Çmimi i shërbimit dentar falas në Shqipëri

Shqipëria nuk ka ende shërbim urgjence për sëmundjet dentare, ndërsa shërbimi falas ofrohet pjesërisht vetëm në kryeqytet. Tullumbacja e propagandës për kujdesin oral falas në Shqipëri nis me shërbimin dentar në shkolla, vijon në poliklinikat e lagjeve e përfundon në Klinikën Universitare, ndërkohë që çmimet e kripura të klinikave private kanë mbajtur larg tyre afro 50 për qind të shqiptarëve, që kujdesin oral e shohin si shërbim luksi.

Në kërkim të kujdesit dentar

Jeta Akcani, rreth të 80-ave, që mbahet nga krahu nga motra e saj, Tana, të hënën ka vendosur protezën në një klinikë private, dentare në Tiranë. Të mërkurën i kanë nisur dhimbjet e padurueshme. “Një fqinje na tha se këtu janë shërbimet më lirë. Ne të dyja jemi pensioniste. Të shohim ç`do të na thonë”, – thotë Jeta, që pret në katin e dytë të Klinikës Stomatologjike, Universitare brenda korpusit të QSUT-së. Pas 3-4 minutash një zonjë me bluzë të bardhë ua bën me shenjë që të hyjnë në sallë. Vizita zgjat 6-7 minuta dhe Jeta del. Është e mahnitur nga komunikimi dhe shërbimi i doktoreshës. “Më tha që, proteza që kisha vendosur, nuk vlente. Do ta ribëj këtu. Do të vij në mes të majit”, – thotë Jeta, e cila tashmë pret të motrën, që të bëjë edhe ajo një kontroll. Eneida Prifti është doktoresha që i priti dhe i kontrolloi të dyja motrat. Shërbimi, falas. “Njerëzit e duan shërbimin, lirë, me cilësi dhe tani”, – thotë doktoresha.

Klinika Stomatologjike, Universitare ka gjithsej 18 mjekë stomatologë, 13 salla pune dhe një laborator për shërbimet. Pavarësisht kësaj pacientët ankohen për kohën e pritjes, duke ngritur dyshime për efikasitetin e përdorimit të burimeve njerëzore dhe organizimin e punës në këtë institucion. Pagat e tyre ishin 160 mijë lekë dhe i vetmi shërbim tërësisht falas është konsulta dentare. Shërbimet e tjera, si vendosja e dhëmbëve metal-porcelani, protezat, aparatet dentare për fëmijët, janë me pagesë. Gjithashtu, edhe ekzaminimet, si grafi, panoramex, janë me pagesë; sigurisht, me tarifa më të ulëta se te klinikat private.

Në vitin 2024 në Shqipëri mungon Urgjenca Dentare 24/7, duke e privuar popullsinë në nevojë nga kujdesi për emergjencat stomatologjike. Shërbimi falas ofrohet, së paku teorikisht, në institucionet shkollore, në 3 poliklinika dhe në Klinikën Stomatologjike, Universitare në Tiranë, ndaj vështirësia në aksesim mbetet një realitet i pazëvendësueshëm.

Mjeke stomatologe pranë KSU-së, gjatë një dite pune, © Klinika Stomatologjike Universitare

Nga fleksibiliteti i orarit, deri te shumëllojshmëria e shërbimeve të ofruara, i kthejnë klinikat private në të preferuarat e qytetarëve, ndonëse me një çmim “më të kripur” se ai simbolik i shtetit.

Megjithatë, problemet lidhur me kujdesin dentar falas janë shumëdimensionale. Edhe për shërbimet falas cilësia dhe disponueshmëria e tyre janë të diskutueshme.

Aktualisht në Shqipëri diplomohen 550 stomatologë në vit, sipas të dhënave të ofruara nga Klinika Stomatologjike, Universitare. Eurostat tregon se kemi 3.8 stomatologë për 100 mijë banorë, ndër raportet më të larta në Europë. Por, ky fakt nuk e reflekton qasjen lehtësuese për popullsinë.

Strukturat nuk garantojnë efikasitet

15 milionë lekë u investuan nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2019 për të modernizuar Klinikën Stomatologjike, Universitare. Ky ishte investimi i parë pas 18 vitesh harrese dhe i fundit në këtë sektor. Investimi do të mundësonte shërbim falas për kategoritë në nevojë. Sot, 5 vite më vonë, sipas Anis Thodhorjanit, drejtori të KSU-së, rreth 20 mijë pacientë në vit marrin shërbim. Në një përllogaritje të shpejtë, bëhet fjalë për rreth 1.666 pacientë në muaj ose rreth 80 në ditë (duke përjashtuar fundjavën, kur klinika është e mbyllur). Një shifër premtuese në drejtim të përfshirjes së shëndetit dentar falas nga strukturat publike, por e vështirë për verifikim, duke qenë se në kërkesën e drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për të pasur buxhetimin e këtij institucioni, nuk patëm përgjigje.

Sipas informacioneve të marra, shërbimet e ofruara ndahen me prioritete: në fillim, shtresat e margjinalizuara ose ato në nevojë, pacientët e dytë, moshat e treta dhe fëmijët, pastaj pjesa tjetër e qytetarëve.

Kategoritë në nevojë, duke filluar nga fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, familjet në ndihmë ekonomike, përfituesit e institucioneve të kujdesit social, i marrin të gjitha shërbimet falas; për të tjerët ka shërbime falas dhe të tjera, me pagesë.

“90% e shërbimeve janë pa pagesë. Për pjesën tjetër paguhet vetëm kostoja e tyre, e cila është e caktuar me VKM. Me kosto janë: metal-porcelani, protezat, aparatet dentare për fëmijët. Në një krahasim me sektorin privat, një protezë në privat kushton 40 mijë lekë, këtu, 6 mijë lekë. Metal-porcelani në privat kushton rreth 15 mijë lekë, këtu, 4 mijë lekë. Heqja e dhëmbëve, mbushja e dhëmbëve, operacionet janë të gjitha pa kosto”, – thotë z. Thodhorjani.

Gjatë 5 viteve të fundit janë shtuar shërbime, si panoramexi digjital dhe skanerët 3D, por janë shërbime me pagesë, përkatësisht, 2 mijë dhe 5 mijë lekë. Pra, pacienti mund ta mbushë dhëmbin falas, por për ta marrë këtë shërbim, duhet medoemos një grafi ekzaminuese, që është me pagesë. Falas nuk është asnjëherë falas.

Ndryshe nga qendrat shëndetësore, Klinika Stomatologjike shërben edhe si praktikë për studentët e Fakultetit të Stomatologjisë.

Sipas z. Thodhorjani, koha e pritjes për urgjencat është zero, por gjithmonë brenda 8 orarit. Klinika funksionon si çdo institucion publik, me një turn, edhe pse urgjencat “zakonisht” nuk kanë orare.

Gjithashtu, në fundjavë gjithçka është e mbyllur, duke shtuar kështu një tjetër problematikë për qytetarët, që e kanë të vështirë të marrin shërbime, për sa kohë janë në punë në të njëjtën fashë orari sikurse klinika.

Në varësi të shërbimeve të tjera, koha e pritjes ndryshon. Në një konstatim praktik, për një mbushje dhëmbi pranë këtij institucioni, në momentin që paraqitesh dhe ekzaminohesh, duhet të presësh deri në 4 ditë zyrtare pune. Për shërbime si proteza apo të tjera koha e pritjes është më e gjatë.

I pyetur për shërbimin e urgjencës, z. Thodhorjani konfirmon mungesën e tij, pas tjetërsimit të godinës ekzistuese në Bulevardin Zogu I, rreth 5 vite më parë. Sipas tij, përveç strukturave të sipërpërmendura, brenda QSUT-së Spitali Francez mund të shërbejë si urgjencë darkave, por nuk është ky fokusi primar i kësaj strukture spitalore.

Ambienti i KSU, foto e marë në mar 2024

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale premton se po punohet, që Tirana të ketë shërbim urgjence 24 orë për shqetësime dentare. Rrethet, sigurisht pas Tiranës. Koha e realizimit, e pacaktuar.

“Kemi nisur marrjen e masave të nevojshme, që nga përcaktimi i strukturës, që do të ofrojë shërbimin e urgjencës dentare 24/7 në nivel bashkie, deri te garantimi i personelit të dedikuar, stomatologjik për ofrimin e këtij shërbimi. Do të nisë me hapjen e këtij shërbimi në Bashkinë e Tiranës, për të vijuar më pas në mënyrë kapilare edhe në bashki të tjera. Kjo punë pritet që të përfundojë brenda këtij viti, me hartimin e një rregulloreje për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të urgjencës dentare 24/7 dhe shtrirjen e saj, kapilare në nivel kombëtar”, – thotë ministrja, Albana Koçiu.

Midis realitetit dhe propagandës

Sipas z. Thodhorjani, klinika funksionon si niveli tercial i marrjes së shërbimeve. Shërbimi primar për stomatologjinë për fëmijët ofrohet në shkolla, ndërsa shërbimi dytësor, në qendra shëndetësore.

“Sistemi parësor dhe dytësor i shërbimeve dentare ka krijuar shumë gropa ndër vite. Supozohet që secila nga këto hallka t`i trajtojë pacientët përkatës, pra që fëmijët të mos shkojnë asnjëherë te klinika, për sa kohë që i kanë në shkolla; apo të rriturit të mos drejtohen pranë KSU-së, për sa kohë që kanë poliklinikën e tyre, që duhet t’ua ofrojë shërbimin”, – thotë z. Thodhorjani.

Në Tiranë vetëm 10 shkolla publike e kanë një kabinet të tillë, dentar, duke lënë mënjanë nxënësit e shkollave të tjera, publike në qytet apo nxënësit e shkollave private.

Të dhënat janë marrë nga Shërbimi Stomatologjik, Publik (NjVKSh).

Shkollat janë: “Vasil Shanto”, “Halit Çoka”, “Jeronim de Rada”, “Qazim Turdiu”, “Mihal Grameno”, “Lasgush Poradeci”, “Bajram Curri”, “28 Nëntori”, “Shkolla e Kuqe”, “Kushtrimi i Lirisë”. Ky investim i bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në vitin 2022 ofron kontrolle të gojës, fluorizime, silanime, mbushje dhëmbësh, edukim shëndetësor.

Nëse e sheh listën, konstaton se kryesisht janë shkollat, që ofrojnë edhe turnet e dyta apo të treta për shkollat e tjera, që janë ende në proces rindërtimi pas tërmetit të vitit 2019.

Edhe pse dentistët duhet të jenë të pranishëm për të ofruar shërbimin e nevojshëm, shpeshherë ata mungojnë dhe si pasojë fëmijët vuajnë nga mungesa e kujdesit të nevojshëm, dentar.

Ky hendek midis propagandës dhe realitetit reflekton një problem themelor në sistemin tonë, shëndetësor dhe në mënyrën se si është organizuar kujdesi shëndetësor në shkollat publike. Synimi është që të ofrohet një gamë e gjerë shërbimesh shëndetësore për nxënësit, përfshirë kujdesin dentar. Realiteti tregon se resurset dhe përkushtimi për ta bërë këtë janë të pamjaftueshme.

Oriana Tamburi, kreu i Shërbimit Stomatologjik, Publik, bën me dije se, ofrimi i edukatës dentare dhe informacioneve në këtë fushë është shumë më i lartë se vitet e mëparshme.

Në një përllogaritje të shpejtë, shkolla “Vasil Shanto” ka vetëm 1 kabinet dentar, ndërkohë që është një shkollë, që përfshin klasa parashkollore, deri te klasa e nëntë, ku mesatarisht ka 4 paralele, me mesatarisht 25 fëmijë në klasë. Pra, rreth 1.000 nxënës në ditë do të duhet të “përplasen” për shqetësimet e tyre në 1 kabinet të vetëm dentar, me 1 dentist të punësuar.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Programi Kombëtar i Depistimit dhe i Kujdesit të Shëndetit Dentar për fëmijët e grup-moshës 6-14 vjeç në shkolla, me qëllim identifikimin e hershëm të patologjive orale, dëmtimeve të dhëmbëve, parandalimin, edukimin shëndetësor dhe ofrimin e shërbimit profilaktik dhe mjekues, ka nisur praktikisht në vitin 2022 vetëm në Tiranë.

“Qëllimi kryesor i këtij programi është përmirësimi i shëndetit dentar te fëmijët e moshës shkollore me anë të identifikimit të hershëm të patologjive orale, parandalimit, edukimit shëndetësor dhe ofrimit të shërbimit profilaktik dhe mjekues stomatologjik. Vlen për t`u theksuar se ky program është një komponent qendror në unifikimin e ofrimit të shërbimit të shëndetit oral. Është një model shërbimi i bazuar në fakte dhe me kosto efektive, që thekson parandalimin e sëmundjeve orale dhe identifikimin e hershëm të sëmundjes, si dhe integrimin e shërbimeve të shëndetit oral në kujdesin shëndetësor, parësor dhe në mjediset shkollore”, – thotë më tej ministrja, Albana Koçiu.

Sa i përket sistemit parësor, aktualisht në Tiranë vetëm 3 qendra shëndetësore ofrojnë shërbime të kujdesit oral dhe ato janë: Poliklinika nr. 1, 2 dhe 9. Duke funksionuar si shërbim me bazë referimi nga mjeku i familjes, nuk e merr këtë shërbim, nëse je banor i një zone tjetër.

Sipas OpenData, janë në total 12 poliklinika dhe qendra shëndetësore brenda Tiranës, ndërsa ka edhe qendra të tjera si në Paskuqan, në Babrru, në Bathore, në Kamëz, te Kodra e Kuqe, te Bregu i Lumit etj., të cilat nuk e kanë këtë shërbim.

Zyra e vetme stomatologjike pranë Poliklinikës nr.9, 21 Dhjetori

Në një konstatim në Poliklinikën nr. 9 në zonën e 21 Dhjetorit, pritja prej 45 minutash ishte e pamjaftueshme për të patur mundësi që të takoja mjekun në kabinetin oral, pasi orari i vizitave përfundoi; ndërkohë që shërbimi i informacionit pranë poliklinikës nuk kishte asnjë informacion për oraret që mjekët zbatojnë. Përpjekja e dytë më përballi me një mungesë fizike të mjekut të kabinetit përgjatë orarit të paradites së një dite zyrtare, pune (20 mars).

Po rrethet…?

Në shumë rrethe të vendit aksesimi në kujdesin dentar falas është bërë një sfidë e theksuar për qytetarët. Në Durrës, në Shijak dhe në Elbasan qytetarët përballen me mungesën e qendrave shëndetësore, që ofrojnë kujdes dentar falas. Edhe kur ekzistojnë qendrat shëndetësore, mungon mjeku i specializuar, për të kryer trajtimet e nevojshme. Kjo situatë ka bërë që shumë prej tyre të përfundojnë në institucione private, shëndetësore, duke e kthyer kujdesin dentar në një shpenzim shtesë, që për shumicën është i pamundur për t`u përballuar.

Sipas informacioneve të marra në Ministrinë e Shëndetësisë, në rrethe ka dentistë të punësuar pranë poliklinikave, që ofrojnë shërbimin primar, si dhe në poliklinikat e specialiteteve, përkatësisht 1 dentist për qendër shëndetësore. Në kundërshti me këtë fakt, ministria bën me dije se, nga viti 2022 ka nisur një projekt i ri për kabinetet e lëvizshme nëpër rrethe në vend, prej nevojës për kontrolle dhe mungesës së shërbimeve dentare, shtetërore. Kabinetet lëvizëse kanë në fokus vizitat për fëmijët, jo për të rriturit, duke mos i lënë mundësi tjetër këtyre të fundit, përveçse të drejtohen në privat.

KE: Shqiptarët nuk i përballojnë çmimet e kujdesit oral

Dentistët shtohen, por 50% e shqiptarëve nuk kanë pará, që të shkojnë te dentisti. Ky është një nga përfundimet e raportit të Komisionit Europian, që lidhej me cilësinë e jetës në vendin tonë.

Anketën e Cilësisë së Jetës të Komisionit Europian gjysma e të pyeturve kanë deklaruar se nuk kanë shkuar te dentisti për të kursyer pará. 34% kanë deklaruar se nuk kanë shkuar në kohën e duhur te mjeku stomatolog, ndërsa 16% kanë deklaruar se nuk kanë shkuar fare te dentisti. Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Bashkimin Europian. Anketa ka treguar se ndryshe nga Shqipëria, në Malin e Zi kanë deklaruar se e kanë vonuar vizitën 18%, ndërsa nuk kanë shkuar fare 12% e të anketuarve; po aq edhe në Maqedoninë e Veriut.

© Klinika Stomatologjike Universitare, foto e shkrepur në mars 2024

Ekspertët: Çfarë mungon nga skemat aktuale

Financimi i shërbimeve dentare është kompleks në çdo vend të botës. Sipas ekspertit të shëndetësisë, Erion Dasho, problemi i financimit të shërbimeve dentare është shumë i mprehtë dhe duhet trajtuar me urgjencë.

“Fatkeqësisht, nuk shoh të jenë duke u hedhur hapat e duhur. Në Shqipëri ka probleme shumë më bazike për të zgjidhur, siç është financimi i shërbimeve shëndetësore, bazë. Iniciativa për aplikimin e skemës së rimbursimit duket sikur ka ngecur. Në Gjermani ka bashkë-pagesa, nëse kërkon që mjeku të përdorë një material më cilësor për mbushjen ose nëse kryen shërbime, si vendosje kurorash, implantesh etj. Kur dëgjoj të flitet për autonomi, pagesë sipas performancës, kontraktim të sektorit privat, unë pyes: Si do t’i realizoni këto? A mund të bëhen këto, pa rregulluar sistemin e financimit?”, – përfundon eksperti.

Dritan Gremi, sipërmarrës i fushës prej më shumë se 2 dekadash, thotë se në popullatë mungon informacioni për sa i përket shërbimit dentar falas.

“Ndërsa flasim për një sistem dentar falas, duhet të kemi parasysh që ky sistem nuk është i njohur nga shumica e qytetarëve. Atyre iu mungon informacioni se ku dhe si i përfitojnë këto shërbime. Së dyti, Ligji nr. 9928, datë 9.6.2008 për Shërbimet Dentare shfaq disa problematika, duke lënë ambiguitet dhe paqartësi për përfituesit e këtyre shërbimeve, ndërsa lipset që pikësëpari të kemi një ligj, ku nga shërbimet dentare falas të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe jo vetëm disa kategori, sikurse po ndodh deri tani”, – thotë z. Gremi

Sipas tij, mund të realizohen disa skema, që këto shërbime të jenë të aksesueshme për këdo që nuk do të shpenzojë.

“Nëse shërbimi dentar falas ka nisur të aplikohet në shkolla për moshat 0-18 vjeç si shërbim profilaktik dhe mjekues, ajo që mund të bëhet është një alternativë që gjatë pasditeve në laboratorët e shkollave t’iu shërbehet të moshuarve. Një tjetër formulë efikase do të ishte një marrëveshje e shtetit me privatin, për t`i lejuar pacientët që të marrin shërbime të caktuara në klinikat private, të cilat më pas rimbursohen nga shteti. Formula mund të shtrihet edhe më tej, në atë që do ta quaja një pakt social privat-shtet, që do të thotë se çdo klinikë përgjatë një muaji do të ketë detyrimin e trajtimit gratis të një numri të caktuar pacientësh, varësisht kapaciteteve që ka klinika. Në momentin që i jepet licenca, klinika të firmosë edhe marrëveshjen për shërbimin gratis. Sipas një raporti të OBSH-së së fundmi, 35% e personave mbi 60 vjeç në Shqipëri i kanë humbur të gjithë dhëmbët, ndaj duhet të gjendet hapësira e protezave të lëvizshme falas për të gjithë qytetarët”, – thotë z. Gremi.

Mbi 65 vjeç është afërisht 13% e popullatës ose rreth 150 mijë persona. 1 në 3 prej tyre llogaritet të jenë pa dhëmbë. Pra, mbi 50 mijë persona, që do të kenë nevojë për proteza të lëvizshme.

“Duke menduar të dyja harqet, sipër dhe poshtë, me një çmim rreth 10 mijë lekë të reja, do të thotë që për 80 mijë pacientë do të nevojiteshin afërisht 8 milionë euro. Nga do të dilnin këto pará? Së pari, mund të dalin përmes taksimit të klinikave dentare, që punojnë me turizmin mjekësor dhe që teorikisht faturojnë nga 200 deri në 250 milionë euro dhe nuk i deklarojnë. Mund të dalin gjithashtu nga buxheti i shtetit dhe këtu mjafton të kujtojmë faktin që vetëm nga tatimet të ardhurat për dy muajt e parë të vitit 2024 u rritën me të paktën 5.6 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023”, – përfundon z. Gremi.



Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *