Rrënimi i monumenteve të kulturës, nuk ka fonde për trashëgiminë

  • Shqip
  • English
  • Fondet e limituara dhe neglizhenca e institucioneve po çojnë drejt zhdukjes qindra monumente të trashëgimisë kulturore. Edhe pse në listën e pasurive kulturore në Shqipëri ekzistojnë mbi 2 mijë monumente të kategorisë I dhe II, vetëm 206 prej tyre nuk janë marrë në mbrojtje, duke lënë në mëshirë të fatit 90% të objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare, që rrezikojnë të mos ekzistojnë më.

    Autorë Gjergj Figuri, Maringlen Bita dhe Edjola Kasa

    E njohur si më e bukura e Lezhës, shtëpia e Zekajve është kthyer në rrënojë. E shpallur monument kulture dhe e marrë në mbrojtje nga shteti që prej vitit 1963, në janar të vitit 2016 shtëpia karakteristike e Sali Bajram Zekës, në lagjen e vjetër Varosh të Lezhës, u shemb plotësisht. Ende sot, ndonëse konsiderohet përfundimisht e humbur, nuk është hequr nga lista e monumenteve.

    Kjo shtëpi muze i ishte nënshtruar ndërhyrjeve të mëdha në vitin 1984. Kjo pasuri e rrallë nuk u arrit të shpëtohej.

    “U braktis nga familjarët, pastaj filluan shirat, duke sjellë degradimin e pjesës së brendshme, shembjen e çardakëve, të shkallëve, të gjithçkaje me radhë e për pasojë u shemb edhe muratura. Ajo ka humbur përfundimisht si objekt dhe si monument”,
    – i thotë INA MEDIA-s
    Ded Margjoni, specialist i trashëgimisë kulturore në rajonin e Shkodrës, i cili i ka të paqarta arsyet, përse u la të humbiste një pasuri e tillë.

    Në kohën e monizmit kjo banesë u kthye në shtëpi muzeore dhe pronarët u kompensuan me shtëpi brenda në qytet. Në vitin 1990 familjarët ikën jashtë vendit, ku jetojnë aktualisht dhe, pavarësisht se iu rikthye prona, ata nuk e mirëmbajtën asnjëherë atë; por, mbi të nuk vuri dorë asnjëherë as Ministria e Kulturës, gjë që solli shembjen e saj, totale.

    Degradimi i monumenteve të kulturës në vendin tonë ndodh me “bekimin” e Ministrisë së Kulturës, që e ka për detyrë t`i mbrojë dhe t`i konservojë ato. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ia delegon përgjegjësinë për rrënimin e saj Ministrisë së Kulturës.

    “Në Bashkinë e Lezhës e kemi evidentuar prej vitesh banesën Zekaj, si objekt i braktisur dhe shumë i dëmtuar. DRTK, Shkodër e ka referuar në ministri në mënyrë periodike, pasi për vetë shkallën e degradimit kërkohet ndërhyrje me vlerë të madhe, të cilën DRTK, Shkodër me fondet vjetore e ka të pamundur ta realizojë, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje”, – sqaron INA MEDIA-n Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.

    Shtëpia e Zekajve

    Rrënimit nuk i ka shpëtuar as shtëpia e Mlikajve, monument kulture i kategorisë së parë, ku dikur strehohej Muzeu Etnografik i Lezhës. E ndërtuar në vitin 1910 edhe ky objekt i rrallë i trashëgimisë kulturore po humbet. Ajo është ende në këmbë, por nuk është e vizitueshme për shkak të dëmtimeve.

    “Ka ardhur në gjendje të mirë, por, nëse nuk ndërhyhet dhe lihet në gjendjen që është aktualisht, atëherë do të shkojë drejt degradimit të plotë”, – thotë për INA MEDIA-n historiani Paulin Zefi.

    Shtëpia e Mlikajve

    Historiani Paulin Zefi, i cili ka qenë përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore për Lezhën përgjatë periudhës 2014-2015, akuzon se si pasojë e neglizhencës së Ministrisë së Kulturës dhjetëra objekte nuk ekzistojnë më në realitet, por vetëm në letra.

    “Ministria është më mirë që të mos i shpallë monumente, se sa t`i shpallë ato e t`i lërë jashtë vëmendjes. Ka shumë objekte që janë jashtë çdo vëmendjeje, si pasojë shumica gati nuk ekzistojnë,
    por figurojnë në dokumente. Duhet që atyre, ose t’iu hiqet statusi, ose të merren në konsideratë”, – kritikon ashpër Zefi.

    Memoriali i vendvarrimit të Skënderbeut është objekti i vetëm i trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Lezhës që ia vlen ta vizitosh, pasi është i vetmi që është mirëmbajtur.

    Dhjetëra pasuri të tjera janë lënë në mëshirë të fatit, duke u shembur, dëmtuar apo edhe tjetërsuar.

    Hyrja në kalanë e Lezhës po ashtu ka një pamje të trishtë. Ura hyrëse drejt kalasë është kalbur. Kërkesat e shumta të specialistëve në Lezhë kanë rënë në vesh të shurdhët dhe Ministria e Kulturës nuk e miratoi fondin për ndërhyrjen rehabilituese të kësaj ure.

    Ura hyrëse në kalanë e Lezhës

    Në kalanë mesjetare të Lissusit ndërhyrja e fundit është bërë në vitin 2004 dhe ka prekur një pjesë të vogël. Fondi ishte tejet minimal, vetëm 32.000 euro, për sipërfaqen e madhe të kësaj kalaje.

    “Nuk ka ndërhyrje serioze, nuk ka as studim fizibiliteti, në mënyrë që të bëhet një projekt serioz dhe të ndërhyhet shpejt. Nëse do të vijojmë ta lëmë në mëshirë të fatit, rrëshqitjet e dheut do të vazhdojnë e kjo mund të sjellë shembjen e pjesës së murit verior, duke vënë në rrezik edhe jetën e banorëve që ndodhen poshtë”,shpjegon Paulin Zefi.

    Me 34 pasuri kulturore, ku 10 prej tyre janë të mbrojtura nga Inspektorati Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) “harresa” e institucioneve ndaj kësaj pasurie reflektohet në buxhetin e vënë në dispozicion.

    “Gjatë vitit 2019 janë shpenzuar 1.139.647 lekë të reja, ndërsa për vitet 2020-2021 për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 nuk ka pasur projekte të zbatuara në Bashkinë e Lezhës. Ndërkohë, gjatë vitit 2022 është planifikuar zbatimi i një projekti konservues në muret antike, pjesa kodrinore e Lissusit antik, me vlerë 714.857 lekë të reja”,thotë në një përgjigje për INA MEDIA-n Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore për Shkodrën, e cila saktëson se “fondet e shpenzuara i përkasin zërit mirëmbajtje dhe janë fokusuar kryesisht në konservim, restaurim, pastrim bimësie”.

    Si pasojë e këtij buxheti anemik, DRTK, Shkodër nuk ka mundësi të bëjë asnjë ndërhyrje, veç asaj për njërën anë të murit të kalasë, ndërsa për objektet e tjera nuk ka asnjë qindarkë që do të shpenzohet.

    Muret e kalasë së Lezhës

    Situata është aq emergjente, sa edhe ato pak ndërhyrje që janë kryer, janë bërë nga privatët, siç ka ndodhur kryesisht me kishat.

    “Janë kryer disa ndërhyrje në monumentet e kulturës, por ato janë të gjitha nëpërmjet donacioneve, siç janë kisha e Shën Premtes në Balldren, ajo e Shën Barbullës në Pllanë, Kisha e Shën Llezhdrit në Pruell apo shtëpia e poetit mbarëkombëtar, At Gjergj Fishta”, – konfirmon
    situatën edhe ish-specialisti, Paulin Zefi.

    Kisha Pruell, e ndërtuar nga banorët

    Kisha e Balldrenit, e cila ruan brenda saj afreske me vlera ndërkombëtare, u rikonstruktua privatisht në vitin 2019.

    “Ky objekt kulti ka afreskun e Darkës së Fundit sipas së njëjtës pikëpamje që e ka pasqyruar edhe Leonardo da Vinci, por që në fakt është realizuar 200 vjet para se atë ta pasqyronte piktori i madh, italian. Në vitin 2020 është ndërhyrë edhe në kishën e Pllanës, duke e përmirësuar këtë objekt kulti me mjaft vlera. Ka shumë objekte të tjera që për fat janë ende në këmbë apo kanë gjurmë të afreskeve, siç është kisha e Shën Nikollit në Zejmen, që i përket shekullit të XII”, – shprehet Don Nik Ukgjini.

    Ndërsa Don Nika shpresonte që kisha e Zejmenit të mbrohej, ndodhi e kundërta. Shirat dhe era e janarit të këtij viti e shemben pjesën më të madhe të saj.

    “Për fat të keq çatia ishte dëmtuar e ajo ndikoi që më pas të sjellë edhe shembjen e mureve. Muret anësore tashmë kanë rënë krejt. Nëse ministria nuk ndërhyn menjëherë, atëherë do të zhduket e gjitha”, – thotë Padër Landi Jaku.

    Kisha e rrënuar e Zejmenit

    Në Lezhë numërohen 26 monumente kulture, që janë të kategorisë së parë dhe të kategorisë së dytë, por për shkak të mungesës së fondeve pjesa më e madhe e tyre janë në rrezik zhdukjeje dhe vetëm dy janë në gjendje të mirë.

    “24 të tjerët e meritojnë të jenë në listën e monumenteve, por gjendja e tyre është e vështirë. Dy prej tyre i kemi në gjendje – rrënojë”, – shprehet Paulin Zefi

    Shtëpia e At Gjergj Fishtës në fshatin Fishtë, monument kulture i kategorisë së dytë, është fakti më konkret që nuk ka asnjë strategji për zhvillimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Ajo u rikonstruktua me donacion privat prej 5.9 milionë lekësh dhe në tetor të vitit 2020 u inaugurua edhe me prezencën e kryeministrit të vendit, por fatkeqësisht kjo shtëpi nuk u bë asnjëherë funksionale.

    I njohur ndryshe si “Gjurmët Fishtiane”, referuar të dhënave të pasqyruara në raportin e vitit 2020 nga vetë Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ky projekt “hëngri” plot 52 milionë lekë të reja, por paradoksalisht u arrit që të rikonstruktohej vetëm shtëpia, por jo të hapet, pasi nuk ka se çfarë të ekspozojë.

    http://iktk.gov.al/site/wp-content/uploads/2021/05/Raport-Vjetor-IKTK-2020.pdf

    Shtëpia e At Gjergj Fishtës, e mbyllur

    Vizitorë, që nuk futen dot të vizitojnë shtëpinë e At Gjergj Fishtës

    Pas 3 dekadash degradimi e shpërfilljeje, specialistë, ekspertë e historianë e dinë mirë që nuk mund të presin ministrinë për ndërhyrje.

    “E vetmja zgjidhje është që të merremi me donacione dhe të mos presim Ministrinë e Kulturës. Nëse do të vazhdojmë të presim nga ky institucion, siç nuk ka ardhur ndihma e tyre për 30 vite, po ashtu nuk do të vijë edhe për 30 vite të tjera”, – thotë i zhgënjyer Zefi.

     

    Fier, vëmendja te dy parqe, por jo te monumentet e tjera

    Kalaja e Margëlliçit është zbuluar si sit arkeologjik nga dy studiues austriakë, por vetëm në vitin 1982 arkeologu Neritan Ceka gjeti muret rrethuese dhe sende të ndryshme, si qeramika; më të famshmen statujë të Afërditës së Margëlliçit ose, siç e quajtën, “Vajzën e Margëlliçit”. Gurët e gjetur u morën nga banorë të zonës për të bërë mure rrethuese në banesat e tyre.

    Të braktisura krejtësisht, banorët pohojnë se rastësisht, duke gërmuar për të bërë një shtesë kati, ka dalë një mur me katër radhë blloqesh guri, por askush nuk u kujdes për to.

    Diga e Krapsit deri 5 muaj më parë ka qenë mes ferrave e shkurreve, por, siç tregon përgjegjësi i Monumenteve të Kulturës për Fierin, Thoma Tyto, ai së bashku me dy punonjës kryen pastrimin e territorit rreth këtij monumenti kulture, por që ende ka nevojë për investim.

    Ajo ndodhet shumë pranë luginës së Gjanicës midis ferrave, ndërsa duhet të ishte një nga digat e famshme të Antikitetit.

    Diga e Krapsit

    Por, krejt ndryshe nga këto site arkeologjike, Bylisi dhe Apolonia notojnë në fonde të dhëna nga qeveria dhe Bashkimi Europian.

    Ornela Durmishi, drejtoresha e Parqeve Arkeologjike, Bylis e Apoloni, pranon se për këto dy parqe ka pasur vëmendje të shtuar të institucioneve dhe priten edhe investime të tjera.

    “Tani jemi në fazën e ndërhyrjes në parkun e Bylisit dhe projekti do jetë 4-vjeçar, kurse Apolonia do t`i ketë investimet më shumë nga buxheti i shtetit”, – sqaron Ornela Durmishi.

    Por, ekspertët e kësaj fushe janë skeptikë për fondet e mëdha, të hedhura në Apoloni. Apollon Baçe, arkeolog dhe ish-drejtues i Institutit të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore, akuzon se gjithçka është lënë në dorë të diletantëve.

    “Kanë bërë sistem antizjarri dhe e kanë shëmtuar së tepërmi, madje edhe njëherë që ra zjarri, erdhën zjarrfikëset, se, ato që janë, nuk punojnë. Parku Arkeologjik i Apolonisë ka nevojë për punëtorë për mirëmbajtje. Ministria e Kulturës është ministria e Antikulturës”, – u shpreh profesor Baçe.

    Edhe raporti i KLSH-së, “Efektiviteti i politikave në ruajtjen dhe administrimin e siteve arkeologjike, për periudhën 2016-2019“, nuk është kaq optimist për investimet në këto parqe. Ai gjen mjaft të çara në mënyrën e menaxhimit, që mendohet se do të ndikojë në performancën e tyre.

    Pavarësisht milionave të marra, këto dy parqe kombëtare ende nuk kanë një plan konkret zhvillimi, ndërsa nuk kanë as kapacitet për t`i ruajtur nga aktet e ndryshme vandale.

    “Në Zyrat e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike, Apoloni dhe Bylis, përgjegjësit e sektorëve të parqeve dhe punonjësit e mirëmbajtjes kryejnë detyrat rutinë, por pa një plan me masa konkrete apo një plan-zhvillimi afatshkurtër dhe afatgjatë, si dhe nuk ka programe sistematike për ruajtjen e vlerës së paluajtshme kulturore dhe masa konkrete për zbatimin e planit në përputhje me një strategji”, – tërheq vëmendjen raporti i KLSH-së, që mban datën 30 prill 2022.

    Kisha e Shën Mërisë, ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu kurorëzoi martesën e tij me Mamicën, që ndodhet brenda Manastirit të Ardenicës, një ndër komplekset më të veçanta në Shqipëri, iu rikthye zyrtarisht Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në vitin 1996. Që nga ajo kohë ka qenë kisha, ajo që është kujdesur për këtë manastir, ndërsa fondet kanë qenë me pikatore.

    Pothuajse i mbyllur në pjesën e tij më të madhe dhe në rrezik për degradim të parikuperueshëm, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kryen një inspektim në këtë manastir në vitin 2021, me qëllim vlerësimin e gjendjes dhe patologjive të objektit, por ende nuk kanë dalë në një raport konkret, që kishte si qëllim hartimin e projekteve të restaurimit.

    I vetmi investim, që është bërë deri më sot për këtë monument kulture, është shtrimi i rrugës së Ardenicës, që përfundoi në maj 2022.

    Drejtori i Muzeut, Lushnjë, Niko Ferro, duke folur për rëndësinë e këtij investimi, pranon se në drejtim të monumenteve të kulturës në Lushnjë është bërë shumë pak.

    “Kisha e Shën Todrit është 200-vjeçare dhe ruan karakterin myzeqar, por ajo është mbyllur, ka nevojë për ndërhyrje dhe restaurim. Drejtuesit thonë se ka një projekt, por nuk ka fonde për zbatimin e tij. Shpresoj që organet kompetente të ndërhyjnë, pasi, nëse nuk ndërhyhet, më vonë do të jetë e kotë, se do jetë shkatërruar gjithçka”, – shprehet ai.

    Por, ndërsa degradimi i monumenteve vazhdon, e pyetur për këtë problem, zëvendëskryetarja e Bashkisë së Fierit, Enkelejda Peshkëpia, ka pohuar se bashkia nuk ka një fond të posaçëm për mirëmbajtjen apo restaurimin e tyre, pasi janë në varësi të Ministrisë së Kulturës.

    Qarku i Fierit, i cili sipas IKTK ka 45 monumente kulture, për shkak të temperaturave të larta në verë, motit të keq në dimër, si dhe mungesës së investimeve në restaurime, ka bërë që monumentet e kulturës të bëhen “viktima”, duke shkuar drejt shkatërrimit.

     

    Elbasan, 133 monumente në 7 bashki

    Muret e kalasë së Elbasanit, veç pjesës perëndimore, e cila gëzon statusin e zonës arkeologjike A, një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, janë thuajse të rrënuara.

    Ajo vuan për investime, por rreth një vit më parë ishte vetë kryeministri Rama, i cili gjatë një takimi elektoral deklaroi se “tashmë janë kushtet ideale për të investuar dhe për të kthyer në realitet projektin e Rilindjes së Kalasë së Elbasanit”.

    Një projekt i tillë është edhe në dokumentet strategjike të Bashkisë së Elbasanit, i miratuar që në vitin 2016, por ende nuk e ka parë dritën e investimeve.

    Edhe për këtë kala paratë nuk kanë munguar, por paratë nuk janë përdorur me efikasitet.

    “Mund të ishte rikrijuar nga e para, por në fakt nuk është bërë kështu. Idealja do të ishte, që, meqë aty kalon përroi i Zaranikës, mund të rikrijohej kanali, që dikur furnizohej nga ujërat e Zaranikës, pasi sillte një lartësim të mureve, rreth 7-8 metra në lartësi dhe tre metra në thellësi”, – shprehet Baçe, ku, sipas tij, ky rikrijim do ta transformonte komplet pamjen e kalasë.

    Ndërhyrja e fundit në këtë kala është bërë në vitin 2007, me një fond prej 4 milionë dollarësh, të financuar nga Banka Botërore. Tashmë pritet që premtimi i kryeministrit Rama, i bërë në shkurt të vitit 2021, të marrë jetë, për ta shpëtuar nga rrënimi këtë monument të rrallë.

    Kalaja e Gurit në fshatin Lleshan të Gjinarit, e cila ndodhet 20 km nga Elbasani, një monument i kategorisë së parë, jo vetëm që nuk ka njohur ndonjëherë investime, por edhe nuk mund të vizitohet, pasi ka vetëm një rrugë këmbësore dhe nuk mund të kalohet me asnjë lloj mjeti.

    Lidhur me këtë kala arkeologia Ermelinda Agolli shprehet se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së një studimi.

    Qarku i Elbasanit numëron rreth 30 kala në listën e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore si monumente të Kategorisë I, për të cilat janë kryer inspektimet e duhura, por mungesa e fondeve i ka lënë ato në mëshirë të fatit dhe në to nuk është vënë kurrë dorë.

    Ura e Kamarës me prejardhje romake është një ndër “krenaritë” e Librazhdit. Në vitin 2018, ekspertët e monumenteve të kulturës e kanë inspektuar zonën, por nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

    Ura e Kamarës

    Qarku i Elbasanit numëron 133 objekte me status Monument Kulture, kategoria I dhe kategoria II. Sipas verifikimeve të kryera në buxhetet e bashkive përkatëse, rezulton se, si për vitin 2020, ashtu edhe për vitin 2021, këto bashki nuk kanë pasur asnjë fond për investime në monumentet e trashëgimisë kulturore.

     

    Ministria e Kulturës, e pafuqishme për fonde

    Pas viteve `90, Shqipëria ka humbur një të tretën e vlerave të trashëgimisë kulturore. Neritan Ceka, arkeolog, vë gishtin në plagë te keqmenaxhimi dhe keqadministrimi.

    “Gjendja e trashëgimisë kulturore, materiale është katastrofike dhe kjo është shkaktuar nga keqmenaxhimi përmes një sistemi primitiv dhe partiak”, – akuzon Ceka.

    “Vetëm për shkak të keqadministrimit kemi humbur rreth një të tretën e vlerave në tri dekadat e fundit dhe vazhdojmë të humbim çdo ditë. Në afresket e kishave post-bizantine, ku kemi humbur qindra metra katrorë; në ndërtimet e arkitekturës popullore, ku ka mbetur më pak se gjysma etj.”, – rendit disa nga humbjet arkeologu Ceka.

    Degradimi i monumenteve të kulturës për shkak të buxheteve të limituara pranohet edhe nga Ministria e Kulturës, ndaj “shpëtimi” shihet i lidhur me donatorët.

    “Duke qenë se buxheti i shtetit është i kufizuar, Ministria e Kulturës është angazhuar në vijimësi për të tërhequr mbështetje financiare në kuadër të bashkëpunimit me partnerë strategjikë dhe donatorë të rëndësishëm, të tillë si, BE, Banka Botërore, komunitetet fetare, investitorë privatë, pronarë apo posedues të pasurive kulturore”, – shpjegon për INA MEDIA-n Ministria e Kulturës.

    Krejt ndryshe nga situata e dokumentuar nga Investigative Network Albania në tri qarqet, Lezhë, Fier dhe Elbasan, Ministria e Kulturës shprehet optimiste për mbështetjen e dhënë.

    “Ndër vite në pasuritë kulturore të qarqeve Elbasan, Lezhë dhe Fier janë kryer punime të mirëmbajtjes dhe investime në restaurimin dhe rehabilitimin e tyre”, – thotë ministria, duke renditur ndërhyrjet e zbatuara.

    Faksimile nga përgjigjja e Ministrisë së Kulturës për investimet në tri qarqe

    Siç edhe konfirmohet nga përgjigjja e Ministrisë së Kulturës, dy parqet arkeologjike të Fierit, Bylisi dhe Apolonia, kanë marrë fondet më të mëdha, ndërsa për Elbasanin dhe Lezhën paratë e dhëna kanë qenë me pikatore.

    Mbështetja minimale vijon të jetë edhe pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, i cili preku një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore dhe IKTK-së iu dhanë 236.6 milionë lekë për restaurimin/rindërtimin e pasurive kulturore në bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë e Vorë.

    Po ashtu, 40 milionë euro u dhanë nga programi “EU4CULTURE”, i cili financohet nga Delegacioni Europian për projekte të restaurimit dhe rehabilitimit të siteve të trashëgimisë kulturore, të prekura nga tërmeti i vitit 2019.

    Por, pavarësisht këtyre parave, qindra objekte kulturore po shkojnë drejt zhdukjes.

    Në këtë situatë, ekspertët mendojnë se për të shpëtuar trashëgiminë kulturore nuk duhen vetëm pará, por një reformë e thellë.

    “Këto monumente do t`i shpëtonte vetëm një reformë e thellë, nëse ka vullnet politik, nëse nuk ka, nuk i shpëton asgjë, do të zhduken, ashtu siç janë zhdukur edhe të tjera, si p.sh., urat mesjetare, të cilat nuk janë më, janë zhdukur të gjitha”, – shprehet Auron Tare.

    “Armiku më i madh i një kombi është harresa e ngjarjeve historike. Unë vlerësoj dhe them gjithmonë që, atë që la pa shkatërruar pushtimi osman, e shkatërroi sistemi komunist e ato që mbetën nga ky sistem, nuk e kanë vërtet vëmendjen e duhur”, – shprehet Don Nik Ukgjini.