Gazetaria cilësore po vuan presionin e lajmeve për klikime

Lajmet e pakontrolluara dhe spekulative, vetëm për të marrë klikime, po e sfidojnë informimin e saktë. Në vendin tonë sot ka mijëra punonjës portalesh, por shumë pak gazetarë, duke krijuar një terren të favorshëm për dezinformimin. Pandemia e Covid 19 dëshmoi se lajmet e manipuluara dhe të pakontrolluara mund të lënë pasoja afatgjata në shëndetin e popullatës.

Lindita përjetoi momente ankthi dhe paniku përgjatë pandemisë së Covid 19, për shkak të informacioneve të shumta që lexonte në rrjetet sociale për efektet anësore të vaksinave.

Ajo punonte në administratën publike dhe e priti me shqetësim vendimin e qeverisë për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin, në të kundërt nëpunësit publikë rrezikonin që t`i humbisnin vendet e punës.

“Iu them nëpunësve të shtetit, që të vaksinohen, sepse mund të vijë momenti, që ta kenë të detyrueshme kartelën e vaksinimit për të shkuar në punë dhe nuk do të paguhen, nëse nuk shkojnë në punë”, – deklaroi kryeministri, Edi Rama, më 2 dhjetor të 2021.

Me bashkëshortin pensionist dhe 2 fëmijë të martuar, që jetonin jashtë, ajo ishte e vetmja, që punonte në familje. Humbja e vendit të punës do t`i përkeqësonte kushtet sociale të familjes, por Lindita L. rrëfen se ndihej e dyzuar për shkak të bombardimit me lajme nga rrjetet sociale.

“Lexoja gjatë gjithë ditës, edhe kur isha në punë, të gjitha lajmet që flisnin për vaksinat. Rastet e shumta, që silleshin nga lajmet në internet për efektet anësore, deri në paralizim apo dhe vdekje, më trembnin”, – rrëfen Lindita, e cila është tashmë në prag pensioni.

“Sigurisht që u frikësova, se do të humbisja vendin e punës, por, frika që kisha nga vaksina, ishte edhe më e madhe”, – shpjegon më tej Lindita.

 Ajo tregon se kishte diabet, por gjatë pandemisë përjetoi edhe episode tensioni të lartë.

“Tensionin e kam të lartë dhe, nga ajo që kisha lexuar për vaksinat, nuk kisha asnjë siguri se do të më mbronte nga Covid-i. I frikësohesha më shumë efekteve, që mund të kishte mbi trupin tim”, – shpjegon ajo.

Nën sulmin e lajmeve të pakontrolluara, ajo thotë se e kishte të vështirë që t`i besonte mjekët, që e rekomandonin vaksinën dhe mendonte se ata detyroheshin që të mos e tregonin të vërtetën.

“Edhe pse i dëgjoja doktorët në televizor, që flisnin për të mirat e vaksinës, mbrojtjen, isha më e prirur të besoja lajmet, që kisha lexuar në internet, se thosha që këta mjekë flasin kështu, se kanë frikë nga qeveria”, – përfundon Lindita.

Pandemia e Covid 19 u kthye në një “parajsë” për skeptikët, që i përdorën rrjetet sociale dhe platformat mediatike për të shpërndarë opinione apo lajme që nuk ishin të vërtetuara shkencërisht, si dhe nxiti qindra teori konspirative për vaksinën e koronavirusit. Një fenomen ky i përhapur jo vetëm në Shqipëri.

Popullata u nda në dy grupe të mëdha: ata që besonin te shkenca dhe nxituan të vaksinoheshin dhe një pjesë tjetër që u ndikuan nga këto lajme të pakonfirmuara.

Mijëra njerëz në të gjithë vendin ishin të prirur që t`i besonin këto lajme, kryesisht të përkthyera nga burime të pakonfirmuara dhe që publikoheshin nën tituj intrigues. Këtë e tregojnë numrat e komenteve dhe të klikimeve, që këto lajme kanë marrë në platforma të ndryshme. Në shumicën e rasteve ato paralajmëronin për dëme të pariparueshme, shëndetësore që sillnin vaksinat anticovid, por dhe deklarata të bëra në mediat shqiptare nga persona jashtë profilit shëndetësor, por që besojnë dhe që i interpretojnë teoritë konspiracioniste.

“Vaksina kundër koronës do të na shkatërrojë ADN”, “Vaksinat e Covid 19 mund të sterilizojnë një brez të tërë”, “Vaksina kundër koronës nuk do t`ju lejojë të lindni” apo “Vaksinat kanë çip”; këta janë vetëm disa nga titujt e lajmeve gjatë 2 viteve të pandemisë. Ata klikoheshin shumë herë më shumë se lajmet që kishin tituj informues, ku mjekët qetësonin popullatën dhe shpjegonin rëndësinë e vaksinimit.

Psikologia Elona Mustafaraj shpjegon se është përballur me një fluks të madh pacientësh gjatë pandemisë, por numri i atyre që kanë kërkuar një konsultë, ka qenë më i lartë pas daljes nga karantina.

“Problematikat ishin të lidhura me përjetimin e elementeve të ankthit apo atakun e panikut. Vetë pacientët kanë raportuar se kjo situatë ka qenë e lidhur me lajmet apo informacionet e transmetuara në media për infektimet apo numrin e të vdekurve”, – rrëfen Mustafaraj.

Sipas saj, ndikimi i lajmeve ka “ushqyer” me pasiguri një duzinë pacientësh, të cilët e kanë pasur të vështirë që të orientoheshin drejt informacionit të saktë.

“Imazhet e përhapura, të shoqëruara me informacione shpeshherë të pavërteta, kanë shërbyer edhe për të ngjallur emocione të tilla si frikë për jetën e tyre dhe të familjarëve, pasiguri, konfuzion për mënyrën se si duhet të silleshin në rast infektimi, sjellje kompulsive të pastërtisë, izolim social etj..”, – shpjegon psikologia.

“Në pjesën më të madhe lajmi merrej nga burime të pakonfirmuara dhe jo medoemos shkencore. Frika nga infektimi dhe sidomos për humbjen e jetës është “ushqyer” nga informacione, që më shumë sesa i informuan, i kanë dëmtuar. Nuk duhet të harrojmë, që në kushtet kur njohja mbi Covid-in ishte e kufizuar, informacionet rreth tij do të gëlltiteshin pa u copëtuar dhe bluar”, – sqaron ajo eksperiencat e rrëfyera nga pacientët e shumtë.

Evidentimi nga media i rasteve të jetëve të humbura nga Covid 19, kryesisht atyre që intuboheshin dhe nuk e fitonin dot betejën me virusin, rriti pesimizmin në popullatë dhe la gjurmë te një pjesë e tyre. Rastet “e lumtura”, kur pacientët e kalonin lehtë apo shëroheshin, nuk merrnin shumë hapësirë nëpër media apo portale.

Për psikologen Mustafaraj, frika e pacientëve lindte pas “bombardimit” me lajme të tilla. Vetëm një pjesë shumë e vogël arrinin që ta shmangnin krejtësisht informimin nga këto media.

“Frika më e madhe ka qenë ajo e intubimit, që në perceptimin e tyre ka qenë e lidhur me vdekjen e sigurt, – thotë Mustafaraj. – Në fillim çdo lajm e kishin ndjekur apo e kishin klikuar dhe më pas është shoqëruar me shmangien e lajmit, me ankth apo panik.”

Gjatë periudhave të krizave, siç ishte rasti i pandemisë, kur frika është e madhe, krijohet një terren shumë pjellor për të lulëzuar trillimet. Si pasojë, rritet rreziku, që një lajm i gënjeshtërt të tërheqë më shumë vëmendje sesa një lajm i bazuar mbi fakte.

Lajme të vërteta në kohë pandemie

Të njohura ndryshe si fake news apo ato me tituj sensacionalë, lajmet me një burim të vetëm, shpesh të pakonfirmuara, kanë si qëllim marrjen e klikimeve. Ato, jo vetëm sjellin dëme të pariparueshme, por mund të lënë edhe pasoja afatgjata.

Drejtues të mediave dhe gazetarë pranojnë se çdo ditë e më shumë po përballen me presionin e klikimeve. Si pasojë, titulli i tri pikave… “ekskluzivit”, “zbulimit të madh”: ja kur…, ja kush…, ja çfarë…. po i tërheq, për t`i bërë pjesë të një gazetarie, ku profesionalizimi po zbehet, ku burimi i besueshëm është dytësor dhe konfirmimi i informacionit nuk ka asnjë rëndësi.

Enton Abilekaj, administrator i portalit Dosja.al, thotë se mediat online kanë ndihmuar në informimin e shpejtë, por i kanë dhënë goditje profesionalizmit për shkak të mungesës së etikës dhe vërtetësisë.

“Media online e ka perfeksionuar biznesin e lajmit, por mënyra kaotike e funksionimit e ka shndërruar në burim të pabesueshëm, që kërkon më shumë klikime se lexues”, – thotë Abilekaj.

“Sot ka mijëra punonjës portalesh dhe shumë pak gazetarë ndër ta. Kjo tregon se biznesi i spekulimit ka fituar mbi informimin. Gazetaria sfidohet nga rrjetet sociale, totalisht të pakontrolluara, sidomos në Shqipëri, nga portalet fantazmë dhe sigurisht nga portalet pa pretendime profesionale”, – argumenton ai.

Abilekaj flet për vështirësitë, që si drejtues i një portali ka për punësimin e gazetarëve profesionistë. Sipas tij, mungesa e një tregu të vërtetë, që do të mundësonte edhe shpërndarjen e të ardhurave nga marketingu; mungesa e orientimit të lexuesit në një xhungël prej qindra portalesh dhe rënia e besimit, i ka bërë portalet e pavarura të kenë vështirësi për prodhimin e lajmit dhe punësimin e gazetarëve në sasi dhe cilësi të mjaftueshme.

“Gazetari në terren në portalin tonë është një rast i rrallë. Rezultati është që në shumicën e rasteve kemi disa redaktorë lajmesh të marra nga televizionet informative, që ndonjëherë as nuk e kuptojnë se çfarë publikojnë. Informacioni, që vjen në redaksi, nga cilido burim, trajtohet me kujdesin e duhur, për të shmangur dezinformimin dhe shantazhimin, që është dukuria më e spikatur kohët e fundit. Në përgjithësi kemi fituar besueshmëri për shkak të këtij kujdesi”, – përgjigjet Abilekaj për mënyrën se si e ka zgjidhur çështjen e gazetarëve në median online, që ai drejton.

Lajm apo titull për klikime?

Sa rëndësi ka titulli i një lajmi? Nëse ai është korrekt dhe në përputhje me brendinë e lajmit që publikohet, a është e vërtetë që nuk klikohet? A tundohet ndonjëherë Abilekaj që të spekulojë me titullin e lajmit për të patur më shumë klikime?

“Titujt intrigues janë tituj të bukur, nëse nuk ndikojnë në informimin e saktë. Në portale informative, si yni, ka shumë tituj për një gazetar dhe kjo e ul cilësinë, por në lajmet më të rëndësishme titulli është e rëndësishme që të jetë, edhe intrigues, edhe i vërtetë. Në një shoqëri, që lexon pak dhe shpeshherë vetëm titujt, mund të manipulosh dhe të dezinformosh lehtësisht”, – shpjegon drejtuesi i Dosja.al.

Ornela Joti, prej 22 vitesh gazetare terreni, që mbulon fushën e arsimit dhe të shëndetësisë, thotë se parimi i saj nuk ka qenë të bëhet vetë lajmi (parimi që udhëheq një pjesë të gazetarëve), por të raportojë lajme me korrektësi dhe që ato të jenë të konfirmuara nga disa burime të ndryshme.

“Unë jam gazetare e çështjeve sociale dhe çdo qytetar, kur dëgjon në lajme se mjekët po ikin drejt Gjermanisë, Urgjenca e re e QSUT ka dalë jashtë funksioni, mungojnë ilaçet për të sëmurët, mësuesia po braktiset nga të rinjtë apo nxënësit shqiptarë dalin të fundit në provimet e Pisa-s, nuk mendoj se tërhiqen nga titujt, por shohin të publikuar problemin e tyre”, – shpjegon Ornela.

Kush po e vret gazetarinë?

Ndërsa evoluimi i gazetarisë nga mediat tradicionale te mediat sociale nuk rezulton të jetë një tranzicion i thjeshtë dhe pa kosto, fake news-i dhe dezinformimi po gjejnë terren me shpejtësi.

Janë një sërë faktorët që po e ndryshojnë dhe po e vendosin në krizë komunikimin, duke ngritur pikëpyetje për besueshmërinë e medias në tërësi dhe gazetarisë cilësore e të vërtetë.

Propaganda, sponsorizimi nga politika dhe qarqe të caktuara kanë ndikimin e tyre, të madh në krizën që po përjeton gazetaria e vërtetë, ajo e 5 W të famshme (Who, What, When, Where, Why).

Iris Luarasi, pedagoge në Fakultetin e Gazetarisë dhe njohëse e medias, thotë se profesionalizmi në media është nën presion të madh, për shkak të ndryshimeve të mëdha që po pëson informacioni. Sipas saj, një nga sfidat më të mëdha është tranzicioni nga media tradicionale në platforma digjitale, ku suksesi matet shpesh në klikime dhe ndërveprime.

“Kjo i shtyn mediat që të përqendrohen më shumë te titujt sensacionalë dhe te përmbajtjet që gjenerojnë trafik, ndonjëherë në dëm të saktësisë dhe të thellësisë”, – shpjegon pedagogia Luarasi.

Mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare, sipas Luarasit, gjithashtu çon në lajme të rreme dhe të pakonfirmuara, në kohën kur një pjesë e mirë e mediave lokale mbyllen për shkak të mungesave të burimeve.

Profesoresha e gazetarisë thotë se lajmet e rreme përbëjnë një shqetësim të madh, sepse ushqejnë paragjykime, ndarje sociale, duke dëmtuar gjithashtu integritetin në fushën e gazetarisë, duke minuar besimin e publikut dhe vlerën e profesionit të gazetarit si informues i publikut me lajme të sakta dhe të balancuara. 

“Përdorimi i fake news-it me tituj abuzivë, që nuk përputhen me përmbajtjen e lajmit, krijon një mjedis, ku klikimet dhe shikueshmëria vlerësohen më shumë se saktësia dhe cilësia e informacionit. Kjo praktikë, jo vetëm që e dekurajon gazetarinë cilësore, por edhe kontribuon në përhapjen e dezinformimit, – thotë Luarasi.

Duke iu referuar lajmeve dezinformuese, të shpërndara gjatë pandemisë dhe gjatë tërmetit, ajo vë gishtin mbi plagë se kush duhet të mbajë përgjegjësi.

“Gjatë këtyre raportimeve kemi parë sharlatanë, që kanë dezinformuar publikun dhe për këtë mbajnë përgjegjësi, sa drejtuesit e programeve, po aq edhe ata që për arsye të caktuara shpërndajnë lajme të rreme”, – argumenton ajo.

Për të luftuar dezinformimin, që ka prekur gjithë botën, pedagogia e gazetarisë sugjeron disa zgjidhje se nga duhet të nisë “shërimi”.

“Është thelbësore që të investohet në edukimin mediatik të publikut që në moshë të re; gazetarët dhe profesionistët e medias duhet të kenë qasje në trajnime të vazhdueshme, që i pajisin ata me aftësitë për të naviguar sfidat e teknologjisë së re, etikën profesionale dhe metodat e verifikimit të fakteve dhe po ashtu dialogu ndërmjet mediave, shoqërisë civile dhe publikut është kyç për t`i adresuar sfidat e keqinformimit dhe për të nxitur një mjedis të shëndetshëm, mediatik”, – sugjeron Luarasi.

Presioni ndaj gazetarisë së vërtetë, të saktë e të konfirmuar është i madh nga modeli i ri i titujve sensacionalë, lajmeve të sponsorizuara, lajmeve “ekskluzive”, ku shpejtësia e shpërndarjes së lajmit të fundit dhe jo vërtetësia ka rëndësi, një model, i cili po promovohet në mënyrë marramendëse.

Po, a duhet të dorëzohemi përballë këtij modeli?

“Ashtu si libri ka fanatikët e tij, edhe lajmet e vërteta besoj se nuk do ta humbin audiencën e atyre që duan informacione të sakta dhe jo të rreme”, – këmbëngul e bindur gazetarja Ornela Joti.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *