Romët dhe egjiptianët, në informalitet ekstrem, zyrat e punës nuk punësojnë as 3% të tyre

  • Shqip
  • English
  • Shqipëria është një prej vendeve të rajonit, që është angazhuar përmes Deklaratës së Poznanit, për të rritur punësimin e romëve në masën 25%, por 4 vite më pas faktet flasin për dështim të plotë të strategjive për integrimin e tyre dhe zbatim të dobët të ligjit, duke favorizuar masivisht punën në të zezë.

    Daniela Zisi

    Maksi Rrushiti është një prej banorëve të komunitetit egjiptian, që jeton në zonën e ish-Ndërmarrjes Gjeologjike në Korçë dhe siguron jetesën, duke mbledhur hekura dhe materiale të tjera, të riciklueshme. Prej 27 vitesh ai është pjesë e tregut informal të punës, ashtu si pjesa më e madhe e anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri. Edhe pse po i afrohet moshës së pensionit, të vetmet vite pune të siguruara ka ato të kohës së diktaturës. Pas ndryshimit të sistemit, 62-vjeçari ka bërë punë të ndryshme kryesisht në sektorin e ndërtimit, por punëdhënësit nuk e kanë siguruar, duke e mbajtur në punë për periudha të shkurtra, kohore.

    Mbledhës skrapi, Korçë

    “Me mbledhjen e hekurave merrem. Me aq sa nxjerr nga hekurat dhe kanoçet, nuk më del që të paguaj sigurime”, – tregon Maksi, duke shtuar më tej se pas viteve `90 e ka pasur të pamundur të integrohet në tregun formal të punës.

    Për shtetin shqiptar komuniteti rom dhe egjiptian, referuar Censit të vitit 2011, ka 11.669 anëtarë, prej të cilëve 8.301 persona janë deklaruar romë dhe 3.368, egjiptianë, por, pavarësisht të dhënave zyrtare, këto shifra janë disa herë më të mëdha dhe bien në kundërshti me anketimet e bëra nga shoqëria civile apo edhe të dhëna të tjera të vetë institucioneve shtetërore.

    Tirana është qarku me numrin më të madh të komunitetit rom, me 26%, pasuar nga Elbasani, me 17% dhe Korça, me 11%, sipas Censit të vitit 2014 “Banesat dhe Popullata Rome në Shqipëri”, të realizuar nga OSFA, ndërkohë që numri i anëtarëve të komunitetit egjiptian është edhe më i lartë, por ende nuk ka shifra të sakta për këtë grupim.

    Komuniteti rom dhe egjiptian në qytetin e Korçës është i shpërndarë në të gjithë territorin, por një pjesë e mirë e tyre jetojnë të grupuar në disa vendbanime tradicionale. Bashkia e Korçës nuk ka të dhëna të sakta për numrin e anëtarëve të këtyre komuniteteve, ndërkohë që, sipas anketimeve të bëra nga organizatat e shoqërisë civile, të pasqyruara në Planin Vendor për Integrimin e Pakicave Rome dhe Egjiptiane 2019-2022, numri i tyre shkon në rreth 24 mijë.

    Aktualisht, Bashkia e Korçës trajton me ndihmë ekonomike 300 familje, ndërsa pjesa tjetër siguron jetesën me punë ditore ose nuk është e përfshirë në tregun e punës.

    Pavarësisht vështirësive ekonomike të këtyre komuniteteve, Bashkia e Korçës, për vitin që jemi, ka arritur të punësojë shumë pak persona nga ata që trajtohen me ndihmë ekonomike.

    “Jemi duke zbatuar programin e orientimit të personave nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, ku për vitin 2023 deri tani janë punësuar rreth 15 persona”, – thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion të bashkisë, ku shtohet më tej se nga zbatimi i Planit Vendor 3-vjeçar në total janë punësuar 270 persona nga komuniteti rom dhe egjiptian.

    Për Bashkinë e Korçës është realizuar pjesa më e madhe e indikatorëve të parashikuar në Planin e Veprimit, si arsimi, punësimi, strehimi, shëndetësia dhe migrimi. Përmbushja e objektivave të këtij plani kërkonte një buxhet prej 2.3 milionë eurosh, kostot e të cilit duhet të mbuloheshin nga buxheti i shtetit, rreth 53,6% dhe 15% nga buxheti i bashkisë, duke lënë një hendek prej 28% të pambuluar. “21,1% e shpenzimeve nevojiten për punësim dhe fuqizim ekonomik”, – thuhet në Planin Vendor.

    Bashkia e Korçës thotë në përgjigjen e kërkesës për informacion se nuk disponon të dhëna sa i takon fondeve të qeverisë dhe vetë bashkisë të shpenzuara për përmbushjen e objektivave të këtij plani.

    Elisabeta Dingëlloshi, nënë e 5 fëmijëve, ka kërkuar punë sistematikisht së bashku me anëtare të tjera të komunitetit rom dhe egjiptian, duke ndjekur rrugën institucionale përmes Zyrës Rajonale të Punës në Korçë. Pavarësisht përpjekjeve, asnjëra prej tyre nuk ka arritur të sigurojë një vend pune në tregun formal. Dingëlloshi pretendon se arsyet e refuzimit nga punëdhënësit lidhen me përkatësinë e tyre, etnike.

    “E vërteta është që ka dallime raciale, sepse kam shkuar te zyra e punës, kam shoqëruar, edhe nusen, edhe banore të tjera dhe na kanë drejtuar në disa biznese. Pronarët na kanë thënë që “do t’iu marrim në telefon”, por në fakt kjo nuk ka ndodhur. Këtu ka dallime raciale, sepse jemi romë dhe egjiptianë”, – shprehet ajo.

    Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive sqaron se shkaku për nivelin e ulët të punësimit të romëve dhe egjiptianëve ka dy aspekte:

    “Në dallim nga të gjitha kategoritë e tjera, kategoria romë/egjiptianë karakterizohet nga një moshë relativisht e re dhe një mungesë e theksuar arsimimi. Mungesa e arsimit rrit vështirësinë e integrimit të këtij grupi në tregun e punës, pasi përbën problem edhe për dërgimin e kësaj kategorie në kurse formimi profesional. Gjithashtu, punëkërkuesit e papunë nga kategoria romë/egjiptianë nuk preferojnë të punojnë me orar të plotë dhe pagesë mujore.”, – shkruhet në përgjigjen e kërkesës për informacion.

    Të njëjtin argument mbështet edhe eksperti i punësimit, Erion Muça, i cili, krahas arsyeve, që lidhen me arsimin e pamjaftueshëm, shton edhe diskriminimin.

    “Mundësitë, që iu ofrohen për punë, varen nga arsimi dhe formimi që kanë. Ofertat për punë ndaj tyre janë me pagesa shumë të ulëta, kryesisht kontraktohen me orë dhe zakonisht realizojnë punë, të cilat nuk preferohen të bëhen nga të tjerët.”, – thotë ai, ndërsa shton më tej se paragjykimi dhe diskriminimi në mundësitë dhe kushtet e punës, që iu ofrohen, shpesh i bën ata objekt stigme.

    INSTAT në raportin “Tregu i Punës 2021” tregon se në Shqipëri rezultojnë 162.560 persona të papunë ose 11,5% e popullatës, por ky institucion nuk bën diferencim mes të papunëve të maxhorancës dhe të etnive.

    Gati gjysma e individëve të papunë në vendin tonë janë të regjistruar në Zyrat e Punësimit si punëkërkues, ndërsa pjesa tjetër nuk ndjek rrugën institucionale, por mundohet vetë të gjejë punë, ose në tregun formal, ose në atë informal. I lartë është edhe numri i anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët, në përpjekje për t’u integruar, i shohin zyrat e punësimit si institucionet ku ata mund të gjejnë mbështetje, por shifrat e punësimit të tyre mbeten të papërfillshme në raport me maxhorancën. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, rezulton se në dhjetorin e vitit 2022, 9% të totalit të punëkërkuesve e zënë anëtarët e këtyre komuniteteve.

    Siç tregohet në grafik, për vitin 2022 dhe 2023 zyrat e punës kanë arritur të punësojnë rreth 3% të punëkërkuesve romë dhe egjiptianë. Ndërkohë, 63% e punëkërkuesve të këtyre etnive, sipas AKPA, përfitojnë ndihmë ekonomike, çfarë i shtyn të kërkojnë punë edhe në tregun e zi.

    Nga ana tjetër, niveli i papunësisë së tyre është shumë herë më i lartë se sa shifrat zyrtare, pasi një pjesë nuk i drejtohet fare zyrave të punës.

    Gentian Serjani, drejtues i qendrës “Drejtësi Sociale”, thotë se komuniteti rom dhe egjiptian zë një përqindje të madhe të krahut të punës edhe për shkak të moshës së re, krahasuar me moshën mesatare të popullsisë në vend, por integrimi i tyre në tregun formal mbetet i vështirë.

    “Për shkak të pamundësisë për të pasur një profesion dhe mungesës së arsimit, ata e kanë të vështirë të integrohen në tregun formal të punës dhe si pasojë punojnë në tregun e zi. Aktualisht, nuk kemi një program, që të sjellë bashkë interesin e shtetit dhe interesin e qytetarëve.”, – thotë Serjani.

    INSTAT nuk ka të dhëna për nivelin e papunësisë te të rinjtë romë dhe egjiptianë, ndërkohë që për vitin 2021 shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç në Shqipëri është 27,1%.

    Shkalla e informalitetit në Shqipëri, sipas konstatimit të International Financial Corporation (IFC), mbetet ende shumë e lartë krahasuar me vendet e rajonit. Në vitin 2019 rezulton se 37,5% e tregut të punës në Shqipëri ishte informal, thuajse dyfishi i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku informaliteti i tregut të punës llogaritet në masën 18%.

    Pasojat e punës në të zezë tek etnitë rome dhe egjiptiane rëndojnë më tepër te mosha e tretë. Kjo kategori personash nuk mbulohet plotësisht me kujdes shëndetësor falas për shkak të mos-derdhjes së kontributeve dhe gjithashtu nuk përfitojnë as pension pleqërie. Të vetmit, që përfitojnë pensionin social, janë të moshuarit mbi 70 vjeç, por këto komunitete e kanë jetëgjatësinë më të ulët se mesatarja në shkallë vendi.

    Fadile Ushini, Korçë

    70-vjeçarja Fadile Ushini e fillon ditën, duke mbledhur bukë dhe kanoçe nëpër konteinerët e mbeturinave, nga shitja e të cilave arrin të fitojë rreth 15 mijë lekë në muaj, që i shërbejnë për të plotësuar nevojat bazike.

    “Kam punuar në kazino, por kam qenë pa sigurime, ndaj nuk përfitoj pension pleqërie. Tani që mbusha 70 vjeç, marr vetëm 7 mijë lekë pension social, i cili nuk më mjafton as për bukë. Në këtë moshë është e vështirë të punosh, por deri tani kam qenë mirë me shëndet”, – thotë e moshuara.

    Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës për informacion të INA MEDIA-s në lidhje me nivelin e mbulimit me kujdes shëndetësor të personave që punojnë në të zezë, ndërkohë që ekspertët ngrenë shqetësimin për pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale.

    “Pasojat e punës informale të kësaj kategorie lidhen me privimin e drejtpërdrejtë për të marrë shërbim dhe kujdes shëndetësor, çfarë i ekspozon përballë një risku të lartë për lëndim apo edhe pasoja fatale të humbjes së jetës, si edhe reduktojnë mundësinë për pension pleqërie për këtë kategori”, – thotë eksperti Erion Muça, i cili shton më tej se informaliteti në këto përmasa cenon fondin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, duke bërë që të mblidhen më pak të ardhura dhe rrjedhimisht të ketë më pak të mira dhe shërbime publike.

    Tregu i punës në Shqipëri vijon të jetë në nivele të larta informaliteti, por punëmarrësit romë dhe egjiptianë janë më të predispozuar për të qenë pjesë e këtij tregu në raport me punëmarrësit e maxhorancës. Edhe në rastet kur ata arrijnë të sigurojnë një vend pune në tregun formal, ekspozimi ndaj abuzimeve dhe shkeljeve të kontratave të punës mbetet shqetësues.

    Vendbanim i anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian në Korçë

    Në Korçë, ashtu si në bashkitë e tjera të vendit, ku është përqendruar komuniteti rom dhe egjiptian, ata, që arrijnë të sigurojnë një vend pune në sektorin privat, përballen me shkelje sistematike të kontratave të punës. Sektori i pastrimit, por edhe fasoneria dhe ndërtimi, ku romët dhe egjiptianët kanë më tepër mundësi për t’u punësuar, mbeten sektorët, ku kontratat e punës shkelen në mënyrë flagrante.

    Një prej punonjëseve të kompanisë së pastrimit të qytetit të Korçës, së cilës do t’i ruajmë anonimatin, pohon se paga e saj është 24 mijë lekë në muaj, edhe pse paga minimale, bruto në vend ka arritur 36.5 mijë lekë. Pavarësisht shkeljes së ligjit, as ajo dhe as kolegët e saj nuk janë ankuar, nga frika se mos humbasin vendin e punës.

    “Merrja 21 mijë lekë në muaj, tani me rritjen e pagës minimale marr 24 mijë lekë. Puna që bëjmë është shumë e vështirë”, – thotë gruaja, e cila është afër moshës së pensionit.

    Pavarësisht se fenomeni i informalitetit është i njohur edhe nga vetë institucionet shtetërore, subjektet private vazhdojnë të pashqetësuara të shkelin të drejtat e punëmarrësve. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, thotë se për Shqipërinë fenomeni i informalitetit është i gjerë dhe përfshin edhe komunitetin rom dhe egjiptian.

    “Kuptohet që shumë kontrata bëhen në kushtet e nevojës, sepse këta persona kanë nevojë dhe pranojnë të bëjnë punë edhe në kushte informale. Nga ana tjetër, ata nuk mund ta ekspozojnë punëdhënësin informal, sepse kanë frikë të denoncojnë”, – thotë Gajda.

    Të njëjtin argument mbështet edhe Ervis Çota, aktivist i shoqërisë civile dhe drejtues i organizatës “Lëvizja Rinore Rome dhe Egjiptiane” në Elbasan, i cili thotë se mekanizmat e abuzimit nga punëdhënësit me punëmarrësit e këtyre komuniteteve janë nga më të ndryshmet.

    “Puna pa orar është një nga aspektet e shkeljeve. Pavarësisht se në kontratën që nënshkruhet janë përcaktuar qartë kushtet e punës, shpesh abuzohet me orët e punës. Gjithashtu, ka abuzim me pushimet javore, lejet vjetore apo edhe njohjen e raporteve shëndetësore”, – thotë ai.

    Mekanizmat monitorues dhe kontrollues të institucioneve shtetërore arrijnë të evidentojnë një pjesë të vogël të subjekteve, që mbajnë punonjës informalë ose që abuzojnë me kontratat. Sipas statistikave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, në rastet e konstatimeve të punonjësve të pasiguruar është arritur plotësisht që bizneset t’i deklarojnë ata.

    Të dhënat zyrtare nga Inspektorati i Punës për qarkun e Korçës për vitin 2022 dhe 3-mujorin e vitit aktual tregojnë se nga inspektimet janë gjetur 234 punonjës të pasiguruar, të cilët u formalizuan 100%.

    Grafiku i trendit për punëmarrësit informalë, të konstatuar nga ISHPSHSH

    Për ekspertin Gentian Serjani, monitorimi i tregut të punës nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Punës është i pamjaftueshëm dhe nuk mbulon me kontrolle periodike subjektet private në të gjithë territorin. Sipas tij, rezultate në luftën kundër informalitetit nuk mund të arrihen vetëm me forcën shtrënguese të ligjit, por edhe me instrumente të tjera kompromisi, siç mund të jenë rimbursimi ose mbështetja e subjekteve me grante, për të mbuluar një pjesë të detyrimeve ndaj punëmarrësve.

    “Situata e parregulluar e tregut informal të punës përfshin një sërë hallkash, ku peshën kryesore e zë Inspektorati i Punës”, – thotë drejtuesi i KMD, Robert Gajda.

    “Përgjegjësia patjetër që në pjesën më të madhe rëndon mbi shtetin, i cili ka detyrimin për të futur çdo raport në konture ligjore dhe juridike. Është i nevojshëm fuqizimi i institucioneve monitoruese, inspektuese, si Inspektorati i Punës, si dhe krijimi i kushteve, që të kenë kapacitete më të mëdha njerëzore për të kryer monitorime më të shpeshta dhe efikase”, – shpjegon ai.

    Nga buxheti total prej 4,753,255,816 lekësh për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Barazinë, Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025, për të rritur punësimin në tregun formal të anëtarëve të këtyre komuniteteve, qeveria parashikoi 376 milionë lekë për zbatimin e disa skemave mbështetëse.

    “Në fund të vitit 2025, të paktën 300 romë dhe egjiptianë do të përfitojnë mbështetje financiare për sipërmarrjen dhe vetëpunësimin me qëllim përfshirjen e tyre në ekonominë formale. Një nga masat për ta arritur këtë objektiv është reduktimi në masën 50% i taksave dhe tarifave vendore për bizneset e ngritura nga romët dhe egjiptianët dhe për ato biznese që punësojnë një numër të konsiderueshëm romësh dhe egjiptianësh”, – thuhet në këtë plan.

    Pavarësisht përcaktimit qartë të njërës prej politikave lehtësuese, që duhet të aplikohet për të vetë-punësuarit romë dhe egjiptianë nga pushteti lokal, e pyetur në lidhje me zbatimin dhe numrin e përfituesve Bashkia e Korçës tha se nuk ka lehtësi fiskale për të vetë-punësuarit nga këto komunitete.

    Bashkitë, si institucione që kanë rol kyç, do të duhet të kishin nisur punën për përmbushjen e këtyre objektivave dhe të ishin në fazën e zbatimit, por ato ende nuk kanë hartuar Planet Lokale të Veprimit, çka është konstatuar edhe nga Avokati i Popullit, i cili iu ka rekomanduar vendorëve angazhimin për përmbushjen e detyrimeve ligjore.

    “Vend të rëndësishëm kanë zënë rekomandimet, ndër të cilat ato drejtuar bashkive për hartimin dhe miratimin e dokumenteve strategjike në nivel vendor”, – thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion të institucionit të Avokatit të Popullit, i cili shton më tej se institucionet qendrore dhe vendore duhet të projektojnë politika konkrete integrimi dhe përfshirjeje reale të romëve dhe egjiptianëve.

    Strategjitë e hartuara ndër vite e kanë ndryshuar pak situatën ekonomiko-sociale të komunitetit rom dhe egjiptian, pasi efikasiteti i tyre lidhet ngushtë edhe me një pasqyrë reale të numrit të anëtarëve të këtyre etnive, që Shqipëria ende nuk e ka. Ndërsa në muajin shator pritet të nisë zbatimi i Censit të ri, Komisioneri, Robert Gajda, mbetet skeptik për produktin përfundimtar.

    “Censi duhet të jetë një fotografi e shoqërisë, e cila, që të jetë efikase, do duhet të jetë e vërtetë, pasi, nëse nuk reflekton të vërtetën në shoqëri, edhe të gjitha politikat, që do të ndërtohen mbi këto të dhëna, nuk do të jenë të plota dhe adekuate për t’iu përgjigjur nevojave të grupeve etnike”, – përfundon ai.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.