Liqeni i Ohrit dhe ai i Prespës, të mbytur nga kimikatet e bujqësisë

  • Shqip
  • English
  • Përdorimi pa kriter i pesticideve në tokat që shtrihen buzë liqenit të Prespës dhe atij të Ohrit, kërcënon ndotjen e ujërave të këtyre dy baseneve. Bujqësia e pakontrolluar ka rritur shqetësimin tek ekspertët për pasoja afatgjata në liqen dhe në mjedisin përreth, i cili gëzon statusin e Zonës së Mbrojtur nga legjislacioni shqiptar, por edhe nga UNESCO.

    Autore: Dhorjela Çule

    Nesti Çobani zotëron 10 dynymë tokë në afërsi të liqenit të Ohrit, të cilën e mbjell me kultura të ndryshme.

    Teksa del nga farmacia bujqësore e fshatit Buçimas në Pogradec, 72-vjeçari tregon se për mollën bën deri në 12 spërkatje, por vitet e fundit edhe për domaten dhe specin bën deri në 4 spërkatje.

    Ai rrëfen se nuk konsultohet me specialistët e bujqësisë, por spërkatjet dhe pesticidet, që përdor, i përzgjedh, duke iu besuar njohurive personale, të fituara pas gjithë kësaj kohe në shërbim të tokës.

    “I dalloj sëmundjet me sy të lirë, sepse kam një jetë që merrem me tokën. Kur shkoj në farmaci, di çfarë ilaçi të kërkoj”, – rrëfen ai.

    I vetëdijshëm për dëmet që shkakton përdorimi në sasi kaq të mëdha i produkteve të mbrojtjes së bimëve (PMB), si te konsumatorët, ashtu dhe në mjedis, fermeri thotë se kjo është e vetmja zgjidhje për ta mbrojtur prodhimin.

    “Furnizoj me prodhimet e mia disa restorante në Pogradec dhe përpiqem që të përdor sa më pak kimikate, por, nëse nuk i përdor, prodhimi do të prishet”, – tregon i moshuari, me bindjen se përdorimi i kaq shumë pesticideve nuk arrin deri në ujin e liqenit.

    Ujërat e liqenit të Ohrit, i mbrojtur nga UNESCO, dhe ato të Prespës, pjesë e Parkut Kombëtar, kërcënohen seriozisht nga përdorimi pa kriter i kimikateve dhe pesticideve nga banorët që zotërojnë tokat buzë këtyre pasurive.

    Në Bashkinë e Pogradecit nga 17 500 ha sipërfaqe tokë bujqësore kultivohen në mënyrë intensive 8137 ha, të cilat mbillen kryesisht me bimë të arave, me perime, por edhe me drufrutorë.

    Këto pesticide nuk arrijnë të zbërthehen të gjitha dhe përfundojnë në liqen, duke dëmtuar ekosistemin e tij.

    Fatmir Laçej, ekspert i bujqësisë, i konsideron plehrat kimike si helme që ndotin ujin e liqeneve, ndaj ai është kategorik për mospërdorimin e tyre në afërsi të zonave të mbrojtura.

    “Pogradeci është i famshëm për koranin dhe belushkën. Nëse ne do të ndotim ujërat e liqeneve, për të rritur prodhimin bujqësor, edhe peshqit, që ne konsumojmë, do të kenë një pjesë të këtyre kimikateve, duke dëmtuar edhe shëndetin tonë”, – sqaron Laçej.

    Ndonëse ligji parashikon ndalimin e pesticideve në zonat e mbrojtura dhe monitorim të rreptë të ujërave, ai fle në sirtar, pasi asnjëri prej institucioneve përgjegjëse nuk i përmbush detyrat që ka.

    Pak bujqësi, shumë kimikate 

    Svetko Jankullës, një emigrant, që prej disa vitesh jeton në Greqi, kur kthehet në Pustec, i bien në sy bashkëfshatarët e tij me pompa në kurriz. Ai tregon se para disa vitesh në zonë bëheshin spërkatje vetëm për vreshtat, ndërsa për kulturat e tjera mjaftonte vetëm plehu organik, por aktualisht fermerët e zonës spërkatin çdo kulturë disa herë.

    “Edhe kopshtet, që i kanë pranë liqenit dhe i mbjellin me perime, i spërkatin. Ne maksimumi spërkatnim vreshtin 2 herë në vit, kurse kulturat e tjera nuk kishin nevojë”, – tregon ai.

    Liqeni i Prespës

    Në Bashkinë e Pustecit, fshatrat e së cilës shtrihen të gjithë përgjatë bregut të liqenit të Prespës së Madhe, janë 1360 ha tokë arë dhe pemëtore, nga të cilat kultivohet vetëm gjysma. Pavarësisht reduktimit të sipërfaqeve të mbjella, fermerët e kanë zgjeruar listën e kulturave, te të cilat përdoren PMB-të.

    Pandi Andoni, specialist i bujqësisë në Bashkinë e Pustecit, thotë se bujqësia në zonë ka qenë intensive, por për shkak të emigracionit është zvogëluar sipërfaqja e kultivuar. Por, pavarësisht sipërfaqes së vogël, të kultivuar, që arrin deri në rreth 1000 ha, alarmi është i madh, për shkak se ngastrat e tokës shtrihen buzë liqenit.

    “Në këto zona duhet të përdoren sa më pak pesticide, sepse ato nëpërmjet tokës infiltrohen dhe kalojnë në ujin e liqenit”, – thotë eksperti i bujqësisë, Fatmir Laçej.

    Përveç ndotjes së tokave, që shtrihen përgjatë liqenit të Ohrit dhe të Prespës, nga përdorimi i PMB-ve kërcënim serioz iu kanoset edhe ujërave nëntokësorë dhe sipërfaqësore nga substancat kimike, të cilat mbeten të patretshme për një kohë të gjatë.

    Specialisti i Bujqësisë, Xhoxhi Kazllarov, sqaron se gati 85% e sasisë së kimikateve të përdorura përthithen nga bimët dhe pjesa tjetër shkon në mjedis. Gjatë shirave ndodh e kundërta, pasi pjesa më e madhe e sasisë së kimikateve i shkon tokës.

    Mihallaq Qirjo, ekspert mjedisor, thotë se rreziku më i madh i këtyre mbetjeve kimike, që nuk përthithen nga bimët, është se përfundojnë në liqen. Më pas ato favorizojnë instalimin e bimësisë, që zhduk shumë mikroorganizma dhe specie endemike.

    “Mbetjet inorganike dhe ato organike në mënyrë të pashmangshme sjellin ndotje të liqenit, për shkak se përmbajnë fosfor dhe elemente të tjera kimike. Në perspektivë prezenca e fosforit do të thotë se liqeni, nga oligotrof, siç e kemi aktualisht, të eutrofizohet, duke u kthyer në habitat të kallamit dhe të algave blu, të cilat e varfërojnë botën e gjallë, ujore”, – thotë Qirjo.

    Në të njëjtën linjë, eksperti i bujqësisë, Besnik Skënderasi, shpjegon se nga përdorimi pa kontroll i pesticideve, herbicideve dhe fungicideve kontaminohen ujërat nëntokësorë, të cilët derdhen në liqene, duke helmuar kështu planktonin e asaj pjese ujore, e cila ndodhet në afërsi të parcelave. Kjo do të thotë që kontaminohet tërësia e mikroorganizmave bimorë dhe shtazorë, që gjallojnë brenda sistemit ujor.

    “Po të helmohet planktoni, do të kemi helmim zinxhir të peshkut, të shpendëve dhe të kafshëve të tjera ujore, si edhe të gjallesave të tjera, që janë jashtë sistemit ujor”, – sqaron Skënderasi.

    Si shkelet ligji për zonat e mbrojtura

    Zhvillimi i bujqësisë në afërsi të zonave të mbrojtura dhe në brendësi të tyre rregullohet me ligj të veçantë (VKM nr. 317, datë 15.05.2019), që ndalon përdorimin e pesticideve, por faktet e mbledhura nga Investigative Network Albania dëshmojnë se asnjë institucion nuk e ka marrë seriozisht këtë detyrim ligjor. Si pasojë, zhvillimi i bujqësisë në zonat pranë liqeneve të Ohrit dhe të Prespës është jashtë kontrollit.

    Ligji parashikon përdorimin e pesticideve, vetëm në rastet kur alternativat e tjera të kontrollit të sëmundjeve te bimët janë joefektive. Edhe në këto raste përdorimi duhet të bëhet nën kontrollin strikt të pushtetit vendor dhe të institucioneve të tjera për mbrojtjen e mjedisit dhe të popullatës.

    Institucionet, që e kanë për detyrë kontrollin, monitorimin dhe parandalimin e pasojave mjedisore nga veprimtaria bujqësore, janë dorëzuar dhe nuk i përmbushin detyrimet, me të cilat i ngarkon ligji.

    Pavarësisht detyrimit ligjor, Ministria e Bujqësisë nuk ka bërë asnjë diferencim mes pesticideve, që përdoren zakonisht dhe atyre, që mund të përdoren në afërsi apo brenda zonave të mbrojtura.

    “Nuk ka listë specifike të PMB-ve të miratuara për përdorimin në kulturat që ndodhen brenda dhe në afërsi të zonave të mbrojtura, por ka listë të PMB-ve të regjistruara për t’u tregtuar në Republikën e Shqipërisë”, – thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion të ministrisë.

    Për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe të mjedisit, ligji i detyron fermerët që të marrin leje të veçantë me shkrim nga Administrata e Zonave të Mbrojtura për përdorimin e PMB-ve në tokat e tyre.

    Po ashtu, fermerët, të cilët i shesin prodhimet, janë të detyruar të mbajnë një regjistër, ku të pasqyrojnë me saktësi kohën, sasinë, llojin dhe frekuencën e PMB-ve të përdorura. Këto kërkesa të ligjit mbeten të pazbatueshme, si nga ana e fermerëve, ashtu edhe nga ana institucionale, duke u kthyer në një burim të vazhdueshëm ndotjeje dhe kërcënim për shëndetin e popullatës.

    Raporti i fundit monitorues i UNESCO-s, i publikuar në janar 2020, konstaton se nga zhvillimi i bujqësisë dhe përdorimi i PMB-ve është rritur ndotja në liqenin e Ohrit, në disa pjesë të së cilit ka nisur edhe procesi i eutrofizimit.

    “Ndotja e ujit është çështja më e rëndësishme e ruajtjes së natyrës në liqenin e Ohrit, i cili vuan nga ujërat e zeza, të patrajtuara dhe nga shkarkimet bujqësore, që kontribuojnë në eutrofizimin e tij”, – thuhet në raport.

    Farmaci bujqësore në fshatin Buçimas

    Një prej farmacistëve në fshatin Buçimas të Pogradecit pohoi në kushtet e anonimatit se fermerët nuk mbajnë regjistra për përdorimin e PMB-ve, por ai vetë mban evidenca të fermerëve që i blejnë produktet në farmacinë e tij. Sipas tij, kërkesat më të shpeshta të fermerëve janë për produktet e diamond fosfatit, i njohur ndryshe si DAP, që përdoret si fertilizues, për sulfatet e potasit, për sulfatet e amonit dhe për urenë.

    “Mbajtja e regjistrit është detyrim ligjor, që asnjë nga fermerët nuk e zbaton. Unë mundohem vetë që t’iu vij në ndihmë dhe mbaj shënim çfarë blenë”, – thotë ai, duke shtuar se fermerët nuk këshillohen nga specialistët e bujqësisë, por blenë PMB, duke u bazuar te njohuritë empirike që kanë.

    Pogradec, fermer duke bërë spërkatje

    Ekspertët ngrenë shqetësimin se në vendin tonë përdorimi i plehrave kimike, i cili për fermerët duhet të jetë opsioni i fundit për mbrojtjen e bimëve, pasi në përbërje të tyre ka kimikate me toksicitet të lartë, në të vërtetë është i pari.

    Në krye të listës janë insekticidet, të tilla si esteret e fosforit, klororganikët, të tilla si karbonatet, po ashtu edhe neonikotinoidët, që janë jashtëzakonisht helmues.

    Njohësit e kësaj fushe këmbëngulin që përdorimi i PMB-ve duhet të jetë specifik dhe duhet të bëhet në mënyrë shumë skrupuloze; kjo do të thotë që duhet të zbatohet përqindja dhe dozat e caktuara për secilin preparat.

    “Ka raste, kur fitofarmacistët e tejkalojnë dozën e rekomanduar të përdorimit të këtyre preparateve. Nëse një preparat kimik përdoret 2 kg për ha, ata sugjerojnë 2,5 kg ose, në rast se duhet 0,2%, ata rekomandojnë 0,5%.”, – sqaron eksperti i bujqësisë, Besnik Skënderasi.

    Plani i Veprimit për Përdorimin e Qëndrueshëm të PMB-ve, 2022-2032 evidenton mungesën e rregulloreve specifike, që vendosin masa apo kritere për mbrojtjen e organizmave ujorë dhe tokësorë nga përdorimi i tyre. Duke vlerësuar impaktin mjedisor të përdorimit të PMB-ve në zonat e mbrojtura, rekomandohen disa masa, përmes të cilave reduktohet niveli i ndotjes së tyre.

    “Është i nevojshëm krijimi i zonës tampon, që përcakton kufijtë e sipërfaqeve deri ku lejohet përdorimi i pesticideve. Gjithashtu, ekziston nevoja për të krijuar zona sigurie për distancën e sigurisë nga mjediset ujore për t`i mbrojtur ato nga efektet e përdorimit të PMB-ve”, – rekomandohet në këtë dokument.

    Liqeni, pa monitorim

    Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si autoriteti që ka objekt të veprimtarisë edhe monitorimin e cilësisë së ujit të liqeneve, në përgjigjen e kërkesës për informacion pranon se monitorimi i ujit të liqeneve të Ohrit dhe të Prespës përfshin vetëm disa parametra dhe elemente kimike. Institucioni pranon se nuk bën monitorim të mbetjeve kimike, që depozitohen në liqene nga përdorimi i pesticideve.

    Qendra e Menaxhimit të Biosferës Ohër-Prespë (ish-stacioni i monitorimit të liqenit të Ohrit)

    “Ky parametër nuk është i përfshirë në programin tonë të monitorimit. Monitorimi realizohet 3 herë/vit në periudhat stinore të përcaktuara me Direktivën Kuadër të Ujit.”, – bën me dije AKM, duke shtuar se bëhen matje të disa parametrave dhe elementeve kimike, si pehashi, temperatura, fosfori total etj.

    Planin e Menaxhimit për Peizazhin e Mbrojtur të Pogradecit, 2017-2027 pasqyrohet shqetësimi për monitorimin e papërshtatshëm të mjedisit të liqenit dhe faktorëve të tjerë mjedisorë, i cili pengon menaxhimin e duhur dhe marrjen e vendimeve, si dhe ka fshehur nivelin e shumë prej kërcënimeve.

    “Mbledhja e të dhënave të monitorimit nuk është e mjaftueshme; ato duhet të vihen në dispozicion, të kuptohen dhe të veprohet mbi bazën e tyre. Si rrjedhojë, nevojiten masa për sigurimin e publikimit dhe të shpërndarjes së rezultateve të monitorimit dhe të integrimit të tyre në vendime dhe plane”, – thuhet në këtë dokument.

    Kontaminimi i ujit të liqenit të Ohrit shtrihet në një rreze edhe më të gjerë për shkak të ndotjes së lumenjve të Çërravës, Vërdovës dhe Rëmenjit, të cilët gjithashtu derdhen në liqen. Raporti i Gjendjes në Mjedis, 2021 i AKM-së pasqyron situatën e nivelit të ndotjes së lumenjve, që derdhen në liqenin e Ohrit. Nga analizat rezulton se ky i fundit, ashtu siç ngrenë shqetësimin dhe ekspertët e mjedisit, po kthehet në mezotrofik.

    “Liqeni i Ohrit e ka këtë problematikë të theksuar, sepse ka disa lumenj, që derdhen në të, si nga pjesa shqiptare, ashtu edhe nga pjesa e Maqedonisë së Veriut”, – thotë eksperti mjedisor, Mihallaq Qirjo.

    Ndotja e liqenit të Ohrit nga PMB-të është një problematikë mjaft e mprehtë edhe për vendin fqinj, por, ndryshe nga Shqipëria, autoritetet e Maqedonisë së Veriut mbajnë në monitorim dhe në kontroll të vazhdueshëm nivelin e tij të ndotjes.

    Ekspertët këmbëngulin se monitorimi duhet të bëhet pranë liqeneve, përmes stacioneve laboratorike. Në bregun e liqenit të Pogradecit një stacion i tillë ka funksionuar për më shumë se 10 vite, por aktualisht ai është mbyllur, duke u transferuar në Tiranë.

    “Matjet bëheshin nga Instituti Hidrometeorologjik, Instituti i Kërkimeve Biologjike dhe Laboratori i Pogradecit. Stacioni i monitorimit qëndroi i hapur nga viti 2001-2013. Më pas u hoqën pajisjet e laboratorit dhe u çuan në Tiranë. Këtu ngeli vetëm godina”, – tregon eksperti i mjedisit, Arian Merolli. Në kushtet kur liqeni kërcënohet nga faktorë të ndryshëm ndotës, mes të cilëve edhe PMB-të, Merolli kërkon që stacioni të rikthehet në Pogradec.

    Pesticide të skaduara

    Muhamer Balli, nga fshati Zagorçan i Pogradecit, ka një sipërfaqe prej 2 hektarësh në anë të lumit të Drilonit, të cilën e mbjell me mollë, me fasule por edhe me foragjere për blegtorinë.

    Ai ngre shqetësimin se në disa raste është detyruar të bëjë dy spërkatje, pa respektuar kohën e skadencës ose ka përdorur në një spërkatje dyfishin e dozës së rekomanduar të pesticideve, për shkak të mungesës së efektivitetit. Ai aludon se në treg po iu shiten pesticide të skaduara, të cilat nuk kanë efekt në zhdukjen e dëmtuesve të bimëve.

    Ministria e Bujqësisë çdo vit nxjerr një listë të miratuar të PMB-ve dhe përditësimi i saj bëhet në varësi të përditësimit që bëjnë instrumentet monitoruese të BE, por ky proces shoqërohet me një sërë problematikash.

    “Aktualisht Shqipëria përballet me sfidat kryesore të tregtisë së PMB-ve, mes të cilave: tregtimi në informalitet, tregtimi i PMB-ve të paregjistruara dhe pamundësia për t’i gjurmuar, si dhe tregtimi i tyre përtej afateve të skadencës”, – thuhet në Planin e Veprimit për Përdorimin e Qëndrueshëm të PMB-ve, 2022-2032.

    Agronomi i lartë, Ylver Bylykbashi, pohon se në treg gjenden PMB, të cilat janë hequr nga lista e Ministrisë së Bujqësisë. Sipas tij, fermerët përdorin ende Rogor dhe Pirinex ose Kloropirifos. Gjithashtu, në treg mund të gjendet edhe Pirilukti, luftuesi i krimbit të mollës dhe qershisë, i cili po ashtu është hequr nga lista.

    “Plehrat kimike, komplekse përmbajnë elementet e azotit, potasit dhe fosforit dhe tepria në përdorimin e tyre nga ana e fermerëve bën që këto kimikate të shkaktojnë ndotje të lartë në mjedis”, – thotë Bylykbashi.

    Edhe Pandi Andoni, specialist i bujqësisë në Bashkinë e Pustecit, thotë se shpesh fermerët ngrenë shqetësimin se ato nuk bëjnë efekt.

    “Ka ankesa nga fermerët për pesticidet, por ato janë në treg dhe me ato punojnë. Ka raste që i blejnë nga Maqedonia e Veriut, por ka edhe raste që fermerët e fshatrave të vendit fqinj vijnë për t’i blerë te ne për shkak të çmimit”- sqaron ai.

    INSTAT nuk ka të dhëna të diferencuara për sasinë e PMB-ve që importon Shqipëria, por ka statistika për produktet kimike dhe plastike që futen në vendin tonë nga jashtë. Për vitin 2022 Shqipëria ka importuar rreth 394 tonë produkte kimike dhe plastike nga vende të ndryshme. Edhe dikasterit të bujqësisë i mungojnë shifrat e sakta të PMB-ve të përdorura në vend.

    Në përgjigje të kërkesës për informacion në lidhje me monitorimin dhe kontrollet e kryera për tregtimin e PMB-ve, AKU sqaron se për vitin 2022 në rang vendi janë kryer 1171 kontrolle, prej të cilave 74 në qarkun e Korçës, ndërsa për periudhën janar-qershor 2023 janë kryer 390 kontrolle në rang vendi, 22 prej të cilave në qarkun e Korçës.

    Kontrollet e AKU për periudhën 2022-2023

    Nga totali i këtyre masave vetëm 2 paralajmërime ndaj subjekteve për vitin 2022 janë marrë nga Drejtoria Rajonale e AKU, Korçë, ndërsa për vitin 2023 deri tani nuk është vendosur asnjë masë administrative.

    Aktualisht, analizat e mostrave bëhen nga ISUV, por ky institucion, sipas KLSH-së, për shkak të mungesës së kapaciteteve ka kufizuar inspektimet dhe kontrollet.

    “Mospërmbushja nga ana e ISUV e detyrimit ligjor mbi marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave brenda afatit të parashikuar ose moskryerja fare e tyre (gjatë periudhës 2018-2019), ka ndikuar që AKU të mos kryejë në kohë marrjen e masave për bllokimin e tregtimit të PMB-ve, që kanë rezultuar “Jo konform”, duke ekspozuar kështu konsumatorin përpara riskut të përdorimit të tyre”, – thuhet në raportin e KLSH-së, janar-shtator 2022.

    Ekspertët, në kushtet e ndotjes alarmante, përveç kërkesës për zbatimin e ligjit, sugjerojnë që në zonat e mbrojtura të shkohet drejt luftës biologjike, por edhe kultivimit të arrorëve, të cilët janë rezistentë ndaj dëmtuesve.

    “Në këto zona është mirë të shkohet drejt luftës biologjike”, – thotë eksperti i bujqësisë, Fatmir Laçej.

    Të njëjtin argument mbështet edhe eksperti i bujqësisë, Besnik Skënderasi, sipas të cilit PMB-të duhet të zëvendësohen me përdorimin e një sërë insektesh dhe mikroorganizmash, të cilët janë aleatët e njeriut në luftën kundër sëmundjeve dhe dëmtuesve në kulturat bujqësore.

    “Unë do të sugjeroja që në këto zona të kultivohen kultura bujqësore, tradicionale, autoktone, që përgjithësisht janë rezistente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve”, – përfundon eksperti.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.