Maternitetet e rretheve, pa aparatura dhe staf, mjekët presin lindjet me shpresën në Zot

  • Shqip
  • English
  • Autor: Elisa GJERANI

    Me aparatura të vjetëruara dhe mungesë stafi, maternitetet dhe sidomos sistemi neonatal në vendin tonë po përballen me vështirësi në mbajtjen në jetë të bebeve që lindin me probleme. Për herë të parë që nga viti 2012, vdekshmëria foshnjore pësoi rritje përgjatë vitit 2019, duke u ngjitur në 8.6 vdekje për 1000 lindje.

    Ani G., nuk ka mundur ta harrojë momentin, kur doli pa foshnje nga materniteti i Lezhës.

    Ishte shtatzënia e dytë dhe në muajin e tetë ajo pësoi papritur një hemorragji. Foshnja lindi premature dhe jetoi vetëm 24 orë. Ani nuk mundi ta shihte kurrë, pasi ndodhej në gjendje kritike për jetën në reanimacion. Pas humbjes së foshnjës, ajo u zhyt në depresion dhe ende sot, 8 vite më pas, nuk ka mundur ta mbushë zbrazëtinë.

    “Nuk e mbajta asnjëherë në krahë, as nuk ia ndjeva aromën, s’u takuam dot kurrë për së gjalli si nënë e bir. Familjarët menduan se nuk do të jetoja as unë”, – rrëfen ajo e përlotur.

    Sot, nënë e tre fëmijëve, dy vajza dhe një djalë, 31-vjeçarja në një rrëfim për Investigative Network Albania, është e bindur se foshnja ndërroi jetë për shkak të mungesës së aparaturave të duhura asokohe në maternitetin e Lezhës. Ngjarja u regjistrua gjatë verës së vitit 2013.

    “Doktori më tha se, po të isha në Tiranë, fëmija do të jetonte. Ky është pengu im”, – thotë Ani G. për Investigate Network Albania.

    Materniteti i Lezhës iu nënshtrua një rikonstruksioni vetëm pak javë më parë dhe nuk është më i njëjti, por dhimbja e Anit duket se nuk do të zbehet asnjëherë.

    “Jam ende e lënduar, ende e vuaj atë histori”, – përfundon ajo e pikëlluar nga humbja.

    Maternitetet bashkiake, në gjendje të mjerë

    Materniteti i Lezhës nuk ishte i vetmi, ku mungesat në pajisje mjekësore, por edhe në staf, iu kanë kushtuar edhe jetën foshnjave të lindura premature.

    Krejt ndryshe nga realiteti plot shkëlqim që servir Ministria e Shëndetësisë në rrjetet sociale, në zonat e thella të Gramshit gratë kanë filluar të lindin vetë në shtëpi, pasi kushtet e këtij spitali janë ekstreme; tavane dhe mure me lagështirë, krevate të amortizuara, vegla pune të vjetra, mungesa të theksuara në pajisje, eko, inkubatorë, me kushte higjieno-sanitare të vështira.

    Gjatë vizitës që Investigate Network Albania zhvilloi në ambientet e maternitetit, numri i grave të shtruara në sallën e paralindjes dhe në ambientet e paslindjes numërohej me gishtat e njërës dorë.

    Ky maternitet aktualisht raporton rreth 200 lindje në vit, nga 1000 që ishin 10 vite më parë.

    Salla e lindjeve në maternitetin e Gramshit

    Valbona Meta, nga fshati Mukaj i Gramshit, rrëfen se preferoi të lindte në “kasollen” e saj.

    Në mungesë të shërbimeve publike dhe në kushtet e skamjes totale, që ia bën të pamundur t`i drejtohet privatit, Valbona rrëfen se nuk ka shumë zgjedhje.

    “Djalin e kam lindur në Gramsh, ndërsa vajzën në shtëpi. Kushtet në spital janë pak a shumë si në shtëpi, s’bëjnë ndonjë diferencë të madhe. Më mirë lind te kasollja ime. Duhen 100 mijë lekë rrugë për të shkuar deri në spital, ne lekë s’kemi. Më ka ardhur infermierja e fshatit, pasi linda, për të parë gjendjen time dhe të vajzës, kaq. S’kam bërë asnjë vizitë, as eko, fare”, – rrëfen Valbona për Investigate Network Albania.

    Ky fakt konfirmohet edhe nga burime zyrtare të këtij materniteti, të cilët pranojnë se kushtet ekstreme të këtij spitali kanë bërë që në shumë raste gratë të zgjedhin të asistohen nga plakat e fshatit.

    “Sidomos në zonat e thella, gratë lindin vetë. Lindin me infermieret e zonës, me plakat e fshatit… Kur shkojmë ne atje, thjesht shohim, nëse çdo parametër jetësor është mirë. Kur kemi raste urgjente, i nisim në Elbasan, por kuptohet, jemi pak larg për çdo gjë emergjente që mund të ndodhë. Vështirësi ka pa fund, pajisjet nuk janë të gjitha, madje dhe ato që janë, i kemi të amortizuara”, – sqaron burimi që preferon të jetë në kushtet e anonimatit.

    Koordinatori i urgjencave në këtë spital na rrëfen se, rastet e lindjes në shtëpi vijnë edhe për shkak të mentalitetit.

    “Vajzat dhe gratë kanë turp të rrëfejnë, kur iu vijnë dhimbjet e lindjes. Vetëm kur fëmija është gati për të dalë, flasin. Por ambulanca, edhe në fshatin më të afërt të Gramshit, do më shumë se 10-15 minuta e prapë nuk arrin dot”, – përfundon ai.

    Ambulancë në maternitetin e Gramshit

    Hekuran Kume është mjek gjinekolog që prej vitit 1990 në këtë spital. Vite më parë ky maternitet kishte 3 gjinekologë dhe një reanimator, por tashmë ky spital rrezikon të mbetet pa asnjë mjek, pasi Kume do edhe tre vite të dalë në pension.

    “Kushtet në spital janë të rënda. Dritaret janë të amortizuara komplet, dyert po ashtu.

    Nuk kemi eko dhe unë u detyrova ta blej vetë ekon, pasi çdo grua i ka të nevojshme ekot, sipas protokollit të shtatzënisë”, – shpjegon ai.

    Investigate Network Albania kërkoi një prononcim gjatë vizitës në maternitetin e Gramshit nga drejtuesja Greta Lena, por ajo nuk pranoi të fliste pa marrë më parë një miratim nga Ministria e Shëndetësisë.

    Hatixhe Koçiu, nga fshati Përparim i Peqinit, humbi 2 fëmijë njëri pas tjetrit për shkak të mungesës së kushteve në maternitetin e Peqinit. Ngjarjet u regjistruan gjatë viteve 2017 dhe 2019.

    Ky spital ka një sallë lindjeje, por nuk ka sallë kirurgjikale, nëse shtatzëna ka komplikime.

    Pas konstatimit të problemit, në të dyja rastet mjekët e nisën me urgjencë drejt maternitetit të Elbasanit. Udhëtimi zgjati rreth një orë, por rezultoi fatal për të vegjëlit e saj. Ajo nuk dëshiron t’i vërë gishtin askujt për këtë humbje, por ende e bren dyshimi se “mbase fëmijët do të ishin gjallë, po të ishin kushtet në maternitetin e Peqinit dhe të mos kishte udhëtuar drejt spitalit të Elbasanit”.

    Pas dy humbjesh, Hatixhja solli në jetë fëmijën e parë, më 26 mars të vitit të kaluar.

    Ajo kishte planifikuar lindjen me operacion në maternitetin e Elbasanit, por bebja vendosi të vijë më shpejt në jetë.

    “Lindja u realizua në maternitetin e Peqinit. Pavarësisht të gjitha mungesave që ky maternitet ka, gjithçka shkoi mirë. Nuk dua ta mendoj se çfarë do të ndodhte, po të kisha komplikacione, pasi materniteti i Peqinit është lënë në mëshirë të fatit. Aty edhe mund të vdisje në ato kushte, por Zoti është i madh”, – rrëfen Hatixhja për Investigate Network Albania.

    Burbuqe Ajazi, gjinekologia që asistoi në këtë lindje, ka shërbyer për rreth 30 vite në këtë maternitet. Ajo pranon se, në kushtet që është ky maternitet, iu duhet edhe shpresa se i “ruan Zoti”.

    “Unë them që në ato kushte, na ka ruajtur Zoti. Ishte një rast i komplikuar. Zonja kishte pasur shtatzëni të tjera, por pa rezultat, ndaj edhe meraku ishte shumë i madh.”, – shprehet gjinekologia.

    Pas daljes në pension një vit më parë të Burbuqe Ajazit, ky maternitet nuk ka më as mjek gjinekolog.

    Teksa numëron vështirësitë që i janë dashur të kalojë në atë maternitet, tregon edhe mungesat e mëdha, me të cilat është përballur gjatë gjithë viteve si mjeke në këtë spital.

    “Mjetet e punës i sterilizonim me alkool dhe iu vinim flakën, se s’kishim mundësi tjetër.

    S’kishim eko, madje me një aparat të vjetër, mekanik dëgjonim rrahjet e zemrës së bebes.

    Shpesh sendet që na nevojiteshin për punën tonë, i blinim vetë, që së paku pacientit të mos i mungonte sapuni ose çarçafët. Madje edhe bebet i ngrohnim me furnela, pasi dilnin nga barku i nënës”, – na rrëfen ajo.

    Burbuqe Ajazi, gjinekologia e spitalit të Peqinit, e dalë në pension

    Por, edhe pse mes mungesash të shumta, ajo ka pritur me mijëra jetë të reja të lindnin në këtë maternitet.

    “E them me vlerësim dhe krenari, që në më shumë se 30 vite punë s’kam pasur asnjë vdekje bebeje dhe as nëne”, – shprehet ajo për Investigate Network Albania.

    Drejtuesja e këtij spitali, Xhulia Çela, preferoi të mos t`i përgjigjej interesimit të Investigative Network Albania në lidhje me situatën. Madje, deri në publikimin e këtij artikulli spitali i Peqinit nuk dha një përgjigje lidhur me kërkesën për informacion referuar nga INA për numrin e lindjeve, mungesën e pajisjeve, nevojën për investime në godinë dhe mungesat në mjekë.

    Edhe materniteti i Librazhdit funksionon me një mjek gjinekolog, i cili i kryen të gjitha.

    Mungesat edhe këtu janë në kufijtë e absurdes. Ngrohja bëhet me furnela, pajisjet janë të amortizuara, dhomat plot me lagështirë. Mungojnë inkubatorët dhe pajisjet e tjera, të nevojshme, në rastet kur bebja paraqet anomali. Ky spital, megjithëse ka një sallë operacioni, nuk ka reanimator, por ai vjen nga Elbasani, me planifikim. Spitali nuk ka as neonatolog dhe as pediatër, por materniteti i Librazhdit, ndryshe nga ai i Gramshit, disponon një eko 4D.

    Salla e lindjeve natyrale në maternitetin e Librazhdit

    Almën, e cila sapo është bërë nënë e fëmijës së dytë, e takojmë në ambientet e brendshme të këtij materniteti. Ajo pohon se kushtet janë të këqija, por nevoja i bën të lindin këtu.

    “Edhe vajzën e parë po këtu e kam lindur. Asgjë s’ka ndryshuar në gjithë këto vite. Ka probleme, por nuk ia vlen të shkosh në spitalet e tjera. Më mirë afër, edhe për familjarët tanë”, – thotë ajo.

    Edhe në këtë spital lindjet janë tkurrur ndjeshëm. Nëse në vitet 2000 regjistroheshin rreth 1250 lindje, aktualisht ky numër ka rënë në 350 lindje në vit.

    Spiro Doka, gjinekolog në Cërrik, i cili ka më shumë se 30 vite në këtë profesion, rrëfen se aktualisht Cërriku është pa spital, pasi materniteti ka dalë jashtë funksionit. Por, ndërsa Ministria e Shëndetësisë publikon pamje se si po transformohet shëndetësia në mbarë vendin, Spiro Doka ushtron profesionin në një realitet, ku është i “detyruar” të presë lindje natyrale pa kushte, madje në shumë raste edhe pa mjete.

    “Punoj vetëm me vizitat, por, nëse ka një lindje urgjente, sigurisht që e pres. Kemi pasur disa herë probleme, për shembull hemorragji dhe raste të tjera, ku na kanë munguar mjetet, por fatmirësisht nuk kemi pasur mortalitete. Godina e maternitetit është shndërruar në ambient për qendrën shëndetësore”, – tregon ai.

    Kushtet, në të cilat ushtrojnë profesionin këta mjekë, janë përtej çdo imagjinate.

    “Përdorim pajisjet që kanë qenë kohë më parë. Asnjëherë nuk ka pasur pajisje të mirëfillta, por, edhe ato që kanë qenë, kanë dalë jashtë funksionit. Mjetet i mbajmë, si të mundemi, i dezinfektojmë vetë”, – thotë ai për Investigate Network Albania.

    Prezenca e lagështirës në sallën e lindjes në Librazhd

    Zgjidhja, e vështirë për spitalet bashkiake

    Me afro 50 mijë banorë, materniteti i Peqinit nuk ka një sallë kirurgjie, në rast se një grua shtatzënë ka komplikime. Për të shmangur çdo të papritur, gratë shtatzëna shkojnë në maternitetet e Elbasanit, Rrogozhinës, Lushnjës ose zgjedhin që të ndiqen në privat.

    Në kushtet kur mungojnë mjekët, gjinekologia e sapodalë në pension, Burbuqe Ajazi, sugjeron që këto spitale të vogla më mirë të mbyllen dhe të kthehen në qendra gruaje vetëm për ndjekjen e shtatzënisë.

    Mund të hapet një qendër gruaje në Peqin që të ndiqen gratë, dhe shteti nuk ka pse investon kot më kot. Aktualisht, materniteti nuk ka një gjinekolog, duke e humbur funksionin, pasi, nuk mund të ketë maternitetit, pa pasur gjinekolog”, – përfundon ajo.

    Ndryshe nga maternitetet e tjera, ai i Gramshit ka një sallë model operacioni, por që nuk përdoret, pasi nuk ka reanimator. Përveç sallës së operacionit, materniteti i Gramshit nuk e ka parë dritën e investimeve dhe rikonstruksionit asnjëherë në vitet e demokracisë. Materniteti ka nevojë për respiratorë dhe inkubatorë për bebet që mund të lindin prematurë, por edhe zëvendësimin emergjent të pajisjeve për lindjet natyrale, për aq kohë sa vetëm ato realizohen.

    Gjendja është kaq e rëndë, saqë gjinekologu Kume shpjegon se për shkak të një defekti në procesin e sterilizimit, iu janë rikthyer dhe po punojnë me vegla 50-vjeçare.

    “Ne ishim lidhur me autoklavizimin që vinte nga Elbasani, se ç`patën një problem me drejtorinë dhe mua më thanë, mos merr më vegla, se do t’i paguash vetë dhe unë s’po marr fare më atje.

    Po përdorim këto që kemi pasur prej 50 vjetësh. I dezinfektojmë në inkubator, në autoklavë të vogël”, – përfundon Hekuran Kume, mjeku i vetëm gjinekolog i Gramshit.

    Por, gjendja e mjerë e materniteteve nuk është vetëm në ato bashkiake. Raste të rënda janë shënuar edhe në maternitete rajonale.

    Më 12 prill të këtij viti, Elisabeta, vetëm 30 vjeç, humbi jetën në sallën e lindjes në maternitetin e Fierit. Leonard Lamaj, bashkëshorti i Elisabetës, nuk e pranon rezultatin e grupit hetimor se shkak ishte infarkti akut i miokardit, por akuzon mjekët për neglizhencë.

    “Një neglizhencë e paparë, që çon në një rrjet të gjerë. Do ta çoj këtë çështje deri në fund, në mënyrë që të mos këtë më nëna apo fëmijë që japin jetën. Mjeku vijon punën normalisht.

    Askush nuk e ka pyetur mjekun, as mua se si ka ndodhur ngjarja. Ai mjek nuk meriton të jetë në maternitet, nënat humbasin jetën për neglizhencë sot në vendin tonë”, – thotë në një prononcim për Investigate Network Albania, Leonard Lamaj.

    Salla e bebeve të porsalindura në Librazhd

    Ndërsa numri i lindjeve u tkurr, INSTAT raporton se numri i foshnjave deri në 1 vjeç, që humbën jetën, ishte 293 foshnje për 1 mijë lindje, duke shënuar për të tretin vit radhazi rritje të këtij parametri.

    Referuar Eurostat, Shqipëria është e treta me normën më të lartë në Europë sa i përket vdekshmërisë foshnjore për vitin 2017. Në vitin 2017, në Shqipëri përllogariteshin 8 vdekje foshnjore në 1000 lindje të gjalla, ndërsa mesatarja në BE është 3.6 vdekje për 1000 lindje.

    Materniteti i Fierit ishte një nga 24 maternitetet në vend në nivel rajonal e bashkiak, të cilit Investigate Network Albania i kërkoi informacion, duke i parashtruar disa pyetje, por, pavarësisht të gjithë tejkalimit të afateve, nuk morëm një përgjigje. 15 maternitete kanë kthyer përgjigje nga 24 kërkesa për informacion, ku rezulton se, deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk dha një përgjigje zyrtare: Materniteti i Lushnjës, Shkodrës, Ersekës, Rrogozhinës, Peqinit, Kurbinit, Matit e Fierit.

    Edhe materniteti i Durrësit vuan nga një sërë problemesh. Edhe pse i shërben një numri mjaft të lartë popullsie, aktualisht ka vetëm 2 inkubatorë funksionalë.

    “Inkubatorë në shërbimin e neonatëve janë 7, nga të cilët 2 inkubatorë model Cobams, viti i prodhimit 2018, janë funksionalë, 1 inkubator transporti, model Cobams, viti i prodhimit 2018, kërkon zëvendësim baterie, 4 inkubatorë model Nestoret, viti i furnizimit në maternitet 2007, janë jashtë funksionit”, – sqaron materniteti i Durrësit në përgjigjen për informacion për Investigative Network Albania.

    Shërbimi i maternitetit është rikonstruktuar për herë të fundit në vitin 2018 dhe aktualisht paraqet nevojën për ndërhyrje në rrjetin hidrik, banja, ajër i kondicionuar, grilat e dritareve etj. Shërbimi i maternitetit është i pajisur me mjetet e nevojshme, por autoklava për sterilizimin e kompleteve të lindjeve, aerosterili për sterilizimin e veglave, krevatet e lindjeve, llambat e ndriçimit dhe rinovimi i rrjetit të oksigjenit kanë nevojë për përmirësime”, – shtojnë ata.

    Gjatë vitit 2020 në shërbimin e maternitetit nuk ka pasur asnjë humbje jete të grave shtatzëna, ndërsa në mortalitetin prenatal ka pasur 14 fetomorto (nga java e 20 dhe deri në përfundim të shtatzënisë) dhe 7 neonatë, të cilët kanë humbur jetën në harkun kohor 0-6 ditë.

    Vdekje të foshnjave për vitin 2020 shënon edhe materniteti i Elbasanit, ku numërohen 3 humbje jete për arsye të lindjeve premature, të papajtueshme me jetën.

    “Shërbimi i maternitetit është i pajisur me pjesën më të madhe të pajisjeve të nevojshme dhe investimi i fundit nga Ministria e Shëndetësisë për këtë shërbim është në vlerën 12 milionë lekë.”, – tha në përgjigjen zyrtare ky institucion.

    Erlin Kurti, mjek gjinekolog në maternitetin Mbretëresha Geraldinë, rrëfen se shpesh stafet e spitaleve të rretheve e kanë të pamundur të përballojnë komplikime të rënda, për shkak të mënyrës se si funksionojnë. Ai ka dyshime, nëse do të mund të punonte në ato kushte, në të cilat punojnë kolegët e tij të rretheve.

    “Jam skeptik, nëse do të punoja në një spital, ku do më duhej të prisja një lindje, por nuk kam mundësi intervenimi. Duhet menduar gjithmonë ekstremi. Nuk pret puna që ti të marrësh reanimator nga shtëpia. Obstetrika është urgjencë ekstreme”, – shprehet Kurti.

    Investimet në maternitetet rajonale

    Në janar të vitit 2019, Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë tha se po investohej në çdo maternitet në spitalet rajonale. “Ndërtuam maternitetin e ri të Sarandës, është drejt përfundimit materniteti i ri i Korçës. Do të vijojnë investimet për rijetësimin e rrjetit të materniteteve në vend me maternitetin e Beratit, Kukësit, Lezhës, Matit dhe Pogradecit”, – u shpreh në janar të vitit 2019, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

    Një nënë e re në maternitetin e Librazhdit

    Por burimet i thanë Investigate Network Albania që në Mat nuk ka asnjë investim në maternitet në harkun kohor të dy viteve të fundit, ndërsa në Pogradec është lyer vetëm fasada së jashtmi.

    Në Berat është duke u rindërtuar materniteti i ri tek ish-Infektivi.

    Interesimit të Investigative Network Albania për investimet që duhet të kryhen në spitalet e vogla problematike, Ministria e Shëndetësisë sugjeron të presim, kur të publikohet strategjia kombëtare.

    “Ministria e Shëndetësisë është duke hartuar strategjinë kombëtare të shëndetësisë, 2021-2025, e cila do të bëhet publike e rrjedhimisht ju do të njiheni me infrastrukturën e re dhe investimin në burime njerëzore në përfundim të hartimit të këtij dokumenti”.

    Mungesa e mjekëve specialistë

    Ministria e Shëndetësisë mburret me godinat e bukura, por ato kanë mbetur pa mjekë.

    Referuar platformës Mjekë për Shqipërinë, maternitetet e vendit vuajnë për mjekë neonatë, reanimatorë, gjinekologë, pediatër apo edhe kardiologë.

    Mungesat e mjekëve sipas specialiteteve në 25 maternitete

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, e lidh zbrazjen e spitaleve nga mjekët me qasjen e gabuar ndaj politikave shëndetësore.

    Duke iu referuar qytetit të Gjirokastrës, ku ai jeton, Tavo jep alarmin se shumë shpejt ky spital do t’i shtohet listës së spitaleve që nuk mund të ofrojnë shërbimin e nevojshëm.

    “Gjirokastra sot ka vetëm një anestezist në pension, i cili punon në kushte ekstreme. Nesër mund të mos ketë mundësi që të dalë në punë, pasi është i moshuar. Atëherë, çfarë do të ndodhë me spitalin e Gjirokastrës? Pra, është politika e gabuar me mjekët specialistë”, - thotë Tavo, duke vendosur gishtin në plagë.

    Gjinekologu Kurti e shikon shumë më pesimiste situatën që i pret maternitetet e vogla, teksa thotë se rrugëtimi i tyre duhet të marrë një zgjidhje.

    Është e pamundur që gjithçka të realizohet vetëm me një mjek obstetër. Maternitetet e vogla duhet të shërbejnë për ndjekje të shtatzënisë dhe transportim drejt spitaleve rajonale”, - thotë Kurti për Investigate Network Albania.

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, mendon se duhet patjetër një reformim i thellë, pasi sipas formulës se si funksionojnë maternitetet e rretheve aktualisht, po favorizojnë mortalitetin.

    “Të kesh sallë lindjeje vetëm me një gjinekolog, pa pasur reanimator dhe pediatër, është e pamundur të funksionojë. Habitem se si funksionon dhe them i ruan Zoti, sepse obstetrika është një fushë e vështirë. Nuk mund të funksionojë me një mami dhe obstetër ose do të kemi raste me mortalitet të lartë foshnjor”, - përfundon ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo.

    Rustem Celami, gjinekolog në një spital privat në kryeqytet, është edhe më kritik ndaj materniteteve.

    Shërbimi maternal në të gjithë Shqipërinë është në gjendjen më të keqe të mundshme dhe sa vjen e përkeqësohet. Sot që flasim, ka maternitete që nuk janë mbuluar me mjekë gjinekologë, me pediatër, reanimatorë, ka mungesë anestezistësh dhe specialistësh të tjerë. Fakt është edhe rritja e mortalitetit dhe vdekjeve të foshnjave nga simptoma të ndryshme”, - përfundon mjeku obstetër-gjinekolog, Rustem Celami, i cili pranon se ka zgjedhur ta ushtrojë profesionin në një spital privat, pikërisht për shkak të kushteve të punës.

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike.