Skandali/Policisë së Shtetit i mbarojnë “kilometrat”, policët patrullojnë në këmbë

  • Shqip
  • English
  • Ndërkohë që Policia e Shtetit paguan për makinat e shërbimit çmim të plotë me vlerë tregu, kushtet e kontratave të leasing të lidhura me kompanitë konçesionare detyron oficerët e poliocisë që të paktën 1/3 e shërbimit të tyre ta zhvillojnë në këmbë për shkak të frikës së tejkalimit të kilometrave të alokuara për ditë, duke i kthyer ato në mjete luksi pa një funksion.

    Osman Stafa

    Ismet K., së bashku me kolegun e tij, në fund të dhjetorit të vitit 2022 po patrullonte në këmbë në kryeqytet.

    Ndërkohë, iu vjen një informacion për një përplasje fizike mes dy të rinjve tre kilometra nga vendi ku ndodheshin. “Tre kilometrat i bëmë për 10-12 minuta, duke ecur me hap të shpejtë e diku edhe me vrap.”

    Kur mbërrijnë në vendngjarje, të dy policët nuk gjejnë asnjërin prej personave të përfshirë në përplasjen fizike, pasi ata ishin larguar. “Po të kishim makinën e policisë, me të cilën patrullojmë, do të kishim shkuar në pak minuta”.

    Ismeti pohon se prej shumë kohësh, pas datës 22 të çdo muaji, atij dhe kolegëve të tij iu duhet të patrullojnë në këmbë, pasi makinat qëndrojë të mbyllura në komisariate; kjo për shkakun se automjetet e uniformave blu plotësojnë kilometrat mujorë, të përcaktuar nga marrëveshja që Policia e Shtetit ka lidhur me koncesionarin.

    “Është shumë e vështirë për ne të dalim në terren në këmbë”. Punonjësi i policisë tregon se një pjesë e mirë e automjeteve dalin në terren vetëm në njërin prej turneve, pasi plotësohen kilometrat. “Në terren, – thotë ai, – nga tetë shërbime që ka për turn, katër patrulla dalin me makina dhe katër të tjera patrullojnë në këmbë.”

    Sipas punonjësit të rendit, ka edhe raste të tjera, kur patrullat ndahen në dy pjesë, ku dy prej tyre patrullojnë me automjete dhe gjashtë patrulla të tjera, në këmbë.

    Përcaktimi i kilometrave të një automjeti të policisë ka sjellë një problematikë mjaft të madhe për punonjësit e rendit. Policia e Shtetit është në shërbim 24 në 7. Puna e policëve është e ndarë në tri turne. Sipas punonjësit Ramazan Q., “është e pamundur që me 2.700 kilometra, që është limiti mujor, të bësh punën, siç duhet. Me një përllogaritje të thjeshtë i takon që një mjet të bëjë 90 km në 24 orë. E ndarë në tri turne, i bie 30 km për 8 orë. Detyrimisht këta kilometra do të plotësohen para afatit dhe mjetet do të mbyllen, siç ka ndodhur”.

    Përveçse kanë shkuar në vendngjarje të ndryshme në këmbë, të dy punonjësit e policisë së kryeqytetit tregojnë se kanë përdorur edhe makinat e tyre, personale për të shkuar atje ku i ka kërkuar puna. Kur ka kundërvajtje penale, që zhvillohet shumë larg vendit ku gjenden, duke patrulluar në këmbë, presin patrullën e sektorit tjetër ose kërkojnë ndihmën e qytetarëve me makinë për t’i afruar në zonën ku thirren për të vendosur rendin dhe qetësinë publike.

    Ata thonë se të patrulluarit në këmbë është kthyer në rutinë për shumë punonjës të Policisë së Shtetit.

    “Nuk e ndjekim dot situatën e rendit, siç e kërkon rregulloja”, – tregojnë policët. Po ashtu, ata thonë se iu duhet të dalin me shërbim jashtë kryeqytetit apo rrethit ku punojnë, për shkak se bëjnë shërbime të shpeshta për marrje personash me precedentë penalë. Nga këto udhëtime iu qëllon që të bëjnë mesatarisht 200-300 km, çka do të thotë se kilometrat e makinave do të mbarojnë më shpejt dhe ai automjet duhet të mbyllet, për të pritur muajin tjetër, për të dalë sërish në qarkullim.

    Situata paraqitet më e vështirë për punonjësit e policisë nëpër qytete të tjera dhe sidomos për ato komisariate që duhet të patrullojnë në zonat e thella në luftën kundër kanabisit. Një drejtues policie i një komisariati në veri të Shqipërisë tregon se problematika e kilometrazhit i ka penalizuar shumë.

    “Ka ndikuar shumë keq në moralin e një punonjësi policie, i cili duhet të ruajë se kur do të mbarojnë kilometrat, në vend që ta këtë mendjen te lufta ndaj krimit”.

    90 km në ditë, shton ai, për një mjet janë shumë pak. “Policët e mi patrullojnë në këmbë, saqë më shumë ndërrojnë këpucët se sa gomat e makinës”.

    “Në shumë raste punonjësit e policisë nuk kanë mundësi që të patrullojnë në zonat e thella, – tregon drejtori i komisariatit, – në një kohë kur përgjatë muajve prill-nëntor duhet të kryejnë kontrolle territori për të luftuar kanabisin”.

    Nuk munden, për shkak se makinat i mbyllin shumë shpejt, pasi mbarohen kilometrat e paracaktuar. Ata kontrollojnë ato zona, që janë 45 kilometra larg nga komisariati i tyre, pasi 45 km e tjerë do t’iu duhen për t’u kthyer përsëri në komisariat.

    Për këtë problematikë, me të cilën punonjësit e policisë po përballen prej disa vitesh, janë në dijeni edhe eprorët, pasi vetë efektivët tregojnë se e kanë raportuar situatën tek ata, por pa asnjë zgjidhje deri më tani.

    Policia e Shtetit që prej vitit 2017, kur ka nisur kjo praktikë e makinave me qira, e deri më sot, ka shpenzuar 10.5 milionë euro. Sipas dokumenteve, këto makina janë marrë me kilometrazh zero dhe me koston reale të tregut.

    Pas katër vitesh këto makina kthehen te koncesionari.

    Kontratë për makinat me qira

    Praktika e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të përcaktuar kilometrat mujorë, është kthyer në një pengesë për punën e përditshme të punonjësve. Në dokumentet e tenderit të vitit 2017 ka qenë e përcaktuar se kilometrat, që duhej të bënte një makinë, ishin 25.000 km ose 100.000 km në katër vjet. Përgjatë 24 orëve një makinë policie duhet të kryente 69 km, e thënë ndryshe, 23 kilometra për turn.

    Kontratë e vitit 2017 mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me kompaninë “Tirana Auto”

    Shihet se kjo problematikë është reflektuar disi në kontratën e viti 2021 nga Policia e Shtetit, pasi kilometrat vjetorë do të ndryshonin, nga 25.000 kilometra në 32.500. Nga ky ndryshim një automjet i flotës policore do të kryente në 24 orë 90 kilometra, e thënë ndryshe 30 kilometra për turn.

    Kontratë e vitit 2021 mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe kompanive “Porsche Albania” sh.p.k., “PorscheLeasing”

    Por, çfarë ndodh, nëse një makinë i kryen këta kilometra përpara kohës së parashikuar në kontratë prej 4 vitesh?

    Në kontratë thuhet se, “nëse përpara përfundimit të afatit të kësaj kontrate, një automjet arrin kufirin e përdorimit prej 130.000 km (si afati maksimal, i parashikuar për 48 muaj), kjo kontratë do të konsiderohet automatikisht e përfunduar për atë automjet”.

    Marrëveshja mes palëve, në momentin që arrihen këta kilometra, i jep të drejtë kontraktorit ta marrë automjetin në fjalë dhe autoriteti kontraktor duhet të paguajë të gjithë vlerën e qirasë për atë automjet.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.