Transparenca e institucioneve, ligji nuk mjafton

  • Shqip
  • English
  • Ndërsa autoritetet shtetërore vijojnë të dominojnë mbi transparencën, Zyra e Komisionerit ka shpikur të ashtuquajturën “kthim përgjigjeje”, e ngjashme me dredhinë e preferuar të institucioneve publike “përgjigje pa përgjigje”. Ky hibrid i ri, që është vetëm fasada, që fsheh mosdhënien e informacionit, është konsideruar i paligjshëm edhe nga gjykata. Në çdo 100 ankesa, që shkojnë pranë Komisionerit, vetëm 3 janë në favor të aksesit për informacion; pjesa tjetër e tyre shpërfillet ose lihet në heshtje.

    Artan Rama

    Komisioneri për të Drejtën për Informim zhvilloi pak ditë më parë Konferencën e 5-të Kombëtare në sallën e madhe të Hotelit Plaza, pjesë e grupit të kullave luksoze në qendër të Tiranës, të cilat dukshëm po i japin kryeqytetit një pamje të re dhe natyrisht, edhe më europiane.

    Siç vlerësohet gjithmonë brenda një stereotipi të tillë salle (më shumë a priori e jo falë gjykimit), objektivat e konferencës u përmbushën plotësisht. Komisioneri Dervishi, mandati i dytë i të cilit po shkon drejt fundit, ka njoftuar se do të organizojë vitin e ardhshëm në Tiranë edhe Konferencën Botërore të Komisionerëve të Informimit… Përpos një kurorëzimi mbresëlënës, organizimi i Konferencës Botërore përbën deri diku një njoftim të pritshëm. Siç dihet, në dekadën e fundit Shqipëria ka miratuar një legjislacion të përparuar në favor të aksesit për informacion, të cilin nën presionin e zhvillimeve të shpejta e të reja teknologjike pritet që ta ndryshojë sërish në muajt e ardhshëm.

    Por, pa dashur që të zbehim entuziazmin, që ka shpërthyer në letër, le të kthejmë vështrimin mbi zhvillimet në praktikë, ku e shkuara e autoritetit shtetëror vijon të dominojë mbi transparencën, duke e konsideruar hapjen ende një pengesë në punën e qeverisë.

    Në dy vitet e fundit gazetarët kryesojnë ankesat në Zyrën e Komisionerit. Dy në pesë ankesa iu takojnë atyre. Mund të konsiderohet padyshim një arritje për gazetarinë, por, nga ana tjetër, nën premisën se informacioni është një e mirë publike, ajo shton presionin ndaj autoriteteve për përgjegjësinë që kanë në sigurimin dhe në shpërndarjen e kësaj të mire.

    Prej kohësh në mjedisin e gazetarisë dhe të një pjese të rëndësishme të organizatave jofitimprurëse Komisioneri për të Drejtën për Informim po shihet më shumë si një aleat, se sa si një autoritet shtetëror. Kjo marrëdhënie besimi, mes një autoriteti dhe gazetarëve, veçanërisht atyre hulumtues, është premtuese, por, sido që të jetë, ajo nuk duhet marrë a priori. Raportimi i besueshëm në favor të publikut është një përpjekje e vazhdueshme për të ruajtur në ekuilibër interesa të ligjshme, prova e së cilës mbetet Transparenca.

    “Treguesit në shifra janë ende larg nivelit optimal, që pritej të arrihej nga ligji “Për të Drejtën për Informim”, kur u miratua në vitin 2014, – shprehet Drejtori Ekzekutiv i Qendrës ResPublica, avokati Dorjan Matlija, zyra e të cilit kohët e fundit po shpenzon energji të shumta për monitorimin e gjendjes së aksesit për informacion në Shqipëri. – Dhe frika më e madhe, – vijon ai, – është që ky nivel (jo optimal) të normalizohet dhe të konsiderohet i pranueshëm”.

    Por, zoti Dervishi e ka theksuar më shumë se një herë pavarësinë e qelqtë të zyrës së tij. Ndonëse një institucion i pavarur nga qeveria, Komisioneri mund të shkarkohet nga një shumicë e thjeshtë deputetësh (përfaqësues të shumicës qeverisëse), numri i të cilëve mund të arrijë lehtësisht në 37 vetë, pra, gjysma (plus një) e gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit të pranishëm në sallë.

    Për Dorjanin, që një Zyrë të jetë e pavarur, nevojitet që të funksionojë si një agjenci (aftësia për të marrë vendime autonome). “Por, në mjediset e dominuara nga një ekzekutiv i fortë në raport me të gjitha pushtetet e tjera, kjo duket tejet e vështirë, – thekson më tej ai. – Në këto rrethana, Komisioneri nuk ka mundësi reale për të pasur integritet e fuqi”, – konstaton avokati.

    Në një kohë kur cilido, falë mundësisë teknologjike, mund të publikojë pothuajse gjithçka e ta quajë veten gazetar, pakkush merr mbi shpatulla barrën e përgjegjësisë së publikimit. Krahasimisht, njëlloj edhe me Komisionerin: të monitorosh zbatimin e ligjit “Për të Drejtën për Informim” nuk mjafton për të të konsideruar automatikisht kampion të transparencës.

    Në mars iu drejtova Komisionerit si autoritet publik, duke kërkuar të dhëna, haptazi të detyrueshme për t’u dhënë. Kërkoja numrin e kërkesave të qytetarëve, të refuzuara nga autoritetet publike për shkak të kalimit të afatit dhjetëditor, siç përcaktohej në legjislacionin e fushës së të drejtës për informim. Komisioneri refuzoi shkurt, duke u përgjigjur se legjislacioni mbështeste vetëm dhënien e dokumenteve të gatshme, por jo përpunimin e dokumenteve ekzistuese.

    Gjatë një bisede me kolegen Lindita Çela, gazetare me përvojë të gjatë në shtypin e shkruar, fituese e disa çmimeve në gjininë e hulumtimit, informohem se refuzime të ngjashme po bëhen të zakonshme.

    “Në gazetarinë hulumtuese gazetarit i nevojiten të dhëna, të cilat mund të mos jenë në formën standarde, siç gjenden rëndom dokumentet zyrtare, shumica e shkresave apo të kontratave të gatshme, – tregon gazetarja. – Madje, – sqaron ajo më tej, – shpeshherë këto të dhëna janë e vetmja mënyrë për të kuptuar një fenomen të caktuar”.

    Në të vërtetë, kërkesa ishte edhe më e thjeshtë. Sipas raportit vjetor për vitin 2022, numri i përgjithshëm i ankesave ishte 1032, pra kërkohej, sa prej këtyre ankesave u refuzuan, pa marrë asnjë njoftim nga autoritetet publike. Është një e dhënë e rëndësishme, e cila ekspozon shkallën e shpërfilljes së qytetarëve prej autoriteteve publike, si dhe vlerëson më tej qëndrimin e Komisionerit në rolin e mbikëqyrësit.

    “Institucionet refuzojnë, me argumentin se nuk kanë staf dhe kohë të mjaftueshme për t`i përpunuar informacionet e kërkuara”, – vijon Lindita. Ajo ka humbur të dhëna të vlefshme në të shkuarën, gjë e cila vijon ende të ndodhë. Më tej ajo më shpjegon se bëhet fjalë për një taktikë të qëllimshme nga autoritetet për të mos e publikuar informacionin. Ajo më tregon për rrezikun se nëpërmjet informacioneve të gatshme (të vëna në dispozicion) gazetarët rrezikojnë që të shndërrohen lehtësisht në propagandues të manipulimit nga spin doctors.

    Por, a është edhe qëndrimi i Komisionerit pjesë e së njëjtës taktikë? Zyra nuk e pa të arsyeshme të përgjigjej, duke e mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë diskutim jashtëzakonisht të vlefshëm për llogaridhënien dhe kontributin e medias si rojtar i sigurisë publike. Zgjerimi i të dhënave dhe përpunimi i tyre, falë zhvillimit teknologjik, është një armë e jashtëzakonshme në duart e gazetarisë hulumtuese për të zgjeruar kufijtë e transparencës dhe të llogaridhënies së qeverisë. Roli i tyre nuk kufizohet vetëm në begatimin e ekosistemit gazetaresk, por njëkohësisht ato shërbejnë edhe si një mekanizëm komunikimi, që zhvillon vetëdije dhe emancipim sipëror.

    Në vitin 2020 Komisioneri themeloi Instrumentin e Indeksit të Transparencës (IIT), duke i dhënë Zyrës imazhin e një projekti, objektivat e të cilit do të përmbusheshin step by step.

    Po çfarë ishte ky instrument? – një matës i transparencës proaktive të qeverisë, treguesit e të cilit do të shtoheshin vit pas viti, së bashku me autoritetet e përfshira, publike. Tre vjet pas hartimit të IIT, le të monitorojmë zbatimin e vetëm njërit prej këtyre treguesve (deri tani nëntë gjithsej): Programin e Transparencës, në të cilin përfshihen kategoritë e informacionit, që bëhet publik pa pagesë.

    Ato që vlejnë më shumë në kategorinë e informacioneve të tilla, jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por veçanërisht për interesin e lartë publik që mbartin, janë procedurat e prokurimit dhe të hartimit (zbatimit, gjithashtu) të kontratave koncesionare, duke lënë mënjanë informacione të tipit: CV-ja e titullarit, të dhëna mbi vendndodhjen e zyrave, funksionet dhe detyrat e autoritetit në fjalë etj. Ndonëse ligji “Për të Drejtën për Informim” mundëson publikimin proaktiv, për vite me radhë publikimi i kontratave dhe ecuria e zbatimit të tyre ka qenë tabu. Por, përpara së të këqyrim sot përmbushjen e Programit të Transparencës, le t’i referohemi së pari vlerësimit më të fundit të Indeksit të Transparencës Proaktive (dhjetor 2022) të kryer nga Zyra e Komisionerit, duke përzgjedhur vetëm autoritetet e shpallura si më shumë transparente, pra më të mirat, mes të cilave edhe Kryeministrinë, së bashku me ministritë më të rëndësishme të vendit. Nga këqyrja e Programit të Transparencës në këto autoritete, konstatohet se asnjëra prej tyre nuk i ka publikuar kontratat në fjalë. Shumë prej linqeve rezultojnë të rreme, ndërkohë që të tjera linqe devijojnë, duke na dërguar te Buletini Online i Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), ku qytetari i gjorë humbet nëpër dhjetëra e dhjetëra linqe të tjera e të panevojshme. Atëherë, si shpjegohet vlerësimi më shumë transparente?! Zyra e Komisionerit nuk shpjegoi se mbi ç’kritere shkencore u caktuan këta tregues, por pranoi faktin se kjo ndërmarrje e vështirë u mbështet nga burime të brendshme, duke përzgjedhur ato kategori informacioni, ndaj të cilave qytetarët kishin treguar interes. Është e habitshme se si Komisioneri vijon që të ruajë të njëjtat kritere përzgjedhëse, duke u mbështetur mbi preferencat e qytetarëve (anonimë), ndonëse në dy vitet e fundit janë gazetarët ata që i dominojnë kërkesat, si në aspektin sasior, ashtu dhe në atë përmbajtjesor.

    Sidoqoftë, situata mbetet sërish shpresëdhënëse, pasi pothuajse gjysma e ankesave për vitin 2022 erdhi nga gazetarët (Lexo raportin këtu). Duket se ky grup interesi po merr në dorë atë çka i takon, jo vetëm ligjërisht, por edhe moralisht, ndërkohë që reagimi nga Zyra e Komisionerit vijon të mbetet i zbehtë dhe aspak solidar. Vendimmarrja vazhdon në kuota të ulëta. Në çdo 100 ankesa, vetëm 3 janë në favor të aksesit për informacion; pjesa tjetër e tyre shpërfillet ose lihet në heshtje.

    Së fundi, një proces edhe më i rafinuar, i nxitur nga vetë Komisioneri, po thellon raportin mes numrit në rritje të ankesave dhe rënies në vendimmarrje: klasifikimi i një numri ankesash si “kthim përgjigjeje”, kësisoj ndaj tyre nuk merret asnjë vendim… Referuar ligjit “Për të Drejtën për Informim” (LDI), ankesat ndjekin dy rrugë: pranohen ose nuk pranohen. Në vijim të procedurës, pranimi përfundon, ose me urdhërimin e autoritetit për të dhënë informacionin, ose me rrëzimin e ankesës, por Zyra e Komisionerit duket se ka shpikur edhe një rrugë të tretë, të ashtuquajturën “kthim përgjigjeje”, e ngjashme me dredhinë “përgjigje pa përgjigje”, që aplikohet rëndon nga autoritetet publike, që synojnë mosdhënien e informacionit.

    Po në ç’mënyrë po përpiqet që ta justifikojë Komisioneri shmangien e “kthimit të përgjigjes” nga vendimmarrja? Së pari, le të shpjegojmë se çfarë përfaqëson ky hibrid i ri, që po dëmton agresivisht transparencën dhe llogaridhënien.

    Gjatë një komunikimi me Gjykatën Administrative të Apelit, zonja Elona Hoxha, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtën për Informim pranë Komisionerit, shpjegon zyrtarisht se ky i fundit shprehet me vendim në rastet e urdhërimit të autoriteteve publike, por nuk shprehet me vendim për ankesat, të cilat janë qartësisht jashtë kompetencave për shqyrtim. Çuditërisht, në këto të fundit ajo përfshin edhe ankesat e refuzuara për shkak të kufizimeve që vetë ligji (LDI) parashikon. Por, a mund të ngatërrohen këto lloj ankesash, kaq të ndryshme nga njëra-tjetra?! Ankesat, që klasifikohen jashtë kompetencave për shqyrtim, janë ankesa jashtë objektit të LDI-së, të ardhura kryesisht nga qytetarë, ndërsa ankesat e refuzuara për shkak të kufizimeve të LDI-së, i referohen kryesisht nenit 17, që ka të bëjë me një pjesë të informacionit, i cili kufizohet përpara publikimit, pas të cilave qëndrojnë gazetarë, kryesisht ata të gjinisë hulumtuese.

    Duhet kuptuar se kufizimet në LDI nuk kryhen a priori. Si përherë, përpara një dileme për dhënien ose mosdhënien e një informacioni, Komisioneri duhet që t`i nxisë autoritetet publike që së pari të provojnë së çfarë dëmi shkakton publikimi informacionit; cilat interesa preken dhe a bien këto interesa brenda rrethit të interesave që mbrohen përmes kufizimit? Më një fjalë, autoriteti është i detyruar që të bëjë testin e interesit publik, përpara se të marrë një vendim. Nëse nuk e bën, Komisioneri duhet ta urdhërojë që ta bëjë. Por, Komisioneri i merr të mirëqena pretendimet e autoriteteve për të refuzuar dhënien e informacioneve, pa kryer më parë testin e interesit publik.

    Nëse pretendimet e autoriteteve qëndrojnë, atëherë Komisioneri mund të pyetet: Përse nuk i rrëzon këto lloj ankesash drejtpërdrejt, përmes një vendimi? Pra, fare thjesht, nëse në mënyrë të arsyetuar Komisioneri konkludon se refuzimi i autoritetit publik është i ligjshëm, le ta rrëzojë ankesën. Përse nuk e bën? Mos ndoshta ajo që kërkon Komisioneri, është që të shmangë rastet, kur arsyetimi mund të rezultojë në favor të ankesës dhe me gjasë, kur veprimet e autoriteteve rrjedhimisht do të rezultojnë të paligjshme? Në të vërtetë, dy nga vendimet e fundit të gjykatës i konfirmuan si të tilla veprimet e autoriteteve. Personalisht, në cilësinë e paditësit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë më dha të drejtë, së pari duke urdhëruar autoritetin publik që të më jepte informacionin e kërkuar dhe së dyti, duke e konsideruar të paligjshëm aktin “kthim përgjigjeje” nga Komisioneri. Bëhej fjalë për dokumente kontratash publike, si shtojcat e kontratës koncesionare për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), të prodhuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe për inventarin e pronave publike, të vënë në dispozicion të Fondit të Investimeve Strategjike, i prodhuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që të gjitha të refuzuara më parë.

     

    Për t’iu kthyer edhe njëherë LDI-së, kujtojmë se pranimi i një ankese nga Komisioneri ndjek vetëm dy rrugë: ose urdhërimin e autoritetit për dhënien e informacionit, ose rrëzimin e ankesës. Çdo pretendim (i ndërmjetëm) nëpërmjet hibridit “kthim përgjigjeje” s’është veçse fasada që mbulon moskthimin e saj.

    Situata rëndohet edhe më shumë, pasi “kthimi i përgjigjes” nuk regjistrohet as në praktikën vendimmarrëse të Komisionerit, por duket se ky i fundit e ka një justifikim. Teknikisht, hileja “kthim përgjigjeje” është thjesht një rekomandim dhënieje, por pa e caktuar datën e dhënies. Mos-caktimi i saktë i kohës e bën aktin “kthim përgjigjeje” që të mos t`i plotësojë kushtet formale për t’u konsideruar një vendim, pasi, që të jetë një i tillë, duhet që të ketë afatin e saktë se në ç’datë do të zbatohet nga autoriteti. Kjo e bën akoma më të paqëndrueshëm përballë refuzimit të autoriteteve publike, të cilat mund ta zgjasin dhënien e informacionit deri në pafundësi. Lënia e një akti administrativ pa afat mund të interpretohet nga Komisioneri si një dokument, i cili nuk i plotëson kushtet formale për t’u konsideruar vendim (në përputhje kjo me pikën ç të paragrafit 5 të nenit 24 (LDI)). Sidoqoftë, siç parashtruam më sipër, gjykata e konsideroi “kthimin e përgjigjes” një veprim të paligjshëm, jo një, por dy herë rresht nga dy gjyqtarë të ndryshëm. Në përfundim, ky mbetet një problem i krijuar nga Komisioneri dhe duhet zhbërë nga vetë ai e jo nga gjykata.

    Deri tani Komisioneri vijon që të refuzojë. Si për paradoks, zonja Hoxha, e cila mbron zyrtarisht të drejtën e qytetarëve për informim, iu drejtua Apelit për bllokimin e kësaj të drejte, duke kërkuar prishjen e vendimeve të mësipërme, që lejojnë dhënien e dokumenteve me interes publik.

    Përpjekjet e Zyrës së Komisionerit për të legjitimuar si të ligjshme praktikën “kthim përgjigjeje”, me ndihmën e një rrethi vicioz arsyetimesh të paligjshme, po e varfërojnë praktikën e vendimmarrjes së Komisionerit për të Drejtën për Informim dhe po e bëjnë institucionin më pak transparent.

    Në ditën e Konferencës së 5-të Kombëtare, nën sloganin Hapje – Transparencë – Digjitalizim, nëpunësit e ftuar, shtetërorë munguan në pjesën më të madhe të tyre, po aq edhe gazetarët, shumica e të cilëve nuk ishin në dijeni. Ato pak media të pranishme u larguan shpejt, fill pas largimit të shpurës së përfaqësuesve të lartë të autoritetit shtetëror. Zonja Felaj, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, e cila mbajti fjalën e para dhe propozoi çeljen e një diskutimi për hapje dhe transparencë, u largua pa filluar ende diskutimi që vetë ajo propozoi. Nëse përgjegjësinë për këtë braktisje do t’ia atribuonim vetëm Komisionerit, do të ishim padyshim të njëanshëm. Ajo që duhet kuptuar, është më e thellë. Nuk po kërkohet që të jemi thjesht të ekuilibruar, por se sa jemi të aftë për të kuptuar se sukseset në letër nuk mjaftojnë për t’i shërbyer së mirës publike. Për aq kohë sa Komisionerit për të Drejtën për Informim i mungon vendosmëria për të punuar ndershmërisht në terren, autoriteti shtetëror do të vijojë që t`i mbajë të bllokuara informacionet e dobishme për publikun. Nëpunësit e administratës nuk do të japin kurrë vullnetarisht llogari; as nuk mund të jenë transparentë deri në fund, vetëm për shkak se ligji mund të shkëlqejë mbi një copë letër.

    “Komisionerit i mungon fryma dhe kuraja për të bërë detyrën që i ka ngarkuar ligji”, – shprehet avokatja e së drejtës për informim, zonja Irena Dule, me të cilën shpesh kam bashkuar forcat për të kërkuar aksesin për informacion në gjykatë. Për zonjën Dule, e cila në vitet e fundit po përballet me përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit, qëndrimet e këtij të fundit duhet të jenë të qëndrueshme dhe qartazi në favor të hapjes. Ajo shpjegon se përkujdesja për ruajtjen e ekuilibrave apo për mbrojtjen e interesave të grupeve të tjera mbetet sidoqoftë përgjegjësi e gjykatave.

    “Në këtë kuptim, – përfundon ajo, – vetëm një aksion i vërtetë dhe i sinqertë nga ana e Komisionerit mund të sjellë realisht arritje në drejtim të hapjes dhe të transparencës”.

    Informacioni publik është një e mirë publike dhe si i tillë meriton përkrahje dhe mbrojtje, por së pari ai ka nevojë për një përpjekje të moralshme.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.