Zgjedhjet mes korrupsionit, krimit, ndikimeve dhe pasivitetit të drejtësisë

  • Shqip
  • English
  • Akuza të korrupsionit zgjedhor në Shqipëri kanë ngritur pikëpyetje për efektivitetin e përpjekjeve kundër korrupsionit. Alfred Beleri, një kandidat për kryetar bashkie, është akuzuar për blerjevotash gjatë zgjedhjeve të 14 majit. Hetimet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) çuan në arrestimin e Belerit, megjithëse ai mohoi akuzat. SPAK mori 31 ankesa të lidhura me korrupsionin zgjedhor në vitin 2023, por shumica prej tyre nuk kaluan në veprime konkrete. Ekspertët sugjerojnë bashkëpunim më të ngushtë mes organeve të zbatimit të ligjit dhe përgjigje më të shpejtë për të luftuar korrupsionin zgjedhor në mënyrë efektive. Disa argumentojnë se SPAK-u vetë nuk është i mjaftueshëm, duke theksuar rolin e prokurorëve lokalë dhe policisë.

    Autore: Bleona Metushi

    “Pandeli Kokaveshi më ka thënë se, katër nga personat, të cilët ishin në listën, që i kisha dorëzuar Alfred Belerit, i kishte kapur ai dhe mbeteshin tetë nga lista”, – tregoi për hetuesit në Vlorë Arsen Rama, një qytetar nga Himara, i cili denoncoi se, shtabi elektoral i kandidatit për kryebashkiak po paguante pará për të siguruar vota në zgjedhjet e 14 majit.

    Hetimet e nisura pas këtij denoncimi çuan në qeli Alfred Belerin, të cilin Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), organi që heton korrupsionin në nivele të larta, e akuzon se paguante 5 deri në 20 mijë lekë për një votë.

    Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës, kur ishte në qeli dhe i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke e konsideruar procesin ndaj tij si të motivuar politikisht, por kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, referuar prokurorisë, është vëzhguar dhe është përgjuar në përditshmërinë e tij gjatë takimeve që zhvilloi me qytetarin Arsen Rama, i cili u kthye në bashkëpunëtor drejtësie.

    Rezultatet e këtyre takimeve, sipas SPAK, prodhuan provat kundër tij.

    Në një kohë që fajësia ose pafajësia e Alfred Belerit mbetet të provohet në gjykatë, hetimi i Prokurorisë së Vlorës ishte i vetmi në këto zgjedhje, që rezultoi në arrestimin e një kandidati për kryebashkiak.

    SPAK, përveç rasteve të arrestimit nga policia të personave të kapur në flagrancë me lista votuesish dhe pará, ka marrë për vitin 2023 31 kallëzime penale për dyshime të korrupsionit zgjedhor, për të cilat në 16 raste regjistroi procedim penal pa emra konkretë; në 6 raste të tjera Prokuroria e Posaçme vendosi mosfillim të hetimeve, sipas përgjigjes zyrtare që SPAK i dha INA Media-s.

    “Për një procedim SPAK i kërkoi gjykatës pushimin e çështjes dhe për tri të tjera ka kërkuar gjykim”.

    Në vitin 2021, që ishte viti i parë që SPAK hetonte korrupsionin zgjedhor, numri i kallëzimeve ishte më i lartë, 46, me gjasë prej besimit më të madh të subjekteve politike në të, por numri i hetimeve, që kanë prodhuar rezultat, është i njëjtë: shtatë janë pushuar, për një SPAK shpalli mungesë kompetence. Nga ato që u hetuan më tej, gjashtë çështje u pushuan dhe vetëm tri u çuan për gjykim.

    Gjatë zgjedhjeve të pjesshme, lokale të vitit 2022 në 5 bashki në SPAK u regjistruan vetëm dy kallëzime, për të cilat u bënë hetime. Ndër rastet e përfunduara sivjet tri kërkesa për pushim dhe tri për gjykim ishin të mbartura nga viti 2021.

    Përgjatë këtyre viteve, referuar të dhënave zyrtare, Prokuroria e Posaçme regjistroi vetëm 2 procedime penale, pa kallëzime dhe referime të kryera nga policia; një në vitin 2021 dhe një tjetër në vitin 2022. Kaq shumë kallëzime dhe hetime kanë vënë në lëvizje SPAK-un, por rezultat nuk kanë dhënë.

    Që nga viti 2021 në Prokurorinë e Posaçme rezultojnë të jenë gjetur fajtorë për korrupsion zgjedhor 7 persona dhe disa procedime vazhdojnë të jenë ende nën hetim, ndërsa Policia e Shtetit ka referuar vetëm katër raste në vitin 2021 dhe një rast në vitin 2022 dhe një këtë vit.

    Korrupsioni zgjedhor përmes kallëzimeve

    Përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 Partia Demokratike kallëzoi qeverinë në SPAK, se po mundohej të blinte vota për zgjedhjet lokale të dhjetorit me investime publike. Këshilli i Ministrave kishte marrë 16 vendime për rindërtimin e disa qyteteve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

    Faksimile nga vendimi i SPAK për mosfillim hetimesh

    “Rezulton se në periudhën e ndaluar, sipas parashikimeve dhe akteve që rregullojnë zgjedhjet, janë miratuar disa akte, që në të vërtetë ofrojnë dhënie përfitimesh për kategori të caktuara të popullsisë”, – pranon SPAK në vendimin e mosfillimit të hetimeve për kallëzimin e bërë nga Partia Demokratike. Kjo e fundit ngrinte dyshime se 16 vendime të Këshillit të Ministrave për financimin me miliona lekë të rindërtimit në disa qytete të prekura nga tërmeti i 1 nëntorit 2019 ishin dhënë për të maksimizuar votën e Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale një muaj më vonë.

    Por, edhe pse pranon që janë nxjerrë në periudhë zgjedhjesh, pra të ndaluar, SPAK e justifikon alokimin e atyre fondeve me fatkeqësinë natyrore, të shpallur në vitin 2019. SPAK thotë se, në rastin më të keq ato janë shkelje administrative dhe jo penale, me të cilat duhet të merrej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Jordan Daci, jurist

    Por, Jordan Daci, jurist, i cili komenton zhvillimet e drejtësisë dhe të politikës, e kritikon SPAK-un, duke thënë se vendosi gabim mes nevojës për rindërtim dhe nevojës për zgjedhje të pandikuara. “Zgjedhjet duhet të kishin prioritet përpara rindërtimit, – thotë ai, – sepse vendi nuk ishte më në gjendje të jashtëzakonshme”.

    Rindërtimi “nuk ishte në një fazë dhe i një natyre aq të ngutshme, sa të mund të lejohej ndikimi që mund të kishte te procesi zgjedhor.”

    Dy vjet më vonë, në një rast tjetër, të kallëzuar nga opozita, SPAK deklaroi se e kishte të pamundur “verifikimin e vërtetësisë së njoftimit për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, si dhe prezencën e elementeve të veprës penale të “Marrjes ose përdorimit të paligjshëm të mjeteve të identifikimit”.

    Bëhej fjalë për akuza për ndërhyrje në votë të kallëzuara në SPAK nga Partia Demokratike për zonën e Pustecit në liqenin e Prespës, ku jeton pakica maqedonase në Shqipëri.

    Sipas PD-së, nënkryetari i Bashkisë së Pustecit kishte mbledhur karta identiteti të disa banorëve, me pretekstin se do t’i ndihmonte që të merrnin shtetësi bullgare, por Partia Demokratike tha se marrja e kartave të identitetit ishte e kundërligjshme dhe se kartat e identitetit ishin marrë për t’iu bërë presion që të votonin për Partinë Socialiste në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të asaj vere.

    Efektiviteti i kallëzimeve

    Juristi Eugen Beçi thotë se goditja e korrupsionit është më e lehtë, kur bëhet në kryerje e sipër, çka kërkon një rol më aktiv të organeve ligjzbatuese.

    “Korrupsioni është një vepër penale, që do patjetër ndjekje në kohë reale, – thotë Beçi, – ashtu vepra bëhet më e qartë dhe më e lehtë për t`u provuar. Por, edhe korrupsioni nëpërmjet vërtetimit të influencës së ndikimit me anë të akteve apo veprimeve administrative për të blerë vota mund të jetë një formë e të provuarit të këtij krimi”.

    Mungesa e veprimeve të shpejta, hetimore edhe sipas Indrit Sefës, jurist pranë Partisë Demokratike, bëri që SPAK të mos kishte sukses në hetimet e kallëzimeve. Sipas tij, kallëzimet e shumta nga Partia Demokratike nuk u finalizuan prej SPAK-ut, pasi hetimi i tyre kishte nevojë për kryerjen e veprimeve të shpejta, hetimore.

    Eugen Beçi, jurist

    “Mungesa e një reagimi të tillë dhe në kohën e duhur e ka bërë të pamundur për SPAK-un që të evidentojë elemente të veprave penale në zgjedhje”, – thotë Sefa. Ai shton se për një pjesë të mirë kallëzimesh SPAK ka shpallur “moskompetencë lëndore” apo mungesë juridiksioni, sepse ai heton vetëm rastet e blerjes së votës dhe përdorimit të burimeve publike për të.

    INA Media analizoi dhjetëra vendime pushimi hetimesh dhe shpallje moskompetence nga Prokuroria e Posaçme për kallëzime të bëra në periudhën 2021-2023. Vendimet e pushimit në pjesën më të madhe të rasteve nuk ankimohen nga asnjë palë në proces, teksa dyshimet për korrupsion në zgjedhje dhe manipulim me votën pati edhe në burgje mes të paraburgosurve.

    Faksimile nga vendimi i SPAK për mosfillim hetimesh

     

    Në vitin 2021 SPAK ka hetuar edhe për rastin e “të fortit” të Pogradecit, Ilir Berberi, i cili mbahet nën arrest. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dyshonte se Berberi shpërndante karta telefoni si ryshfet për të siguruar vota për subjektin politik, për të cilin djali i tij, Firdeus Berberi, që ishte i kërkuar në Shqipëri, po bënte fushatë në zgjedhjet e vitit 2021.

    Policia Gjyqësore verifikoi se Berberi kishte blerë 14 karta telefoni brenda një dite, të cilat ishin shkëmbyer me të paraburgosur të tjerë, por, meqenëse disa prej të paraburgosurve nuk figuronin në listat e votuesve, për prokurorinë kjo nuk hidhte dyshime për blerje vote.

    A duhet të hetohet vetëm nga SPAK?

    “Nuk duhet të jetë SPAK institucioni, i cili duhet të ketë për kompetencë hetimin e këtyre veprave penale”, – thotë juristi Elis Bilali. Për shkak të nevojës për të vepruar shpejt në terren gjatë hetimit për një periudhë të shkurtër zgjedhjesh, “duhet të jetë në kompetencë të prokurorive të rretheve”, thotë ai. Sipas Bilalit, SPAK duhet të merret vetëm me rastet ku përfshihen zyrtarë të lartë. Plus që policia duhet të ketë rol më thelbësor.

    Elis Bilali, jurist

    “Duhet bashkëpunim i ngushtë dhe efikas ndërmjet strukturave të policisë, të cilat janë në terren dhe kanë logjistikën për marrjen e informacionit, dhe prokurorive të rretheve, – thotë Bilali. – Pra, më shumë sesa e prokurorive, është kompetencë ekskluzive dhe vullnet i policisë.”

    Por, kjo ka anën e vet shqetësuese. Politika në punën e policisë ushtron atë që ai e quan “ndikim të kundërligjshëm”, që dëmton zbulimet e rasteve flagrante prej saj.

    Indrit Sefa, Jurist

    “Krimet zgjedhore ndodhin në një kohë të shkurtër dhe kanë intensitet të lartë, – thotë Sefa, – jurist, që u ankua për ngadalësinë e hetimeve. – Duhet angazhim maksimal i të gjitha strukturave, duke përfshirë Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturat policore dhe ato të inteligjencës, të cilat duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me SPAK-un, që të arrijnë të zbulojnë dhe të parandalojnë në kohë kryerjen e këtyre krimeve, përpara se ato të japin efekt elektoral”.

    Përmasat dhe thellësia e fenomenit patën dalë në shesh nga përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të vitit 2016, të cilat u botuan gjerësisht në media tre vjet më vonë.

    Rasti ishte ndërhyrja në zgjedhje në zonën e Dibrës. Gjykata e rrethit për to dha dënime të ulëta ose, në disa raste, e pushoi çështjen, pasi, sipas saj, ishte arritur parashkrimi, periudha që kishte kaluar, që ajo vepër penale të mos ndëshkohej penalisht.

    Përgjimet rastësore sërish kapën raste të korrupsionit në zgjedhje edhe gjatë vitit 2021 dhe vitit 2023.

    Bisedat e Kristi Çollakut po përgjoheshin nga Prokuroria e Posaçme për shkak të lidhjeve të tij me persona të dyshuar për një vrasje në Elbasan. Në vitin 2021 prokuroria e këtij qyteti përgjoi bisedat e tij, telefonike gjatë zgjedhjeve lokale.

    “Të të marr, të shkojmë të votojmë për njërin dhe do të të respektojmë mirë”, – i thoshte ai dikujt. “Po për të dhënë e kam… se m`u dha një garanci”, – u përgjigj bashkëbiseduesi, ndërkohë që biseda vijon me premtimin e një shume prej 30 mijë lekësh. “Se mos harrosh t`ia japësh Gledjonit… ore”, – dëgjohet t`i thotë një tjetër bashkëbiseduesi në telefon.

    Në Kavajë, në zgjedhjet e 14 majit, shtetasi Klodian Kapidani, sipas Prokurorisë së Posaçme, u kap në disa biseda telefonike, në kohën kur ishte në përgjim fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, duke folur për sigurimin e votave.

    Përgjimet e zbardhura tregojnë se si Kapidani shqetësohet se mos personat, që kanë marrë lekët, nuk shkojnë të votojnë.

    “Mirë, prit, aty rrin, vetëm ma shif, të lutem, se i kam pagujt lekët”, – i thotë ai dikujt, teksa në një bisedë tjetër, një qytetar i kërkon 1 milion lekë për 5 vota.

    Ermal Yzeiraj, jurist

    Edhe pse përgjimet janë ato që kanë ndihmuar autoritetet të godasin raste të korrupsionit zgjedhor dhe hetimet e ndjekura në kohën kur ndodh korrupsioni, juristi Ermal Yzeriaj e konsideron të pamundur që kjo të bëhet vetëm nga SPAK.

    “Përgjimet janë efektive, por është një punë shumë e madhe, e cila, së pari, do një shtrirje të gjerë dhe, së dyti, nga të gjitha subjektet, në mënyrë që të mos rrezikohet ngritja e dyshimeve dhe akuzave, që po veprohet në një krah”, – tha Yzeriaj, i cili gjithashtu shtoi se kjo është një punë, e cila do burime të shumta njerëzore dhe kohë të posaçme, të cilat SPAK nuk i ka për shkak të ngarkesës.

    Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me mungesën e hetimeve, kryesisht të SPAK-ut, si dhe nëse kishte nevojë për ndryshime ligjore për goditjen efektive të korrupsionit zgjedhor, por në një takim informal me gazetarët tha se kuadri ligjor nuk ka pse të ndryshohet.

    “Vendimet për pushim çështjeje nuk janë ankimuar, – tha Dumani në atë takim dhe shtoi se, – cilësia e kallëzimeve është e dobët dhe jo e bazuar”.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.