Drejtësia amniston vdekjet në miniera dhe ngarkon me faj viktimat

Dhjetëra vendime gjyqësore mbi aksidentet vdekjeprurëse në minierat e Bulqizës dhe Martaneshit ekspozojnë një panoramë të zymtë hetimesh të mangëta, fshehje aksidentesh me vdekje, pandëshkueshmëri mes “pronarëve të kromit” apo heshtje mes familjarëve të viktimave.

 

Autor: Klodiana Lala

 

Paraditen e një të shtune, më 7 korrik 2019, Renato Mjeshtri, nga fshati Çerenec i Dibrës, u dërgua në spital me dëmtime e plagë të rënda dhe u raportua se ishte rrëzuar nga një pemë.

Por, një hetim i prokurorisë zbuloi shpejt se historia ishte trillim dhe kishte për qëllim fshehjen e një aksidenti të rëndë në minierë.

Herët atë mëngjes, Mjeshtri u fut si zakonisht në njërën nga galeritë e kromit në zonën famëkeqe D të minierës së Bulqizës, me një mjet motorik, “dumdum” pa targa, së bashku me zjarrmëtarin Gazmend Mera dhe një minator të dytë.

Ata kishin në plan të transportonin një sasi kromi nga fronti i punës drejt një vendgrumbullimi jashtë galerisë, por mjeti i drejtuar nga Mjeshtri preku gabimisht njërën këmbë të armaturës prej druri dhe gjithçka rreth tij u trondit.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Dibrës, punëtori i nëntokës u godit në anën e majtë të trupit nga një masiv shkëmbor, që u shkëput nga muret anësore të galerisë. Pas një beteje disaditore me vdekjen, Mjeshtri ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Hetimi i aksidentit, që i shkaktoi vdekjen Mjeshtrit, zbuloi probleme të sigurisë në galerinë e kromit, shkelje të rregullores teknike, si dhe pakujdesi. Megjithatë, përgjegjësia u nda mes viktimës dhe zjarrmëtarit Mera, i cili ishte gjithashtu përgjegjësi i grupit të punës.

“Grupi i punës ka shkuar në punë në një ditë pushimi, pa urdhër pune, në kundërshtim me nenin 68 të RRTSMK [Rregullore Teknike e Sigurisë në Miniera dhe Karriera]”, - thuhet në vendimin e Gjykatës së Dibrës.

“Mendojmë se shkak i aksidentit ka qenë pakujdesia e drejtuesit të mjetit të transportit”, - shtohet në vendim.

Renato Mjeshtri është vetëm një nga shumë viktimat e minierës së Bulqizës dhe Martaneshit në verilindje të Shqipërisë, të cilit tentohet t’i manipulohet aksidenti dhe të ngarkohet me faj për vdekjen e tij.

Të dhënat e siguruara për llogari të këtij investigimi nga dhjetëra vendime gjyqësore ekspozojnë një panoramë të zymtë hetimesh të mangëta, fshehje aksidentesh me vdekje, pandëshkueshmëri mes “pronarëve të kromit” apo heshtje mes familjarëve të viktimave.

Galeri në minierat e Bulqizës

Për ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, amnistia e vdekjeve në miniera është rezultat i implikimit të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe segmenteve të institucioneve ligjzbatuese në biznesin fitimprurës të kromit.

“Kompanitë, që nxjerrin krom, e kanë blerë totalisht Prokurorinë e Dibrës dhe të Matit”, - tha Prençi, drejtues për pak muaj i policisë së Dibrës në fillim të viteve 2010. “Faji iu lihet minatorëve, sepse shmangin dëmshpërblimin e jetës, që është në miliona”, - shtoi ai.

Vdekje të pahetuara

 

Miniera e kromit në Bulqizë është më e madhja në Shqipëri dhe ka një histori gati 70-vjeçare. Pas viteve ’90, dhënia e lejeve të shfrytëzimit për kompanitë private u shoqërua me mungesë investimesh dhe sigurie, duke sjellë shtim të aksidenteve me pasojë plagosjen apo vdekjen e minatorëve.

Qyteti i Bulqizës i rrethuar nga minierat

Aksidentet në miniera hetohen fillimisht nga Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, një inspektorat në varësi të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe vetëm një pakicë rastesh me pasoja fatale referohen në prokurori.

Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë gjithashtu se shumica e hetimeve pushohen nga prokuroria dhe gjykata përmes një praktike që fajëson viktimat dhe nuk ndëshkon askënd.

Në dhjetë vitet e fundit, Prokuroria e Dibrës tha se kishte regjistruar 33 procedime për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, të cilat iu atribuohen aksidenteve me pasoja të rënda në minierat e Bulqizës dhe Martaneshit. Por, 18 çështje ose 54% e totalit ishin pushuar pa asnjë rezultat, ndërsa vetëm 6 procedime ishin dërguar për gjykim në periudhën 2011-2021.

Në bilancin statistikor të Prokurorisë së Dibrës gjenden edhe 7 çështje në hetim që nga viti 2018, ndërsa një pakicë procedimesh rezultojnë të pezulluara. Vendimet e siguruara nga Gjykata e Dibrës tregojnë se gjyqtarët i miratuan kërkesat e prokurorëve për pushimin e çështjeve të aksidenteve në miniera.

Nga viti 2018 deri në korrik 2021, Gjykata e Dibrës ka vulosur pushimin e 26 çështjeve penale me akuzën e shkeljes së rregullave të sigurisë në punë.

Pjesa më e madhe e hetimeve janë pushuar në vitin 2018, kur prokuroria i drejtoi Gjykatës së Dibrës 14 kërkesa për pushim të procedimeve të nisura për aksidentet me pasojë vdekjen apo pasoja të tjera të rënda.

Në të gjitha rastet, akt-ekspertimet e AKSEM arrinin në përfundimin se pasojat kishin ardhur për shkak të pakujdesisë së viktimave, shmangies së kontrollit të frontit të punës, nënvlerësimit të rrezikut apo shkeljes së urdhrit të punës nga vetë minatorët.

Në katër prej rasteve gjatë vitit 2018, Gjykata e Dibrës ka konstatuar mangësi në hetime dhe në ekspertiza, duke i rikthyer aktet për hetime të mëtejshme në prokurori, por kjo vetëm sa e ka shtyrë në kohë pushimin e hetimeve, pasi edhe në ekspertimet e reja faji iu mbetej minatorëve.

E njëjta praktikë ka vazhduar edhe më pas, ku gjatë vitit 2019 janë pushuar dy procedime dhe tri të tjera janë pushuar gjatë vitit 2020. Edhe në vitin 2021 është pushuar një çështje, ndërsa të tjerat vijojnë të jenë në hetim.

 

Familjarët e viktimave heshtin

Aksidenti i 7 korrikut 2019, që i shkaktoi vdekjen Renato Mjeshtrit, përbën një nga rastet e rralla të aksidenteve në minierë, që përfundoi me dënim në gjykatë. Gazmend Mera, zjarrmëtar dhe përgjegjës i grupit të punës, u dënua me 5 vite burgim; për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u reduktua në 3 vite e 4 muaj, për t`u pezulluar me 3 vite shërbim prove.

Sipas vendimit të Gjykatës së Dibrës, Mera ishte gjithashtu personi që tentoi ta fshihte aksidentin, duke deklaruar në spital se Mjeshtri ishte rrëzuar nga një pemë në fshatin e tij, Çerenec.

Punëtor duke punuar në brendësi të galerive

Por, nga dëshmia e të pandehurit Mera në prokurori zbulohet se viktima ishte burri i motrës së tij, ndërsa ai vetë kishte humbur më parë nënën nga një aksident minerar.

 

Mera ishte i vetmi person i proceduar, ndonëse nga hetimi rezultoi se në galerinë me nr. 58/3 nuk kishte infrastrukturë minerare, si shina apo tuba ajrimi, dhe se galeria mbahej në një pjesë të saj me 3 armatura me trarë druri.

Mera pretendoi se aksidenti, që i kushtoi jetën burrit të motrës së tij, ishte përgjegjësi e eprorëve, por as administratori i shoqërisë dhe as drejtuesi teknik nuk patën pasoja ligjore.

Dëshmia e Merës, ndërsa ndodhej nën akuzë, është një rast i izoluar, pasi vendimet e Gjykatës së Dibrës tregojnë se familjarët e viktimave përgjithësisht heshtin ose iu nënshtrohen hetimeve gjysmake.

Familjarët mungojnë në shumicën e seancave dhe nuk rezulton të bëjnë ankime, ndërsa në rastet kur janë të pranishëm, shprehen dakord me akt-ekspertimet dhe i konsiderojnë aksidentet si “raste fatkeqe”.

Më 25 tetor 2017, një vagonist humbi jetën si pasojë e një aksidenti në zonën D të minierës së Bulqizës. Hetimi dhe administratori i kompanisë e ngarkuan viktimën me përgjegjësi, ndërsa përcaktuan se “i ndjeri kishte avancuar pa asnjë arsye përtej armaturës ekzistuese, ku ishte goditur për vdekje nga një masiv shkëmbor”.

Sipas akt-ekspertimit të AKSEM, i aksidentuari kishte shkelur rregullat e sigurimit teknik dhe se zotëruesi i lejes minerare nuk kishte asnjë përgjegjësi. Edhe bashkëshortja e viktimës u shpreh dakord me akt-ekspertimin e AKSEM dhe e konsideroi aksidentin thjesht “një rast fatkeq”.

Thuajse një vit më vonë, më 25 korrik 2018, një tjetër aksident me vdekje ndodhi në minierën e Bulqizës dhe viktima u fajësua sërish për pakujdesi, shkelje të urdhrit të punës dhe ekspozim jashtë armaturës mbrojtëse të galerisë. Në këtë rast gjykata e riktheu çështjen për hetim në prokurori dhe e konsideroi akt-ekspertizën të paplotë dhe të paaftë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së minatorit. Por, ndryshe nga gjykata, vëllai i viktimës tha se vdekja ishte aksidentale nga puna në minierë dhe refuzoi autopsinë, duke deklaruar se nuk kishte asnjë dyshim për shkaqet e vdekjes së të afërmit.

Mes vendimeve të Gjykatës së Dibrës nuk mungojnë rastet, kur të plagosurit vetëfajësohen.

Pas një aksidenti të 18 dhjetorit 2017, një minator në Thekën të Martaneshit deklaroi se ai vetë ishte fajtori, pasi i kishin rrëshqitur duart dhe kishte rënë nga një shkallë, duke pësuar dëmtime në trup. Ngjashëm, edhe raporti i AKSEM theksonte se “dëmtimi ishte rrjedhojë e shkeljes së rregullave nga vetë i dëmtuari”, duke sjellë pushimin e hetimit.

 

“Zgjidhje private”

Sipas ekspertëve ligjorë dhe aktivistëve të angazhuar me zinxhirin e problemeve që shkakton industria e kromit në Shqipëri, të gjitha hallkat e institucioneve ligjzbatuese kanë dështuar që të bëjnë drejtësi për vdekjet e pandalshme të minatorëve.

Ata theksojnë gjithashtu se rrethi vicioz i pandëshkueshmërisë ka krijuar një terren për “zgjidhje private” mes pronarëve të galerive dhe familjarëve të viktimave - ndërsa i gjithë sistemi kujdeset më pas që të rregullojë letrat.

Arlind Qori, nga Organizata Politike, thotë se në rastet e aksidenteve në punë, reagimi i pronarëve dhe i familjarëve të viktimave ndjek zakonisht të njëjtën logjikë.

“Kur minatori plagoset, thuajse në asnjë rast ai nuk e denoncon aksidentin. Çështja zgjidhet privatisht midis pronarit dhe vetë minatorit, ku i pari në rastin më të mirë thjesht paguan kostot e kurimit”, - tha Qori.

“Në rastet e aksidenteve vdekjeprurëse pronari ose ndërmjetës të dërguar nga ai kontaktojnë familjen e viktimës dhe i ofrojnë një shumë parash për të blerë heshtjen e tyre. Familjarët e pranojnë këtë shumë, pasi... nuk kanë besim te drejtësia e organeve shtetërore…”, - shtoi ai.

Sipas Qorit, organet shtetërore në asnjë rast nuk marrin iniciativën t’i hetojnë rastet në thellësi. Shkak për mungesën e hetimit, sipas tij, mund të jetë korrupsioni apo presioni politik nga ana e pronarëve të galerive, të cilët janë gjithashtu figura partiake në lokalitet.

Për Adriatik Lapajn, jurist dhe aktivist, dështimi i çështjeve penale i ka rrënjët te një sërë veprimesh hetimore që nuk kryhen siç duhet, si dhe nga mungesa e profesionalizmit apo cedimit nga ana e ekspertëve që caktohen nga gjykatat.

Duke iu referuar akt-ekspertimeve që ngarkojnë me përgjegjësi viktimat, Lapaj thotë se për rastet e dyshimta të manipulimit të së vërtetës mund të thirreshin ekspertë nga jashtë për bërjen e drejtësisë.

Problem tjetër, sipas tij, është mungesa e hetimeve proaktive apo prokurorëve që angazhohen thellësisht për të gjetur të vërtetën.

“Organi i hetimit shpesh mjaftohet me burokracinë standarde. Sa kohë dosjet ndërtohen gabim, gjykata, në fazën kur i shkon çështja, e ka të vështirë të bëjë drejtësi”, - tha Lapaj. “Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, duke futur si koncept gjyqtarin paraprak, ka krijuar një mundësi që gjykata të imponohet dhe orientojë hetimet, por dhe kjo nuk ka mjaftuar”, - përfundoi ai.