Miliona metra katrorë në dy gadishujt shqiptarë, Karaburun dhe Kepi i Rodonit, tentojnë të rrëmbehen nga një aleancë e organizuar mes krimit, gjyqësorit dhe politikës. Babëzia ka prekur edhe klerikët apo organizatat fetare. Krimi nis nga falsifikimi i dokumenteve, nga procese gjyqësore, formale e deri te kanosja e kërcënimi për cilindo që tenton të vendosë barriera e të prishë skenarin për të “shtënë në dorë” sipërfaqe bregdetare, nga më të mirat në vend.
Krimi, feja, politika dhe bixhozi, në “luftë” për Kepin e Rodonit!
Rruga për në Kepin e Rodonit kalon në një zonë bregdetare, tejet të lakmuar në vitet e fundit.
Pasi lë autostradën Tiranë-Durrës në zonën e Maminasit, nisesh drejt Hamallajt. Brezi i pishave tashmë është ngushtuar nga pallatet dhe nga vilat, të shtyra deri në bregun ranor.
Pas Gjirit të Lalzit, radhën e ka Kepi i Rodonit. Influenca e pushtetit, por edhe e krimit, e ka lënë atë jashtë statusit “Peizazh i Mbrojtur”. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Mjedisit kanë propozuar që gadishulli prej 1.500 ha të mbrohet nga shteti. Propozimi ka mbetur vetëm në letër.
Në zonë është vetëm një monument natyre, Maja e Kepit të Rodonit, dhe dy monumente kulture, Kalaja e Skënderbeut dhe kisha e Shën Ndojit.
Sa kalon fshatin Shetaj, në drejtim të Kepit, në hyrje është vendosur një tra. Pjesa fundore e Kepit të Rodonit, ajo e pyllëzuar, është rrethuar dhe në hyrje ka tabelën: “Pronë private e Kishës Françeskane Shqiptare”. Duhet të blesh biletën, për t’u futur brenda gadishullit.
Në hyrje janë të njëjtët persona, që u konfliktuan mesditën e 29 tetorit 2023. Atë ditë, ish-deputeti, Mark Frroku, me disa roje, u rrahën me banorët e fshatit. Ish-deputeti ka tentuar që të rrethojë edhe prona të banorëve të fshatit, të cilat i kanë me certifikata pronësie. Policia i arrestoi të dyja palët për “Plagosje të rëndë, me dashje”, “Vetëgjyqësi”, “Kanosje”, “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishje të rendit”. Policia tha zyrtarisht se në vendngjarje është gjetur edhe një gëzhojë arme zjarri. “Në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatat e pronësisë, janë referuar disa herë materialet në prokurori”, – pohoi policia.
Konflikti bëhet për një tokë me dy certifikata pronësie. Familja Kaculi ka fituar 5.470 metra tokë me Ligjin 7501. Në Kadastër prona ka numër pasurie 30\6. Bajram Kaculi, një nga të shumtit që u mbajt disa orë në polici në fund të tetorit, tregon se pronën e tij duan ta marrin persona, për të cilët s’ka dijeni se çfarë përfaqësojnë.
“Në krye të tyre është Ndue Sokoli, vëllai i avokatit, që mbron interesat e Provincës Françeskane, Gjergj Sokoli. Jemi zënë disa herë. Por, atë ditë ka qenë edhe ish-deputeti, Mark Frroku, dhe të tjerë njerëz të armatosur”, – thotë Kaculi për INA Median.
Sipas policisë, ish-deputeti Mark Frroku donte që ta rrethonte pronën, me dy pronarë. Ai u arrestua dhe u lirua pas disa ditësh.
“Është regjistruar procedimi penal nr. 2222, datë 30.10.2023, për veprat penale “Kanosje”, “Vetëgjyqësi” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe i municionit”, procedim, i cili është nën hetim. Hetimet për këto çështje penale vazhdojnë me përparësi dhe në përfundim të tyre do të bëhet njoftimi i palëve në proces për vendimmarrjen e prokurorit, sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurës Penale”, – shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë së Durrësit, drejtuar INA Medias, në datën 28 shkurt 2024.
Ish-deputeti më herët është hetuar dhe është gjykuar për vrasje, për pastrim parash, për fshehje pasurie dhe për ndërtim të paligjshëm. Prokuroria e Tiranës kërkoi 25 vite burg, por gjykata e dënoi me 6 vite, duke i hequr akuzën e vrasjes. Pas dënimit, Frroku u largua nga politika, duke drejtuar bizneset e tij. Në vitin 2016, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimet pas dyshimeve se një pjesë e pasurisë së tij është krijuar nga burime të paligjshme, kryesisht nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotrafikut dhe prostitucionit”.
Në vitin 2021, KRRT-ja i dha leje kompanisë A.M-L Group, në pronësi të Mark Frrokut, për “Ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike, eolike, me kapacitet 2 MV”, në Pukë. Dikur, në këtë shoqëri ka qenë aksioner edhe z. Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e oficerit të policisë, Dritan Lamaj.
Për ngjarjen e 29 tetorit të vitit 2023, Frroku qëndroi në qeli 72 orë, teksa u lirua me masën “Detyrim paraqitjeje” nga gjykata. Ai tha se ishte kontaktuar nga Provinca Françeskane, e cila ka një certifikatë pronësie në fshatin Shetaj, me numër pasurie 31 dhe me sipërfaqe 4.114 metra katrorë. Por, hartat e të dyja pronave, ajo e familjes Kaculi (5.470 metra katrorë) dhe kjo e Provincës Françeskane (4.114 metra katrorë) janë në të njëjtin vend; me një plan vendosjeje. Provinca thotë se familja Kaculi nuk e ka atje, ndërkohë që familja Kaculi thotë se Provinca është shpronësuar për këtë pronë.
Vendimi i datës 31 janar 2008 i njeh Kishës Katolike, Provinca Françeskane Shqiptare, sipërfaqen prej 1.183.400 metrash katrorë. AKKP në pikën 3 të vendimit shkruan për të kompensuar Kishën me sipërfaqen 29.300 metra katrorë, madje edhe për pasurinë 30\6, pasuri, e cila i përket familjes Kaculi, për të cilën u zhvillua edhe konflikti me armë.
Ana Shtjefni, administratore e firmës Albania Tourist Resort, e ka pasur në administrim këtë pronë, me një kontratë me Kishën Françeskane, që përfshinte rrethimin e pronës, si dhe shfrytëzimin e saj.
“Firma ime është akoma përfaqësuese e Provincës Françeskane për atë zonë. Mua më kanë larguar me forcë individë me të shkuar kriminale. Jam konfliktuar fizikisht me rojet, me në krye Ndue Sokolin. Më kanë larguar, se nuk pranova që t`i rrethoja pronat e banorëve të fshatit Shetaj, madje edhe të familjes Kaculi. Ata kanë certifikata të rregullta pronësie”, – thotë Ana Shtjefni.
Sipas saj, konflikti i tetorit është “maja e ajsbergut”, pasi me vendime dhe me procese civile dhe administrative personat afër Provincës Françeskane po tentojnë që t’i marrin shtetit një sipërfaqe të konsiderueshme, jashtë zonës së rrethuar tashmë. Janë rreth 30 procese gjyqësore, civile dhe penale, të regjistruara në Gjykatën e Durrësit.
“Është bërë një marrëveshje e dyshimtë, ku disa persona po tentojnë që të marrin miliona metra katrorë në të gjithë Kepin e Rodonit. Personalisht, disponoj dokumente për një gjyq të nisur në Gjykatën e Durrësit, ku padia është bërë nga avokati i kësaj Province, z. Gjergj Sokoli.
Ky i fundit është vëllai i z. Ndue Sokoli, i cili qëndron në hyrje të Kepit bashkë me disa persona”, – pohon zonja Shtjefni.
INA Media shfletoi dhjetëra padi të bëra në Gjykatën e Durrësit, ku po tentohet që një super-pasuri shtetërore, prej miliona metrash katrorë, të privatizohet.
Sipas dokumentit , në vitin 2019, Provinca Françeskane padit Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, Këshillin e Ministrave, Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe Bashkinë e Durrësit dhe kërkon njohjen si pronar të 5.586.363 m2 “pyll” dhe kullotë”, në fshatin Shetaj, Durrës.
Sipërfaqja, që kërkon kjo Provincë, shtrihet në pjesën jugore të Kepit të Rodonit, pyll i patrajtuar me Ligjin 7501. Zona kap edhe plazhet më të bukura të Kepit, pikërisht “plazhin e bardhë” dhe shtrihet deri në Shën Pjetër, në kufi me Gjirin e Lalzit.
“Përpos gjyqit, i dyshimtë është edhe dokumenti i origjinës. Provinca s’ka asnjë të drejtë mbi këtë pasuri, pasi me vetëm një toponim në një dokument të tyre, të vjetër po marrin gjithë këtë pasuri”, – pohon Ana Shtjefni.
Ajo aludon se personat, që u konfliktuan në tetor, me në krye ish-deputetin Frroku apo edhe të tjerë me precedentë penalë, kërkojnë administrimin e kësaj pasurie.
“I gjithë fokusi i tyre është te kjo pasuri. Ata kanë vënë në lojë një mekanizëm të mirëfilltë, duke filluar nga avokati Gjergj Sokoli, i cili ka qenë hetues në Prokurorinë e Durrësit. Më pas kanë mbledhur personazhe të politikës”, – shton zonja Shtjefni.
Aktualisht, pjesa më e madhe e sipërfaqes, që kërkon Provinca, është shtetërore. Janë ndërtuar disa lokale, me kontratë qiraje prej 30 vitesh nga Bashkia e Durrësit.
Arbeni Resort, në anën jugore të Kepit të Rodonit, në breg të Detit Adriatik, ka pronarë 3 pjesëtarë të familjes Alla, Vath, Xhaferr dhe Selim Alla, si dhe Romeo Çupin, secili nga 25% të aksioneve.
Në aktin e themelimit të shoqërisë shkruhet se kohëzgjatja e ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë është për 30 vjet. Në vitin 2018 ish-kryeministri, Sali Berisha, ka shkruar në profilin e tij në FB: “Shkatërrohet prona nga persona të inkriminuar dhe të dënuar më parë, Vath Alla, me leje të Vangjush Dakos. Kanë prerë pemë, hedhin inerte brenda pronës së Kishës, për të ndërtuar në një ranishte, që ata pretendojnë se e kanë marrë me qira nga bashkia”.
Në qershor 2019, emri i aksionerit të këtij resorti, Vath Alla, doli në përgjimet e dosjes 339, të publikuara nga gazeta gjermane, Bild. Përgjimet ishin mes Astrit Avdylajt, i dënuar me 12 vite heqje lirie për trafik droge, dhe ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
“Në këtë përgjim Astrit Avdylaj telefonon Dakon. Nga biseda del se Astrit Avdylaj ndodhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Durrës, në praninë e drejtorit të zyrës dhe Vath Allës, një ish-i dënuar për vrasje, për të “mbaruar” një punë për llogari të Allës”.
Më tej vijon se, Avdylaj i kërkon Dakos, që “të anulojë planet e tij për të udhëtuar në Ishëm, për të siguruar që, “puna”, që Alla po kërkon, të përfundohet te zyra e Hipotekës nga drejtori, që telefonon Allën dhe më pas Dakon për t’u takuar me të dhe me të dënuarin për vrasje, Vath Alla. Dako pranon dhe ndryshon agjendën”, – shkruan gazeta gjermane, Bild.
Banorët, me të cilët bisedoi INA Media, që nga frika dëshironin të mbeteshin anonimë, thanë se në zonë janë parë edhe personazhe të botës së krimit, si Aleksandër Laho, i njohur me emrin “Rrumi i Shijakut”.
“Lëvizte në zonë para 3 vitesh. Pas shpalljes së tij në kërkim dy vite më parë, kemi parë vëllanë e tij, që ka qenë drejtor i një drejtorie në Durrës”, – pohon një banor.
Më 1 nëntor 2021 Lahos iu bë atentat në autostradën Tiranë-Durrës. Ai udhëtonte bashkë me prokurorin Arian Ndoja. Të dy u plagosën, ndërkohë që shoferi, Andi Maloku, vdiq.
Një vit më vonë, në nëntor 2022, Gjykata e Posaçme lëshoi masën e sigurisë “Arrest me burg, në mungesë” për Aleksandër Lahon, me akuzën e korrupsionit për dosjen e tjetërsimit të pronave në Gjirin e Lalzit. Aktualisht, çështja e tij është duke u gjykuar në Gjykatën e Posaçme. Kjo gjykatë sekuestroi mbi 400 mijë metra katrorë tokë në bregdet, për të cilën dyshohej se “Rrumi i Shijakut” e kishte marrë me dokumente false. 200 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit dhe 203.100 metra katrorë në fshatin Shetaj, në Ishëm.
Në dosjen e SPAK-ut janë edhe 2 video të regjistruara në vitin 2017, ku “Rrumi” shfaqet duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet Irgen Kërçukut, përfaqësues i Avokatit të Shtetit, që të tërhiqej nga ankimimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të pronave.
Skema është e njëjtë edhe me proceset që janë në gjykim, ku Avokatura e Shtetit thuajse i ka braktisur dhe nuk merr pjesë, madje edhe në gjyqin prej 5.5 milionë metrash katrorë në Gjykatën e Durrësit.
INA Media i ka dërguar një kërkesë për informacion Avokatit të Shtetit, por ky institucion refuzoi të përgjigjej.
Provinca ka bërë dhjetëra padi për “njohje pronari”.
“Dyshimet janë se mund të ketë ndonjë marrëveshje mes njerëzve, që po i rrinë tani afër, për të marrë apo për të ndërtuar në atë pronë”, – thotë Ana Shtjefni.
Mega-procesi i pronës në Kepin e Rodonit, që ka pasur një të ngjashëm edhe për pronat në Hamallaj, ka shkuar deri në Gjykatën e Lartë. Gjyqtarët e Shkallës së Parë e kanë dërguar direkt në “kupolën” e gjyqësorit.
Çështja është regjistruar në Gjykatën e Lartë më 19 maj 2021, me shpjegimin: “Ardhur prej Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës”. Pasi është caktuar edhe relatori, gjyqtari Ervin Pupe, çështja është “në pritje” për t’u gjykuar!
Sërish, palë janë Provinca kundër Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Agjencisë së Trajtimit të Pronave apo edhe kundër Bashkisë së Durrësit. Objekti i padisë\akuzës është: “Detyrimi i palëve të paditura për të njohur pronarin e pasurisë 5.5 milionë metra katrorë”.
Kur në terren kanë plasur armët dhe në të tria shkallët e gjyqësorit po zhvillohen beteja influencash, në pjesën veriore të Rodonit kanë “mbirë” edhe resortet e para. Në afërsi të pronës “mollë sherri” është ndërtuar fshati i parë, turistik me vila një apo dykatëshe. Resorti quhet Cape of Rodon. Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë Premium Finance Invest, më 15 korrik 2021, 1.086.6 ha në zonën e Kepit të Rodonit, Durrës, për vetëm 1 euro!
Vendimi mban numrin 6/5 dhe ka një emërtesë: “Për miratimin e statusit investim/investitor strategjik – procedurë e veçantë për projektin e investimit me potencial strategjik Cape of Rodon, faza 1, i propozuar nga subjekti Premium Finance Invest”.
Përpara se të merrte statusin e Investitorit Strategjik, firma kishte si aktivitet të saj bixhozin.
Në vendimin e AIDA-s shkruhet se, projekti parashikon ndërtimin e hoteleve, të vilave, të rezidencave, të fushave të golfit dhe të shërbimeve të ndryshme. Por, firma që u shpall investitore, nuk ka pasur dakordësi për të gjithë këtë sipërfaqe. Ajo u detyrua, që ta ndajë projektin në disa faza të ndryshme.
“Masa kryesore, mbështetëse, që kërkon subjekti nëpërmjet procedurës së veçantë, për të cilën aplikon, është që projekti të miratohet me ligj të veçantë, por projekti i dorëzuar për sipërfaqen prej 1.086.6 ha nuk u vlerësua ende i maturuar për këtë masë mbështetëse”, – shkruhet në vendim. Fjalët e përdorura në këtë vendim janë të zgjedhura dhe nuk bëjnë fjalë për një refuzim, pasi “subjekti e ka ndarë projektin me faza dhe faza e parë, për të cilën aplikon dhe plotëson kriterin financiar, ndahet në katër nënfaza”.
Firma Premium Finance Invest parashikon investim me vlerë 51.369.355 euro.
“Faza e parë e projektit parashikon ndërtimin e një hoteli me 4 yje, me sipërfaqe 26.150 m2.
Do të ketë 250 dhoma, si dhe shërbime në funksion të tij, 30 vila me sipërfaqe totale prej 16.200 m2, një kantinë vere, me sipërfaqe prej 2.000 m2, një park ujor, me sipërfaqe 500 m2.
Projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe trualli prej afërsisht 44.850 m2, e cila ndodhet në ZK. 3365, Bashkia, Durrës”, – thuhet në këtë vendim.
Sipas dokumenteve të depozituara në QKB, Premium Finance Invest zotërohet me 100% të aksioneve nga firma SIG Holding GmbH. Ndërkohë, pronar i SIG Holding GmbH është z. Bledar Sinani.
Redaksia e INA Medias i dërgoi një kërkesë për koment kësaj firme, por deri në publikimin e këtij investigimi nuk pati asnjë përgjigje.
Emri i z. Bledar Sinani është i lidhur me bixhozin në Shqipëri, sepse ka në pronësi ose në përdorim pjesën më të madhe të kazinove. Ai zotëron 100% të shoqërisë WSI, ndërsa shoqëria WSI zotëron 100% të kapitalit tek Imperium, ish-Royal Eagle Casino.
Duket se “lufta” është për të gjithë Kepin e Rodonit, ku krimi, qeveria, investitorët apo edhe vetë feja po tentojnë që ta privatizojnë me ç’të munden.
Karaburuni, një mal dokumentesh “false” për të rrëmbyer gadishullin
Dy faqe letër në formën e një vendimi të Gjykatës së Vlorës, të firmosur nga Thoma Nika, më 29 dhjetor të vitit 2000, shpallën pronar të 220 hektarëve në gadishullin e Karaburunit varrmihësin e qytetit të Vlorës, Raimond Mëzin. Në vendim argumentohet se në prill 1996 Agjencia e Kthimit të Pronave i ka refuzuar kthimin e pronës Raimond Mëzit, duke i mohuar kështu një të drejtë të tij, kushtetuese. Ky vendim u konservua 12 vite. Në vitin 2012, sipërfaqja prej 220 hektarësh është regjistruar në emër të Raimond Mëzit.
Po në këtë periudhë në Zvërnec sërish në emër të varrmihësit, Hipoteka regjistron edhe 89 hektarë të tjerë. Këtë radhë si dokument për regjistrimin e pronës shërbente një vendim i gjyqtarit të ekzekutuar në mënyrë mafioze në Vlorë, Skerdilajd Konomi.
Për dy vite me radhë asnjë transaksion nuk është kryer në emër të Raimond Mëzit.
Edhe pse pothuajse njeriu më i pasur në Vlorë, me qindra hektarë tokë në zonën më të bukur të vendit, INA Media mësoi se Mëzi jetonte në një banesë të varfër, në lagjen Partizani, në Vlorë.
Më 2 tetor 2014, në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, pasuria prej 220 hektarësh është ndarë në dy sipërfaqe. 90 hektarë dhe 130 hektarë. Një javë më pas, më 10 tetor 2014, përfaqësuesi me prokurë i Raimond Mëzit, avokati Enkes Hysendhima, iu ka shitur 90 hektarë kompanive House of Arts dhe Digitalnetworks për 180.000 euro.
House of Arts është kompania e ish-deputetit socialist, Fidel Ylli, që administrohet nga Elida Heba dhe merret me organizim eventesh; ndërsa Digitalnetworks zotërohet nga biznesmeni Gerian Kuka, njëherazi Konsull Nderi i El Salvadorit në Shqipëri.
Pjesa e mbetur prej 130 hektarësh në Karaburun shkëmbehet me Artur Shehun – një personazh kontrovers i viteve të tranzicionit në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të SHBA.
Kontrata e shkëmbimit, e kryer më 4 dhjetor 2014, mban firmat e Enkes Hysendhimës, përfaqësues me prokurë i Raimond Mëzit, dhe Pëllumb Petritajt, përfaqësues i Artur Shehut.
Petritaj e ka ndarë pronën në 4 pjesë përgjatë periudhës mars-tetor 2015. Në mars të vitit 2015, pesë hektarë i janë shitur për 9 milionë e 850 mijë lekë Arian Laçit, një tjetër biznesmen kontrovers, i dënuar në Itali për trafikimin e lëndëve narkotike; ndërsa në janar 2016, Pëllumb Petritaj ka shitur 20 hektarë te biznesmeni vlonjat, Thodhori Gjiknuri, për 39 milionë e 600 mijë lekë.
Të njëjtin fat pësoi edhe sipërfaqja prej 89 hektarësh. Të gjitha kontratat janë nënshkruar në një periudhë të shkurtër, kohore dhe tek i njëjti noter. Po kaq e shkurtër ka qenë edhe koha e regjistrimit të tyre te personat e tretë.
Kur ka përfunduar operacioni i parë i tjetërsimit të kësaj sipërfaqeje, familja Bodo, pretendente për një sipërfaqe toke në Karaburun, në janar 2016 dorëzon në prokurori denoncimin për tjetërsim pronash.
Në shkurt të vitit 2016, prokurori i Vlorës, Albert Kuliçaj, urdhëron arrestimin e Raimond Mëzit, në emër të së cilit është regjistruar prona, të avokatit të tij, Enkes Hysendhima, të ish-punonjëses së Hipotekës së Vlorës, Blerina Dhrami, të noteres që kishte kryer transaksionet e shitblerjes, Belona Seraj, si dhe të Donika Besimajt, përgjegjëse e Arshivës në Gjykatën e Vlorës; të gjithë të përfshirë në skemën e falsifikimit të dokumenteve.
Në qershor 2016, Prokuroria e Vlorës shpalli në kërkim edhe biznesmenin Pëllumb Petritaj, përfaqësuesi i Artur Shehut, si i përfshirë në këtë skemë falsifikimi. Por, në korrik 2017, kur prokuroria dorëzoi në gjykatë kërkesën për gjykim, Petritaj dhe një notere u përjashtuan nga akuzat.
Zanafilla e falsifikimeve të njëpasnjëshme ngrihet mbi një vendim të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në Vlorë, sipas të cilit Jakup Mëzit, babai i Raimond Mëzit, i njihet një sipërfaqe prej 6.600 metrash katrorë tokë. Mbi këtë dokument është prodhuar një tjetër dokument fals, që njeh familjen Mëzi si zotëruese të sipërfaqes prej 220 hektarësh.
Dokumentet tregojnë se sipërfaqja e pronës, e përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, është tjetërsuar te të tretët nëpërmjet kontratave fiktive të shitjes. Pronari, në emër të së cilit është regjistruar prona 309 ha, Raimond Mëzi, e kthyer, në Karaburun dhe në Zvërnec, nuk ka aplikuar kurrë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive apo në gjykatë për këtë pronë. Para prokurorëve ka deklaruar se, te noteri ka firmosur fletë të bardha.
Emri i Raimond Mëzit është përdorur vetëm për sigurimin e pronës, e cila më pas është shitur nga Enkes Hysendhima, falë një prokure përfaqësimi.
Varrmihësi i qytetit të Vlorës, jetim, është birësuar nga Jakup Mëzi, kur ishte vetëm 1 vjeç.
Në vitin 1994 ai ka kërkuar në Agjencinë e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave pronësinë e sipërfaqes 61.400 m2 tokë në qytetin e Vlorës. Gjyqtari Thoma Nika ka deklaruar se kurrë nuk ka zhvilluar një proces të tillë, gjyqësor. Vendimi i gjyqtarit të ndjerë, Konomi, sipas prokurorisë, është i falsifikuar. Madje, prokuroria dyshon se e gjithë dosja gjyqësore është falsifikuar.
Dosja penale është në Gjykatën e Apelit, sepse Prokuroria e Vlorës mbeti e pakënaqur nga Gjykata e Faktit, e cila, në mars 2018, shpalli fajtorë katër nga pesë të akuzuarit për falsifikimin e pronës në Karaburun.
Trupi gjykues, i përbërë nga Albert Spiro, Albana Selmanaj dhe Laurent Fuçia, shpalli përgjegjës kryesor Raimond Mëzin dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg. Avokati i tij, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të tokës, u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.
Betejat në gjykatë
Mëngjesin e së premtes, më 22 qershor 2017, Vjosa Bodo, e shoqëruar nga xhaxhai i saj, Isufi, zuri vend në karriget e para, të vendosura për publikun në komisionet e vetingut.
Seanca dëgjimore ishte për personin, që ata e bënin përgjegjës për mohimin e së drejtës së pronës, gjyqtarja Brikena Ukperaj.
Vetingu për gjyqtaren, e cila kandidonte për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ishte shansi i fundit për familjen Bodo. Në nëntor të vitit 2017, Gjykata e Apelit të Vlorës, ku Ukperaj ishte relatore e çështjes, rikthehu për gjykim një çështje, që Vjosa e konsideronte një betejë të fituar.
Bëhej fjalë për një padi civile, që familja Bodo kishte hapur që në janar të vitit 2016.
Në prill të vitit 2017, Gjykata e Shkallës së Parë, Vlorë pranon aktpadinë e vëllezërve Bodo, duke shpallur se tjetërsimi i pronës është bërë nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.
Pjesë e vendimit është edhe kthimi i një sipërfaqeje totale prej 404 ha tokë në Karaburun trashëgimtarëve Bodo, si dhe rregullimi i pasojave të krijuara në Zyrën e Regjistrimit të Pronave si rezultat i kontratave të shitblerjes.
Vendimi ankimohet në Gjykatën e Apelit nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, si dhe nga dy kompanitë private, të cilat rezultojnë dhe përfitueset e pronës.
7 muaj më vonë trupa gjykuese, e përbërë nga Skënder Damini, Gjinovefa Gaba dhe nga relatorja, Brikena Ukperaj, e rrëzon vendimin, duke argumentuar se është marrë në shkelje të rëndë të një sërë normash procedurale.
Për shkeljet e konstatuara në këtë vendim Gjykata e Apelit vendosi më 11 nëntor 2017 rikthimin e çështjes në gjykim me një tjetër trupë gjykuese.
Por, dhe pse vendimi është marrë nga një treshe gjyqtarësh, familja Bodo akuzoi relatoren e dosjes se kishte shkelur afatet ligjore. Gjyqtarja e kaloi procesin e vetingut, por çështja e pronave, ku ajo ishte implikuar, është ende në proces gjykimi.
Në shkurt 2022 një tjetër trupë gjykuese e Apelit, Vlorë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor dhe urdhëroi çregjistrimin nga regjistrat hipotekarë të të gjithë pronës së përfituar nga varrmihësi dhe të tjetërsuar nëpërmjet kontratave të shitjes. Vendimi njohu bashkëpronësinë e vëllezërve Bodo, si dhe kthimin e 404 ha tokë pyll në Karaburun. Por, më 12 gusht 2022 Avokatura e Shtetit i kërkon gjykatës pezullimin e vendimit për çregjistrimin nga regjistrat hipotekarë për pronën e tjetërsuar në Karaburun.
Avokatura e Shtetit argumenton se, “jemi para ekzistencës së rrezikut, që mund t`iu shkaktojë një dëm të rëndë dhe të pazëvendësueshëm interesave shtetërorë, nisur nga fakti se Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë ka njoftuar Avokaturën e Shtetit për regjistrimin e pronës në favor të familjes Bodo. Avokatura e Shtetit pretendon se kjo pronë do të tjetërsohet dhe për këtë arsye duhet vendosur pezullimi i regjistrimit të saj në Hipotekën e Vlorës”.
Kërkesa e Avokaturës së Shtetit është rrëzuar nga Kolegji i Gjykatës së Lartë.
Në vendimin e arsyetuar thuhet se, “Avokatura e Shtetit nuk ka paraqitur asnjë shkak apo argument konkret, të bazuar në prova, se ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të riparueshme” për pronën, që vetëm pas 28 vitesh familja Bodo mund të këtë një vendim gjykate, që i njeh të drejtën e pronësisë.
Pronat e familjes Bodo janë regjistruar në kadastrat shtetërore, edhe pse dy kompanitë kryesore, që e kanë përfituar tokën nëpërmjet transaksioneve, e kanë dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Koha e shqyrtimit të këtij rekursi ende nuk dihet, pasi kjo gjykatë po shqyrton ende çështjet e dërguara në vitin 2017. Rekursi i kompanive Digitalnetworks dhe House of Arts është depozituar në korrik të vitit 2022.
Duket se beteja juridike për familjen Bodo ende nuk ka përfunduar, por të paktën tashmë njihen si pronarë legjitimë. Një copë letër, që Malo Bodos iu desh të luftojë për më shumë se 30 vjet.
Një certifikatë pronësie, që Malo Bodo nuk mundi të shihte, sa qe gjallë. Ai ndërroi jetë më 24 nëntor 2021, 3 muaj përpara se Gjykata e Apelit të Vlorës të vendoste drejtësinë për familjen e tij.
“Im atë për vite të tëra luftoi në gjykatë për të drejtën e pronës së të parëve të tij dhe u largua nga kjo jetë, pa ditur se ia doli që të vendoste drejtësi për familjen e tij. Ky është pengu i jetës sime. Beteja e tij nuk vuri vetëm drejtësinë në vend, por na dha forcë edhe neve, pasardhësve të tij, dhe mos të harrojmë se kishim përballë, jo vetëm një sistem drejtësie, por një grup njerëzish, që ia kishin dalë, që të ndërtonin një makineri të tjetërsimit të pronave në jug të Shqipërisë”, – thotë vajza e tij, Vjosa Bodo.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.