Kanë marrë prona publike falas, por 80% e kompanive, që kanë përfituar benefitet e statusit “strategjik”, nuk kanë kapital të mjaftueshëm për t`i realizuar investimet. Dokumentet e siguruara nga Investigative Network Albania po ashtu tregojnë se më shumë se gjysma e investimeve strategjike, të miratuara në fushën e turizmit, kanë dorëzuar si garanci pranë KIS (Komitetit për Investimet strategjike), kreditë bankare.
Autor: Ola Xama
Familja e Sose Dhimës pret prej 3 dekadash regjistrimin e një parcele tokë në rrugën 1 Maji në Bashkinë e Himarës. Bëhet fjalë për 3300 m2 tokë, ku kultivon ullinj. Sosja sot jeton në kufijtë e varfërisë me pensionin e saj modest dhe atë të vajzës, e cila është e sëmurë.
Edhe pas 30 vitesh, sa në dyert e bashkisë dhe të Kadastrës, e moshuara nga Himara tregon se nuk e ka një përgjigje, nëse do të pajiset me certifikatën e pronësisë.
73-vjeçarja shpjegon se toka ka qenë pjesë e familjes së bashkëshortit që prej vitit 1936. Më pas u nda me Ligjin 7501, ku sërish përfituese ishte familja e saj, sepse kunata kishte punuar në kooperativë bujqësore.
“Kunata bëri një akt-dhurimi për ne, që edhe ne të mos ngeleshim pa pronë, pasi kemi mirëkuptim me njëri-tjetrin. Edhe pse të gjithë dokumentacionin e kemi të rregullt, unë nuk e di se përse nuk na e regjistrojnë”, – ankohet Sosja.
Sose Dhima në parcelën e saj
Shqetësimin më të madh ajo e ka me një fqinj të sajin, që ka bërë disa përpjekje për t’i marrë parcelën.
“Është një fqinj i yni, i cili kërkon të marrë tokën, por ka dorëzuar dokumente, që nuk kanë asnjë lidhje me koordinatat e parcelës sonë. Ka ngatërruar veriun me lindjen dhe kufizimet e pronarëve nuk kanë lidhje me ata që janë në kufi me tokën tonë. Ai shkon çdo ditë dhe më mbledh ullinjtë që kam. Edhe pse jam ankuar në bashki, asnjë zgjidhje nuk më kanë dhënë ”, – thotë e moshuara, e ngelur e vetme.
E zhgënjyer për mënyrën se si institucionet sillen me pronarët e vërtetë, Sosja kërkon që shteti t’i japë drejtësi dhe Agjencia e Kadastrës t’i regjistrojë pronën.
“Erdhi para një jave Artan Lame, por mblodhi vetëm 10 veta, askush nga ne nuk ishte. Para tij ishin hajdutët, ata që kanë vjedhur të gjithë Livadhin. Unë dua të marr parcelën time, të mbledh ullinjtë, se me ata jetoj unë dhe vajza ime, që është me aftësi të kufizuara, e kam me probleme të shëndetit mendor”, – përfundon ajo.
Të kontaktuar nga Investigative Network Albania zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës thanë se dokumentacioni është marrë në shqyrtim dhe specialistët janë duke punuar për të bërë përditësimin e zonës.
“Duke qenë se nuk është bërë ende regjistrimi fillestar, duhet pak durim”, – thanë ata.
Krejt ndryshe nga Sose Dhima, që edhe pas 30 vitesh nuk po arrin të rimarrë një pronë që i përket që në vitin 1936, dhjetëra kompani shqiptare dhe të huaja kanë mundur të përfitojnë me mijëra metra falas në perlat e bregdetit. Kjo “dhuratë” iu është bërë nëpërmjet statusit që iu siguron Ligji për Investimet Strategjike.
Dy vendas të tjerë të Bashkisë së Himarës, Milo dhe Florenc Gjikuria, përfituan 9157 m2 tokë shtetërore në vijën bregdetare të Gjilekës pranë fshatit Dhërmi. Këtë pronë të majme ata e morën me qira 1 euro për 99 vjet.
“Veza e artë” edhe në këtë rast është Ligji për Investimet Strategjike. Kompania Gjikuria aplikoi pranë Komitetit të Investimeve Strategjike për të marrë statusin “investitor strategjik, me procedurë të asistuar” për ndërtimin e një hoteli me 150 dhoma, duke përfshirë restorante, bare dhe qendër SPA. Në total sipërfaqja që do të ndërtohet është 12,157 m2 dhe vetëm 3000 m2 janë pronë private e kompanisë që do të investojë në projektin me vlerë 10 milionë euro.
Më 29 gusht të këtij viti, Këshilli i Ministrave autorizoi transferimin e zonës kadastrale 1739 për pasurinë truall, pronar i së cilës është shteti shqiptar, në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.
Ky nuk është statusi i vetëm strategjik që ka arritur të marrë firma Gjikuria. Një vit më parë, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha statusin “investitor strategjik, procedurë e veçantë” për projektin Coast to Coast. Aty planifikohet ndërtimi i 3 hoteleve, vilave rezidenciale, rinovimi i 40 shtëpive tradicionale dhe ndërtimi i një ferme me prodhime bujqësore.
Coast to Coast do të shtrihet në një sipërfaqe totale prej 20.9 hektarësh në fshatin Gajtanitika dhe Perivolo në Himarë. Hapësirat e parcelave shtetërore do t’i marrë me qira simbolike 1 euro si investitor strategjik në këtë zonë. Transferimi i tokës nuk është bërë ende nga Këshilli i Ministrave, pasi Agjencia Shtetërore e Kadastrës duhet të përfundojë njëherë regjistrimin fillestar të tokave.
Për të dyja projektet, Coast to Coast dhe White Roads Hotel, firma ka premtuar të investojë 66.9 milionë euro, të cilat do të merren kredi në bankat shqiptare.
INA MEDIA mëson se për të përmbushur kushtin e garancisë financiare të projektit, kompania ka paraqitur një konfirmim nga banka Credins, ku është aprovuar vlera e një kredie prej 3.6 milionë eurosh dhe pasqyrat e saj, financiare. Fitimi i kompanisë në vitin 2021 ishte 3 milionë euro dhe kapitali i firmës është 2.3 milionë euro.
Ligji për investimet strategjike kërkon që, investitori që merr statusin strategjik, të garantojë të paktën 10% të vlerës së investimit. Edhe pse 10% e kësaj vlere sigurohet nga banka dhe një pjesë nga kapitali, mbetet e paqartë se ku do të gjenden 60 milionë euro të tjera për ta përfunduar projektin; kjo edhe për faktin se shoqëria rezulton e ekspozuar në një kredi sindikale me vlerë 25.6 milionë euro në tri banka, OTP, Intesa San Paolo dhe Tirana Bank. Vetë kompania Gjikuria nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e shkrimit.
Nga ana tjetër, në një përgjigje për Investigative Network Albania-n, Agjencia e Zhvillimit të Investimeve justifikohet se vetë ligji “kërkon që kompanitë të zgjedhin që të garantojnë vetëm 10% të vlerës së investimit përmes bilanceve të tyre, kredive nga institucione bankare dhe financiare të huaja ose shqiptare me besueshmëri të lartë, kritere që janë zbatuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike gjatë shqyrtimit të kërkesave”, – sqaron kjo agjenci.
Njësoj si kjo firmë, dhjetëra kompani të tjera, që janë shpërblyer me statusin e investitorit strategjik në fushën e turizmit, kanë përfituar mijëra metra tokë në zonat bregdetare të vendit. Të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania përmes bilanceve, dokumenteve konfidenciale dhe një pjesë nga një kërkesë për informacion drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, tregojnë se vlera që kanë në kapital, aktive apo rezerva të bilanceve, nuk e mbulon investimin që kanë marrë përsipër të kryejnë. Më shumë se gjysma e tyre kanë dorëzuar si garanci marrëveshje kredie me bankat ose kontratë sigurimi me kompanitë e siguracioneve private, por sërish kjo vlerë mbulon vetëm një të dhjetën e projektit.
Ligji, i qepur për bizneset afër qeverisë
Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, synonte thithjen e kompanive të huaja dhe parave të tyre në Shqipëri. Mjafton që investitorët strategjikë të investojnë të paktën 5 milionë euro dhe të punësojnë 80 persona.
I akuzuar që në fillesat e tij për klientelizëm dhe si favorizues i një grupi të vogël biznesesh,
Ligji për Investimet Strategjike i shpërblen këta investitorë VIP me tokë falas për ndërtimin e projektit, reduktim të tatimit mbi fitimin dhe të TVSH-së, si dhe 0 taksë në infrastrukturë.
Ata që investojnë në turizëm, i identifikuar si një nga fushat prioritare të këtij ligji, përfitojnë edhe përdorimin e brigjeve, si dhe mbështetje në infrastrukturë publike: rrugë, kanalizime, rrjet energjetik dhe furnizim me ujë.
Ligji ngarkon me kompetenca të shumta Komitetin e Investimeve Strategjike, që udhëhiqet nga kryeministri dhe anëtarë – ministra të rëndësishëm të kabinetit, – të cilët vendosin se kush do ta marrë dhe kujt i refuzohet ky status plot përfitime.
Po ashtu, ligji lë hapësira që edhe kompani me bilance modeste dhe që nuk e justifikojnë vlerën e investimit, të marrin një letër interesi nga banka për financim kredie dhe të mbeten në dorën e Komitetit të Investimeve Strategjike, nëse i takon ose jo statusi.
Ligji parashikonte që afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për subjektet investuese të ishte 31 dhjetori 2018, por qeveria i ka shtyrë deri më tani 5 herë afatet e këtij ligji. Aktualisht, ky ligj i shtrin efektet deri më 31 dhjetor 2023. Institucionet përgjegjëse e kanë justifikuar këtë procedurë me faktin se Ministria e Financave është në proces të hartimit të një projektligji të veçantë “Për investimet”.
Ndryshe nga qëllimi i prezantuar në hyrje të tij, në praktikë ky ligj rezulton të jetë përdorur si një mekanizëm klientelist, për t’iu dhënë favore të majme bizneseve me lidhje familjare pranë qeverisë dhe që nuk e garantojnë ecurinë e investimit.
Dyshimet për klientelizëm dhe favorizime shtohen edhe më, po të shohim se numri i projekteve dhe vlera e investimeve nga investitorë të huaj është krejtësisht modeste.
Të dhënat e analizuara nga Investigative Network Albania tregojnë se në total Komiteti i Investimeve Strategjike e ka dhënë këtë status në sektorin e strukturave akomoduese, turistike për 24 projekte, ku në 22 raste shoqëritë janë shqiptare dhe në 2 raste janë firma të huaja, të lidhura me kompani vendase. Nga këto projekte 1 nga statuset është dhënë “me kusht”, pasi nuk ka paraqitur garanci financiare, në 10 projekte është paraqitur garanci bankare, që mbulon vetëm 10% të vlerës së investimit, sa kushti minimal që kërkon ligji, në 3 raste kompanitë kanë dorëzuar një marrëveshje garancie me kompanitë e siguracioneve dhe për 10 projekte janë paraqitur bilancet e 3 viteve të fundit.
“Kompanitë shqiptare nuk zotërojnë pasuri kaq të mëdha në pasqyrat financiare, sa raportojnë në këto investime, me disa dhjetëra-miliona euro. Ajo që bën dallim në pjesën sasiore, është që propozimet e bëra nga investitorët i kalojnë këto vlera”, – thotë eksperti, Eduart Gjokutaj, i qendrës Altax.
“Thelbi i ligjit ishte që të ofronte firma dhe kapital të huaj, që kishin ekspertizën dhe fuqinë punëtore për të zhvilluar sektorë, që do ta çonin përpara ekonominë. Ky ishte principi, por, në kushtet kur qeveria ka dashur të fuqizojë klientë të saj dhe familjarë të drejtuesve politikë, i ka zbehur këto rregulla dhe ka krijuar shtigje edhe për kapitalin e tyre apo burimin e tij”, – argumenton drejtori i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi.
Investitorë strategjikë me kredi
Vlera e investimeve, që premtohet në projektet e strukturave akomoduese të bregdetit, është 1.53 miliardë euro, por ekspertët janë skeptikë për burimin e një pjese të konsiderueshme të këtyre investimeve.
Të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania dëshmojnë se disa nga kompanitë, që kanë marrë statusin e investitorit strategjik, nuk e justifikojnë potencialin për të investuar përmes kapitalit dhe të ardhurave të kompanive të tyre, duke vënë në pikëpyetje sigurimin e financimit, si nga bankat, ashtu edhe në vlerën reale që do të kushtojë projekti.
[sliders_pack id=”6420″]
Garancite financiare të projekteve që kanë marrë statusin e investitorit strategjik
Si pasojë e këtij “ngërçi” në sigurimin e financimit ekziston rreziku i financimit përmes parave të pista apo i rritjes fiktive të vlerës së projektit për të përfituar benefitet që burojnë nga statusi i investitorit strategjik: tokë shtetërore falas në vendet turistike dhe ndërtim pa paguar taksë infrastrukture, si dhe reduktim të TVSh-së dhe tatimit mbi fitimin.
Cilët janë investitorët strategjikë në fushën e turizmit dhe a i kanë ata paratë për t`i përmbushur projektet e tyre?
Sipas të dhënave të Investigative Network Albania, projekti Marina Hills me investitor Finsec Development ka paraqitur një konfirmim nga fondi i investimeve, Cime Capital AG, se do të marrë 160 milionë euro për të investuar në një fshat turistik në Synej të Kavajës për një projekt me vlerë 450 milionë euro. E themeluar në vitin 2020, me një kapital fillestar prej 1.2 milionë lekësh, është e paqartë se ku do t`i gjejë 290 milionë euro të tjera për ta realizuar projektin.
Për projektin Green Coast kompania Mane TCI me pronar Samir Manen ka dorëzuar dy kontrata kredie me vlerë totale 16 milionë euro me bankën Raiffeisen, ndërsa për projektin Green Coast 2 janë dorëzuar pasqyrat financiare të 3 viteve të fundit. Kapitali i kompanisë e kalon minimumin e kërkuar si garanci për investimin. Kompania Mane TCI ka marrë statusin e investitorit strategjik edhe për projektin New Born në Lalz, ku ka dorëzuar si garanci investimi bilancet e 3 viteve të fundit. Në total investimet e firmës Mane TCI kapin vlerën 139.3 milionë euro.
Kompania Shijaku sh.p.k., mori në dhjetor të vitit të shkuar statusin “investitor strategjik” për ndërtimin e një kompleksi me vila dhe hotele në zonën e Plazhit të Gjeneralit në Kavajë dhe premton të investojë 60 milionë euro. Shoqëria ka dorëzuar bilancet e 3 viteve të fundit dhe potencialin e firmës Shijaku sh.p.k., për të marrë kredi bankare, por dokumentet e siguruara nga Investigative Network Albania tregojnë se kjo firmë është e ekspozuar në dy linja të mëdha kredish prej 12 milionë eurosh: njëra pranë Credins Bank për blerjen e aseteve të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh dhe tjetra pranë Raiffeisen Bank. Megjithatë, kompania ka në plan t’iu drejtohet sërish bankave për ndërtimin e këtij projekti, si dhe një parku fotovoltaik, që do t’i kushtojë afro 30 milionë euro, pranë ish-Kombinatit të Ballshit. Në vitin 2021 Shijaku sh.p.k., realizoi 1.5 milionë euro fitime dhe vlera e kapitalit të saj sot është 3 milionë euro, duke shtuar paqartësitë për sigurimin e parave për investimin strategjik.
Kompania AlbStar ka dorëzuar bilancet e 3 viteve të fundit për të realizuar investimin me vlerë 28 milionë euro në afërsi të Parkut Kombëtar të Butrintit në Sarandë, me emrin Manastir Resort. Fitimi i kompanisë në fund të vitit të shkuar ishte 500 mijë euro, por planifikohet që fitimet në të ardhmen të rriten nga shitjet dhe qiratë në stadiumin Air Albania.
Projekti Dreamades Luxury Suites, me vlerë 5.5 milionë euro dhe me investitor shoqërinë AG.TÇ të bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme, Artan Gaçi, ka paraqitur si garanci pasqyrat financiare dhe një kontratë sigurimi me kompaninë Albsig. Vlera e kapitalit të kompanisë së z. Gaçi është 500 mijë euro, ndërsa të ardhurat gjatë viteve të fundit janë modeste. Në vitin 2021 fitimi i realizuar ishte 100 mijë euro, një shifër krejt e papërfillshme për vlerën e madhe të investimit që premton të realizojë.
Kompania Premium Invest Finance do të realizojë në Kepin e Rodonit një kompleks me vila, hotele, park ujor dhe kantinë vere. Aksionet e kompanisë, që do të realizojë projektin Cape of Rodon, Faza 1, me vlerë investimi 51.3 milionë euro, kontrollohen nga Sig Holding, firmë që operon prej disa vitesh në dy kazino të vendosura në kryeqytet. Si garanci financiare për projektin janë paraqitur bilancet dhe kontrata me kompaninë Albsig.
Një tjetër hotel do të ndërtohet në Dhërmi. Drymades Beach Resort ka si investitor strategjik kompaninë Blue Bay në pronësi të Mentor Mezinit. Projekti llogaritet të kushtojë 6.3 milionë euro dhe kompania ka dorëzuar një marrëveshje garancie me Fibank, që merr përsipër të financojë 800 mijë euro. E krijuar në vitin 2019, kjo kompani ka deklaruar si kapital 100 lekë të reja, ndërsa pjesën tjetër 21 milion e 120 mijë lekë e ka kapital në natyrë, duke deklaruar vlerën e tokës. Edhe pse me status strategjik, Blue Bay nuk i ka dorëzuar bilancet e audituara për vitin 2021, ndërsa bilancet e vitit 2019 dhe ato të vitit 2020 rezultojnë me humbje.
Kompania Delta, e cila operon në fushën e materialeve të ndërtimit dhe hidrosanitareve, ka marrë statusin strategjik për një kompleks me hotele dhe vila, që do të shtrihet mes Palasës dhe fshatit Dhërmi, në një hapësirë prej 258 mijë m2, ku 26 mijë m2 janë tokë e blerë prej saj dhe pjesa tjetër pretendohet të përfitohet për 1 euro nga shteti. Kompania në zotërim të Luan Muçës do ta shtrijë projektin në 5 faza, duke premtuar një investim total me vlerë 206 milionë euro. Delta ka një kapital me vlerë 12 milionë euro dhe fitimi i një viti më parë arrin në 2 milionë euro. Pavarësisht kësaj, këto kapitale janë të pamjaftueshme për ta realizuar të gjithë projektin. Firma ka dorëzuar një letër interesi nga banka OTP, e cila është e interesuar për të financuar 41 milionë euro në këtë projekt. Luan Muça është shpërblyer me statusin “strategjik” edhe për ndërtimin e një resorti me emrin Banyan Tree në këtë zonë për një vlerë investim prej 24 milionë eurosh nga kompania tjetër e tij, Dast. Në këtë rast janë dorëzuar vetëm bilancet e firmës si garanci për realizimin e projektit.
Imperial Group në Shkodër kërkon të investojë 52 milionë euro në një kompleks turistik në plazhin e Shëngjinit. Silver Sand Resort ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe kompania ka dorëzuar pasqyrat financiare. Firma është pjesërisht në pronësi të Kolë Gjokës, sipërmarrësit dhe politikanit shqiptar në Partinë gjermane Kristian-Demokrate. Vlera e kapitalit të saj është 14 milionë euro, ndërsa të ardhurat e viteve të fundit janë në nivele të ulëta. Pjesa më e madhe e vlerës së kapitalit përbëhet nga toka përgjatë plazhit të Shëngjinit, e cila vlerësohet rreth 8 milionë euro.
Në zonën Perivolo në Dhërmi Concord Investment, në pronësi të vëllezërve Artan, Ardian dhe Genci Dulaku, do të ndërtojë një kompleks turistik me vila dhe hotele. Kompleksi do të kushtojë 32 milionë euro. Kompania ka marrë statusin e investitorit strategjik edhe për ndërtimin e projektit San Pietro në Gjirin e Lalzit me vlerë 88 milionë euro. Në të dyja rastet Concord Investment ka dorëzuar bilancet e 3 viteve të fundit. Kompania ka patur rezultat të mirë financiar me 12 milionë euro fitim në vitin 2021; edhe vlera e aktiveve në bilanc është e lartë, por edhe detyrimet janë të larta, pasi një pjesë e ndërtimeve është financuar me kredi.
Hoteli Chaoinias Deluxe, cili po ndërtohet nga subjekti Ilir Trebicka, ka marrë statusin e investimit strategjik në shkurt të vitit të kaluar. Vlera e investimit është 5.5 milionë euro dhe kompania ka dorëzuar si garanci bilancet e saj dhe një kontratë sigurimi me firmën Albsig.
Në Fushë-Arrëz Lajthiza Invest, e cila ka në këtë zonë një koncesion për vendburimin e ujit Lajthiza, ka marrë statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një kompleks me vila, një hotel dhe fabrikën e re të ambalazhimit të ujit. Vlera e investimit arrin në 20 milionë euro dhe si dëshmi financiare janë dorëzuar bilancet. Kapitali i shoqërisë është 4 milionë euro dhe bilancet e viteve të fundit janë pozitive.
Konsorciumi Stratek dhe Echotek Energy System, në pronësi të Lulëzim Mehmetajt dhe Gazmend Pajës, është shpallur investitor strategjik për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi me vlerë 13.8 milionë euro. Si garanci për realizimin e projektit Dhërmi Resort është paraqitur një letër interesi nga Banka Kombëtare Tregtare dhe një kontratë sigurimi nga Intersig Vienna Insurance Group.
Një tjetër investitor në fushën e turizmit është dhe kompleksi White Rocks në Dhërmi. Kompania Eurocol në pronësi të Pandeli Carapulit ka paraqitur pasqyrat financiare për projektin me vlerë 6.8 milionë euro. Pavarësisht kësaj firma nuk ka propozuar ndërtimin e strukturave hoteliere dhe në raste të tjera Komiteti i Investimeve Strategjike i ka refuzuar propozime të tilla, duke argumentuar arsyen e mungesës të strukturave akomoduese.
Edhe kompleksi Kep Merli është shpallur investitor strategjik. Firma Boiken sh.p.k., ka dorëzuar akt-verifikimi të punimeve të kryera dhe marrëveshje kredie me bankën Intesa San Paolo.
Në një kohë kur investitorët strategjikë duket se i kanë varur shpresat te kreditë, Shoqata e Bankave i tha Investigative Network Albania-s se bankat e nivelit të dytë “nuk mund të japin më shumë se 20% të kapitalit të tyre rregullator si kredi te një firmë e vetme dhe do t`i zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat”.
Ky rregull e vështirëson gjetjen e të gjithë vlerës për këto investime në formën e kredisë. Edhe OTP Bank për kredinë me vlerë 41 milionë euro, e premtuar për kompaninë Delta në kooperim me kompaninë mëmë, OTP Bank, thekson se është letër interesi dhe jo medoemos kontratë kredie.
Për ekspertët këto investime janë dhënë në shkelje flagrante të ligjit, pasi ato nuk përmbushin kriterin kryesor, atë financiar.
“Nëse është dorëzuar garanci bankare apo nga kompanitë e sigurimit, është e dukshme që këto kompani nuk i përmbushin dot kriteret për t’u bërë investitorë strategjikë. Zemra e këtyre kritereve është ai financiar”, – thotë Eduart Gjokutaj nga Altax.
“Nëse krahasohemi me Maqedoninë e Veriut, kriteret për të qenë strategjikë janë të forta dhe kërkojnë investime në një vlerë absolute prej 100 milionë eurosh”, – shton ai.
Risku i ekspozimit të sektorit bankar
Financimi i investimeve përmes bankave është një praktikë që ndiqet edhe në vendet e zhvilluara, por në dallim me rastin e Shqipërisë rregullat e tregut funksionojnë ndryshe. Kriteret për miratimin e kredisë nga Banka e Shqipërisë janë më të forta se në shtetet europiane për shkak të rrezikut të mospagesës së kredisë. Deri në vitin 2014 niveli i kredive të këqija në sistemin bankar arriti në ¼ e të gjithë portofolit të kredive dhe shumica e huave, që nuk paguheshin, ishin marrë nga 35 korporata të mëdha.
Në rastin kur kapitali i kompanisë është i ulët dhe flukset e parave, që firma arkëton, nuk i përgjigjen vlerës së kredisë që kërkohet, bankat zakonisht e refuzojnë dhënien e kredisë; por në këtë mes hyn në lojë shteti, i cili del si garant i investimit.
“Garancia nuk është bilanci i biznesit me kapitale qesharake, por prania e shtetit, i cili tregon një lidhje shumë të ngushtë me këto biznese, duke i mbështetur, përjashto raste të caktuara, të cilat mund të kenë kapitale për financimin”, – mendon eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.
Edhe Zef Preçi dyshon, nëse marrëveshja e garancisë me bankën apo shprehja e interesit për të kredituar projektin arrin të materializohet. Sipas tij, letër-garancitë e ofruara e tejkalojnë shumën maksimale të kredisë, që mund të jepet kundrejt analizës së riskut.
“Mendoj se ka fiktivitet dhe dyshoj se mund të konkludohet me lëshim kredie edhe në letër-garancitë që kanë lëshuar bankat”, – shprehet skeptik Preçi.
Për ekspertët Ligji i Investimeve Strategjike e ka deformuar konkurrencën dhe nuk po jep impaktet e pritura në ekonomi, si në zhvillimin e turizmit, rritjen e punësimit apo tërheqjen e kompanive me emër.
“Në vetvete investimeve iu mungon fizibiliteti. Mund të kenë dorëzuar plane biznesi me kriteret që ka vendosur ligji, por iu mungon efektshmëria në aspektin ekonomik dhe në atë të interesit publik, që është i vendosur në thelb të ligjit, sepse ata kanë status të diferencuar dhe është deformuar konkurrenca. Vetë zëri i Autoritetit të Konkurrencës në këtë drejtim duhet të ishte shumë i fortë”, – sqaron Gjokutaj.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, individët zotërojnë pjesën më të madhe të depozitave në sektorin bankar, të cilat jepen më pas kredi nga bankat. Depozitat e individëve arritën në 8.1 miliardë euro në fund të vitit të shkuar, ndërsa totali i llogarive të biznesit rezultoi 1.9 miliardë euro. Por, në raport me kreditë, huat janë të përqendruara në sektorin privat 9 herë më shumë se tek ai rezident. Edhe kushtet për miratimin e kredisë për individët janë më të shtrënguara, pasi në kreditë me vlera të mëdha kërkohet kolateral, që duhet të mbulojë 100-130% të vlerës që merret.
A ka shtigje për depërtimin e parave të pista?
Njëra prej dy kompanive të huaja, së cilës i është atribuuar statusi investitor strategjik, është konsorciumi Finsec Development, i cili zotohet të investojë 450 milionë euro në projektin Marina Hills në bregdetin e Synejit Kavajë. Shoqëria zotërohet në 70% të aksioneve nga zviceranët Finsec l.t.d., dhe 30% janë në pronësi të 25-vjeçarit Greg Xhillari, djali i biznesmenit Alban Xhillari. Finsec l.t.d., në bashkëpronësi me Victoria Invest menaxhon që prej vitit 2013 koncesionin për ndërtimin dhe operimin e një marine turistike pranë Kalasë së Turrës, disa metra larg vendit ku pretendohet ndërtimi i kompleksit.
Në shkelje të afateve dhe me vlera të ulëta dhe të kontestuara punimesh, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e prishi kontratën, për shkak të braktisjes së punimeve në vitin 2018, por në vitin 2019 kompania arriti ta rifitonte të drejtën e koncesionit bashkë me shtyrjen e lejes së punimeve.
Porti do të ndërtohet në një nga plazhet më të bukura të Adriatikut, por vlera e kapitalit të kompanisë zvicerane është vetëm 100 mijë franga, shumë e ulët për t’iu përgjigjur investimit prej 39 milionë eurosh që kërkohet në marinë. Mungesa e parave ka sjellë dhe përplasje me ortakun tjetër të koncesionit, firmën Viktoria Invest.
Përplasjet disavjeçare i kanë përballur të dyja kompanitë në Gjykatën e Kavajës, ekspertët e së cilës kanë konstatuar se 13 milionë euro të punimeve, të deklaruara nga kompania Finsec Port, ishin fiktive dhe nuk i përgjigjeshin situatës në kantier, por ishin hedhur si shpenzim në bilance.
Dyshimet për përfitimin e kontratave me status favorizues përmes lidhjeve me politikën shtohen edhe më shumë nga një deklaratë sipas ortakut të pakicës, Flamur Kuçit, se pala zvicerane ka pranuar përpara Gjykatës së Kavajës se ka paguar 500 mijë euro për lobim pranë qeverisë shqiptare.
“Aksionari i shumicës ka deklaruar në gjykatë se ka lobuar në Ministrinë e Energjisë me një kosto prej rreth 500 mijë eurosh dhe aksionari i pakicës nuk është informuar në kohën e duhur”, – thuhet në një dokument të mbledhjes së asamblesë së firmës Finsec Port.
Procesverbali i mbledhjes së Asamblesë së përgjithshme të Finsec Port Sh.A.
Kjo deklaratë nuk pranohet nga administratori që ka qenë në krye të kësaj kompanie deri në gusht të këtij viti. Artan Kraja tha në një përgjigje për Investigative Network Albania se “gjatë mandatit tim si administrator nuk është kryer asnjë pagesë në favor të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, as në formën e lobimit dhe në asnjë formë tjetër, çfarëdo qoftë, as nga ana e vetë Finsec Port sh. a., dhe nga asnjë palë e tretë, kushdo qoftë, për llogari të kësaj të fundit.”
Por, për ekspertët akuza të tilla ilustrojnë më së miri se si jepen kontratat koncesionare apo statuset e veçantë në Shqipëri.
“Lobimi në Shqipëri nuk është i ligjshëm. Afilacioni politik, ideologjik me qeverinë dhe interesat korruptive janë dominues në shumicën e vendimeve. Nuk beson një investitor serioz në integritetin e institucioneve për sigurinë juridike dhe financiare dhe ndaj vijnë kompani, që krijohen posaçërisht për këtë punë ose kanë paguar aksione apo kapital tek organi vendimmarrës, si dhe në rastin e kontratave koncesionare”, – shpjegon Zef Preçi.
Raste të tilla në devijimin e vlerave të punimeve i bëjnë skeptikë ekonomistët për hapësirat që mund të krijohen në këto investime për depërtimin e parave informale.
“Sot ka ofertë paraje. Janë paratë e pista, paratë informale dhe të korrupsionit që duan të pastrohen me paratë publike. Duhet pranuar që ka tendencë që paraja e pistë të penetrojë në infrastrukturën publike apo në vepra të bekuara nga qeveria”, – sqaron Preçi.
“Një pjesë e mirë e kapitalit nuk ndodhet brenda bilanceve të kompanive, por jashtë bilancit të tyre për shkak të informalitetit. Në momentin që investimet nuk kanë diversifikim, por kanë mbetur vetëm në atë më të thjeshtën për t’u bërë, ndërtimin e komplekseve akomoduese, duket që ka një problem në gjithë këtë strategji”, – shprehet eksperti, Eduart Gjokutaj.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.