HEC-i Seta 4 ka disa vepra të marrjes së ujit, por banorët nuk kanë lejuar që të futet në tubacione njëri prej këtyre burimeve, që është pikërisht Sopanika.

    Për banorët ai është një monument natyre dhe nuk duhej të shkatërrohej, për këtë shkak kanë bërë edhe protesta, duke e çuar deri në gjykatë si çështje.

    Ndonëse pjesa më e madhe e veprave kanë përfunduar dhe janë futur në prodhim, banorët ende shpresojnë që kjo zonë të presë mijëra turistë, duke ringjallur të gjitha ekonomitë e vogla të zonës. Pavarësisht kësaj situate, ata shprehen të vendosur që të përballen me kompaninë koncesionare, Hydro Seta Power, që lumi Seta të mos shfrytëzohet nga ndërtimi e 4 HEC-eve.

    “Të vetmen gjë që duam tani, është që të na kthehet vendi, siç ka qenë. Kompania e ka në karta, e ka me shkresa ligjore, duam të na mbjellë pemët, ta kthejë, siç ishte, vendin, pasi e ka shkatërruar komplet dhe s`ka bërë asgjë”, – përfundon Miftar Cerri, një tjetër banor i zonës.