Qeveria “shet” Korporatën e Investimeve. Pasi i dha 38 milionë euro, nuk realizoi asnjë projekt

  • Shqip
  • English
  • Qeveria po i jep duart Korporatës Shqiptare të Investimeve, pasi hapi thesin për dy vite rresht. Ministria e Financave kërkon të heqë dorë edhe mbi pronësinë, pasi e konsideron një institucion me humbje dhe pa produktivitet. Aktualisht, superkompania publike administron pa asnjë projekt 38 milionë euro, por, megjithatë, shpenzoi 350 mijë euro për pagat dhe honorarët e 5 punonjësve, që raporton në organigramë.

    Autor: Anxhelo Haruni

    Katër vite pasi nuk paraqiti asnjë projekt, Ministria e Financave po kërkon “të shesë” Korporatën Shqiptare të Investimeve. Projektligji i publikuar më 20 mars në faqen e Ministrisë së Financave, e sheh si barrë këtë institucion, që ka rënduar buxhetin me paga të larta dhe kosto operative.

    Në kushtet e reja, të krijuara Ministria e Financave kërkon të tërhiqet juridikisht dhe financiarisht nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe në relacionin, që shoqëron këtë projektligj, Ministria e Financave ia delegon pronësinë Këshillit të Ministrave.

    “Togfjalëshi “Ministria përgjegjëse për ekonominë” të zëvendësohet me “përfaqësues i pronarit”. Kjo e drejtë i takon pronarit për të autorizuar një entitet publik vendas ose të huaj si përfaqësues të tij, në përshtatje me objektin e veprimtarisë që ushtron entiteti përkatës”, – citon relacioni që shoqëron këtë draft.

    Ndryshimi duket disi surprizë, kur vetë Ministria e Financave iu përgjigj pak ditë më parë Investigative Network Albania-s se duhej më shumë besim te Korporata, pasi si institucion i ri kishte nevojë për mbështetje buxhetore dhe kohë.

    “Projektet e para do të finalizohen në vitin 2023”, – tha Ministria e Financave, vetëm një javë përpara se të publikonte draftin e ri.

    Korporata po ashtu do të jetë e detyruar të shkrijë edhe bordin e mbikëqyrjes, si dhe të kërkojë vetë fonde për të mbijetuar, pasi Ministria e Financave refuzon ta mbështesë me buxhet. Pasi ka analizuar bilancet financiare të kompanisë, Financat e konsiderojnë jorentabël.

    Këto ndryshime vetëm brenda harkut kohor të një jave, ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi, i sheh si një përpjekje për ta kaluar në heshtje dështimin e radhës.

    “Ajo çka ndodh tani, kur qeveria kërkon të bëjë një dalje elegante nga situata që ka krijuar, është diçka e pritshme dhe aspak befasuese. Dhe jo vetëm të shkëputet nga Korporata, por të heqë dorë nga vetë nisma, për ta konsideruar një nga dështimet e shumta.”, – deklaron Preçi për INA MEDIA-n.

    Korporata Shqiptare e Investimeve do të ishte “harruar” krejtësisht, nëse në fillim të këtij viti qeveria nuk do të kishte bërë dy pagesa të majme në llogari të saj. Edhe pse paralelisht Ministria e Financave po punonte për t’i prerë fondet, në fund të vitit të shkuar, përmes ndryshimeve në buxhetin e shtetit, kapitali i kësaj shoqërie u rrit me 2.12 miliardë lekë të tjera. Rritja e buxhetit erdhi në një kohë kur kompania nuk kishte prezantuar asnjë projekt.

    Pagesat fizike u bënë përgjatë muajit janar 2023, duke e çuar në total buxhetin e Korporatës në 4.3 miliardë lekë ose 38 milionë euro.

    E krijuar në vitin 2019 me qëllim hartimin e projekteve që çojnë lekë në sektorët me potencial zhvillimi, katër vite më pas Korporata Shqiptare e Investimeve nuk ka gati ende asnjë projekt konkret dhe asnjë listë pronash të evidentuara.

    Ndonëse Fondi Monetar Ndërkombëtar e kritikoi qeverinë shqiptare asokohe për rreziqet fiskale që mund të sjellë Korporata e Investimeve, për shkak se është e lirë të marrë borxhe dhe kredi, Ministria e Financave e sheh zgjerimin e kapitalit të kësaj korporate si një strategji për të rritur besueshmërinë te partnerët.

    "Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC), si çdo korporatë tjetër në sektorin privat, ka nevojë të ketë kapital adekuat për të përgatitur dhe për të zbatuar projekte investimesh, si dhe për të ngjallur besueshmëri te partnerët", - argumentoi Ministria e Financave në një përgjigje me shkrim për Investigative Network Albania-n.

    Ndërsa administron në heshtje në llogarinë e saj bankare rreth 38 milionë euro, për ekspertët fondet që shkojnë drejt Korporatës janë të pajustifikuara, veçanërisht në kushtet e mungesës së transparencës.

    "Agjencia, kur kërkon financim, duhet të ketë një plan biznesi. Duam të dimë se cilët janë partnerët. Ku do të shkojnë këto pará publike, këto 38 milionë euro? A janë më eficiente, po të përdoren përmes kësaj agjencie apo duhen përdorur përmes prokurimeve publike nga vetë ministritë e linjës?", - aludon eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

     

    Asnjë listë me pronat shtetërore

    Mes përplasjeve për një mega-aferë korruptive, Korporata Shqiptare e Investimeve u krijua me premtimin për zgjimin e pronave të fjetura, shtetërore. Kjo do të realizohej nëpërmjet kalimit në pronësi të tokave dhe godinave shtetërore në degradim, për t'i kthyer më pas në investime fitimprurëse përmes financimit me bashkë-aksionerë privatë apo 100% me fondet e kompanisë.

    Lista e këtyre pronave potenciale u kërkua me ngulm nga deputetët e opozitës gjatë diskutimit në komisione, ndërsa përfaqësuesit e Ministrisë së Financave asokohe deklaruan se do të ishte shumë shpejt në dispozicion. Por, ky inventar nuk ekziston as sot, 4 vite më pas.

    Ermal Frashëri, Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie, deklaron për INA MEDIA-n se vonesat kanë ardhur për shkak të kompleksitetit të procesit. Ai këmbëngul të shpjegojë se bëhet fjalë për prona që aktualisht janë kosto për shtetin, por që ata mendojnë t'i monetizojnë.

    "Nuk kemi një listë paraprake, është më tepër proces dinamik dhe interaktiv për të identifikuar asete dhe për të zhvilluar projektet e investimit për to", - thotë Ermal Frashëri për INA MEDIA-n.

    "Në rastin e AIC synimi është të identifikohen asete, për të cilat mund të krijohen projekte investimesh, për t'i rivitalizuar dhe për të krijuar një vlerë të shtuar për to. Pra, flasim për asete, të cilat janë aktualisht kosto për shtetin, por që ne mendojmë se mund të kenë potencial për t`u zhvilluar", - sqaroi kreu i Korporatës së Investimeve, vetëm një muaj para se të publikohej projektligji që MFE kërkon të heqë dorë nga ky institucion.

    Pavarësisht se nuk ka ende një listë potenciale të këtyre pronave, Frashëri është optimist se përgjatë këtij viti do të nisin të konkretizohen investimet e para të kësaj korporate. Kjo, pasi kanë evidentuar 8 projekte potenciale zhvillimi, por që nuk bëhen ende publike.

    "Disa prej tyre janë në fazën e strukturimit dhe disa të tjera janë më të avancuara dhe pritet të bëhen gati për zbatim brenda vitit 2023, nëse nuk hasen pengesa apo vonesa", - shprehet optimist Frashëri.

    "Si rrjedhim, pritet që gjatë vitit 2023, si dhe gjatë 2-3 viteve pasardhës, të konkretizohen investimet e para të AIC, duke mobilizuar dhe kapitalin privat", - thotë për INA MEDIA-n drejtuesi i Korporatës.

    Në situatën kur Korporata nuk ka ende asnjë projekt konkret, ekspertët e kanë të paqartë se për çfarë i duhen kaq shumë pará.

    "Ky kapital nuk bën sens as financiarisht, sepse 38 milionë euro mund t'i kyçësh në bankë, ndërkohë që vetëm me interesat mbulon kostot operative", - thotë Rezart Prifti, pedagog pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës.

    "Nuk ka nevojë të ketë buxhet paraprak, por duhet shpallur projekti, duke e reklamuar tek investitorët e huaj. Pastaj hapet thirrja, vlerësohen kostot dhe në fund del në Kuvend për të miratuar buxhetin që të nevojitet në bazë të tyre. Institucioni ka nevojë vetëm për buxhet operativ për nevojat e tij", - argumenton më tej Prifti.

    Sipas Korporatës, prioritet do t'iu jepet projekteve të gjenerimit të energjisë së rinovueshme, industrisë, tekno-parqeve dhe logjistikës, por në mungesë të një liste pronash apo projektesh, e cila mund t'iu reklamohet publikisht të gjitha kompanive të huaja, të interesuara, ekspertët janë skeptikë për atë që mund të realizojë Korporata.

    "Vazhdoj të besoj që eficienca e këtij institucioni ka për të qenë minimaliste. Më shumë e shoh për koston që po paguajmë për krijimin e një institucioni, dobia e të cilit do të jetë problematike ose nuk do të materializohet kurrë", - sqaron Selami Xhepa.

    Duke parë rrugën, nëpër të cilën ecën ekonomia shqiptare dhe kontekstin e vendit tonë, ekspertët e kishin paralajmëruar se ky model nuk do të ketë sukses.

    "Unë dyshoj që kjo Korporatë do të ketë një projekt të suksesshëm. Nuk është marrë në konsideratë konteksti shqiptar. Modele që funksionojnë në një vend, mund të mos funksionojnë diku tjetër", - shprehet Prifti.

    Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Shqiptare të Investimeve, Ermal Frashëri, thotë se nuk e shqetëson ky skepticizëm, por sulmet e padrejta, politike kanë cenuar "reputacionin" e Korporatës.

    "Nga njëra anë është normale dhe deri diku e pranuar që për një institucion të ri që ngrihet, ekosistemi kërkon kohën e tij për adaptimin me risinë. Nga ana tjetër, në rastin e AIC, për fat të keq ka patur një sulm të padrejtë dhe të painformuar që në fazën e miratimit të ligjit në Parlament", - thotë Ermal Frashëri.

    "Kjo ka bërë që një pjesë të fokusit të punës tonë ta kemi të vendosur te shpjegimi dhe qartësimi i rolit të AIC, shembujve me organizata simotra në vendet e tjera, për të mitiguar impaktin që ka patur në publik dhe te partnerët sulmet politike ndaj AIC. Ndaj, presionin e ndjejmë dhe jemi shumë koshientë për kontekstin në të cilin ndodhemi", - përfundon ai.

    Në pritje të këtyre projekteve transformuese, pronat e publikut shqiptar kanë vazhduar degradimin edhe gjatë këtyre katër viteve, ndërsa qeveria duket se e ka harruar kompaninë që do t'i shpluhuroste ato, megjithëse kërkoi me ngulm krijimin e saj.

    Debate ka shkaktuar edhe fuqia që i jepet kësaj korporate për administrimin e pronave të lakmuara, shtetërore. Sipas deklaratave të deputetit socialist, Eduard Shalsi, gjatë seancës plenare për miratimin e ligjit, koncepti për Korporatën lindi pas negociatës së dështuar me një konsorcium kompanish turke për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Argumentimi ishte se janë me qindra propozimet nga kompani prestigjioze përgjatë viteve, të refuzuara, për shkak se shteti nuk kishte kuadër ligjor për të hyrë në partneritet me to me përjashtim të qirasë apo kontratave 1 euro.

    Por, as ky arsyetim nuk qëndron, duke krijuar mbivendosje të agjencive, që kanë marrë përsipër ri-vitalizimin e pronës. Prej vitit 2018 linja ajrore Air Albania funksionon si një joint-venture (bashkim operatorësh), me pjesëmarrjen e shtetit përmes Albcontrol-it, që ka kontribuuar me prona. Nga ana tjetër, edhe Ligji për Investimet Strategjike i vitit 2015 lejon, jo vetëm dhënien e pronave shtetërore tek investitorët e huaj dhe shqiptarë, por madje mundëson edhe shpronësimin e privatëve, nëse toka është kusht për projektin.

    "Forma e parë dhe bazike është privatizimi dhe kjo është mënyra normale në çdo ekonomi tregu. Mënyra e dytë është qiradhënia afatgjatë, një mënyrë e të bërit biznes, që ka pasur sukses në të gjitha ato raste ku ka pasur interes; edhe me koncesion, ku ne kemi një agjenci për trajtimin e koncesioneve, që presupozohet se ka ekspertizën e duhur për të negociuar kontrata të kësaj natyre. Përse duhen krijuar agjenci të tjera shtesë për të realizuar një operacion që mund të kryhet fare kollaj përmes sistemit institucional që ne kemi?", - thotë eksperti Selami Xhepa.

     

    Asnjë nismë, shumë shpenzime

    Edhe pse e regjistruar zyrtarisht si shoqëri aksionare më 15 korrik 2020, sipas Frashërit, Korporata është bërë operacionale vetëm një vit më pas, në korrik 2021. Gjatë kësaj periudhe pavarësisht aktivitetit të kufizuar kjo kompani ka pasur shpenzime në rritje.

    Me një administratë minimaliste, me vetëm 5 punonjës të deklaruar në organigramë, kjo korporatë në fakt ka shpenzuar rreth 350 mijë euro për paga dhe honorarë për drejtuesin e saj dhe anëtarët e bordit.

    Vitin e parë të operimit u paguan vetëm komisione bankare në vlerën e 5,850 lekëve të reja (50 euro), por kurba e shpenzimeve u rrit ndjeshëm në vitin 2021, me 6 muaj aktivitet Korporata shpenzoi 19.4 milionë lekë apo gati 170 mijë euro. Një shumë e rëndësishme, duke konsideruar se shoqëria aksionere kishte 4 të punësuar në vitin 2021, siç deklaron në raportin e auditit.

    Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve, rreth 9 milionë lekë, shkoi për honorarë për 4 anëtarët jo-ekzekutivë apo rreth 375 mijë lekë të reja në muaj për secilin. Më konkretisht, njëra prej tyre është zëvendësministrja e Financave, Adelina Xhamati, ndërsa tjetra është Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit dhe krye-negociatore në procesin e negociatave për anëtarësimin në BE.

    Arlind Gjokutaj, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, i cili u arrestua pak muaj më parë për korrupsion dhe më pas u la i lirë, u shkarkua nga pozicioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës në fund të shkurtit 2023. Në vend të tij u emërua Mimoza Selmani, ndërkohë që dy anëtarët e huaj janë Ellis Jesus Juan, një konsulent financiar, i specializuar në partneritetet publik-privat dhe David William Kennedy, jurist i njohur i ligjeve ndërkombëtare nga Harvard Law School.

    Afërsisht 7.4 milionë lekë u shpenzuan për paga dhe kontribute për 4 punonjës, ndërsa 1.6 milionë lekë shkuan për udhëtime dhe akomodime për anëtarët e huaj, që kryenin vizita në Shqipëri.

    Këto shpenzime për paga konsiderohen shumë të larta dhe të panevojshme edhe nga vetë Ministria e Financave. Në propozimin që ka bërë për ndryshimin e ligjit për Korporatën, zbulohet se rrogat e majme janë kthyer në "mollë sherri" midis ministrisë si pronar dhe drejtuesve të kompanisë.

    "Ministria e Financave dhe Ekonomisë me cilësinë e Asamblesë së Përgjithshme, si organi më i lartë drejtues i një shoqërie tregtare, i ka kërkuar shoqërisë të bëjë ndryshime në pagat e strukturës organizative, me qëllim unifikimin me pozicionet përkatëse dhe nivelin e pagave me shoqëri të ngjashme (shoqëri aksionare KESH, OSHEE). Kërkesa e Asamblesë nuk është marrë në konsideratë, me argumentin se caktimi i pagave nuk është kompetencë e Asamblesë", - shkruhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

    Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, përgjegjësia qëndron te vetë qeveria, që ka krijuar një model të tillë shpenzimesh të papërgjegjshme dhe joeficiente.

    "Është një përpjekje që Ministria e Financave të rrisë distancën institucionale, pra të shmangë të përfolurën, por duhet të ishte më e drejtpërdrejtë. Një kompani, që nuk ka veprimtari, nuk ka pse të ketë politika për paga të larta dhe borde, kur ka qenë kjo mazhorancë, që i ka kritikuar administratat e mëparshme për shpenzime fondesh në këtë formë", - argumenton Preçi për INA MEDIA-n.

    Pasqyrat financiare për vitin 2022 nuk janë ende të disponueshme, por vihet re nga prokurimet publike, që ka bërë Korporata gjatë vitit të shkuar, se ka një rritje të ndjeshme të shpenzimeve operacionale. Në 18 kontratat e lidhura janë shpenzuar plot 8.8 milionë lekë, ku mobilimi dhe pajisjet e zyrës kanë zënë peshën kryesore.

    Në total, përgjatë një viti e gjysmë operim llogaritet që humbjet e kompanisë të jenë së paku 350 mijë euro, ndërsa të ardhurat nga ana tjetër janë zero lekë. Sipas drejtuesit të institucionit, këto nuk duhen parë si shpenzime të një kompanie private, por si kostot e një pune që po bëhet për të mirën e publikut.

    "AIC, si çdo korporatë tjetër në sektorin privat, ka nevojë të ketë kapital adekuat për të përgatitur dhe për të zbatuar projekte investimesh", - thotë Frashëri.

    "Në fund të ditës, AIC është pronë e shtetit dhe është ngritur, në mënyrë që të maksimizojë inputet publike, që orientohen drejt zbatimit të projekteve të investimit. Pra, si shteti, po ashtu edhe publiku mund ta shohin korporatën si një shprehje të pronësisë së tyre", - deklaron Frashëri.

    Në të njëjtën linjë, pyetur nga INA MEDIA, edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë i justifikon këto shpenzime të larta, me faktin se institucioni është krijuar rishtazi.

    "Duhet vënë theksi te fakti që AIC është organizatë që u ngrit nga fillimi, pra nuk kishte infrastrukturë bazë, të sajën, të trashëguar", - thotë MFE për INA MEDIA-n.

    Por, vetëm javë më pas ministria ndryshon tërësisht qëndrim, duke u shprehur se shoqëria duhet të transformohet, për të gjetur mundësinë dhe rrugën për t'u vetëfinancuar. Madje, MFE shkon edhe më tej, duke kërkuar që të hiqet mundësia që Korporata të përfitojë sërish në të ardhmen nga fondet publike dhe duke shkrirë tërësisht Bordin Këshillimor, si një strukturë të panevojshme.

     

    Në pritje të projekteve të para

    Ministria e Financave, e cila për momentin është ende pronare 100% e aksioneve të Korporatës, nuk ka një plan se kur kompania do të bëhet rentabël apo se sa do të jetë marzhi i fitimi.

    Sipas Ministrisë së Financave, duhet të presim së paku edhe 3 vite për të parë se si tregu do të reagojë ndaj këtyre investimeve. Vetëm atëherë do të mund të kemi një pamje më të qartë, duke bërë të mundur kështu edhe përllogaritjen e fitimit.

    "Nuk mund të pretendohet, që nga projektet komplekse që synon të zhvillojë, të nxjerrë fitim që në vitin e parë të operimit. Pritet që gjatë vitit 2023, si dhe gjatë 2-3 viteve pasardhëse, të finalizohen disa nga këto modele të biznesit, duke mobilizuar dhe kapitalin privat, të cilat do të na tregojnë kthimet përkatëse të investimeve", - i thotë INA MEDIA-s Ministria e Financave, vetëm pak ditë para se të publikohej drafti i ri.

    Fushat e interesit për këto investime të Korporatës përfshijnë turizmin, pasuritë e paluajtshme, logjistikën, bujqësinë dhe zonat e lira, ekonomike, me ambicien për të ngritur site turistike, marina dhe projekte real estate me impakt ekonomik.

    Ekspertët janë skeptikë edhe për fushat ku kjo korporatë premton të "fusë duart" me qëllim rigjallërimin e tyre. Për ta fokusi do të duhej të ishte te ri-jetësimi i zonave të varfra dhe te projektet që japin vlerë të shtuar në ekonomi.

    "Turizmi është një avantazh konkurrues në Shqipëri, është një sektor që e shet vetë veten e tij. Shteti ndërhyn, atje ku ka një nevojë. Edhe real estate nuk dëshmon asgjë, duke investuar atje. Është sektori më i thjeshtë. Do të duhet të fokusoheshin te bujqësia, parqet energjetike, prodhimi, teknologjia", - sugjeron Rezart Prifti.

    Për Selami Xhepën prioritizimi i këtyre fushave, që po lulëzojnë vetë, tregon se projektet e Korporatës nuk do të bëjnë diferencë. Diferencë të vërtetë do të bënte zgjidhja e problematikave të pronësisë.

    "Nëse çështjet e pronësisë në bregdetin shqiptar qartësohen përfundimisht, unë jam i sigurt që operatorë shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë janë të gatshëm të vijnë dhe të investojnë. Është një nga sektorët me potencial shumë të madh për të ardhmen, që ka një normë kthimi të investimit jashtëzakonisht të lartë dhe nuk ka asnjë lloj logjike që ne të investojmë pará publike në projekte të kësaj natyre", - argumenton Xhepa.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.