Monopoli i sektorit zhyt në paligjshmëri peshkimin në Ohër dhe Prespë

0 View

Peshkimi artizanal, i përqëndruar në duart e Organizatave të Menaxhimit të Peshkimit, të cilat janë krijuar nga viti 2002 dhe që kanë kompetenca të gjera nga dhënia e lejeve deri tek kontrolli i peshkimit të paligjshëm, mbetet ende i keqmenaxhuar. Banorët e zonave bregliqenore të cilët jetojnë nga peshkimi, e kanë të pamundur t’a ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të ligjshme pasi ndarja e liçencave nga OMP-të e Pogradecit dhe Pustecit le hapësirë për abuzime. Po të njëjtat struktura që autorizojnë dhënien e lejeve të peshkimit janë përgjegjëse edhe për parandalimin e peshkimit të paligjshëm.

Autor: Qendra AME

Fatjon Selko u kap vitin e kaluar në ujërat e liqenit të Ohrit në Pogradec duke peshkuar në mënyrë të paligjshme. Inspektoriati i peshkimit i sekuestroi varkën dhe mjetet e tjera të peshkimit si dhe e gjobiti në vlerën 200 mijë lekë. Familja Selko është një ndër qindra familjet e Pogradecit që jetesën e sigurojnë nëpërmjet peshkimit. Ky aktivitet ku vetëpunësohen djemtë dhe burrat është shumë masiv në qytetin e Pogradecit dhe në çdo fshat buzë liqenit. Nga ana tjetër peshkimi është një aktivitet që përfshin gjithë familjen nga zënia e peshkut e deri tek shitja që e bëjnë zakonisht gratë. Ndëshkimi dhe ndërprerja e peshkimit për familjen Selko detyroi babain e Fatjonit që të dalë buzë rrugës nacionale dhe të shesë peshkun që zenë peshkatarë të tjerë. Baftjari tregon se ata u detyruan të marrin kredi në bankë për të blerë një tjetër varkë pasi përpjekjet e tyre për të kthyer varkën e sekuestruar nga Inspektoriati i Peshkimit dështuan.

Familja për vite me radhë ka tentuar të pajiset me leje peshkimi nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Pogradec, por sipas Baftjarit shpërndarja e liçencave është kthyer në monopol dhe jo të gjithë peshkatarët e kanë mundësinë për të ushtruar në mënyrë të ligjshme këtë profesion.

“Kam qenë vetë peshkatar prej 40 vitesh, kemi kërkuar dhe aplikuar çdo vit për leje peshkimi por nuk na e japin. Është monopol i shoqatës së peshkimit që në shumë raste jep 2 leje për një familje dhe ne të tjerët detyrohemi të peshkojmë në mënyrë të paligjshme duke u përballur me pasojat. Nëse sheh përgjatë vijës liqenore gjysma e varkave janë me targa dhe gjysma jo. Është e qartë që jo çdo peshkatar mund të marë liçencën. Shoqata pajis kë të dojë”- tregon ai.

Në liqenin e Ohrit janë 220 peshkatarë të liçencuar për peshkimin artizanal dhe po kaq është edhe numri i peshkatarëve që e ushtrojnë këtë aktivitet pa liçencë. Varkat e tyre qëndrojnë në breg gjatë ditës dhe çdo natë futen në liqen për të hedhur rrjetat njësoj si ata peshkatarë që janë të ligjshëm.

Një tjetër peshkatar i cili kishte nxjerrë peshkun në rrugë nacionale me shpresën që do ta blejnë udhëtarët e rastit pranoi që edhe ai ishte i paligjshëm. Për të marrë një leje nga OMP duhet të paguash nën dorë shuma të mëdha që sipas tij shkojnë deri në 300 mijë lekë pasi dhënia e lejeve ka vite që është përqëndruar tek drejtuesit e shoqatës së peshkimit.

“Jam pa liçencë prej shumë vitesh. Jo se kështu kam zgjedhur por sepse nuk ma japin. Si unë ka mbi 100 peshkatarë të tjerë që asnjëherë nuk kanë marë liçencë nga shoqata. Shoqata e Peshkimit jo vetëm që nuk po vendos rregulla për peshkimin por po shkatërron liqenin duke lejuar peshkimin edhe në periudhat e ndalimit të tij edhe ndaj specieve të caktuara.”- përfundon peshkatari i cili kërkoi të mbetet anonim.

Ligji për peshkimin i le kompetencë Ministrisë së Bujqësisë të përcaktojë kuotat për çdo OMP në bazë të sasisë së peshkut që ka secila zonë. Më pas është shoqata ajo që bën shpërndarjen e lejeve për aplikantët. Kriteret për të përfituar leje janë të përcaktuara në kontratën që Ministria e Bujqësisë ka lidhur me shoqatat e peshkimit.

Sa i takon kuotave të përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë për OMP – në e Pogradecit kreu i saj sqaron se janë caktuar 220 kuota pavarësisht se kërkesat janë 2 herë më të larta. “Numri i kuotave nuk varet nga ne. Nuk mund të japim më shumë leje nga kuotat që cakton ministria. Nuk ka kritere shumë të forta për t’u pajisur me leje por ne nuk mund të mënjanojmë peshkatarët që e kanë marë prej vitesh dhe të trajtojmë peshkatarë të rinj”- thotë ai.

OMP kërkoi 50 kuota shtesë nga Ministria e Bujqëisë me arsyetimin se shtimi i kuotave do të shërbente për të mbajtur nën kontroll një pjesë të peshkatarëve të identifikuar si problematikë, por këto kuota nuk u miratuan duke bërë që kjo gjendje të mbetet e pandryshuar përgjatë 10 viteve të kohëzgjatjes së kontratës.

E pyetur lidhur me problematikat e sektorit por edhe instrumentat që përdoren për kontrollin e shpërndarjeve së lejeve të peshkimit, Ministria e Bujqësisë nuk ju përgjigj kërkesës për informacion.

“Sektori i peshkimit vazhdon të ketë shumë probleme” – konstaton inspektori i ADZM Gani Bego.

“Sigurisht nëse shikojme sot situatën e peshkimit në liqen nuk është atje ku duhet të ishte. Peshkimi pa kriter dhe ilegal vazhdon të dëmtojë koranin dhe belushkën që janë dhe llojet kryesore objekt i peshkimit.”- sqaron më tej ai.

Për të parandaluar peshkimin e paligjshëm angazhohen disa institucione të cilat ushtrojnë kontrolle të përbashkëta sidomos në periudhën e ndalimit të gjuetisë, por pavarësisht kësaj fenomeni mbetet shqetësues si në liqenin e Ohrit dhe në dy liqenet e Prespës.

Ekzistenca e të paktën 200 varkave që peshkojnë në mënyrë të paligjshme është evidentuar nga OMP e Pogradecit, por gjatë viteve 2020- 2021 policia ka proceduar vetëm 2 persona për peshkim të ndaluar.

Pak ditë pas hyri në fuqi periudha e ndalimit të peshkimit për vitin aktual policia njoftoi procedimin penal për 5 peshkatarë, të cilët u kapën në liqenin e Ohrit duke peshkuar në mënyrë të paligjshme. Ata u konstatuan gjatë kontrollit nga ana e Inspektoriatit të Peshkimit. “Peshkatarët, janë kapur në liqenin e Ohrit në Pogradec duke peshkuar në kundërshtim me ligjin një sasi peshku i llojit Klen dhe dy prej tyre kanë kundërshtuar duke kanosur për shkak të detyrës inspektorin e peshkimit të Pogradecit”- tha zyrtarisht policia.

Nevoja për të mbajtur familjen i bën peshkatarët e paligjshëm që në rastet kur kontrollet në liqen nuk janë intensive të hyjnë për të peshkuar. Në periudhat e ndalimit kur nuk mund të rrezikojnë përballjen me ligjin ata kthehen në tregtarë për peshkun që zenë peshkatarët e licencuar edhe pse sipas tyre përfitimi në këto raste është minimal. Eva Bizgjoni ka dalë në afërsi të Linit për të shitur disa kg peshk të llojeve të ndryshme. Ajo thotë se bashkëshorti i saj nuk ka leje për të peshkuar por futet në liqen kur e marrin peshkatarët e tjerë me vete. Sasinë e peshkut të kapur 38 vjeçarja së bashku me djalin e mitur e shesin në anë të rrugës nacionale. Familja ka vetëm 3800 lekë të ardhura nga ndihma ekonomike ndaj tregëtimi i peshkut është një mundësi për të siguruar diçka më tepër, që përsëri është e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat për jetesë. “Bashkëshorti im është peshkatar i paligjshëm. Marrja e lejes kushton 30 mijë lekë dhe me këto të ardhura që kemi nuk mund ta paguajmë. Nga ana tjetër edhe po të kishim lekë nuk do ta mernim lejen sepse nuk ka kuota për të gjithë peshkatarët.”- thotë ajo.

Eva është një ndër dhjetëra gratë që hasen përgjatë rrugës nacionale Pogradec – Lin në pritje për të shitur disa kg peshk. Shitësit ambulantë shpesh përballen me aksionet e policisë bashkiake që u sekuestron mallin dhe i largon përkohësisht nga rruga.

“Policia Bashkiake në lidhje me situatën e tregtimit të peshkut nga tregtarët ambulantë ka

marrë masa duke vendosur gjoba si dhe duke i larguar nga rruga”- tha bashkia e Pogradecit në përgjigjen e kërkesës për informacion.

Peshkimi i paligjshëm përveç aspektit social dhe ekonomik ka impakt të drejtpërdrejtë në rezervën peshkore duke sjellë degradimin e habitateve. Kjo e fundit mund të çojë deri në ndalimin e plotë të peshkimit në rast se rezervat varfërohen përtej normës së lejuar.

“Peshkimi i paligjshëm ndikon negativisht në ekosistemin ujor. – thuhet në përgjigjen e kërkesës për informacion të ADZM të Korçës. “Peshkimi me mjete të ndaluara si eksploziv ose me rrymë elektrike nuk ekziston. Shqetësim mbetet përdorimi i rrjetave jashtë standarteve të lejuara. Në raste të tilla kemi ndikim negativ në sigurimin e gjeneratës së re riprodhuese , pasi kapen breznitë e reja dhe të pa maturuara.”

Të njëjtin opinion ndan edhe Eksperti i peshkimit Rezart Kapedani, i cili thotë se peshkimi i paligjshëm, i parregulluar dhe i paraportuar është kërcënimi kryesor për dëmtimin e popullatës peshkore të liqeneve. Sipas tij peshkimi i paligjshëm shfaqet në 2 aspekte: atë të mos pasurit leje për ushtrimin e këtij aktiviteti dhe shkeljen e kritereve ligjore nga peshkatarët e ligjshëm. “Për Liqenet e Ohrit dhe Prespës kanë ekzistuar për një kohë të gjatë rregulla për peshkimin. Një nga problemet më të mëdha është forcimi i këtyre masave. Në gjuhën teknike të peshkimit ky quhet peshkimi i paligjshëm, i parregulluar dhe i paraportuar, që do të thotë që shpesh ose ka peshkatarë me varka të paliçencuara ose peshkatarët e liçencuar përdorin mjete të cilat nuk kanë përmasat e duhura për atë lloj peshkimi.”- thotë ai.

Detyrimin për të evidentuar peshkimin e paligjshëm, veç institucioneve e kanë edhe OMP-të, të cilat ngrenë grupe kontrolli për të mbikqyrur liqenet gjatë periudhës së ndalimit të peshkimit. Kreu i OMP Pogradec thotë se organizata ka angazhuar 4 roje si dhe një menaxher për mbikqyrjen e liqenit për të parandaluar peshkimin e paligjshëm, por institucionet nuk i përgjigjen sinjalizimeve të tyre.

“Kemi konstatuar varka në Tushemisht që janë pa dokumenta. Janë vënë në dijeni edhe institucionet e tjera por nuk janë marë masa. Varkat e liçensuara nga ana jonë janë të dallueshme pasi janë të pajisura me targa. Në një monitorim që kemi bërë kemi evidentuar edhe 200 varka të tjera të cilat nuk kanë targa. Shoqata e ka të pamundur të frenojë peshkimin e paligjshëm. “- thotë Dokollari duke hequr përgjegjësinë nga vetja.

Por vetë kreu i shoqatës Adriatik Dokollari si dhe dy punonjës të OMP Pogradec prej më tepër se një viti po përballen me drejtësinë.

Në shkurtin e vitit 2021 policia njoftoi se kishte arrestuar në flagrancë kryetarin e shoqatës së peshkimit Adriatik Dokollari, si dhe 2 punonjës të saj. Sipas të dhënave ata kishin shpërdoruar detyrën duke detyruar peshkatarët që të kryenin peshkim të paligjshëm të koranit, të cilin më pas e tregëtonin në lokalet e qytetit të Pogradecit. Policia gjeti në banesat e tyre sasi të mëdha korani dhe lekësh. Hetimet e prokurorisë për këtë çështje po shkojnë drejt fundit dhe pas disa detyrave të lëna nga gjykata, organi hetimor pritet që ta çojë çështjen për gjykim.

Dokollari i cili po hetohet në gjendje të lirë sqaroi se në fakt nuk bëhej fjalë për shkelje të ligjit por për zbatimin e një procesi rutinë nga OMP që lidhet me hedhjen e rasatit të koranit në liqen me qëllim shtimin e tij. Sipas tij gjatë periudhës 1 janar – 1 mars merren vezët për rasat ndërsa peshkun e ngordhur dhe joriprodhues e merr peshkatari për nevojat e veta.

Pavarësisht pretendimit të kreut të shoqatës së peshkimit, procesi i marrjes së vezëve nga korani mbetet i pambikqyrur dhe vetëm në ndërgjegjien e peshkatarëve apo përfaqësuesve të shoqatës.

Ligji për peshkimin nr. 64/ 2012, parashikon procedurën që duhet të ndjekin peshkatarët në rastin e marrjes së vezëve dhe hedhjes së rasateve. Peshkatarët pasi i marrin vezët koranit duhet ta kthejnë peshkun përsëri në liqen, ndërsa vezët t’i dërgojnë në ekonominë e rasatit në Lin derisa të jenë gati për tu hedhur në habitatin e tyre. Çmimi i lartë i koranit që varion nga 1500- 2000 lekë/kg nxit edhe gjetjen e mekanizmave abuzivë nëpërmjet të cilave peshqit që ju janë marrë vezët, nuk hidhen në liqen por shiten me justifikimin se kanë ngordhur gjatë procesit.

Fenomeni i peshkimit të paligjshëm është në përmasa më të mëdha në liqenin e Ohrit krahasuar me 2 liqenet e Prespës. Sipas Inspektorit të Peshkimit Pajtim Myrtollari në liqenin e Ohrit ka më shumë tentativa për paligjshmëri për shkak të numrit më të madh të peshkatarëve pa leje. Inspektoriati ka vetëm 2 punonjës, të cilët përpiqen të bashkëpunojnë edhe me institucionet e tjera pavarësisht kapacitetit të limituar.

“Në Pogradec bashkëpunojmë me menaxherin e OMP. Në kohën e ndalimit inspektoriati i kërkon OMP që të angazhojë rojet liqenore dhe së bashku me policinë e kufirit bëhet monitorimi i liqenit” – pohon ai.

Koordinimi dhe ndërveprimi mes OMP dhe institucioneve të tjera ka ende hapësira për përmirësim shprehet eksperti Kapedani. “OMP-të janë krijuar që në 2002. Problematika nuk është vetëm pjesa e kopetencave por pjesa e aftësisë që kanë për të ushtruar gjithë veprimtaritë e tyre. Pra vec ligjit kanë detyrim për kontrollin e peshkatarëve por edhe licencat duke qenë se nuk kanë finacime dhe me një buxhet të kufizuar edhe mënyra për të bërë kontrollin çalon. “- përfundon ai.

Tregëtimi në periudhën e ndaluar në dy anët e liqenit

Korani dhe belushka janë dy specie që peshkohen më së shumti në liqenin e Ohrit që ndahet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dy vendet ende nuk kanë unifikuar sezonin e ndalimit të peshkimit çfarë bën që peshku i kapur në mënyrë të paligjshme në vendin tonë të shitet në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas.

Baftjar Selko thotë se në kohën kur peshkimi i koranit është i ndaluar në Maqedoninë e Veriut, peshkatarët tanë e kalojnë atë përmes kufirit tokësor pasi në vendin fqinjë blihet më shtrenjtë. “Kur në Pogradec korani shitet me 1700 lekë në Maqqedoninë e Veriut tregëtarët e blejnë me 22 euro kilogramin. E di që kalohet nga pikat doganore të Qafthanës ose Tushemishtit. Si e kalojnë ata e dinë”- tregon ai.

Kalimi i paligjshëm i peshkut përmes kufirit tokësor është i njohur edhe për OMP e Pogradecit, sipas kryetarit të së cilës vetë peshkatarët dhe tregëtarët lidhen mes tyre në periudhat e ndalimit për të plotësuar kërkesat e tregut.

“Peshku ynë shitet deri në Maqedoni, kalon nga dogana, me njohje kuptohet si kalon. Nuk bëhet fjalë të kalojë përmes kufirit ujor sepse fqinjët kanë kamera termike shumë të fuqishme që identifikojnë varkat e vogla në një distancë deri ne 3000 m. Pra rruga e vetme mbetet nga kufiri tokësor. Në stinën e ftohtë nga Maqedonia e Veriut vjen korani dimërak dhe tani në stinën e verës korani ynë shkon andej.”- rrëfen Dokollari.

Krahas një sërë detyrash që UNESCO ju ka lënë autoriteteve shqiptare dhe atyre të Maqedonisë së Veriut për të mbrojtur Liqenin e Ohrit, organizata e trashëgimisë botërore në listën e së cilës është edhe ky liqen, ka kërkuar ngritjen e një Komitetit të Përbashkët Menaxhimi që do të përcaktojë kriteret dhe rregullat e nevojshme për sektorin e peshkimit.

“Deri tani janë zhvilluar disa takime mes palëve dhe aktualisht Komiteti i Përbashkët i Menaxhimit po harmonizon dispozitat ligjore të secilit shtet. Është propozuar që gjatë këtij procesi të përfshihen edhe aktorë të tjerë nga grupet e interesit. Përvec unifikimit të datave për sezonin e ndaluar të peshkimit, përcaktimit të vendeve ku do të ndalohet peshkimi, dimensioneve minimale të specieve,karakteristikat teknike të mjeteve dhe lëshimit të rasateve është diskutuar edhe për vendosjen e sanksioneve për peshkimin e paligjshëm. “- sqaron Pajtim Myrtollari.

 

Peshkimi në liqenet e Prespës

Pjesa më e madhe e banorëve të bashkisë Pustec që laget nga liqeni i Prespës së Madhe dhe fshatrave të Devollit që shtrihen përgjatë Prespës së Vogël, e sigurojnë jetesën kryesisht nga peshkimi dhe më pak nga bujqësia apo blegtoria. OMP e Pustecit ka të regjistruar 45 subjekte peshkimi me 90 peshkatarë. Në kontratën e lidhur me Ministrinë e Bujqësisë OMP ka 60 kuota por interesi i peshkatarëve sa vjen dhe ulet për shkak se një pjesë e tyre preferojnë emigracionin. Një ndër faktorët kryesorë për braktisjen e peshkimit është pamundësia për t’a nxjerrë produktin në treg dhe mungesa e ambienteve të ruajtjes së tij.

“Tregu më i afërt për ne është ai i Korçës ku krapi shitet me 350 lekë/kg. Kostoja e rrugës është 700 lekë, ndërkohë kostot e tjera të peshkatarit janë ato të naftës për varkën që shkojnë deri në 1 mijë lekë në natë shto edhe tarifën e tregtimit si ambulant prej 100 lekësh.”- thotë Koço Vurmo kryetari i OMP Pustec duke sqaruar se numri i peshkatarëve vit pas viti ka ardhur duke u ulur.

Ndryshe nga sa ndodh me OMP e Pogradecit e cila e ka të vështirë menaxhimin e peshkimit të paligjshëm, në Pustec ky fenomen është sporadik. Shqetësimi më i madh i peshkatarëve të kësaj zone mbetet pamundësia e nxjerrjes në treg të peshkut.

Zgjidhjen e kësaj problematike kreu i OMP e sheh tek ndërtimi i frigoriferëve për ruajtjen e peshkut dhe grumbullimin e tij në sasi që tërheqin tregëtarët e shumicës nga qytetet e tjera të vendit që ditë pas dite po pakësohen. “Ne nuk kemi marë asnjë mbështetje si peshkatarë, nuk kemi as një ndërtesë për të grumbulluar peshkun, nuk kemi marë subvencione për asgjë edhe pse nevojat për ndërhyrje që të rregullojnë zënien dhe tregëtimin e peshkut janë të shumta”- shton më tej Vurno.

Eksperti Rezart Kapedani e ve theksin tek domosdoshmëria e përmirësimit të infrastrukturës së peshkimit, e cila duhet të prioritizohet nga qeveria duke e përfshirë ne skemat mbështetëse. “Është për tu theksuar mungesa e infrastrukturës së peshkimit. Kemi mungesën e një qendre peshkimi që mund të sigurojë edhe të ardhura shtesë për të dyja OMP-të. Në të ardhmen mund të gjendet një zgjidhje nga qeveria që OMP të kenë qendrën e tyre. Duhet të ketë mbështejte nga qeveria për këto qendra, e cila do të sillte fuqizimin e qendrës së peshkimit që lidhet nga njëra anë me sigurinë ushqimore por edhe me zonën e kontrollit.”

Të favorizuar nga dyshtetësia për shkak se i përkasin minoritetit maqedonas, peshkatarët e kësaj zone kanë gjetur edhe një mekanizëm që i ndihmon ata të punojnë në 2 anët e liqenit. Një pjesë e peshkatarëve përveç lejes që kanë marë nga OMP e Pustecit janë pajisur edhe me leje peshkimi artizanal në Maqedoninë e Veriut. Kjo ju jep mundësi peshkatarëve që të shfrytëzojnë mungesën e koordimit të sezoneve të peshkimit mes dy shteteve duke peshkuar në ujërat maqedonase kur në ujërat shqiptare peshkimi është i ndaluar.

Ekspertja Cveta Trajce konstaton se lënia e sektorit të peshkimit në menaxhimin e vetë peshkatarëve ka sjellë përmirësim të problematikave të mbartura ndër vite por duhet ende kohë për të parë rezultate konkrete. “Duke qenë të mësuar me një mënyrë tjetër të vepruari qëkur është lënë menaxhimi në duart e vetë peshkatarëve ka një tendencë përmirësimi por do të duhet ende khë që ata të kuptojnë se askush tjetër nuk mund ta mbrojnë më mirë liqenin se ata.” – thotë ajo.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.