Uji dhe ajri, të ndotur tej normave, si po e kërcënojnë shëndetin e qytetarëve

  • Shqip
  • English
  • Analizat e ujit në disa qytete të vendit tregojnë ndotje në nivele alarmante, që mund të rrezikojnë edhe shëndetin, ndërsa ende ka ujësjellës, që sigurojnë vetëm 2 orë ujë në ditë. Nga ana tjetër, matjet dëshmojnë se ajri, që thithin shqiptarët, i tejkalon disa herë normat e ndotjes, të përcaktuara nga OBSh, sa i përket pranisë së grimcave të vogla, PM2.5 dhe PM10.

    Autorë: Neada Muçaj, Marjo Brakaj dhe Anxhelo Haruni

    “Ashtu nxitimthi hëngri, piu një gotë ujë dhe zbriti, se do të dilte, të luante me shokët. Kishte kaluar jo më shumë se një orë… hapa derën dhe shikoj që po mbante barkun me dorë”, – tregon Ermiona Maliqi, e cila thotë se i biri 9-vjeçar, Alesio, fillimisht i ishte ankuar se kishte përzierje dhe dhimbje stomaku.

    “I bëra pak ujë me sheqer, duke menduar se do t`i kalonte, por i filloi temperatura, e shoqëruar me diarre”, – vazhdon 37-vjeçarja, që prej gati 2 vitesh jeton në rrugën “Erzen Lita”, në Astir.

    “Kisha kaluar edhe vetë një helmim të ngjashëm rreth tri javë më parë dhe jam e bindur se ishte nga uji”, – këmbëngul Ermiona. Që prej asaj dite familja e saj hoqi dorë nga uji, që vjen në rubinet dhe konsumojnë vetëm ujë të blerë.

    Një pyetësor i zhvilluar nga organizata jo-qeveritare Qëndresa Qytetare në vitin 2020 gjeti se 85% e qytetarëve të Tiranës ishin të pakënaqur me cilësinë e ujit, që iu vinte në shtëpi, ndaj dhe e blinin atë.

    Sipas Entit Rregullator të Ujit, në vitin 2022 shqiptarët u furnizuan mesatarisht për 16.3 orë/ditë. Ujë 24 orë në ditë arritën të sigurojnë vetëm 11 shoqëri ujësjellësi, ndërsa rreth 33 shoqëri të tjera ofrojnë furnizimin me ujë nga 10 deri në 22 orë në ditë.

    Të dhënat e grumbulluara nëpërmjet analizave nga Investigative Network Albania, por edhe dëshmi të vetë qytetarëve, tregojnë se uji, që shkon në çezmat e banorëve, është i kontaminuar dhe mund ta rrezikojë seriozisht shëndetin e tyre.

    Institucionet përgjegjëse thonë se i kryejnë çdo ditë analizat, por refuzuan që të vënë në dispozicion të INA Media-s ndonjërën prej tyre.

    Në vitin 2022, për përmirësimin e aksesit në ujë të pijshëm, por edhe largimit të ujërave të përdorura, qeveria shqiptare alokoi një fond prej 70 milionë eurosh.

    Pavarësisht milionave të hedhura në rrjetin e ujësjellësit, ende ka qytete, që e vuajnë në mënyrë drastike mungesën e ujit të pijshëm. Ujësjellësi i Kurbinit arrin të sigurojë vetëm 2 orë ujë në ditë për banorët e tij, ndërkohë që ujësjellësi i Kamzës mbulon me ujë qytetarët me vetëm 4 orë ujë në ditë. Banorët e Roskovecit për vitin 2022 kishin ujë vetëm 5 orë në ditë. Durrësi u furnizua mesatarisht 13 orë në ditë, ndërsa Tirana, 17 orë në ditë.

    Referuar të dhënave të Entit Rregullator të Ujit, për vitin që lamë pas, vetëm 8 nga 58 shoqëri ujësjellësi garantuan furnizim me ujë 24 orë në ditë për banorët e tyre.

    Analizat: Uji i pijshëm është i ndotur

    Në përpjekje për t’i dhënë përgjigje pyetjes: A është i pijshëm uji, që vjen në çezmat në Tiranë?, INA Media iu drejtua disa laboratorëve privatë, të akredituar, për të analizuar disa kampionë.

    Në shumë raste, pasi mësuan se rezultatet janë për të vlerësuar cilësinë e ujit të kryeqytetit, laboratorët u tërhoqën.

    “Matjet e ujit t’i bëj, edhe pa pagesë, por nuk mund të lëshoj fletën e analizave me emrin dhe vulën e laboratorit, sepse kemi kontratë me Bashkinë e Tiranës. Na prish punë. Pastaj, ajo dihet, që uji në Tiranë është i ndotur; jo se të helmon, por për dëmet që të shkakton, po ta pish vazhdimisht”, – thotë në kushtet e anonimatit administratori i një laboratori privat në kryeqytet.

    Megjithatë, INA Media arriti t`i kryejë analizat për cilësinë e ujit të pijshëm, me të cilin furnizohen qytetarët në Tiranë, në një laborator të akredituar. Kampionët e ujit u morën në tri zona të ndryshme: në zonën e Astirit, në zonën e Ali Demit dhe në zonën e Bulevardit të Ri, në rrugën “Karl Gega”.

    Rezultatet e kampionit të marrë në një pallat të vitit 2017 në zonën e Astirit, pa praninë e depozitave në kryeqytet, flasin për një ndotje alarmante.

    Në këtë kampion rezultoi se numri i kolonive në 22°C dhe në 36°C tejkalon me mijëra herë kufijtë europiane, por edhe kufijtë e përcaktuar në VKM 379 për Cilësinë e Ujit të Pijshëm.

    Faksimile e analizave në zonën e Astirit

    Sokol Abazi, kimist, thotë se ky nuk është ujë për konsum, pasi mund të rrezikojë shëndetin e banorëve.

    “Duhen të merren masa urgjente, pasi realisht është i rrezikshëm për shëndetin e banorëve. Është një ujë që duhet të evitohet për përdorim”, – thotë kimisti Abazi, duke iu referuar rezultatit të këtij kampioni.

    “Ka ndotje bakteriale në nivele shumë të larta, me përmbajtje të Pseudomonas dhe bakterit Coliform; plus edhe ngarkesa bakteriale totale është shumë e lartë. Për më tepër aty edhe fortësia është shumë e lartë”, – vlerëson pedagogu i kimisë, Abazi.

    Edhe ekspertja e mjedisit, Françeska Korançe, ndan të njëjtin shqetësim.

    “Uji mund të mos jetë i sigurt për t’u pirë. Rezultatet e analizës së ujit tregojnë probleme të rëndësishme me cilësinë mikrobiologjike, pasi numri i kolonive bakteriale i kalon shumë kufijtë. Prania e baktereve Coliform është një shqetësim i rëndësishëm. Duhet të merren masa të menjëhershme të trajtimit dhe të dezinfektimit të ujit”, – sugjeron Korançe.

    Ndonëse në nivele më të ulëta, edhe analizat e një kampioni uji në zonën e Ali Demit, në një ndërtim të ri, treguan për prani të baktereve.

    Faksimile e analizave në zonën Ali Demi

    “Ka prani të baktereve Coliform, 27, të cilat janë të ndaluara. Është thelbësore që të ketë zero baktere Coliform në ujin e pijshëm”, – vlerësojnë ekspertët, Sokol Abazi dhe Françeska Korançe.

    Analizat e ujit për kampionin e marrë në rrugën “Karl Gega”, tek ish-stacioni i trenit, zbuluan se treguesit ishin jashtë parametrave të Bashkimit Europian dhe VKM-së 379, sa i takon pranisë së kolonive bakteriale në temperaturën 36 gradë, që tregon një shqetësim të mundshëm, mikrobiologjik.

    Faksimile e analizave në zonën e Bulevardit të Ri

    “Kampioni i marrë në zonën e Ali Demit dhe ai i marrë në zonën e Bulevardit të Ri janë lehtësisht jashtë standardit, kampioni i marrë në Astir është jashtëzakonisht i ndotur, duke e cilësuar këtë ujë, jo vetëm jo të pijshëm, por edhe të pakëshillueshëm për përdorim për higjienën personale apo shtëpiake”, – thotë mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti.

    Ujësjellësi i Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me situatën e konstatuar nga INA Media për cilësinë e ujit që shkon në çezmat e banorëve dhe cilat janë masat që duhen ndërmarrë në këto raste.

    Garantimi i cilësisë së ujit të pijshëm në Shqipëri është i rregulluar nga Vendimi numër 379, që mban datën 25 maj 2016.

    “Sipas kësaj VKM-je, duhen analizuar 71 parametrat e ujit nëpërmjet laboratorit kimik dhe atij mikrobiologjik, të cilët duhet të plotësojnë të gjitha kërkesat, sipas Standardit Kombëtar të Ujit të Pijshëm”, – shpjegon përmbajtjen ligjore pedagogu i kimisë, Sokol Abazi.

    Sipas bazës ligjore në fuqi, çdo ditë duhet të kryhen analiza për 16 kampione për 7 parametra fiziko-kimikë: ngjyra, era, shija, turbullira, amoniaku, nitriti, klori i lirë, mbetës) dhe tre parametra mikrobiologjikë: Coliform total, Escherichia coli, Streptokoku fekal. Veç UKT Sh.A, edhe Drejtoria e Higjienës në mënyrë të përditshme monitoron rregullisht kampione uji në 53 pika të përcaktuara në të gjithë qytetin e Tiranës.

    UKT i tha INA Media-s se i realizon çdo ditë këto matje, por, sipas saj, shoqëria është përgjegjëse deri në pikën e lidhjes me ujë të pijshëm. Sipas UKT, detyrimi për të monitoruar cilësinë e ujit të pijshëm në rubinetet e konsumatorëve i takon institucioneve të tjera.

    INA Media kërkoi të dhëna mbi rezultatet e këtyre analizave, por informacioni nuk u dha nga UKT. Informacioni për rezultatet e analizave nuk u përcoll as pas kërkesave drejtuar Institutit të Shëndetit Publik dhe Bashkisë së Tiranës.

    Ujësjellësi i Tiranës administron një rrjet prej 1,909 kilometrash, nga i cili, 196 km janë rrjet kryesor.

    Në vitin 2018, çmimi i ujit të pijshëm në Tiranë u rrit me 44%, duke shkuar nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3. Rritja e çmimit u shoqërua me premtimin për ujë të pijshëm 24 orë në ditë, deri në vitin 2024. Për këtë arsye në vitin 2020 në impiantin e Bovillës u zbatua një projekt me vlerë rreth 20 milionë euro. Po ashtu, në vitin 2022 qeveria e Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen e një kredie në vlerën e 80 milionë eurove me Bankën Europiane të Investimeve për ujësjellësin e Tiranës. Kostoja totale e projektit është 144.5 milionë euro, ku pjesa tjetër e investimit prej 64.5 milionë eurosh do të përballohet nga UKT.

    Por, pavarësisht këtyre investimeve kolosale, sipas ERRU, në vitin 2022, Tirana u furnizua me ujë të pijshëm vetëm 17 orë në ditë.

    Si ndotet uji?

    “Burimet më të mundshme të ndotjes së ujit në Tiranë janë ujërat e zeza dhe ujërat e shiut, të cilat depërtojnë përmes çarjeve të tubave të ujit përgjatë sistemit të shpërndarjes. Kjo ndihmohet edhe për shkak të mungesës së presionit të ujit 24 orë në ditë, presion, i cili do të eliminonte ose do të reduktonte sasinë e ujërave të zeza apo të ujërave të shiut, që futen në tubacione”, – shpjegon Alimehmeti.

    Pasojat në shëndet janë të drejtpërdrejta, duke prekur të gjitha grup-moshat. Uji i ndotur nga bakteret, viruset, protozoarët apo parazitët mund të shkaktojë transmetimin e sëmundjeve të ndryshme, infektive, si diarre, dizenteri, hepatit A, kolerë, parazitozë etj.

    “Gjasat më të larta për t’u infektuar dhe për t’u sëmurë i kanë foshnjat, fëmijët e vegjët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sistem të dobësuar imunitar. Gjatë vitit 2021, në ISHP janë raportuar 61,564 raste me gastroenterit të paspecifikuar, por duhet marrë parasysh se shumë raste më të lehta mund të mos jenë paraqitur te mjekët e si rrjedhojë numri real i gastroenteriteve të paspecifikuara mund të jetë më i lartë”, – thotë mjeku Alimehmeti, duke iu referuar shifrave.

    Uji i ndotur, jo vetëm në Tiranë

    Ngjashëm me Tiranën, problem me ujin e pijshëm kanë edhe banorët në Durrës, në Krujë dhe në qytete të tjera. INA Media ka siguruar analizat e kryera për një kampion uji, që iu shkon qytetarëve të Fierit në periferi të qytetit. Sipas analizave të kryera, rezulton se uji, që del nga rubinetet në Fier, nuk është i pijshëm dhe ka prezencë të lartë të Escherichia coli.

    Për mjeken Aurora Dollenberg këto analiza tregojnë se uji është tepër i ndotur dhe konsumimi i tij është me rrezik për banorët. Sipas saj, pasojat e konsumit të këtij uji janë të shumta për shëndetin, deri në rrezik për jetën.

    “Simptomat përfshijnë diarrenë, dhimbjet në bark, vjelljen dhe marramendjet. Ky bakter mund të shkaktojë edhe probleme të tjera, duke përfshirë ciste, infeksione në traktin urinar dhe pneumoni”, – thotë Dollenberg.

    Edhe në Durrës situata është e njëjtë. Andi, një 25-vjeçar që jeton në zonën e njohur si zona “Plepat”, tregoi se shpeshherë është ankuar për cilësinë e ujit, por problematika nuk është zgjidhur.

     “Kam telefonuar në numrat e call center-it të Ujësjellësit të Durrësit, kam bërë edhe ankesa me shkrim, por përgjigjja e vetme, që kam marrë, është: “Do të punojmë për përmirësimin e shërbimit”, – rrëfen ai.

    25-vjeçari tregon edhe një rast, kur ka pasur probleme shëndetësore dhe për këtë gjë fajëson konsumimin e ujit nga rubineti në banesën e tij afër plazhit.

    Shpenzimet për ujin e pijshëm

    Sipas Entit Rregullator të Ujit, blerja e ujit për të pirë me shishe, si dhe mbajtja e depozitave, iu kushtojnë familjeve shqiptare kosto 1.5-2.5 herë më të larta se shuma që paguajnë për faturën e ujit.

    “Kemi aq vite, sa nuk mbahet mend, që e blejmë ujin për të pirë. Paguaj 30 lekë për bidon, pasi e ble nga autoboti, por, kur nuk e kap dot, e blej në dyqan me 120 lekë”, – shprehet Migena, nënë e dy fëmijëve.

    ERRU fajëson për këtë problem mosbesimin te cilësia e ujit, që, sipas këtij institucioni, ndikohet edhe nga furnizimi me ndërprerje, duke u kthyer në rrezik për cenimin e shëndetit të popullatës.

    Mosbesim tek uji duket se kanë edhe vetë institucionet, të cilat shpenzojnë miliona lekë çdo vit për blerjen e ujit të pijshëm. Sipas një analize të transaksioneve të Thesarit, zyrat e shtetit kanë shpenzuar plot 40.4 milionë lekë për prokurime në 9 operatorë ekonomikë, gjatë harkut të 3 viteve e gjysmë. Këtu përjashtohen shpenzimet për pritje-përcjellje, thënë ndryshe, uji dhe ushqimet për aktivitete, konferenca dhe trajnime.

    Ndër institucionet që e blejnë ujin e pijshëm është edhe vetë pronari i UKT: Bashkia e Tiranës, me 2.8 milionë lekë të shpenzuara vetëm vitin e fundit. Kjo shifër është e barabartë me afërsisht 1,500 lekë për punonjës, sa shpenzon mesatarisht çdo muaj një familje për faturën e ujësjellësit.

    Ajri, që vret ngadalë

    Uji nuk është i vetmi element që kërcënon shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Sipas OBSh dhe Agjencisë Europiane të Mjedisit, ajri vlerësohet se shkakton mesatarisht 2000-2800 vdekje të parakohshme në vit në vendin tonë. Kjo shifër është më e lartë se numri zyrtar i vdekjeve nga Covid-19 përgjatë vitit të parë të pandemisë.

    Sipas Planit Kombëtar për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit të vitit 2019, ajri duhet të monitorohet vazhdimisht, por matjet përgjatë këtyre viteve nuk janë kryer. Vetë Bashkia e Tiranës nuk disponon më mjete për të realizuar matje të tilla dhe të dhënat e vetme i merr nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Edhe AKM pranon se pajisjet e monitorimit të ajrit kanë hasur sfida për shkak të nevojës për kalibrim dhe mirëmbajtje.

    Përgjatë viteve 2021 dhe 2022, sipas AKM, nuk ka pasur matje të vazhdueshme për shkak situatës së krijuar nga tërmeti dhe pandemia; ndërsa prej këtij viti të dhënat nga 4 stacionet automatike të Tiranës tregojnë një tejkalim të standardeve të ndotjes PM10.

    Në këto kushte INA Media kreu disa matje me anë të aparaturave të certifikuara. Nga 5 migro-gramë për metër kub, që është limiti, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përqendrimi i grimcave të imëta, të prodhuara kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse – fosile, të njohur si PM 2.5, ka arritur në 16 migro-gramë për metër kub.

    Parametri / Mes. Vjetore 18-19 19-20 20-21 21-22 22-23 Standard BE OBSH
    PM2.5 (µg/m³) 27 29.8 19.9 31.7 33.6 20 10
    PM10 (µg/m³) 46 59 33 62.1 64.2 40 20
    NO2 (µg/m³) 123 108 87 117 121 60 40

    Përmbledhje mbi statusin e ndotjes së ajrit gjatë viteve 2018-2023 në Tiranë

    “NO2 (kryesisht nga trafiku) dhe PM2.5 e PM10 (nga ndërtimi/makineritë e rënda) tejkalojnë standardet e OBSh, të BE dhe të Shqipërisë në më tepër se 125 ditë të vitit, pa harruar këtu që industria shkarkon në ajër komponentë ndotës edhe më agresivë për mjedisin dhe për shëndetin publik”, – thotë për INA Media-n Rodion Gjoka, drejtues i njësisë së mjedisit pranë Co-Plan.

    “Shtojmë edhe faktin që në tre vitet e fundit janë djegur në mjedis të hapur rreth 1.2 milionë tonë mbetje, nga ku janë çliruar sasi të konsiderueshme dioksinash dhe furanësh, që kanë karakteristika tepër rezistente ndaj bio-degradimit, si dhe janë ndër komponentët më kancerogjenë për shëndetin publik”, – shton më tej ai.

    Elbasani, hot spot prej dekadash

    Në fillim të nëntorit të këtij viti banorët e Elbasanit u zgjuan me një re të zezë, gjigante mbi kokat e tyre. Për tri ditë me radhë një zjarr i rënë në një masiv skrapi në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik e rëndoi edhe më tej situatën e ndotjes së ajrit, që vijon prej vitesh.

    Emetimet në atmosferë ishin kolosale, ndërsa specialistët ngrenë alarmin se aty u dogjën edhe mbetje të rrezikshme.

    “Atje digjen bateri, akumulatorë e gjëra të tilla, që janë shumë të rrezikshme e që kanë në përbërje të tyre plumb dhe elemente të tjera, të rrezikshme, që dëmtojnë lëkurën, sytë, mëlçinë dhe, kur vazhdojnë me ditë të tëra, është edhe më keq”, – argumenton Ahmet Mehmeti nga Klubi Ekologjik, Elbasan.

    Ndotja kolosale zgjoi edhe Prokurorinë e Elbasanit, institucion, i cili nisi hetimet kryesisht për ndotje të ajrit ndaj kompanisë që operon me grumbullimin e skrapit, por ende nuk ka një reagim për fatin e hetimeve.

    Edhe Bashkia e Elbasanit reagoi për ngjarjen, duke kërkuar dënim për autorët. Në një deklaratë për mediat bashkia shprehu gatishmëri për të bashkëpunuar dhe për të vënë para drejtësisë ndotësin, por duket se edhe ky rast do të kalojë pa ndëshkime, siç edhe ka ndodhur më parë.

    Vlora, qyteti që pret turistët me tym

    Sezoni turistik në Vlorë ishte i mbarë përgjatë këtij viti, por, përveç problemeve me infrastrukturën dhe shërbimin, turistët notë negative i dhanë edhe ndotjes së ajrit.

    Një zjarr i rënë në landfill-in e qytetit në muajin tetor shkaktoi një ndotje masive, që solli reagimin e qytetarëve, por jo të institucioneve. Banorët, të shqetësuar për efektet mbi shëndetin, dorëzuan një peticion në Bashkinë e Vlorës. Peticioni u nënshkrua nga 23 organizata jofitimprurëse, lokale, si edhe përfaqësues të komunitetit italian e amerikan, që jetojnë në këtë qytet.

    “Ka tre muaj që jemi dëshmitarë të djegieve të përditshme të mbetjeve urbane në vendgrumbullimin e tyre në Rajonin Nr. 4. Kjo situatë ka shqetësuar me të drejtë mijëra qytetarë vlonjatë dhe jo vetëm”, – thuhej në peticionin e nënshkruar nga gati 2 mijë qytetarë, por u deshën shirat e fund-muajit të shkuar për të shuar flakët, pasi autoritetet ishin dorëzuar me kohë.

    Shkaktarët e ndotjes

    Transporti, industria, bujqësia, ndërtimet dhe menaxhimi i mbetjeve konsiderohen si ndotësit kryesorë të ajrit në Shqipëri.

    “Industria e ndërtimit kontribuon në rreth 23% të ndotjes së ajrit. Pluhuri nga kantieret e ndërtimit mund të çojë në probleme të rënda, shëndetësore dhe të mushkërive për njerëzit që punojnë në ndërtim ose jetojnë në zonat afër”, – shpjegon eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka.

    Një nga pikat kryesore të strategjisë për përmirësimin e këtyre indikatorëve është nxitja e përdorimit të transportit publik, por të dhënat e Bashkisë së Tiranës tregojnë se, në vend të inkurajimit, qytetarët i kanë braktisur në masë autobusët; një trend që kishte nisur që përpara pandemisë, por që u forcua ndjeshëm që pas pranisë së Coronavirusit në vendin tonë. Numri i pasagjerëve dhe ai i aboneve të shitura është përgjysmuar që prej vitit 2016, deri në mesin e vitit 2021, periudhë e fundit për të cilën ofrohen të dhënat.

    Këta udhëtarë të munguar nuk janë përkthyer as në më shumë çiklistë, teksa për 7 muajt e parë të këtij viti lëvizjet me biçikleta, të matura në 4 pika të Tiranës, kanë rënë me 15%.

    Njësoj si uji, edhe ajri kërcënon shëndetin e qytetarëve në mënyrë të vazhdueshme.

    “Shëndeti publik po degradohet, asnjë institucion shëndetësor nuk e publikon incidencën e sëmundjeve dhe të vdekjeve, që lidhen me ndotjen dhe higjienën (që është relativisht e gjurmueshme)”.

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 80% e vdekjeve të parakohshme nga infarkti dhe nga sëmundjet e zemrës, 14% e vdekjeve nga sëmundjet akute, pulmonare dhe 6% e vdekjeve nga kanceri i mushkërive lidhen me ndotjen e ajrit urban.

    “Qytetarët janë totalisht të pambrojtur dhe nuk kanë asnjë mundësi subvencionimi të dëmeve nga ndotja, pasi nuk ke cilin autoritet të kontaktosh, për të denoncuar apo raportuar. Policia nuk bën gjë tjetër, veçse konstatim”, – përfundon eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka.


    Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.