RASFF njofton, AKU nuk informon konsumatorët për ushqimet e importuara me probleme. Rastet dhe kur prodhimet shqiptare janë “ALERT” gjatë eksportit

  • Shqip
  • English
  • Autor: Mariglen Mërtiri – Qendra Alert

    Produktet e rrezikshme për konsum që vijnë në Shqipëri nga Bashkimi Europian, në kohë reale informojnë autoritet shqiptare, por mungesa e reagimit ka sjelle konsumimin e dhjetëra tonëve ushqime të kontaminuara nga shqiptarët. Një muaj më parë, qytetarët shqiptarë konsumuan mbi 11 ton akullore me përmbajtje kancerogjene, ndërsa në nëntor 2020, rreth 1 ton kofsha pule me origjinë nga Polonia dhe me përmbajtje salmonele u konsumuan në tryezat e qytetarëve, si një ushqim i shëndetshëm. Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit nuk merr masa për informimin e konsumatorëve dhe nuk bën publike rastet që kur njoftohet nga vendet e unionit për të rritur ndërgjegjësimin e konsumatorëve, për t’u mbrojtur nga rreziqet e mundshme.

    Të konsumosh produktet ushqimore dhe jo ushqimore në Shqipëri mund të përballesh me një rrezik evident, nga ekspozimi  për shkak të mungesës së kontrolleve rigoroze dhe informacionit të dobishëm për konsumatorin që të vetëmbrohet ndaj “alert-eve” që japin për produktet e importit edhe gjurmueshmërinë e tyre, institucionet e mbrojtjes së konsumatorit në Bashkimin Europain.

    Qendra “Alert” bëri një kërkim të thelluar në portalin kryesor të Bashkimit Europian për konsumatorin, në të cilin përfshihen edhe vendet jashtë unionin siç është edhe Shqipëria, nga ku ka rezultuar se gjatë dy viteve të fundit (2020-2021) ka pasur kërkesa shumë serioze për të marrë masa për produkte të caktuara, të cilat nëse konsumohen rrezikojnë seriozisht shëndetin.

    Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë (RASFF) është një portal për shkëmbimin e informacionit ndërmjet shteteve kur konstatohet risk në zinxhirin ushqimor. Kjo i lejon të gjitha shtetet të marrin masa të menjëhershme, përfshirë dhënien e menjëhershme të informacionit ndaj publikut, nëse është e nevojshme. Komisioni informon një shtet jo anëtar të RASFF, nëse një produkt ushqimor i gjurmuar në shtetet anëtare është eksportuar në një nga vendet jo anëtar i BE-së.

    Në këtë portal që prej nisjes së vitit 2020 e deri në shtator 2021 ka 16 lajmërimë për produkte, të cilat janë importuar edhe në Shqipëri nga shpërndarës të ndryshëm ushqimorë.  Produktet që kërkohet të bëhet kujdes dhe të largohen nga tregu janë që nga kripa me material plastike nga Spanja e deri tek salmonella në krahe pule e Polonisë, patatinat me salmonelë nga Filipinet e deri tek farat e susamit nga India e akulloret me probleme nga Franca.

    1. Në 10 gusht 2021 Gjermani ka ngritur alarmin për trupa të huaj (pjesë qelqi) në kripë deti të trashë me origjinë nga Spanja.  Gjermani hoqi nga marketet këtë produkt ndër konsumatorët që e kishin blerë e dorëzuan kripën. Ndërsa Zvicra shkoi edhe më tej duke e asgjesuar sasinë e kripës me rrezik për qytetarët. Produkti është shpërndarë edhe në Shqipëri.
    2. Në 5 gusht 2021 Spanja ngriti një alarm serioz për xhinxherën pluhur të prodhuar në Indi pasi në produkt kishte Oksid Etileni mbi normat e lejuara. Spanja, Greqi dhe Danimarka morën masa për këtë produkt ndërsa në Shqipëria asnjë njoftim zyrtar për konsumatorët.
    3. Në 27 korrik 2021 Spanja informoi në portal për një substancë të paautorizuar (oksid etileni) në stabilizuesin e përdorur nga fabrika në prodhimin e akullores me origjinë nga Franca e shpërndarë në mbi 50 shtete, përfshirë edhe Shqipërinë. Alarmi klasifikohej serioz për konsumatorët ndërsa shumë shtete morën masa si për tërheqje nga tregu por edhe për informim të publikut. Produkti që ishtë shpërndarë edhe në Shqipëri, u largua nga tregu një pjesë e vogël e tij teksa pjesa më e madhe e produktit ishte konsumuar nga qytetarët.
    4. 7 korrik 2021, Finlanda ngriti shqetësim për përbërës organikë të paqëndrueshëm në gota silokoni për foshnjat të prodhuara në Kinë dhe të futura në BE nga Danimarka. Sipas ekspertëve, ka shumë komponime të paqëndrueshme në gotat e silikonit që përdoren për fëmijët. Produkti ndodhej edhe në tregun shqiptar.
    5. 29 qershor, Holanda njofton për prezencë të salmonelës në patatinat të prodhuara si lëndë të parë nga bananent me origjinë nga Filipinet, “Banana Chips”. Ky produkt rezulton i importuar edhe në Shqipëri dhe në portal paraqitet me rrezik serioz për konsumatorët.
    6. 4 qershor 2021, Sllovenia njofton për Oksid Etileni mbi normë në suplementin ushqimor të prodhuar po në Slloveni. Rreziku serioz detyroi këtë shtet dhe Italinë të marrë masa ndërsa shtetet e tjera përfshirë dhe Shqipërinë nuk dhanë asnjë informacion për publikun.
    7. 4 dhjetor 2020, Greqia njoftoi në portal për një rrezik serioz për konsumatorët pasi një substancë e paautorizuar oksid etileni u konstatua në farat e susamit të zi me origjinë nga India. Sipas analizave rezultoi se oksid etileni nga 0.05 mg/kg ishtë në vlerat 5 mg/kg. Po brenda së njëjtës ditë, Greqia lëshoi një alarm të dytë, ku nga analizat e ribëra rezultoi se Oksid Etilenit nuk ishte më 5 mg/kg, por 13 mg/kg, gjë e cila kalon me disa fish normën e lejuar e cila është vetëm 0.05 mg/kg. Ky produkt është shpërndarë edhe në tregun shqiptar.
    8. 4 dhjetor 2020, Franca njofton për mbetje dezinfektuesit në produktet e qumështit të prodhuara në Francë. Njoftimi ishte serioz dhe me rrezikshmëri për kosnumatorët ndaj për gjurmimin dhe analizmin e produktit u angazhuan disa vende europaine por edhe vetë Komisioni Europain. Produkti u shpërnda edhe në Shqipëri.
    9. 5 nëntor 2020, Lituania njofton për prezencë të salmonelës në kofshat e pulës me origjinë nga Polonia. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.
    10. (Trupat inspektuese te AKU kryen me date 24.11.2020 inspektim ne subjektin Agro Food Company per verifikimin e produktit, kofsha pule te ngrira me origjine nga Polonia dhe rezultoi se sasia totale prej 990 kg e identifikuar me nr. LOT 01345000 eshte shitur ne subjektin “KAZAZI MEAT shpk”, ku pas ndjekjes se gjurmueshmerise, u verifikua se eshte shitur tek konsumatori final. Ky paragraf në kllapa u mor nga Raporti Vjetor i AKU për vitin 2020)
    11. 30 tetor 2020, Franca njofton për salmonelë në krahët e pulave të ngrira me origjinë nga Polonia. Rreziku cilësohej serioz, Franca kthen tek vendi i origjinës sasitë e importuara. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.
    12. 7 gusht 2020, Greqi njofton për oksidim të kapakëve të shisheve me ushqim të gatshëm me origjinë nga Kina. Sipas rezultateve të testit, kapaku metalik është i papërshtatshëm për kontakt me ushqimin, për shkak të oksidimit të madh. Rreziku cilësohej jo serioz, por duhej ndjekur për të siguruar shëndetin e konsumatorëve. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.
    13. 2 korrik 2020, Holanda njofton për një rrezik serioz në kofshat e pulës me origjinë nga Polonia, pasi ka rezultuar me prezencë të salmonelës. Nga analizat rezultoi me rrezikshmëri të ulët ngarkesa e salmonelës në produkt.
    14. 30 qershor 2020, Greqia njofton për prezencë të salmonelës në mishin e pulës të mbushur me djathë dhe proshutë me origjinë nga Bullgaria. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.
    15. 2 shkurt 2020, Holanda njofton për probleme në proteinat e qumështit me origjinë nga Irlanda. Produkt i shpërndarë edhe në Shqipëri.
    16. 3 janar 2020, Bullgaria njofton për prezencë të salmonelës në kofshat e pulës të ngrira me origjinë nga Polonia, duke e klasifikuar produktin me rrezikshmëri të lartë për konsumatorët.

    Për asnjërin nga këto raste, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk njoftoi konsumatorët për rrezikun që iu kanoset. AKU mund dhe duhet të njoftonte popullatën, me qëllim shmangien e këtyre produkteve nëse i konstatonte në tregje, të paktën aty ku e ka të mundur t’a identifikojë vetë konsumatori, ndërkohë që mund të bëhej paralelisht tërheqja e tyre nga tregjet.

    Njoftimet e RASFF për produktet problematike

    Gushti i këtij viti ishte rasti i parë i bërë gjerësisht publik në dy vitet e fundit të marra në monitorim që Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit reagon për tërheqjen e produkteve nga tregu pas njoftimeve nga RASFF. Rasti i akulloreve dhe çokollatave me origjinë nga Franca, edhe pse një rrezik për shkaktimin e tumoreve të ndryshme, ky autoritet nuk veproi në kohë duke lejuar konsumimin e rreth 11 ton akulloreve. Akulloret u tërhoqen, por në kohën kur ishin në tregje, AKU nuk publikoi asnjë njoftim për markat dhe numrat e loteve respektive.

    AKU me marrjen e këtij njoftimi mori masa të menjëhershme për bllokimin dhe tërhqjen nga tregu të këtij produkti konkretisht:

    Sasia e shperndarë në treg – 16104.13 kg

    Sasia e kthyer nga tregu – 4356.69 kg

    Sasia që rezulton e shitur – 11747.44 kg

    Sasia prej 19880.4 kg e gjendur gjendje në subjektet importuese dhe sasia e tërhequr nga tregu 4356.69 kg u asgjesuan”, përfundon njoftimin AKU.

    Ky është një nga rastet i cili mund të cilësohet pozitiv për tërheqjen nga tregu, ndërsa për dhjetëra raste të tjera që cituam më lart, AKU nuk kreu asnjë njoftim minimalist për konsumatorët për të bërë kujdes në produkte të caktuara, referuar shteteve anëtare të unionin të cilat etiketonin Shqipërinë si vend që duhet të ndiqte zinxhirin e shpërndarjes.

    Një tjetër rast është konsumimi i qytetarëve shqiptarë të rreh 1 ton kofsha pule me origjinë nga Polonia me prani të salmonelës. Edhe pse rasti i njoftuar në portal mban datën 5 nëntor 2020, AKU ngriti grupin e punës dhe inspektoi subjektin importues 20 ditë më pas nga ku rezultoi se sasia dhe numri i lotit i kontaminuar dhe që duhet të largohej nga tregu ishtë konsumuar nga qytetarët shqiptarë pa paralajmërim. Dhe për këtë rast nuk pati asnjë informim as në faqen zyrtare të AKU dhe as në media për konsumatorët por rasti kaloi në heshtje.

    Produkte nga Shqipëria të konstatuara me pesticide ne BE (2020-2021)

     Shqipëria e kthyer në një nga vendet me ndikim në eksportin e perimeve drejt Bashkimit Europian nuk i ka shpëtuar disa ngarkesave me pesticide të asgjesuara në pikat doganore në Kroaci, Greqi apo edhe Zvicër. Edhe pse në raste të izoluara, gjatë dy viteve në sistemin për mbrojtjen e konusmatorëve “RASFF” të BE-së janë raportuar vetëm 4 raste.

    -21 korrik 2021, Greqia njofton për një përbërës vaji të paautorizuar ne pijet energjike te importuara nga Shqipëria. Por rrezikshmëria që paraqitet nuk është vendosur përfundimisht në portlain e bashkimit europian.

    -30 korrik 2021, Kroacia njofton për prani pesticidesh në luleshtrydhet me origjinë nga Shqipëria. Por në përshkrimin final për rrezikshmërinë që paraqet produkti autoritetet kroate e kanë klasifikuar pa rrisk pasi ngarkesa e konstatuar me ngarkesë pesticidesh është kthyer pas në vendin e origjinës.

    -12 prill 2021, Kroacia ka njoftuar për praninë e pesticidit Oxamyl në domatet e importuara nga Shqipëria. Produkti u asgjësua dhe nuk u lejua përdorimi i tij.

    -20 shtator 2020, Zvicra konstaton Formetanate në speca të kuq djegës nga Shqipëria mbi normën e lejuar duke e cilësuar me rrisk serioz për konsumatorin.

    Agronomi Demir Muça, konstatimin e produkteve shqiptare me pesticide gjatë eksportit në vendet e Bashkimit Europian e sheh si luftë tregtare, certifikata fito-sanitare problematike të lëshuar nga laboratorë të pasaktë dhe të vjetëruar në Shqipëri dhe mungesë informacioni nga fermerët duke mos zbatuar karencën e nevojshme të spërktajes së bimëve.

     “Preparatet që shpërbëhen shpejt janë të shtrenjta dhe fermeri refuzon t’i marr për trajtimin e bimës pasi nuk realizon fitimin e dëshiruar. Si në çdo vend të botës, fermeri do duhet të ketë një kartelë për spërkatjen dhe vjeljen ndërsa arkat duhet të pajisen me etiketë notifikuese. Certifikatat në Shqipëri jepen pa kontroll, dhe lëshohen nga laboratorë që nuk nxjerrin analiza të sakta, pasi nëse problemi ndodh në kufi mund të ballafaqosh analizat e kryera të produktit për të dalë në përfundime konkrete”, deklaroi Muça.

     Për agronomin Demir Muça, jo çdo lloj preparati lufton çdo sëmundje tek bimët, duhet pershtatje sipas kulturave të ndryshme. Ai thotë se, luleshtrudhet janë të ndjeshme ndaj preparateve dhe absorbimi i plotë i tyre është pak më i ngadaltë, ndaj kërkon edhe kujdes më të shtuar për të mos dalë në treg të kontaminuara.

    Bllokimi i ngarkesave në kufi me domate, speca apo luleshtrydhe, jo vetëm që shkakton dëme ekonomike për eksportuesit por rrezikon të zhbëjë kontrata të cilat kanë edhe penalitete për shkak të shkeljes së njënashme të tyre. Një prej eksportuesve të domates “roze” në zonën e Beratit tregon një rast kur për shkak të pesticideve pësoi një dëm të konsiderueshëm financiar dhe rrezikoi humbjen e bashkëpuntorit.

    “Po ta dërgoj domaten jashtë shtetit dhe të më dalë me mbetje pesticidesh, unë penalizohem si kompani. Më ka ndodhur një rast dhe dëmi ishte mbi 10 mijë euro dhe ishte fundi i sezonit, se të ishte fillimi do kishim hapur shumë probleme. Kam gjurmueshmërinë dhe thirra fermerët, të gjithë, sepse e di se ku e kam marr mallin. Produkti u gropos atje ku u bllokua, me të drejtë, dhe shpenzimet i pagova unë. Fermerët janë të pandërgjegjshëm, ndërsa kanë edhe mungesë informacioni nga farmacistët që shesin preparate për bimët”, deklaroi Mystehak Gogo, eksportues.

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike.